Ligji i ri dhe mediat online

13 Prill , 2016 • Kryesoret, Liria e medias, Shkrimet më të fundit • by

“Ndryshimet në ligjin për “Tregtinë elektronike” nuk bëjnë fjalë për censurë dhe kontroll, por për përmbushjen e detyrimeve që dhe sot i kemi për përmbajtjen apo veprimtarinë e paligjshme”. Ky është qëndrimi i Ministres për Inovacioni dhe Administratën Publike Milena Harito në një intervistë për DITA.

Nisur nga shqetësimi i ngritur se ndryshimet e reja që detyrojnë portalet të fshijnë komente apo shkrime që nuk janë të sakta, Ministrja thekson se ligji që po amendohet është në fuqi, që prej vitit 2009. Sipas saj, duke u fshehur pas anonimatit është e lehtë të shkelet ligji, të përhapen materiale të paligjshme ose të rekrutohen terroristë potencialë, që është sot një shqetësim mbarëbotëror.

Ministrja sqaron se ndryshimet në ligj, nuk kanë asnjë synim ndaj editorialeve, lajmeve apo analizave kritike, pasi kërkesat në nenin 17 lidhen me përmbajtjen e ofruar nga palë të treta, për të cilat portali nuk ka dijeni dhe nuk mban përgjegjësi.

-Zonja ministre një pjesë e mediave online, kanë shprehur një lloj frike ndaj ligjit që po amendoni, për “Tregtinë elektronike”. Pse është lidhur ky ligj me median në një kohë që thelbi i ligjit është tregtimi i mallrave online?Ajo që ka vënë në panik median online është se në nenin 3, keni shtuar shërbimet që japin informacion…

Ligji i ashtuquajturi “për tregtinë elektronike” në Shqipëri është një ligj i miratuar në vitin 2009 i cili ka përafruar në kuadrin ligjor shqiptar një direktivë të BE-së që mbulon “disa aspekte ligjore të shërbimeve të shoqërisë së informacionit në veçanti për tregtinë elektronike”. Shkurt kjo direktivë njihet si direktiva për tregtinë elektronike, prej nga mendoj rrjedh edhe njëfarë konfuzioni në kuptimin e ligjit.

Shërbimet e shoqërisë së informacionit që mbulohen nga ky rregullim ligjor janë mjaft të gjera. Ato përfshijnë si veprimtarinë ekonomike për tregtimin e produkteve online, ashtu dhe shërbimet e informacionit apo aktivitete që nuk kryhen kundrejt pagesës, por që financohen indirekt nga reklama apo sponsorizime.

Këtë shpjegim e bën vetë direktiva në pjesën hyrëse të saj. Gjithashtu e jep në mënyrë të detajuar dhe vetë Bashkimi Europian në linkun përkatës: (http://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/HTML/?uri=URISERV:l24204&from=EN) ku në shërbimet online mbulon që nga websitet e lajmeve, tek reklamat, shitjet online të librave, muzikës, programeve të ndryshme, në shërbimet e argëtimit, të ofruesve të shërbimit të ndërmjetëm që kryejnë për llogari të të tretëve shërbimin e transmetimit të informacionit, etj.

Ndryshimi që ne sjellim apo propozojmë në nenin 3 është thjesht një saktësim apo plotësim duke iu referuar më saktë direktivës së BE-së. Kjo është lehtësisht e verifikueshme për këdo që ngre pikëpyetje apo që ndihet i shqetësuar lidhur me këtë çështje.

-Çfarë synon ky ligj, dhe mos vallë duke dashur të rregullojmë njërën anë, po prishim anën tjetër? A është kjo një censurë?

Pikësëpari duhet të jetë e qartë për gjithë opinionin publik se ligji që ne po amendojmë dhe që rregullon shërbimet e shoqërisë së informacionit është në fuqi, që prej vitit 2009. Gjatë diskutimeve të projektligjit është vënë re se ka një perceptim që ligji për tregtinë elektronike është vetëm për shitjen dhe blerjen online dhe jo për të gjitha shërbimet e shoqërisë së informacionit.

Kjo ndodh edhe sepse kur ky ligj ka hyrë në fuqi, në vitin 2009, shërbimet online dhe veçanërisht portalet informative, nuk kanë qenë në Shqipëri aq të zhvilluara sa sot. Sot siç është normale, shërbimet online janë shtuar e fuqizuar, ndaj edhe u ndërgjegjësuan me këtë rast, për këtë rregullim ligjor i cili i përfshin tashmë, por pak ose aspak zbatohej në praktikë.

