Mediat shqiptare dhe specifikat e tregut lokal

6 Janar , 2012 • Ekonomia e Medias, Media dhe Politika • by

Në ndryshim nga vendet e tjera ish-komuniste të Lindjes ku kalimi nga tregjet e kontrolluara të medias në tregjet e lira u bë në mënyrë graduale, në Shqipëri ky ndryshim u bë në mënyrë radikale.

Ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri është shoqëruar me evoluime dhe transformime rrënjësore në fushën e mediave. Vendosja e pluralizmit politik dhe e ekonomisë së tregut në vitin 1991 solli edhe rrëzimin e monopolit shtetëror në tregun e mediave shqiptare. Kalimi nga sistemi i centralizuar në sistemin privat të mediave u shoqërua me ndryshime rrënjësore në treg. Në ndryshim nga vendet e tjera ish-komuniste të Lindjes ku kalimi nga tregjet e kontrolluara të medias në tregjet e lira u bë në mënyrë graduale, në Shqipëri ky ndryshim u bë në mënyrë radikale.

Kështu gjatë viteve 1991-1997 u zhdukën nga qarkullimi thuajse të gjitha gazetat dhe revistat e kontrolluara nga shteti komunist (me përjashtim të gazetës Zëri i Popullit, gazetë kryesore e partisë komuniste në pushtet), dhe vendin e tyre e zunë gazeta të reja të cilat funksiononin kryesisht si biznese private. Bizneset e reja mediatike e transformuan rrënjësisht panoramën e mediave shqiptare. Para vitit 1990 në Shqipëri botoheshin vetëm dy gazeta të përditshme kombëtare: Zëri i Popullit dhe Bashkimi;  në vitin 1991 u botuan  4 gazeta të përditshme, në vitin 1994 ato u dyfishuan në 8 , duke u rritur në mënyrë progresive. Aktualisht në Shqipëri botohen 28 gazeta të përditshme kombëtare, numër ky i konsiderueshëm krahasuar edhe me vende me popullsi shumë më të madhe se Shqipëria.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me tregun e mediave audiovizive. Në këtë treg radiotelevizioni i vetëm shtetëror RTSH është mbizotëruar nga një numër shumë i madh televizionesh dhe radiosh private që kanë pushtuar skenën mediatike albanofone. Aktualisht në Shqipëri, sipas të dhënave të KKRT, operojnë 4 kanale televizive kombëtare, 65 kanale televizive lokale, 33 kanale televizve kabllore, 3 radio kombëtare dhe 47 radio lokale.

Një treg me rregulla minimale

Shpërthimi i mediave private ka sjellë një gjendje kaotike në tregun mediatik. Këtu ka ndikuar edhe fakti që legjislacioni vendas në këtë fushë ka ende shumë boshllëqe. Shteti nuk ka mundur ta luajë plotësisht rolin e vet rregullues në një treg që zhvillohet me shpejtësi dhe që priret drejt kapërcimit të rregullave. Kjo gjendje disi anarkike ka qenë më e dukshme sidomos në fushën e mediave elektronike. Gazetat dhe revistat e kanë filluar veprimtarinë e tyre duke u rregjistruar dhe licensuar ligjërisht si subjekte private, por mediat elektronike e kanë filluar veprimtarinë e tyre si subjekte të palicesnsuara nga shteti. Ligji Mbi mediat e elektronike u miratua më 30 shtator 1998 dhe filloi të zbatohej vetëm në vitin 1999. Por edhe pas miratimit të këtij ligji, zbatimi i tij ka njohur difekte.

