“Chatbots”- drejt një marrëdhënie mes palësh me audiencat

4 Prill , 2018 • Mediat e Reja • by

Kur e përditshmja më e madhe në vend, THE ARIZONA DAILY STAR, gazeta që publikohet në Arizonën Jugore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, filloi të eksperimentojë mbi chatbots në vitin 2016, lexuesit u shfaqën të ngazëllyer…dhe në të njëjtën kohë sigurisht edhe pak konfuzë. Ata u mahnitën nga teknologjia e re, megjithëse më të shumtët teksa e përdornin, nuk kuptonin se kush ishte në anën tjetër të komunikimit online. “Shumë përdorues të tij me sa duket mendonin se po komunikojnë me një person tjetër,” shpjegonte një prej menaxherëve të kësaj gazete, e cila kish ndihmuar të testohej së pari ky eksperiment komunikimi tek prindërit vendas dhe tek një grup tjetër që veçonte super blerësit e vendit.

Bots- këto programe kompjuterike gjenden kudo tani; në më të shumtën e rasteve ato ndihmojnë njerëzit të përdorin Lyfts (rrjet ndërkombëtar transporti), të porosisin pica apo të zgjedhin artikuj të ndryshëm – dhe prej praktikës kemi mësuar përvoja nga më të ndryshmet, që nga më e thjeshta dhe e lehta në përdorim deri tek trullosja apo e pakëndshmja që ato mund të shkaktojnë. Sidoqoftë, aksionet mbeten më të larta, për ato programe kompjuterike që i përkasin agjencive që e cilësojnë veten si burime të besueshme informacioni. Por, çfarë ndodh në të vërtetë? Audiencat ç’orentiuese dhe dezinformuese, qoftë dhe aksidentalisht apo vetëm për një moment, mund ta dëmtojnë besueshmërinë e një redaksie.

Kjo sigurisht nuk do të thotë që gazetarët nuk duhet të përdorin këto programe kompjuterike (bots), por ata duhet t’i kushtojnë vëmendje të posaçme mënyrës se si ata i paraqiten lexuesit. Ky ishte shkaku që një eksperte e përmbajtjes së këtyre programeve kompjuterike, Jennifer Hefty, e peshoi mirë kur vendosi ta lançonte këtë program, redaksisë së saj disa javë para zgjedhjeve të vitit 2016. Hefty, e cilësuar si një stratege e përmbajtjes, pat marrë pjesë në një seancë mbi gazetarinë bashkëbiseduese, gazetarinë e së ardhmes në një konferencë mbi lajmet online. Ajo kish shfaqur dëshirën të testonte eksperimentin e saj, por ishte, gjithashtu, e vetëdijshme mbi potencialin e teknologjisë për të mashtruar.

Për të mbajtur lexuesit të informuar rreth këtij testimi, ajo krijoi një video mësimore dhe një tutorial të shkruar për të prezantuar “Elexi”, një program në Facebook Messenger për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth kandidatëve dhe për të dhënë rezultate natën e zgjedhjeve. Udhëzuesi përfshinte hap pas hapi mësime për përdoruesit, informacionet e kontaktit mbi të dhe, në kuadrin e fundit në video, një pohim të rëndësishëm: “Mos harroni, unë jam një robot, jo një njeri”. Gjatë kohës që ky program ishte live, Hefty e mbikëqyrte atë nga afër, duke bërë korrigjime të vazhdueshme për t’i ruajtur përdoruesit nga tensioni dhe hutesa e momentit. Vazhdimisht ne flasim kaq shumë për transparencën, për mënyrën se si ne i bëjmë gjërat dhe pse i bëjmë ato. Ndaj është rreptësisht e nevojshme që njerëzit të mund të kontribuojnë cilësisht me besueshmërinë e tyre kur në këto programe ka diçka që nuk shkon e madje të dinë se pas këtij komunikimi virtual ka një person të vërtetë.

