Media/Facebook: një marrëdhënie e ndërlikuar

1 Dhjetor , 2017 • Kryesoret, Mediat e Reja, Shkrimet më të fundit • by

Botuesit nuk duhet të tregohen vetëm të kujdesshëm ndaj Facebook dhe Google, por ata duhet edhe të punojnë së bashku me ta. Lëshimet e reja nga firmat e mediave sociale nuk pritet që t’i ndihmojnë shumë botuesit.

Në muajt e fundit, Google dhe Facebook kanë bërë ndryshime të shumta në platformat e tyre, të cilat mund të kalojnë pa u vënë re nga miliarda përdoruesit e tyre, por jo nga agjencitë e lajmeve. Facebook filloi të shfaqte logot e botuesve në disa nga postimet e tij, kështu që lexuesit mund të identifikojnë burimin e lajmeve, shkruan The Economist.

Dhe për herë të parë, Google, u dha mundësinë botuesve që të kontrollojnë se sa herë përdoruesit e këtij motori kërkimi kanë vizituar faqet online të lajmeve dhe e gjitha kjo pa kurrfarë pagese. Të dyja këto firma gjigante do të ndihmojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e abonimeve të shtypit të shkruar. Por për disa kritikë, lëvizja e këtyre gjigantëve është e dyshimtë, sepse e krahasojnë me ndihmën që “ujqërit mund t’u japë deleve teksa ato janë të gjitha së bashku në tufë”.

Qëllimi kryesor i bizneseve si ai i Facebook dhe i Alphabet, Google dhe YouTube, është që të tërheqin vëmendjen e një grupi të madh njerëzish që të kalojnë aty kohën e lirë. Për ta, gazetaria cilësore është vetëm një tjetër goditje.
Facebook e quan këtë kategori si “News Feed”, duke ofruar një prej produkteve më të rëndësishme, dhe vitet e fundit, ai po u jep rëndësi gjithnjë e më të madhe këtyre lajmeve, në vend që t’u japë përparësi përditësimeve dhe publikimeve të ndryshme nga miqtë dhe familjarët e këtij rrjeti në krahasim me ato të botuesve.

Të ardhurat e gjeneruara nga shumë botues kanë qenë minimale p.sh., në rastin e postimit të “artikujve të menjëhershëm” në Facebook, ose më keq, kanë qenë gati inekzistente në rastin e videove që ata bëjnë për rrjetin social.
Faqet e ndryshme të lajmeve i janë dorëzuar faktit se nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të punojnë me dy gjigantët e teknologjisë. Por tek e fundit, si Facebook, me përdoruesit e tij që shkojnë deri në 2 miliardë dhe Google me 10 miliardë klikime në muaj për botuesit ndodhen pranë lexuesve të tyre, ata janë aty ku lexuesit e tyre janë.
Prandaj është i qartë fakti se në dorë të kujt qëndron pushteti. Kjo gjë nuk ka gjasa të ndryshojë në të ardhmen, duke qenë se edhe lufta e përpjekjeve të botuesve për ta ndryshuar një gjë të tillë ka qenë jo shumë e fortë.

Në Amerikë, një konsorcium prej rreth 2,000 organizatash të lajmeve, Aleanca e Mediave të Lajmeve, po i kërkon Kongresit të bëjë një përjashtim nga ligji antitrust, në mënyrë që t’i lejojë botuesit të negociojnë kolektivisht me të dyja firmat.
David Chavern, President i këtij konsorciumi, rendit disa prej kërkesave kryesore: përfitim i më shumë të ardhurash nga reklamat; mundësinë për të pasur akses në të dhënat rreth audiencës së tyre në platformat e teknologjisë; brandim më i mirë për botuesit, pasi përdorimi i logove të tyre është i kufizuar (njerëzit thjesht thonë, “E kam lexuar atë në Facebook, duke mos e fiksuar pothuajse fare logon”, shprehet z. Chavern); dhe më shumë mbështetje për abonimet.

Fakti që gjigantët e teknologjisë po bëjnë lëshime në disa prej këtyre pikave, mund të shpjegohet sepse ata mendojnë se gjendja politike po kthehet kundër tyre, si në Amerikë ashtu edhe në Europë, ose për shkak të shqetësimit të vërtetë për ekosistemin e medias.
Kohët e fundit, Google News Lab, i formuar në vitin 2015, ndihmoi në financimin e “Raportit për Amerikën”, i cili do të dërgojë fillimisht 18 reporterë në redaksitë e qyteteve të vogla në të gjithë vendin. Ky numër pritet të rritet në vitet e ardhshme. Në janar, Facebook nisi një “Projekt të Gazetarisë”, për të ndihmuar në krijimin dhe zhvillimin e lajmeve në bashkëpunim me redaksitë e ndryshme.

