A jemi ne ai publiku që ndërmjetëson dhe që përcakton temat ditore sociale, politike e ekonomike, apo janë politikat ato që përcaktojnë e kryejnë këtë ndërmjetësim? Çfarë është roli i mediave në këtë organizim? Hulumtojnë, përcaktojnë, ndihmojnë mediat apo janë thjesht shërbëtore të politikës? Teoria e McCombs dhe Shaw në shkencat e komunikimit njihet si “Agenda setting Theory”. Në Kosovë kjo teori e përcaktimit të temave në debatin publik është duke dominuar. Do të nënvizoja mediat të cilat përmes agjendës së tyre mënjanuan dhe larguan debatin rreth të drejtës për referendum, kurse në anën tjetër imponuan dhe fuqizuan shprehjen dhe debatin për ”standardet para statusit.” Vendimet “demokratike” në Kosovë duket se nuk merren si rezultat i informacioneve dhe i fakteve të mjaftueshme, por si prodhimrezultat i “realiteteve” të cilat konsiderohen si “fakte”, sepse ato janë të paraqitura dhe të ofruara ashtu nga mediat tona. Sipas rezultateve të arritura nga hulumtuesit e shkencave të komunikimit, ndër tjera, janë edhe katër modele klasike që ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në organizimin, në përcaktimin dhe në ndërmjetësimin e përmbajtjes politike.
Nga koka-poshtë
Këtu aktorët politikë kanë një rol aktiv. Këta, nëpërmes vendimeve dhe qëndrimeve të tyre, ndikojnë në botën reale. Çdo ndryshim dhe ngjarje në kohë dhe në hapësirë regjistrohet prej tyre. Vendimet që ata marrin, u ofrohen pastaj mediave të cilat katërçipërisht janë të varura nga ky burim informacioni. Shprehjet “asociacioet e komunave serbe”, “standardet para statusit” dhe “decentralizimi” janë tipike për këtë model. Politikat e bashkësisë ndërkombëtare, me ndihmën e politikave vendore, imponuan një “detyrë të re” për shqiptarët, një detyrë që nuk është mirëkryer nga shumë shtete demokratike evropiane. Këto standarde ideologjike janë duke penguar krijimin dhe funksionimin e një shoqërie të re demokratike. Fjalët “asociacionet e komunave serbe”, “standard” dhe “decentralizim” ka kohë që dominojnë në fjalorin dhe në porosinë e lajmit. Pasi që kancelaritë, ku u pollën këto “projekte” politike, për gazetarët tanë nuk ishin të depërtueshme, aktorët politikë, fillimisht, për opinionin shpërndanë informata të qëllimta dhe të përzgjedhura. Mediat këtu janë të varura nga aktorët politikë. Gazetarëve u është bërë e ditur paraprakisht se çfarë duhet të raportojnë dhe çfarë jo. Ata lançojnë informacione që gatuhen nga politikat. Lajmet për shprehjen e vërejtjeve dhe të mospëlqimit ndaj “asociacioneve serbe”, “standardeve para statusit”, lajmet mbi kritikat dhe pezmin ndaj decentralizimit në bazë një etnike dhe defekteve të ngjashme demokratike, u shfaqën vonë dhe me shumë kujdes në opinionin tonë. Mediat, në këtë model, janë vetëm në rolin e ndërmjetësuesit. Andaj instrumentalizimi i tyre nga aktorët politikë është i përhershëm dhe i mundshëm.
Mediat sunduese
Këtu mediat janë faktorë vendimtarë. Në këtë grup mediat kanë rol të fuqishëm. Madje, këto konsiderohen edhe si dhunë e katërt në aparatin shtetëror. Këto vendosin si nga lart në drejtimin politik, po ashtu nga poshtë në drejtimin të opinionit. Politika ditore thith informatat e gatuara nga mediat dhe të njëjtat i jep në opinion si vendime të aprovuara e të lansuara nga politika. Shembull: Një shtëpi mediale zbulon se qeveria e Sali Berishës kishte arritur një marrëveshje të dëmshme për detin me Greqinë. Lajmi, se Shqipëria i kishte falë detin Greqisë dhe se ishte “rrudhur” kufiri shtetërorë i Shqipërisë në favor të Greqisë, u publikua në disa media, fillimisht. Më pastaj, mediat tjera i bashkëngjiten kësaj “afere” me po të njëjtin pompozitet. Pas disa ditëve ky skandal është temë e diskutimeve ditore dhe javore, reaksioni i publikut është i madh, reagon edhe opozita, shoqëria civile si dhe ekspert të ndryshëm. Reagimet për këtë marrëveshje të fshehtë sa bëhen e fuqizohen. Kyçet edhe Gjykata Kushtetuese. Reagon edhe Ministria e Punëve të Jashtme. Terri informativ nga ana e Qeverisë dominon. Paniku ndjehet. Kërkohet që Presidenti i Republikës të bëjë publike Plotfuqinë. Të reagoj shteti. Skandal me dëme kombëtare…Pompoziteti i mediave, i krijuar rreth kësaj teme, bën që skandali kombëtar “të kapërcejë” një shkallë më lart dhe të shndërrohet në skandal ndërkombëtar. Reagon edhe Greqia, e do detin shqiptar…. Opinioni publik sensibilizohet pa masë. Mediat në këtë grup janë njëkohësisht “kërcënuese” por edhe hulumtuese të agjendave politike. Nëse politikanët kanë marrë ndonjë vendim apo jo, kjo është për opinionin krejt pa rëndësi derisa lajmi nuk bëhet i njohur nëpërmjet mediave. Një vendim i tillë, sado i rëndësishëm që të jetë, mbetet praktikisht i vdekur nëse mediat nuk ia japin atij mundësinë të bëhet “i dukshëm” për opinionin.
