Profesioni që po jep shpirt

6 Janar , 2016 • Kryesoret, Profesionalizmi në media, Shkrimet më të fundit • by

Nga Edmond Harizaj.

Nuk besoj se duhet të kërkojmë një Jezu Krisht nga Qielli për të nxjerrë një Llazar të Tokës nga sgafella e për ta çliruar nga qefini, duke e bërë të ecë sërish mes njerëzve. Ne e vdiqëm vetë gazetarinë shqiptare. Në mos vdekur, klinikisht e reanimuar, në kohë afatshkurtër pa shpresa reale. Një gazetari guximtare në vitet e para të ’90. Ndoshta jo shumë profesionale krahasuar me simotrat jashtë Shqipërisë, por shumë më e përparuar se gazetaria e kohës së sotme shqiptare. Mbi të gjitha, gazetari dhe gazetarë që në përqindjen e lartë e dashuronin profesionin.

Sot i kujtojmë ato kohë. Deri në ato vite të zeza kur media u ble hapur, në sy të të gjithëve. Dhe sa pak reaguan. Dhe sa shumë u gëzuan. Ishin pronarët mediatikë. Shkatërruesit e vërtetë të shpirtit të gazetarisë shqiptare. Ata që nuk kanë ndier kurrë se çfarë do me thënë gazetar.  Ata që median e tyre e kanë parë thjesht si një mundësi të mirë për përfitim dhe asnjëherë si një mundësi që të ishin idhuj të njerëzve, çfarë rëndësie kishte me disa miliona më pak, të cilat do të vinin me shumicë, pak më vonë. Por sigurisht që si shqiptarë ata s’mund të prisnin.

Janë këta pronarë mediash, që rrinin sa në prehrin e njërit politikan, aq edhe në prehrin e tjetrit, që përgjysmonin rrogën e gazetarit për të mbajtur me lekë sejmenin, apo sejmeneshën, që edhe nuk ia jepnin rrogën gazetarit, për t’i shtruar një darkë politikanit, që e kthenin fletushkën sipas erës, qoftë kjo edhe erë ujërash të zeza, ishin këta pronarë pra që i dhanë grushtin e parë pasqyrës ku shihej gazetaria shqiptare.

E pas tyre, edhe drejtuesit profesionistë gazetarë, nisën të imitojnë në shumicë pronarët. Kërkuan të jenë edhe ata pronarë, pavarësisht se pa pronë. Kërkuan të jenë pranë politikanëve, në tryezë me politikanët, në vendimarrje me politikanët. Ngritën shoqata për përfitime të tyre, që i përdornin jo për të mbrojtur gazetarët, por për të sulmuar atë që i kundërshtonte, apo për të bërë ndonjë nder të vogël, në kohërat kur Shqipëria e gjithë u kthye në një vend të madh ku kryhen vetëm ndere. Drejtuesit gazetarë u pozicionuan me pëlqimet e tyre dhe e vunë interesin e publikut në rend të tretë; I pari ishte interesi i atij që i shërbenin, i dyti interesi personal dhe i treti interesi publik, i cili sipas rastit mund të mos ishte as i treti.

E në këtë shembull, ecën edhe gazetarët. Por askush nuk mund të gjykojë gazetarët. Mund thjesht të raportojmë atë që ndodhi me gazetarët. Filluan të mos paguhen. Filluan t’i intimidonin. Askush nuk i mbronte. Pronarët i shisnin. Drejtuesit i spiunonin. Konkurrencën ua bënë të fëlliqur, duke u vënë përballë të paaftë, të paditur, të panjohur që pranonin të ndryshonin profesion (zanat) me pak lekë. Ato lekë që u jepnin si lëmoshë, ua kërkonin t’i investonin në shërbim dhe jo në zhvillim të profesionit. I konsumuan në atë masë sa çdo guzhinetë gazetari kërciste. Një redaktor i paemër, paguhej më shumë se një gazetar që sakrifikonte përditë dhe çdo gazetar ishte i gatshëm të linte terrenin për t’iu përkushtuar burokracisë gazetareske. Pronarët injorantë dhe drejtuesit oportunistë i pranonin këto zgjidhje duke i dhënë grushte pas grushtesh pasqyrës ku shihej gazetaria shqiptare.