Një nga karakteristikat kryesore të tregut të mediave shqiptare është mungesa e transparencës financiare. Bizneset e mediave private, në momentin që hyjnë në treg, nuk i deklarojnë investimet e tyre. Kjo shkakton tronditje të herëpashershme të këtij tregu, pasi në mënyrë sistematike aty hyjnë investitorë të mëdhenj nga fusha të tjera që sjellin rikonfigurimin e peisazhit mediatik. Një gjë e tillë ka ndodhur në mënyrë periodike me futjen e njëpasnjëshme në treg të biznesmenëve të ndërtimit Koço Kokëdhima, Irfan Hasanbelliu, Genc Dulaku si dhe të biznesmenit të kafesë Dritan Hoxha që krijuan menjëherë media të reja të cilat u bënë më të rëndësishmet në vend. Kështu për shkak të investimeve të fuqishme gazetat që janë pronë e dy të parëve (Kokëdhimës dhe Hasanbelliut), janë me tirazhin më të madh në vend, ndërkohë që Dulaku dhe Hoxha kanë në pronësi dy nga televizionet më të mëdha private shqiptare.

Bizneset e reja konkuruese që hyjnë në treg jo rrallë i ndryshojnë prirjet e tregut mediatik duke i zëvendësuar ato me të reja. Gazeta Shekulli hyri në treg me një çmim tre herë më të ulët se gazetat e tjera. Ajo shitej 10 lekë (afërsisht 70 cent), ndërkohë që gazetat e tjera shiteshin me një çmim prej 30 lekësh (210 cent). Më vonë të njëjtën rrugë ndoqi edhe gazeta Panorama. Kjo shkaktoi reagimin e pronarëve të tjerë të cilët kërkuan mbrojtje ligjore nga autoriteti i konkurencës.  Një çbalancim i tillë çmimesh nuk përligjet as me koston e botimit e cila është pak a shumë e njëjtë, as me shitjen në treg, por shpjegohet me faktin se botuesit e disa gazetave i mbulojnë kostot e botimit me fitimet që vijnë nga bizneset e tjera.

Në fushën e mediave televizive, çrregullimet e tregut mediatik janë reflektuar më shumë në çmimet e reklamave si dhe në fushën e programacionit.Kanalet e ndryshme televizive nuk kanë arritur të bien dakort për çmimet e reklamave televizive. Më 5 gusht 2003, drejtuesit e pesë kanaleve kryesore televizive RTSH, Klan, Vizion Plus, Top Chanel, Arbëria nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për përcaktimin e çmimeve të njëjta për reklamat televizive. Sipas këtij memorandumi, çdo spot reklame prej 30 sekondash i transmetuar në këto televizione do të kushtonte 100 euro. Megjithatë ky memorandum ka mbetur i pazbatuar pasi secili kanal televiziv aplikon kuota individuale.

Mungesa e respektimit të rregullave të lojës është e dukshme edhe në trajtimin financiar të gazetarëve dhe të personelit teknik.

Rrogat e gazetarëve lëvizin në mënyrë të dukshme nga njëra media në tjetrën për shkak të konkurencës: Top Chanel, Klan dhe Vizion Plus paguajnë rroga dy ose tre herë më të larta sesa kanalet e tjera televizive që kanë vështirësi ekonomike. Rrogat e gazetarëve televizivë janë gjithashtu shumë më të larta krahasuar me ata të shtypit të shkruar apo të shtypit radiofonik.

Që nga viti 1992 janë bërë përpjekje të vazhdueshme për të vendosur rregull në tregun e mediave. Në shumë aspekte ky treg është sot në një gjendje më të stabilizuar krahasuar me situatën e disa viteve më parë, por megjithatë ai mbetet ende një treg i çrregullt, i paqëndrueshëm dhe pjesërisht informal.

Një treg i vogël dhe në krizë 

Me një popullsi prej rreth 3 milion banorë  që jetojnë aktualisht në vend, Shqipëria mbetet një treg i vogël dhe jo favorizues për tregjet e medias. Tregjet e vogla krijojnë mjaft vështirësi në konsolidimin e bizneseve mediatike pasi kostoja e produkteve të këtyre bizneseve është thuajse e njëjtë me atë që prodhohet edhe në mediat që punojnë për tregje të mëdha, ndërkohë që fitimet janë shumë më të vogla.