Drejtues të ndryshëm redaksi lajmesh shprehen se marrëveshjet që Google kishte krijuar me ta i dukeshin më të sinqerta në krahasim me ato të Facebook. Por ndryshimet e të dy firmave në politikat e klikimit janë të rëndësishme. Politika e vjetër që Google përdori ndaj atyre përdoruesve që ishin të interesuar për faqet online të gazetave u quajt “klikimi i parë falas”, por në të vërtetë ajo u dha përdoruesve 3 klikime falas në faqet e gazetave çdo ditë.
Ndërkohë që botuesit nga njëra anë po i shtonin numrat e rubrikave që kishin me pagesë në faqet e tyre, nga ana tjetër ata po lobonin fort që edhe Google ta kufizonte aksesin e lirë. Google preferon një faqe krejtësisht të lirë dhe të hapur, më e mira për kërkimin dhe vendosjen e reklamave, por në fund ajo u ngadalësua.

“Ne jemi të kënaqur që biseda ka lëvizur duke iu larguar pozicionit ideologjik, sipas të cilit të gjitha përmbajtjet duhet të jenë të lira”, shprehet një prej ekzekutivëve në Wall Street Journal, ku të gjithë përdoruesit online të kësaj faqeje paguajnë një shumë të caktuar për të parë lajme të ndryshme online. Në fillim të këtij viti, kjo revistë e hoqi opsionin, “klikimi i parë falas” dhe pa një rënie me 50% të trafikut nga Google.
Për sa u përket përdoruesve të Facebook, ata kanë akses falas tek të gjithë artikujt e publikuar në këtë rrjet social.

Ai ka nënshkruar marrëveshje me dhjetë botues (përfshirë The Economist), duke u dhënë mundësinë përdoruesve të tij që të lexojnë deri në 10 artikuj falas në këto Gazeta apo revista, dhe pas ezaurimit të 10 artikujve ai i dërgon ata direkt në faqen e botuesit, ku i del përpara një njoftim për t’u abonuar nëse duan të vazhdojnë të lexojnë më tej artikuj.

Drejtuesit e medias në firmat që mbështeten më shumë në shitjen e reklamave sesa abonimet janë më entuziastë për Facebook dhe Google. “Ne i shikojmë këto media si miqtë tanë”, shprehet Paul Zëillenberg, drejtori ekzekutiv i Daily Mail i Britanisë dhe General Trust.
Mail Online i ka dyfishuar vizitorët e përditshëm vetëm nëpërmjet postimit të videove të ndryshme në Facebook dhe YouTube.

Kjo nuk do të thotë të heqësh dorë nga trafiku i drejtpërdrejtë i internetit (në të cilin Mail Online mund të shesë reklama pa ndarjen e të ardhurave me Facebook apo Google). Rreth 35% e trafikut të Mail Online në Amerikë ende vjen si pasojë e vizitave direkte në faqen kryesore të kësaj media, gjë që sipas SimilarWeb, një firmë analitike, është përqindja më e lartë krahasuar edhe me përqindjen e trafikut të disa prej faqeve të gazetave më të mëdha amerikane.

Por shitja e reklamave dixhitale në faqet e tyre të internetit është një sfidë për shumicën e organizatave të lajmeve, pjesërisht për shkak të konkurrencës nga duopoli. Facebook dhe Alphabet do të marrin shumicën e të gjitha të ardhurave dixhitale globale gjatë këtij viti dhe sipas disa të dhënave kohët e fundit kanë marrë 80-90 për qind të tyre.
Të dhënat që ata kanë mbi përdoruesit e ndryshëm u japin atyre avantazh të madh. Sido që të jetë ecuria e gazetarisë dixhitale, Facebook dhe Google janë shumë më përpara. Lëvizjet e tyre të fundit, megjithëse të mirëpritura edhe nga një numër i madh botuesish, nuk kanë gjasa të ndryshojnë trajektoren e këtij raporti.

http://www.americaneye.al/marredhenia-e-facebook-mediat-eshte-shume-e-nderlikuar/

 

Tags:, , , ,

Send this to a friend