Koha kur TV përdornin për të dhënë lajme gazetarë klasikë, u kthye në folës papagallë, folëse simpatike që kujdeseshin fillimisht për dekoltenë e më pas për lajmin. Folëse që nëse promteri ngec, ngec edhe ajo, sepse e di që fletët që i japin në duar janë për të bërë fresk. Kam mllef me këtë lloj foleseje, sepse hedh në erë punën  e lodhshme të gazetarit, qoftë edhe të njërit për gjithë edicionin e lajmeve. Kam mllef sepse gazetari i studios duhet ta ketë njohur terrenin, duhet ta njohë peshën e kamerës, djersën e lajmit, ankthin e mospërgjigjes, padurimin e montazhit dhe kënaqësinë e ekskluzives, e cila mund të hidhet fare mirë në rrjedhën e ujërave të zeza nga një injorant/e që e kanë vendosur para kamerës dhe as që e ka idenë se ç’po thotë, për çfarë po e thotë, e që tek e fundit nuk i intereson hiç. Nuk është faji i saj sigurisht. Megjithëse edhe gazetarët e sotëm të TV-ve, janë kthyer në një turmë përtacësh dhe vegjetuesish që as nuk e vrasin mendjen se si mund ta nxjerrin emrin e tyre nga  turma e atyre që politikanët, pronarët e drejtuesit që janë bërë një i quajnë “këta gazetarët”. Marrin çfarë u japin. Transmetojnë çfarë u thonë. Madje edhe konsultohen si do t’i transmetojnë.

Është e njëjta situatë si në zgjedhje, që prej 2009, kur partitë nisën ti shpërndanin vetë lajmet e tyre, pasi i kuronin në zyrat e rehatshme, duke dhënë mesazhin që donin, pamjet që donin dhe në këtë rast, mediat, pronarët dhe drejtuesit, për turpin tonë të përbashkët gazetaresk dhe si pushtet i katërt, pranuan këtë “risi”. Gazetaria thjesht ra në koma në këtë vit. Dhe vazhdon. Ata që sot quhen gazetarë, nuk janë thjesht veç dora e zgjatur e dikujt, politikan, apo pronar i një media të caktuar. Janë thjesht luftëtarë të politikës në sektorin e tyre, që këtë rast është media, ashtu siç mund të jetë dikush si roje godine, si polic, si infermier etj.

Pra gazetaria është kthyer në një profesion jo normal, por i rëndomtë. Mund ta bëj kushdo, dhe mund të bëhet megafon i çdokujt. Të bëhesh gazetar sot, është aq e lehtë, sa edhe të bëhesh kamarier… kërkon dy-tre javë provë. Madje të marrësh titullin gazetar (jo nga shkolla), do edhe më pak se sa të marrësh patentën. Kushdo që shkruan një artikull në një gazetë çfarëdo, madje edhe në një portal, mund të prezantohet në emisionin e radhës në televizion, e quan veten gazetar. Madje edhe ky drejtuesi e quan veten gazetar. Pra “jam gazetar” është bërë aq inflancionist sa marka gjermane në fund të luftës së parë botërore. Dhe problemet veç sa hipin mbi njëri-tjetrin. Gazetarët nuk po përpiqen ta shpëtojnë këtë profesion. Jo, thjesht po përpiqen të mbijetojnë. Si? Si të mundin. Duke shitur për “New York Times” fletushkën ku punojnë dhe duke shfrytëzuar injorancën e politikanëve të cilët dridhen nga një titull që u përmend emrin, sepse bëjnë aq shumë zullume, sa edhe ideja që mund të dalin në një fletushkë i lë pa gjumë. Pra thjesht xhirojnë lekët. Ata marrin shumë e shumë, gazetarët mbijetojnë disa, e disa pasurohen, por profesionin vazhdon të lëngojë në koma, ndërsa shtohen grushtat në pasqyrë.

Si mund të dilet nga ky qerthull që po e çon drejt zhdukjes këtë profesion të cilin besoj se ka ende shumë që e dashurojnë? Personalisht jam për ngritjen e Urdhrit të Gazetarëve Shqiptarë, ku të përcaktohet qartë se kush është gazetari profesionist dhe çfarë detyrimesh ka ai ndaj publikut, gjuhës shqipe dhe profesionit. Të përcaktohet po ashtu se kur nisen të merren masa ndaj një gazetari, duke I hequr atij të drejtën e ushtrimit të profesionit. Të përcaktohen rregulla të qarta të lojës mes gazetarëve, drejtuesve dhe pronarëve. Një gazetar i Urdhërit nuk mund të pushohet nga puna si një punëtor Call Centeri. Etj (I diskutojmë njëherërë se s’besoj na pengon njeri. P.sh., drejtuesit nuk shpallen, por zgjidhen për një kohë, është mendimi im), në bashkëpunim me të gjitha grupet e interesit dhe sipas të gjitha normave ku veprojnë gazetarët sot në botë. Mendoj se ka ardhur koha që komuniteti ynë të organizohet për të mbrojtur veten në radhë të parë, por edhe profesionin nga abuzuesit, përfituesit, kërcënuesit dhe servilët. Mendoj se gazetari duhet t’i mbrojë krahët gazetarit, të paktën në të shumtën e rasteve, ashtu si bën mjeku me mjekun, polici me policin, politikani me politikanin etj. Në të kundërt, le të vazhdojmë shqiptarçe, secili për vete.

Tags:

Send this to a friend