Kjo lloj mbikëqyrje e ndërsjellët mes palëve, ti këndej dhe atij andej, në anën tjetër të programit, është vendimtare për të parandaluar problemet dhe për të ruajtur besueshmërinë, shpjegojnë ekspertët perëndimorë të botës së medias. Kjo mënyrë i ndihmon redaksitë e lajmeve në televizion dhe radio të bashkëveprojnë me audiencën e tyre në mënyrë më efikase. Në rastet kur chatbots përdoren vetëm për shpërndarje produktesh apo marketing, nuk është e nevojshme një përfshirje njerëzore. Sigurisht që është një rrugë për të tërhequr klientelë, por, nëse ato përdoren për angazhim social, përkushtim njerëzor dhe profesional, atëherë ato vihen gjithmonë e më shumë në shërbim qytetarëve të zakonshëm; përndryshe, shërbimi që ju ofroni nuk do të jetë aspak i sinqertë.

Transparenca në të tilla komunikime është lajtmotivi i këtij projekti në çdo subjekt a institucion publik apo privat që mund të aplikohet edhe në Shqipëri. Ata që e kanë ideuar dhe projektuar atë sigurisht kanë menduar ta sjellin shumë më të thjeshtë dhe akoma më të lehtë për ta përdorur. Mendjet që e ideuan e filluan atë si një projekt të vogël, duke e testuar fillimisht në chatbots e tyre mes një audience relativisht të rehatshme, dhe aspak të përzier. P.sh një prej projekteve u ideua se si të ndihmojmë prindërit të gjejnë kampin veror që i përshtatet më mirë interesave të fëmijëve të tyre, etj. si këto. Por dilema nuk mbaronte këtu. Ky projekt i ri në fushën e teknologjisë së komunikimit u mendua me kujdes të aplikohej edhe në telefon.

Sot në këtë kohë që po flasim, redaksitë e lajmeve në SHBA kryesisht përdorin chatbots për të nxjerrë titujt kryesorë në gazeta apo portalet online, apo qoftë dhe për të kërkuar lloje të veçanta informacioni prej audiencës. Mbërritja e të tilla platformave nuk shërben vetëm për subjekte që mbulojnë audienca të mëdha. Ato janë po aq të aplikueshme edhe në redaksi të vogla pa nevojën e përdorimit të një kodi. Ndërsa përdorimi i tyre po bëhet gjithnjë e më i larmishëm, ky mbetet një fakt i pamënjanueshëm që newsroom-et do të duhet gjithmonë e më shumë ta konsiderojnë.

Ndaj ekspertët parashikojnë se duhet treguar akoma dhe më shumë kujdes në shqyrtimin dhe komunikimin mbi informacionin që audienca e pajisur më këtë program të ri mund të japë. A përbën ai një lajm? A është ai një histori? A mund të ndahet me gazetarët e redaksisë? Me sponsorizuesit apo zyrën e marketingut? Gazeta e madhe e që përmendëm më sipër, është aktualisht duke eksperimentuar mbi integrimin e reklamave në mjedisin e chatbot, duke nxitur nevojën për standarde të reja etiketimi (S&L). Së fundi, do duhet të besojmë se ka ardhur një kohë e mirë për teknologjinë e komunikimit. Forca të reja inteligjente duan të vendosin një marrëdhënie më të sinqertë me përdoruesit duke bashkëvepruar në një mënyrë më origjinale.

Por pyetja që ekspertët ngrenë në përfundim është: ‘Si mund ta bëjmë këtë program që secili në anën tjetër, të ndihet se po i shkruan një miku?’ Është fare e thjeshtë, përgjigjen po ata. Për sa kohë që jeni të hapur dhe transparent në atë që po bëni dhe me kë po flisni … asgjë nuk ju pengon të krijoni një marrëdhënie autentike me tjetrin, edhe kur në mes është diçka që ngjan si artificiale.

Burimi: http://www.gsh.al/2018/04/03/chatbots-drejt-nje-marredhenie-mes-palesh-audiencat/

 

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, ,

Send this to a friend