Por përveçse të vegjël, tregjet e medias albanofone janë edhe të copëzuara për shkak të politikave liberale të ndjekura në qeveritë shqiptare në fushën e mediave. Në këto tregje operojnë një numër i madh aktorësh të cilët ndikojnë shumë pozitivisht në pluralizmin e mediave albanofone, por që nga ana tjetër i fragmentarizojnë tregjet e mediave dhe i bëjnë ato jorentabël nga pikëpamja ekonomike. Pavarësisht krijimit të grupeve mediatike tek të cilat vihet re njëfarë tendence përqendrimi, tregu mbetet ende shumë i copëzuar pasi këto përqendrime nuk kanë shkaktuar mbylljen e bizneseve të tjera. Vështirësitë e një tregu të vogël reflektohen në numrin e ulët të tirazhit të gazetave shqiptare, por edhe në shifrat e ulta të publicitetit në mediat elektronike (ende publiku i këtyre mediave në mungesë të audimetrit  matet me metoda aproksimative të tipit sondazh).

Tirazhi i përditshëm i të gjitha gazetave dhe revistave shqiptare nuk i kalon të 70 mijë kopjet, dhe prej tyre vetëm gazeta Panorama dhe Shekulli shiten me tirazh nga 15 mijë deri në 25 mijë kopje (sipas deklarimeve të vetë këtyre mediave) ndërkohë që të tjerat kanë të gjitha një tirazh prej më pak se 5 mijë kopje.

Kriza e gjatë e shtypit të shkruar

Shtypi i shkruar si media e parë private në Shqipëri pas rënies së komunizmit ka kaluar një krizë të gjatë që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Në fazën e parë, (vitet 1991-1994) shtypi i shkruar kishte kushte më të favorshme financiare pasi ai ishte një shtyp i financuar kryesisht nga partitë politike dhe për këtë arsye kishte tre burime të qëndrueshme financimi:

  • partitë politike,
  • shitjen e tirazhit
  • publicitetin, i cili në këtë periudhë ishte modest pasi vetë ekonomia e tregut ishte në hapat e para dhe mundësitë e ndërmarrjeve të para kapitaliste në Shqipëri për të shpenzuar para për publicitet ishin të pakta.

Pavarësisht kësaj, ky shtyp kishte avantazhe të tjera. E para, ky shtyp kishte një lexues të madh dhe të qëndrueshëm që në pjesën më të  madhe korrespondonte me elektoratin e partive të cilave u përkisnin gazetat  dhe nga ana tjetër partitë shpenzonin një pjesë të buxhetit të tyre për shtypin e shkruar, pasi në këtë periudhë shtypi i shkruar ishte ende media më e fuqishme në Shqipëri dhe si i tillë kishte rol kryesor në propagandën e partive.

Gazetat e para të mëdha të përditshme që u shfaqën aty nga viti 1994 u ndeshën me vështirësi shumë të mëdha. Për shkak të nivelit të ulët të rrogave të gazetarëve në këtë periudhë (50-250 euro), çmimet e këtyre gazetave ishin shumë të ulta dhe as nuk pretendonin të përballonin kostot e prodhimit të gazetave.

E përditshmja e parë private Koha Jonë fillimisht është shitur me çmimin 1 lekë (1 cent) por më pas për arsye ekonomike çmimi i saj është rritur në mënyrë progresive në 2, 3, 10, 20 për të mbërritur në vitin 1997 në 30 lekë. Në vitin 1997 pjesa më e madhe e gazetave shiteshin nga 20-30 lekë, dhe prej asaj kohe çmimet janë stabilizuar përfërsisht në këto kuota me përjashtim të Gazetës Shqiptare dhe gazetës Shqip që shiten me çmimin 50 lekë. E vërteta është që rritja e çmimit të gazetave ka ndjekur edhe rritjen e inflancionit në vend si edhe rënien e vlerës së lekut në krahasim me monedhat ndërkombëtare.

Tirazhet e ulëta ndikojnë në rritjen e kostos së prodhimit të gazetave shqiptare. Sipas të dhënave të ofruara nga drejtues të gazetës Panorama kostoja e prodhimit për kopje e gazetës në ditët kur kjo gazetë prodhon 25 mijë ekzemplarë është 10.5 lekë (10 cent), prej të cilave 35-40 lekë kushton vetëm shtypshkrimi. Pjesën tjetër të kostos së prodhimit e përbën kostoja e blerjes së letrës. Kostoja e letrës është shumë e lartë pasi prej vitit 1991 kur u mbyll e vetmja fabrikë e prodhimit të letrës, Shqipëria e importon letrën nga vende të tjera evropiane (kryesisht nga Sllovenia). Për gazeta me tirazhe më të vogla, kostoja e prodhimit material është më e lartë. Kështu një gazetë me 15 mijë kopje ka një kosto prodhimi prej 15.5 lekë (13 cent) për kopje dhe pjesa më e madhe që janë poshtë këtij tirazhi prodhojnë edhe me kosto më të larta të prodhimit material.

Tirazhet e revistave janë edhe më të ulëta po t’i krahasojmë me ato të shtypit të shkruar. Revistat kryesore si Klan, Mapo, Jeta, Spektër. Femra Moderne kanë një tirazh shumë të ulët: nga 1000 deri në 2000 kopje. Çmimi i pjesës më të madhe të revistave në Shqipëri është fiksuar në kuotën 300 lekë (afërsisht 2.5 euro), me përjashtim të revistave Spektër dhe Femra Moderne që shiten me 200 lekë. Ky çmim natyrisht nuk është i lartë po ta krahasojmë me çmimet e revistave që botohen në Evropë, por po të kemi parasysh nivelin e ulët të pagave në Shqipëri, ai përbën një pengesë që revistat të kenë blerës masivë. Nga ana tjetër ky çmim është është mjaft i ulët po të kemi parasysh koston e lartë të prodhimit të revistave, e cila për shkak të cilësisë së letrës dhe fotove është shumë e lartë.

Por përveç kostosë së prodhimit material të shtypit të shkruar një peshë të madhe në koston e përgjithshme të gazetave dhe revistave e zënë edhe kostoja e prodhimit intelektual, një term ky i përdorur nga Nadine Toussaint-Desmoulins në L’Economie des Médias. Kjo kosto ka ardhur gjithnjë në rritje për shkak të rritjes së pagës mesatare në Shqipëri. Edhe konkurenca  në shtypin e shkruar, por edhe me mediat e tjera për thithjen profesionistëve më të mirë ka ndikuar në rritjen e pagave dhe kjo natyrisht që është një barrë e madhe për ekonominë e dobët të shtypit të shkruar në Shqipëri.

Sistemi i shpërndarjes është gjithashtu një problem ende i pazgjidhur për shtypin e shkruar. Gazetat e mëdha e kanë zgjidhur problemin duke krijuar vetë ndërmarrje shpërndarjeje. Praktikisht në Shqipëri operojnë 4 ndërmarrje shpërndarjeje, dy prej të cilave u përkasin gazetave Panorama dhe Shekulli. Përveç këtyre agjensive, në dy vitet e fundit edhe Posta Shqiptare ka filluar të bëjë shpërndarjen e shtypit përkundrejt një pagesë prej  1 lekë për numër.

Shpenzimet teknologjike të shtypit të shkruar janë më të pakta krahasuar me ato të mediave të tjera si televizioni dhe radio. Investimet teknologjike të gazetave shqiptare janë të pakta dhe konsistojnë kryesisht në pajisjen me kompjutera dhe në krijimin e infrastrukturës për sigurimin e shërbimeve të internetit. Pajisja e shtypit të shkruar me teknologji ka qenë një sfidë sidomos për gazetat e para private, kur blerja e pajisjeve teknologjike përbënte një kosto relativisht të madhe për bizneset e pafuqishme shqiptare. Në këto vite, me rëndësi për pajisjen teknologike të mediave të shkruara shqiptare ka qenë ndihma e qeverive perëndimore. Në vitin 1992, me ndihmën e qeverisë amerikane 7 gazeta shqiptare që botoheshin në atë periudhë: RD, Republika, Sindikalisti, Zëri i Rinisë, Alternativa SD, Drita, dhe Bashkimi u pajisen me një shtypshkronjë të reAktualisht vetëm në Tiranë ka rreth 100 shtypshkronja, por vetëm 4 prej tyre merren me printimin e shtypit të shkruar.

