Imazhet në media: Deri ku shkon kufiri?

29 Shkurt , 2012 • Etika dhe Cilësia • by

Fotot e liderit të vrarë libian Muammar Gaddafi nxitën një debat të gjërë në të gjithë Europën lidhur me etikën e medias.

Një studim i kohëve të fundit në Zvicër analizon mënyrën se si mediat svicerane u sollën me  fotot dhe videot që paraqisnin vdekjen e Gaddafit dhe në ç’masë i kaluan ato kufijtë e etikës së medias.

Fotot e bëra me celular nga një fotograf  i AFP që paraqisnin kufomën e ish-liderit libian bënë xhiron e botës në disa sekonda. Ndërkohë që shumë pak media refuzuan t’i publikojnë këto foto për arsye etike, pjesa tjetër e justifikoi publikimin duke e cilësuar si një “ngjarje historike” që duhet të dokumentohej.

Shkencëtarët e departamentit të kërkimeve mbi Publikun dhe Shoqërinë ((Forschungsbereich Öffentlichkeit und Gesellschaft – fög) në Universitetin e Zyrihut analizuan 40 burime mediatike të gazetave, webit dhe televizioneve të rajoneve gjermanisht, frëngjisht dhe italisht-folëse të Zvicrës. Në mënyrë specifike studjuesit morën në shqyrtim teknikat e përdorura për prezantimin dhe paraqitjen e vdekjes së Gaddafit dhe deri në ç’masë ato shkelën rregullat e etikës.

Studjuesit shqyrtuan 365 artikuj gazetareskë dhe i renditën ato duke përdorur një sistem negativ pikësh. Një artikull konsiderohej jo problematik dhe nuk merrte pikë negative nëse pamjet post-mortore të Gaddafit nuk qenë përdorur fare ose qenë publikuar vetëm një herë në ditën e parë pas incidentit për arsye dokumentimi historik, por natyrisht jo në faqen e parë  të publikimit. Raportimi konsiderohej si problematik kur media vazhdoi të publikonte fotografitë e kufomës edhe pas ditës së parë (1 pikë negative) dhe botimet konsideroheshin si shumë joetike kur fotot paraqiteshin që në krye të faqes së parë (dy pikë negative)

Sipas këtij studimi, mediat online renditeshin të fundit lidhur me respektimin e parimeve etike. Ato u vlerësuan mesatarisht me 6.7 pikë negative për website.Publikimet televizive vinin më pas me një mesatare prej 3.1 pikë negative ndërsa mediat e printuara u vlerësuan me 1.5 pikë negative.

Portali i lajmeve online Blick.ch (që i përket tabloidit Blick) u vlerësua se kishte dhunuar më shumë nga çdo media tjetër parimet etike duke marrë 19 pikë negative për raportimet e bëra.

Studjuesit e medias e klasifikuan publikimin e përsëritur të imazheve, pozicionin spikatës të fotografisë  si dhe përdorimin e shpeshtë të videos amatore që shfaqte kufomën e Gaddafit si “shumë jo-etike”.

Media të tjera më të njohura që rezultonin me shkelje të normave të etikës ishin edhe website-t e lajmeve tagesanzeiger.ch, bazonline.ch dhe bernerzeitung.ch,  që u vlerësuan me nga 12 pikë negative.

Nga ana tjetër disa gazeta dhe website, si Südostschweiz, suedostschweiz.ch,  Neue Luzerner Zeitung, Le Temps, 20 minutes, Basler Zeitung, Neue Zürcher Zeitung si dhe programi i lajmeve i Tele Ticino u vlerësuan si korrekte nga ana etike në raportimin që ato i bënë vdekjes së Gaddafit. Ato nuk i përdorën fare fotot me pamje nga vdekja e Gaddafit dhe në vend të tyre publikuan foto të Gaddafit nga arkiva ose foto të tjera që lidheshin me ngjarjen, si përshembull, fotoja e e rebelëve të ekzaltuar mbi tank.

Më shumë informacion rreth studimit “Ghaddhafi-Bilder in Schweizer Medien – Wie viel ist zu viel“ (Fotografitë e Gaddafit në median svicerane – deri ku shkon kufiri?”) mund të gjendet në website-in e fög .

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend