Urrejtja online dhe dështimi i medias për t’i vënë fre

23 Mars , 2014 • Etika dhe Cilësia • by

Racizëm, islamofobi, fobi ndaj të krishterëve, nacionalizëm, krahinizëm deri edhe në ndarje të vogla administrative, sharje bazuar mbi cene natyrore dhe përveç kësaj një fjalor i gjatë ofendimesh personale. Bota e internetit në Shqipëri është një çmenduri e pacensurë, e dhunshme deri sa të sjell shqetësime stomaku. Për shembull, nëse lart të është dhënë fotografia e një të masakruari dhe poshtë saj lexon: “Mirë ia kanë bërë”. Qëndrime të tilla shkojnë jo vetëm pa u kritikuar, por deri edhe duartrokiten prej pasuesve në komentet e radhës. Nëse do të citojmë këtu vetëm pak prej reagimeve që gjetëm ndërsa shihnim në “koshin” e Mapo Online do të duhej ta shënonim këtë faqe si të papërshtatshme për ata me zemër të dobët apo nën moshë. Disa herë madje duke u shpëtuar redaktorëve komente të tilla i gjejmë të publikuar dhe ato janë të tipit (më të moderuarat): “mos na fliqni Prizrenin me ket Ortodoks” apo “xhamitë e tyne janë shtëpi qensh”.

Të urresh tjetrin në ueb, të shfrysh dufin duke pikturuar me fjalë vdekje makabre, shfarosje gjithfarësojësh është sporti më i fundit. Për shembull në një faqe online dikush bënte thirrje që xhamitë të rrafshoheshin me tritol “bashkë me mjekërcapat brenda”. Edhe kjo futet në listën e atyre që janë të moderuara (krahasuar me atë që vijnë pas kësaj deklarate) edhe pse thirrje terroriste dhe e mjaftueshme për të sjellë kundërreagime të së njëjtës përmasë.

Askush nuk ka ndërmend ta ndalë këtë lloj dhune ndërkohë. Pjesa më e madhe e faqeve online nuk përdorin as edhe një filtër moderimi nga frika se sharësit do të mërziten prej kësaj dhe nuk do të vijnë të shfryhen më në atë faqe. Nuk është nevoja të futesh në faqet e panjohura online të gjasme mediave të krijuara duke kopjuar andej-këndej apo postuar fotografi bizare që i fitojnë lexuesit përmes kleçkave dhe Facebook. Faqet online më të klikuara në vend, gazeta serioze, edhe vetë Mapo (përtej përdorimit të moderimit të komenteve, njoftimit të qartë se komente të tilla nuk do të publikohen) janë pre e mbingopjes me komente aq të rënda, saqë do ishin të mjaftueshme për t’i mbushur burgjet vetëm me të dënuar për nenet 265 dhe 266 të Kodit Penal (nxitje të urrejtjes apo thirrje për dhunë). Pjesa më e madhe e gazetave dhe faqeve online nuk përdorin asgjë për ta parandaluar dhunën verbale as edhe moderim të thjeshtë që nuk do të lejonte që disa fjalë të shfaqeshin. Faktikisht kjo duket si një ndër armët e tyre më të mira për të tërhequr të tjerë sharës. Nëse futesh të lexosh në komentet e këtyre faqeve, nuk gjen asgjë përpos sharjeve të ndërsjella të njerëzve me bindje të ndryshme.

Gjatë kohës së zgjedhjeve sharjet ishin krahinore dhe politike dhe ato mund të duken normale për sa kohë nuk kanosin me shfarosjen e tjetrit për shkak se është tropojan apo vlonjat. Por sharësit politikë përpiqen ndonjëherë të gjejnë gjuhë argumentesh akuzat e tyre përqendrohen kryesisht te liderët politikë, por ata që janë në modë së fundmi sharësit fetarë dhe racorë nuk kanë të tilla hamendësime ata e duan të kundërtin e tyre të pjekur në hell, të djegur në ferr të shfarosur njëherë e mirë. I kundërti ose është “derr i ndyrë” ose është “farë e flliqt”.

Raca është ajo që kërkohet të zhduket më shumë se çdo gjë tjetër. E ndërsa shumë pak komentet fyese ndërballkanase në rrjete të mëdha ku bëhen përnjëmend “luftëra” urrejtësish kalojnë pa u vënë re edhe për shkak të pamundësisë së kontrollit në këto forume, është e pakuptueshme pse gazetat apo mediat e tjera në Shqipëri vijojnë të lejojnë komentues të kësaj natyre. Fqinjët, serbët, grekët e të tjerë, sigurisht as që bëhet fjalë se mund të mbrohen. Kur themi mbrohen jo prej përdoruesve që i thërrasin historisë për të treguar këtë apo atë, por prej urryesve të pastër, njerëzve që bëjnë thirrje për holokaust.

Përtej kësaj urrejtja mes shqiptarëve është po ashtu e pakontrollueshme. Shqiptarë të Kosovës kundër atyre të Shqipërisë, ata të Jugut, kundër atyre të Veriut dhe këtu jo më vetëm qesënditë, ironitë dhe stereotipet. Këto do të ishin më se të “pranueshme”. Këtu bëhet fjalë për ftesa për t’i “zhduk shkiet e Shqipërisë” apo për deklarata të tipit “mirë jua bëri serbi, ashtu e doni ju kosovarët”. Dhe sërish jemi te versioni i të moderuarve. Versionet e tjera janë me më shumë detaje dhe me më shumë vrer saqë duket e pamundur që të përfshihen në një shkrim. Ndonjëherë janë të sofistikuar aq sa mund t’ia hedhin redaktorit nëse nuk lexon deri në fund. Shkrimi duket se është një arsyetim, por në fjalinë e tretë lexon: “Shpallja e kuranit një libër i ndaluar si Mein Kamf i Hitlerit” dhe i njëjti komentues (një grua në këtë rast) flet për “pasojat tejet pozitive të komunizmit”. Ajo sigurisht e ka për shpalljen e ateizmit dhe ndalimin e besimit fetarë dhe dukshëm e beson këtë.  Nëse ky koment do të kalonte ai me siguri do të ndillte një numër të jashtëzakonshëm replikash dhe kundër replikash me të njëjtën gjuhë. Dikush me siguri do të dilet për të ndaluar biblën apo shfarosur priftërinjtë. Pseudonimet do të ishin nga më të larmishmet akuzat prej pedofilisë deri te vrasja e fëmijëve.

Këtu nuk është problemi i lirisë së fjalës dhe i shprehjes. Ata nuk po shprehin asgjë përpos urrejtjes. Kjo është përtej gjithë asaj që mund të quhet liri dhe fyese çdo kënd tjetër që mund të hasë e të lexojë. E vetmja shpresë për të zbutur këtë lloj gjuhë duket se është së pari ndërgjegjësimi i mediave, që minimalisht të shpallë dhe t’i njoftojë komentuesit se një gjuhë e tillë është shkelje e ligjit edhe pse kjo pak do të bënte për të ndryshuar mendimet e tyre. Për fat mund të thuhet dhe vihet re që komentuesit përgjithësisht janë të njëjtë. Madje ato i gjen në faqe të ndryshme me të njëjtat pseudonime që të lejon të hamendësosh se pavarësisht vrerit të pafundmë që vjellin janë në numra të kufizuar.

 

Send this to a friend