Në përfundim mund të themi se gjendja ekonomike e shtypit të shkruar shqiptar është e vështirë dhe se kjo i bën bizneset e mediave të shkruara të paqëndrueshme dhe me mundësi të pakta mbijetese. Pjesa më e madhe e tyre janë biznese me bilance negative dhe nëse do të funksiononte si duhet ligji i transparencës së bilanceve financiare dhe  ligji i falimentimit me siguri një pjesë e tyre do të mbylleshin. Kjo gjendje bëhet edhe më e vështirë për shkak të tregut të vogël të reklamave në Shqipëri. Sipas vlerësimeve të Monitorit të Medias, tregu i reklamave në Shqipëri për vitin 2004 kapte vlerën 15 660 000$, prej të cilave gazetat përfitonin 3 250 000$ dhe revistat vetëm 300 000$. Nga kjo shumë pjesën më të madhe e përfitojnë gazetat e mëdha për shkak të tirazhit. Një pjesë e kësaj shume është reklamë shtetërore dhe sipas një vendimi të qeverisë kjo reklamë shpërndahet vetëm në katër gazetat me tirazhin më të madh. Pjesa tjetër e gazetave përfitojnë vetëm nga reklamat e kompanive private, të cilat, gjithashtu, preferojnë gazetat dhe revistat me tirazhin më të madh.

Shpërthimi i mediave audiovizive

Investimet më të mëdha në Shqipëri janë bërë në mediat audiovizive. Por këto investime janë karakterizuar nga ritme të ndryshme zhvillimi: investime të mëdha në mediat televizive dhe investime më të vogla në mediat radiofonike. Edhe në mediat televizive disa kanale televizive kanë bërë investime shumë të mëdha, gjë që i ka bërë ata shumë më konkurencialë se kanalet e tjera televizive. Kështu, p.sh. kanalet televizive Top Chanel, Klan, Vizion Plus dhe kohët e fundit edhe kanali televiziv Ora News kanë bërë investime shumë të mëdha që i bën ata shumë më superiorë nga pikëpamja e cilësisë së transmetimit se stacionet e tjera televizive.

Investimet e bëra në këto stacione televizive kanë ndikuar që ato të jenë më konkurente në tre drejtime: në teknologjinë e transmetimit, në prodhimin e programeve dhe në thithjen e burimeve njerëzore.

Investimet teknologjike përfshijnë investimet për ndërtimin e studiove të transmetimit dhe për sistemet e transmetuesve. Deri në vitin 1997, stacioni televiziv me investime më të mëdha në këto dy fusha ishte Radiotelevizioni Publik Shqiptar, i cili përveç teknologjisë së studiove ishte dhe pronari i vetëm i transmetuesve në territorin e Shqipërisë. Megjithatë, nga pikëpamja teknologjike RTSH ishte mjaft i prapambetur. Kamerat dhe studiot e montazhit të RTSH-së janë ende një teknologji e importuar nga Gjermania Lindore në vitet 1985-1990.

Kanali televiziv Klan bëri ndryshimi më të madh teknologjik në mediat televizive shqiptare. Ai i filloi transmetimet në vitin 1998 me një cilësi transmetimi shumë më të lartë se mediat e tjera, gjë kjo që bëhej e mundur nga teknologjia moderne e transmetimit që pronarët e këtij stacioni televiziv kishin arritur të blinin.

Më vonë stacioni televiziv Top Chanel u shfaq me një teknologji edhe më moderne duke vendosur standarte të reja në teknologjinë e transmetimeve televizive në Shqipëri.

Investimet e mëdha të bëra nga këto dy stacione kanë krijuar një diferencë shumë të madhe në mediat televizive. Vetëm Vizion Plus ka arritur t’i ndjekë disi këto stacione televizive, ndërkohë që të tjerat kanë mbetur me një teknologji shumë inferioriore krahasuar me stacionet e përmendura më sipër.