Në pjesën më të madhe ndryshimet e propozuara sjellin plotësime sqaruese për të bërë të mundur zbatimin e ligjit. Ligji përmban disa rregullime të rëndësishme për lirinë e ofrimit të shërbimeve të shoqërisë së informacionit sikurse e drejta për të ofruar këto shërbime nga një subjekt fizik apo juridik në Shqipëri pa qenë nevoja e pajisjes më parë me një licencë apo autorizim të posaçëm.

Në të njëjtën kohë, çdo ofrues i shërbimit që është i lirë të ofrojë këto shërbime pa një licencë apo autorizim paraprak, në momentin që angazhohet për të ofruar shërbimet merr përsipër dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore, si për shembull, për dhënien e informacionit të përgjithshëm sipas nenit 7 të ligjit ku dhe sot kërkohet që subjekti të japë emrin, vendndodhjen, pikën e kontaktit, një e-mail, etj.  Sot në treg nuk ka gazeta të printuara që të jenë anonime. Çdokush prej tyre ka një adresë konkrete, numra kontakti si dhe emrat e drejtuesve të publikuar në faqe të parë. E njëjta gjë duhet të jetë e vlefshme edhe për shërbimet online dhe për portalet informative në veçanti. Duke u fshehur pas anonimatit është e lehtë të shkelet ligji, të përhapen materiale të paligjshme ose të rekrutohen terroristë potencialë, që është sot një shqetësim mbarëbotëror. Ndërkaq, amendimet e propozuara janë diskutuar gjerësisht prej disa muajsh me të gjithë grupet e interesit dhe nuk kemi asnjë shqetësim apo sugjerim të lidhur me censurë, nga asnjë prej tyre.

-Në të gjithë mediat në Europë, portalet lejojnë dhe komentet për lexuesit. Në jo pak raste ata shprehin kritika, sidomos ndaj njerëzve të politikës. Nëse nuk e heq komentin, çfarë ndodh?

Të njëjtën gjë bëjnë dhe portalet tek ne dhe kjo është e parashikuar në legjislacionin që kemi dhe është pjesë e lirisë së shprehjes së gjithsecilit. Në rastin e komenteve të palëve të treta, ofruesit e shërbimit ose portalet marrin një rol shtesë, përtej atij të një gazete tradicionale. Pikërisht për këtë rol shtesë ligji sot ka parashikuar disa rregullime që  lehtësojnë administratorin e portalit. Më konkretisht, portali nuk është apriori përgjegjës për përmbajtjen e ofruar nga një palë e tretë, pra në këtë rast nuk është përgjegjës për komentet e lexuesve të saj. Në nenin 17 të ligjit aktual përcaktohet qartë se portalet bëhen përgjegjës vetëm në rastet kur ata vihen në dijeni për një veprimtari ose përmbajtje të paligjshme. Me marrjen dijeni të saj, ata duhet te veprojnë menjëherë për çaktivizimin ose heqjen e aksesit në informacionin e paligjshëm.

Dhe kur flasim për përmbajtje të paligjshme i referohemi vetëm atyre që Kodi Penal dhe Kodi Civil kanë parashikuar si të tilla, çka edhe një herë rrëzon çdo dyshim, apo shqetësim për censurë të mundshme. Ky ligj nuk shton rregullime specifike mbi këtë çështje.

Amendimet e propozuara të ligjit konsistojnë në vendosjen e afateve konkrete për të mos e lënë evaziv termin “menjëherë”. Pra, vendoset një afat konkret, respektivisht 24 orë pas vendimit të gjykatës heq ose çaktivizon aksesin në 48 orë nga marrja e njoftimit nga një palë e cenuar.  Lidhur me sanksionet, ligji në fuqi parashikon tashmë disa sanksione të zbatueshëm në rast shkeljesh të detyrimeve ligjore, si p.sh kur nuk japin informacionin e përgjithshëm, në rast se ofruesi i shërbimit që ka dyshime të arsyeshme se nga përdoruesit e shërbimeve janë duke u kryer veprimtari të paligjshme dhe nuk njofton menjëherë autoritetet përgjegjëse etj. Masa e gjobës së parashikuar në ligjin aktual është  200,000 lekë për një subjekt juridik dhe 100000 lekë për një person fizik. Çështja e proporcionalitetit është ngritur nga grupet e interesit dhe po shikohet me ta.

-Po editorialet rrezikohen? Nëse një web bën një analizë kritike, akuza, ndaj një ministri, politikani, ky i fundit ka të drejtë ta detyrojë të heqë komentin (editorialin)?

Jo. Ndryshimet në ligj, nuk kanë asnjë synim ndaj editorialeve, lajmeve apo analizave kritike. Nuk kanë asnjë lidhje me to. Media është e lirë të vlerësojë apo kritikojë punën e qeverisë dhe çdo ministri. Kërkesat në nenin 17 lidhen me përmbajtjen e ofruar nga palë të treta, për të cilat portali nuk ka dijeni dhe nuk mban përgjegjësi. Ky është fjala kyç.