Në këtë mënyrë, modeli mediokret mbisundon politikën apo, siç shprehet Alemann: “Tashti kemi kaluar nga demokracia shikuese në demokracinë televizive”.
Modeli bottom – up – Nga baza-lart
Në këtë grup opinioni publik është faktor vendimtar. Ai përcakton agjendat politike. Mediat, po ashtu, si në modelin top-down, kanë rolin transportues, por ndryshe nga modeli i mësipërm, ato nuk instrumentalizohen nga politika dhe në këtë mënyrë janë në shërbim të opinionit. Shembull domethënës për këtë grup janë dorëheqjet e njëpasnjëshme në ministrinë suedeze, datë 14 dhe 16 tetor 2006. Është folur shumë se disa qeveritarë u kishin ikur obligimeve tatimore. Po ashtu edhe Ministria e financave u kishte dërguar shumë letra anonime mediave të vendit. Korrupsioni ishte temë e bisedimeve në mjedisin suedez. Nga protestat dhe dërgimi i letrave u zgjua interesimi i opinionit. Mediat, tashmë në mënyrë besnike dhe nën “mikroskop”, raportonin opinionin rreth çdo aktiviteti të ministrisë suedeze. Nga raportimi profesional i mediave rreth fshehjes së tatimit u zgjua interesimi i opinionit. Kështu, pas vetëm një javë qëndrimi në detyrë, ministresha e Tregtisë së Suedisë, Maria Borelius, dha dorëheqjen pas akuzave të bëra në media për mospagimin e taksave. Kjo nuk ishte e tëra. Si rezultat i gjithë kësaj trysnie të madhe të opinionit dhe të bashkëpunimit me njerëzit përgjegjës brenda institucionit të financave për këtë aferë, detyroi edhe ministreshën suedeze të Kulturës, Sesilia Stego Çilo, që të paraqesë dorëheqjen. Edhe këtu shkak ishte fshehja e tatimit. Kjo ishte dorëheqja e dytë me radhë në Qeverinë suedeze, pas asaj të ministreshës së Tregtisë, Mari Borelius.
Pra, raportet e publikut me median në këtë model janë parësore.
Modeli biotop – Dy palësh
Në këtë model kemi dy aktorë kryesorë: aktorin politik dhe aktorin mediat. Të dy këta aktorë vendosin marrëdhënie të ndërsjella të cilat funksionojnë mrekullisht. Ata vendosin së bashku se çfarë do të jetë “Top-temë” e ditës e çka jo. Pra, mediat dhe politika vendosin së bashku për agjendat politike. Si politika, ashtu edhe mediat janë të varura nga njëra-tjetra. Ato i japin këshilla dhe sugjerime njëra-tjetrës. Cilat tema duhet të jenë në qendër të vëmendjes të opinionit publik dhe cilat duhet të “varrosen”, varen nga “tandemi” – media dhe politika.
Publiku në këtë trekëndësh është qind për qind pasiv. Ai është përcjellës i thjeshtë, spektator i lënë jashtë lojës. Shembull domethënës për këtë model mund të marrim imponimin e termit “Kosova multietnike”.
A ka pyetur ndokush se cilët ishin ata mekanizma që e përpunuan dhe e instaluan këtë shprehje ideologjike? A është marrë ndonjëherë në konsideratë realiteti historik, etnografik, demografik dhe politik i Kosovës? Kjo shprehje ideologjike, së pari është gatuar nga aktorët politikë dhe pastaj është kopjuar dhe është transportuar “pa filtër”, ose, thënë më mirë, është pompuar nga mediat. Këto të fundit, në këtë rast, janë rrogëtare e shërbëtore të politikës, thuajse kanë nënshkruar një pakt të përbashkët me aktorët politikë. Ndërmjetësimi politik nuk duhet të konsiderohet dhe as të kuptohet si njëdimensional dhe i njëanshëm. Është e qartë se ekzistojnë edhe shumë mënyra e forma tjera se si mund të ndërmjetësohej politikat, por si përfundim logjik do të rridhte se pa aktorin “enigmatik”, pra, pa mediat masive, ndërmjetësimi politik në shekullin 21 do të ishte i dënuar me abort