Censura dhe autocensura si dy enë komunikuese

18 Prill , 2015 • Liria e medias • by

Në një nga numrat e prillit, e përjavshmja në zë The New Yorkerbotonte një shkrim të George Parkerit rreth censurës e autocensurës, si një prej rreziqeve të mëdha, ndër të tjera, që i kanosen sot lirisë së shprehjes e të mendimit. Edhe pse në shkrim Parker merr shkas nga vrasja e dy blogerave në Bangladesh nga ana e fundamentalistëve islamikë, artikulli rrok një problematikë globale që prek jo vetëm e thjesht vendet e ashtuquajtura në zhvillim, por edhe vende që mbahen si tempuj të lirisë së mendimit e të shprehjes.

Duke iu referuar Joel Simonit, Drejtor Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, autori shprehet se shpërthimi i të dhënave në mediat dixhitale na jep të kuptojmë se deri në ç’masë kontrollohet informacioni. “Represioni dhe dhuna kundër gazetarëve ka mbërritur nivele rekord, – shprehet Simon, – ndërkohë që liria e shtypit është në rënie”.

Rastet më të rënda kanë të bëjnë me Kinën, e cila mban kryet e vendit për burgosjen e gazetarëve në vitin 2014, Iranin, Eritrenë, Turqinë dhe Egjiptin, ndërkohë që kërcënimet dhe vrasjet janë përhapur si epidemi shfarosëse në Lindjen e Mesme, Azinë jugore, Meksikën dhe Pakistanin.

E megjithatë, një tjetër rrezik drejt të cilit po vrapojmë syhapur, ka të bëjë me atë që rëndom jemi mësuar ta quajmë autocensurë, çka përbën një rrezik të madh jo vetëm për vende, si ato që cekëm më lart, por edhe për një pjesë të asaj hapësire që rëndom e quajmë Perëndim. Pa zënë ngoje një vend si Rusia e Putinit, ku është krijuar një atmosferë mbytëse jo vetëm për gazetarët e medias së shkruar dhe asaj dixhitale, por edhe për aktivistët e mediave sociale, ka një sërë vendesh të tjera që janë prekur rëndshëm nga virusi i autocensurës.

Pas masakrës ndaj revistës satirike franceze Charlie Hebdo, në janar të këtij viti, përtej manifestimeve masive në mbrojtje të lirisë së shtypit, si një e drejtë themelore e shoqërive të hapura dhe demokracive liberale, në debatet e kohës, por edhe më pas, u vu re një dukuri që deri më atë ditë nuk i kishte nxjerrë dhe aq kryethi: dyshimin e shprehur nëse duhen shmangur tema të tilla me spec nga gazetarët dhe karikaturistët; një grackë ku shkuan e ranë, madje, edhe mbrojtës të thekur të lirisë së mendimit e të shprehjes, të laïcité-së së shtetit. Kemi mbërritur në një pikë kur, siç shprehet Chomsky, “demokracitë formale po shndërrohen gjithnjë e më shumë në plutokraci”.

Ndërkaq pas viteve nëntëdhjetë, në këndvështrimin tim, ne po përjetojmë një situatë paradoksale në vendin tonë. Edhe pse muret e censurës u shembën fund e kryq, jemi rropatur e vijojmë të rropatemi brenda vetes sonë me atë çka dikush e ka quajtur the inner voices, me fjalë të tjera, autocensurën. Sot në Shqipëri duket sikur gëzojmë lirinë më të plotë të shprehjes; as edhe një gazetar nuk hyn në burg; asnjë gazetar nuk vritet ose vdes për shkak të profesionit; madje edhe blogerët gëzojnë lirinë më të plotë që mund të bëhet – në qoftë se mund t’i quajmë kështu bjerrakohësit e gjithëditshëm që bubrrojnë në rrjetet sociale dhe mbajnë në gojë e lakojnë gjithë dynjanë.

Ndonëse në një pjesë të mirë të kohës e të rasteve bëhet fjalë për lirinë e përdhosjes. Liria për të thënë gjithçka është liri për të mos thënë asgjë. Duke qenë se fjala dhe pesha e saj në opinionin publik ka ardhur dhe është relativizuar. Censura ushtrohet në trajta të tjera, më të sofistikuara; duke nisur nga shpërfillja e plotë e të fuqishmëve për të mbërritur te varfëria e pafuqia etj. Argatët e penës në një vend të varfër, siç është ky i yni, janë të kufizuar e të ndrydhur për të shprehur atë çka mendojnë, duke qenë se druhen mos bëjnë armiq: pronarin e medias, kriminelin, të fortin e mëhallës e kështu me radhë.

E pra, të gjitha këto, e shtyjnë atë të kafshojë gjuhën e të censurojë vetveten për të mos lënduar ata që kanë në dorë të ardhmen e tij dhe të fëmijëve të tij. Por edhe për të përfituar diçka kur mund të të jepet rasti. Ndërsa atë që kemi në kokë e pëshpëritim vesh më vesh me miq e shokë ose e themi me zë të lartë vetmevete. Censurën nga autocensura e ndan vetëm një kufi i padukshëm. Kur nuk je i lirë të thuash atë që mendon nuk je aspak i lirë. Siç thoshte dikur një mik i letrave, nuk kemi nevojë për censorë ngase jemi të gjithë autocensorë. Dhe kjo vjen ngase në kodin tonë gjenetik të trashëguar nga një shoqëri patriarkale, konservatore e autoritare, ka munguar dhe ende vijon të mungojë geni i frymës kritike ndaj vetes, në radhë të parë, dhe të ngjashmëve që na rrethojnë.

 

Tags:,

Send this to a friend