TVSH, Top Chanel, TV Klan dhe Vizion Plus kanë bërë edhe investimet më të mëdha në fushën e programacionit. Vetëm në këto stacione televizive raporti mes programeve të prodhuara nga vetë kanalet televizive dhe atyre të huaja është në favor të programeve të vetëprodhuara.

Përjashto TVSH-në, që i kushton më shumë hapësirë emisioneve sociale dhe kulturore, në kanalet e tjera televizive pjesën më të  madhe të programacionit e zënë spektaklet, debatet televizive, dhe edicionet informative. Pjesa tjetër e programacionit përbëhet nga filmat, telenovelat, transmetimet e ndeshjeve sportive dhe e dokumentarëve.

Nga emisionet televizive, spektaklet kanë edhe koston më të lartë të prodhimit, për shkak të pagesave për të ftuarit dhe të personelit teknik që shërben për organizimin e tyre. Për këtë arsye spektaklet janë eksluzivitet i kanaleve më të fuqishme si Top Chanel, Klan dhe Vizion Plus.

Debatet televizive janë emisionet më pak të kushtueshme pasi pjesëmarrësit në këto debate televizive zakonisht nuk paguhen.

Ndryshimet e mëdha mes stacioneve kryesore televizive në kapacitetin e tyre për të prodhuar dhe për të blerë emisione është mjaft përcaktues në konkurencën mes tyre. Një pjesë të madhe të kostos së prodhimit të stacioneve televizive e përbën edhe fondi i pagave të stafit të gazetarëve dhe të personelit teknik. Stacionet televizive në Shqipëri punësojnë një personel gazetarësh dhe teknikësh që shkon nga 30 deri në 350, e madje edhe në 500 në rastin e TVSH-së. Nga stacionet private, stacionet televizive Top Chanel (rreth 350 vetë), Klan ( rreth 270 vetë), Vizion Plus (rreth 200 vetë) kanë edhe stafet profesionale e teknike më të kompletuara nga të gjitha stacionet e tjera televizive. Stacionet e tjera televizive punojnë me stafe të reduktuara për shkak të vështirësive financiare.

Sipas bilanceve të raportuara në KKRT, pjesa më e madhe e kanaleve televizive shqiptare rezultojnë me bilance negative. Me bilance negative rezultojnë të gjitha kanalet televizive lokale që transmetojnë në Tiranë dhe në rrethe. Duhet patur parasysh se deklarimi i të dhënave financiare nga pjesa më e madhe e stacioneve televizive shqiptare nuk është i saktë. Pasaktësia vjen si nga deklarimi i rremë i numrit të gazetarëve dhe i pagave të tyre, ashtu edhe deklarimi i rremë i fitimeve për shkak të shmangies së tatimit mbi fitimin. Megjithatë KKRT ka arritur të krijojë një bazë të dhënash për gjendjen financiare të stacioneve televizive shqiptare  Vetëm kanalet televizive Klan, Top Chanel dhe Vizion Plus kanë arritur të kenë bilance pozitive. Ja bilancet e disa prej stacioneve televizive kryesore për vitet 2008-2010.

Burimi kryesor i të ardhurave për televizionet shqiptare janë të ardhurat që vijnë nga publiciteti. Nga totali prej 15. 666 000$ i shumës së shpenzuar për reklama në Shqipëri në vitin 2004. 8 500 000% shkonin për publicitetin në kanalet televizive. Kjo shumë megjithatë nuk shpërndahet në mëyrë të barabartë pasi kanalet televizive kryesore marrin pjesën më të madhe të reklamave të bizneseve private dhe shtetërore. Pjesa tjetër e kostos së prodhimit përballohet nga burime financiare të bizneseve të tjera. Por kohët e fundit vërehet një rënie e investimeve në fushën e mediave televizive. Disa kanale televizive si TV Arbëria janë mbyllur, ndërkohë që edhe kanalet e tjera televizive kanë vështirësi financiare, të cilat reflektohen në mospagimin e rrogave të gazetarëve.