Pra vetëm nëse merr dijeni nëpërmjet raportimit, portali  vepron me heqje apo ç’aktivizim të aksesit në informacion kur kemi të bëjmë me përmbajtje të paligjshme. Dhe këtë përmbajtje të paligjshme e kanë përcaktuar tashmë Kodi Penal dhe Kodi Civil.

 -Në komentet e kolegëve gazetarë është ngritur shqetësimi se “qeveria po tenton të kontrollojë edhe mediat online pas atyre tradicionale”. Sa e bazuar është kjo akuzë?

Përgjithësisht këto janë ato pjesë të komenteve që përpiqet ta shikojnë politikisht çdo hap të qeverisë dhe mundësisht të kundërshtojë çdo nismë të ndërmarrë prej saj. Po e përsëris sërish, nuk ka asnjë qëllim censure apo kontrolli në këtë propozim. Gjithçka është në funksion të vetërregullimit të tregut, një nevojë që është pranuar edhe nga vetë drejtuesit e portaleve në konsultimet dhe ballafaqimet publike që kemi pasur me ta.

Projektligji synon nxitjen e vetërregullimit, atë që dhe ligji në fuqi e ka të parashikuar, por që duket se nuk është zbatuar. Propozimet për pikat shtesë në nenin 20 synojnë pikërisht këtë. Pra, ofruesit e shërbimeve të shoqërisë së informacionit (portalet në rastin konkret), duhet të ofrojnë në faqen e tyre një rubrikë raportimi të një informacioni apo materiali të paligjshëm si dhe të hartojnë ata vetë rregulla për administrimin e përmbajtjes të hedhur nga përdorues të ndryshëm. Detyrimi që vendos ligji janë që të ketë rregulla të publikuara në faqe, ndërkohë që përmbajtjen e rregullave e përcakton vetë ofruesi i shërbimit. Për shembull, Facebook ka një rubrikë të tillë, nuk ka këtu asnjë shpikje tonën specifike. Këtu nuk bëhet fjalë për censurë dhe kontroll, por për përmbushjen e detyrimeve që dhe sot i kemi për përmbajtjen apo veprimtarinë e paligjshme. Nuk cenon kush askënd që ka të drejtë të shprehë lirshëm mendimin e tij.

-Një nga problematikat e mediave online është shkelja e të drejtave të autorit. Një lajm kopjohet automatikisht, duke cenuar investimin që një media serioze mund të bëjë në burime. A parashikohet në këtë ligj?

Ky është një nga rastet për të cilat një person i cenuar ka të drejtë të raportojë duke dhënë dhe arsyen pse pretendon shkeljen e konstatuar.

-Sipas ekspertëve projektligji ka shumë mangësi teknike pasi përveçse nuk përcakton togfjalëshin që denigron figurën e personit, shkel njëherazi edhe identitetin e komentuesit. Si do t’i përgjigjeshit?

Ligji për tregtinë elektronike në fuqi dhe as propozimet që propozojmë, nuk e marrin përsipër këtë gjë pasi ato janë të mirëpërcaktuara në Kodin Penal dhe Civil dhe është e rëndësishme që një ligj i veçantë të shikohet në tërësinë e kuadrit ligjor që kemi dhe jo i shkëputur.

-Sa e mundshme është njohja e gjuhës shqipe nga ana e Google Ads, për të bërë të mundur që portalet shqiptare të mund të përfitojnë nga të ardhurat ndërkombëtare të reklamave, e cila do të rriste edhe pavarësinë e tyre pasi do të kërkonin të merrnin sa më shumë klikime dhe jo reklama?

Ne jemi investuar fort në këtë drejtim. Portalet kanë marrë vitet e fundit një zhvillim shumë të vrullshëm dhe ne jemi përpjekur që t’i mbështesim ato, përmes fitimeve që mund të vijnë nga Google Ads. Jemi duke nxitur njohjen e gjuhës shqipe nga Google çka do të bënte të mundur përfitimin e të ardhurave për portalet shqiptare nga reklamat e google ads.

-Disa prej mediave hostin e kanë jashtë Shqipërisë, çfarë do të bëhet me këto media? A i nënshtrohen ato procedurave të këtij ligji?

Këtu duhet pasur parasysh që nuk po flasim për sistemet dhe ku ndodhen ato. Parimi i rregullimit sipas këtij ligji dhe praktika europiane qe ky ligj ka sjellë në vendin tonë është rregullim apo marrje masash në vendin e origjinës ku ofruesit e shoqërisë së informacionit janë të themeluar dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre.

Intervistoi Entela RESULI / DITA

 

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, ,

Send this to a friend