Bizneset radiofonike janë biznese më modeste, por më të qëndrueshme se bizneset televizive. Pjesa më e madhe e radiove përballen me mungesën e mjeteve financiare, por ato kanë një kosto shumë më të ulët se mediat e tjera. Kostoja e programacionit të tyre është e ulët, pasi ai përbëhet kryesisht nga edicione informative të nxjerra nga interneti, nga biseda telefonike me dëgjuesit dhe programet muzikore. Ndërkohë që shpenzimet për stafin janë minimale pasi pjesa më e madhe e radiove kanë një staf shumë të reduktuar që shkon nga 2-10 vetë, që përveç të tjerash punojnë edhe me paga të reduktuara që shkojnë nga 150-600 euro. Edhe investimet teknologjike nuk janë shumë të kushtueshme. Një pjesë e radiove u përkasin bizneseve, organizatave fetare ose janë filiale të radiove të huaja në Tiranë, kështu që kanë burime të qëndrueshme financimi. Pjesa tjetër e fitimit vjen nga reklamat. Sipas të dhënave totali i shumës së shpenzuar për reklama në radiot shqiptare për vitin 2004 ishte 1 100 000$, shumë kjo jo fort e madhe po të kemi parasysh numrin e madh të radiove që transmetojnë në Shqipëri.

Natyra e mediave shqiptare përcaktohet ndjeshëm nga natyra e pronësisë së mediave. Si rezultat i reformave radikale liberalizuese tregu shqiptar i mediave si dhe të gjitha tregjet e tjera është dominuar shumë shpejt nga tregu privat. Mediat private e kanë relativizuar shumë peshën dhe rolin e sektorit publik. Radiotelevizioni publik shqiptar ka mbetur një institucion mediatik i pareformuar dhe ende shumë i ngjashëm me radiotelevizionin e dikurshëm shtetëror. Besueshmëria dhe shikueshmëria e tij është gjithnjë në rënie dhe tashmë ai ndiqet kryesisht në zonën rurale. Mediat private janë të plotfuqishme dhe mbajnë peshën kryesore në informimin dhe argëtimin e publikut.

Në ndryshim nga shumica e vendeve evropiane ku legjislacioni e ndalon përqendrimin e shumë mediave në duart e një pronari të vetëm, në Shqipëri dhe në Kosovë, një gjë e tillë është e lejuar. Për këtë arsye në tregjet e mediave albanofone kemi dukurinë e përqendrimit të mediave të ndryshme dhe krijimin e grupeve të fuqishme mediatike të kontrolluar nga një aksioner. Përveç kësaj, legjislacioni shqiptar nuk i pengon bizneset e tjera të investojnë në industritë mediatike.

Interneti dhe teknologjitë e reja janë të vetmet media që kanë hapur perspektivën e një hapësire të përbashkët komunikimi në Ballkan. Komunikimi online është komunikim që i kapërcen pengesat e mediave tradicionale. Megjithatë krahasuar me vendet e tjera të Evropës, niveli i aksesit të popullsisë në internet dhe në teknologjitë e reja të komunikimit është ende i vogël. Kostoja e lartë e këtyre mediave kontraston me aftësinë e pakët blerëse të publikut shqiptar. Përhapja e internetit pengohet përveçse nga niveli i ulët ekonomik i popullsisë edhe nga mungesa e infrastrukturës së telefonisë fikse, dhe kjo mungesë është më e dukshme në zonat rurale. Megjithëse në hapat e para, mediat e reja kanë filluar të përhapen me një ritëm gjithnjë në rritje dhe në një kohë të shkurtër parashikohet të shfaqen si media konkuruese ndaj mediave tradicionale.

Si përfundim mund të themi se mediat shqiptare janë vënë përballë sfidave të rëndësishme, sfida që janë përballuar pjesërisht në mënyrë të suksesshme prej tyre. Këto sfida kanë të bëjnë njëherësh me komunikimin, demokratizimin, modernizimin dhe integrimin e shoqërisë shqiptare. Përballimi i tyre është prova e vërtetë e sistemit të mediave shqiptare.

 

Send this to a friend