Gazetaria sportive dhe vërtetësia e informacionit

13 Shkurt , 2015 • Profesionalizmi në media • by

Këto ditë në shtypin sportiv shqiptar është pasqyruar një rast, që ia vlen të diskutohet edhe në leksionet e gazetarisë. Një futbollist shqiptar i Kosovës, Liridon Leci, është filmuar nga një televizion suedez, duke akuzuar kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit për një mbështetje të tij për të marrë pasaportën e shtetësisë shqiptare falë “meritës” së djaloshit në paracaktimin e rezultateve të ndeshjeve. Një njoftim i përgënjeshtruar rrufeshëm, madje prej dy federatave të futbollit, asaj të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Por më i rëndësishëm se kaq, është përgënjeshtrimi që paska bërë po menjëherë edhe vetë protagonisti Leci, i cili paska pohuar se në transmetimin e pamjes televizive në fjalë, ku është ai personazhi i lajmit a intervistës, nuk është dëgjuar zëri i tij, por janë treguar vetëm foto nën komentin e vetë televizionit.

Dhe kaq. Historia duket se merr fund këtu. Por për problematikën e profesionit të gazetarit, ose ajo që po e përcaktoj si “gazetaria sportive dhe vërtetësia e informacionit”, historia nuk mund të marrë fund këtu.

Për çudi, te shumëkush gazetaria sportive duket të jetë shumë më e lehtë për t’u ushtruar. Bie fjala, ajo pasqyron ndeshje e gara, të cilat kanë një ditë e orë të caktuar kur zhvillohen, kanë emra konkretë, minuta e rezultate konkrete. Të cilave nuk ke kah iu luan, edhe po të jesh gazetari më anormal në botë. Kësisoj, gazetari sportiv “vetëm” i regjistron të gjitha këto i ulur rehat – rehat në tribunë, dhe me mjeshtërinë e tij të të shkruarit i sendërton në kronika a artikuj për gazetën, në komente e kronika për radion apo televizionin. Dhe bukur e mirë kështu.

Ndërsa unë për vete (dhe besoj se jo vetëm unë) që e ushtroj këtë profesion tash 50 vjet, them se nuk ka gjë më të vështirë sesa gazetaria sportive. Merreni me mend: vetëm një skedë e një ndeshjeje futbolli përmban e pakta rreth 40 emra: lojtarët, gjyqtarët, golashënuesit, kartonët e verdhë apo të kuq, numrin e spektatorëve, emrin e stadiumit e të qytetit, datën dhe orën e zhvillimit të ndeshjes. Një gazetari të vërtetë, të ndershëm, të saktë dhe profesionist këtu nuk i lejohet assesi gabimi.

Në udhësinë time të gazetarit, kam një rast interesant të mësuar prej UEFA-s. Gati 15 vjet më parë, i transmetoja UEFA-s, mbasi ajo (jo unë) më kishte kërkuar që gjatë ndeshjeve ndërkombëtare të klubeve dhe Kombëtares së Shqipërisë për Kupën e Europës, përmes telefonit dhe faksit të menjëhershëm, t’i transmetoja formacionin e skuadrave, shënuesit, rezultatin e ndryshuar minutë pas minute, emrat e autorëve të golave apo të qortimeve (kartonët). Dhe historia që nuk mbaronte këtu. UEFA më detyronte pa asnjë mëdyshje që menjëherë mbas mbarimit të ndeshjes, të hyja në dhomën e gjyqtarëve dhe të ballafaqoja emrat e golashënuesve, minutat e shënimit të golave, qortimet (kartonët) e fiksuara në bllokun tim me ato çka kishte shënuar gjyqtari kryesor në skedën e tij!

Kjo është saktësia e gazetarisë sportive.

E pra, ku jemi me saktësinë apo vërtetësinë në gazetarinë sportive shqiptare, qoftë dhe duke u nisur nga fakti i mësipërm i shpejtësisë së rrufeshme të publikimit të një lajmi thjesht sepse këtë lajm a njoftim “të bujshëm” e transmetoka një televizion suedez a anglosakson qoftë? Aq më tepër që është fjala për një lajm a njoftim, që ka të bëjë madje jo thjesht me gola e minuta, por deri dhe me nderin, etikën dhe personalitetin e një zyrtari, pra të një njeriu, në fund të fundit.

Është po aq interesante ajo çka ka ndodhur me gazetarinë amerikane më 15 prill 2013 në maratonën e Bostonit. Në transmetimin e parë televiziv të lajmit u tha se kishin shpërthyer shumë më tepër se dy bomba. Doli e pavërtetë! Pa vonuar, televizioni dha lajmin tjetër se ishte shkatërruar biblioteka e Bostonit “John Kennedy”. Edhe kjo doli të mos ishte e vërtetë! Pas kësaj, televizioni tha se u arrestuan disa sauditë mû në vijën e mbërritjes së garës. Por edhe kjo doli krejt e pavërtetë!…

E pra, të tria këto lajme të pavërteta u dhanë prej televizionit amerikan. Dhe dihet se televizionet amerikane përbëjnë shkolla të gazetarisë. Kësisoj, në rastin tonë, njoftimi i televizionit suedez pa u verifikuar vërtetësia e asaj çka ai transmetoi, mendoj se nuk duhej të zinte vend në faqet e shtypit shqiptar. Aq më tepër që ky njoftim prekte, si të thuash, në nder. “Verum ipsum factum” –”E vërteta është fakti”, qenka një proverb i vjetër latin. E, tek ajo çka pohonte televizioni suedez në fjalë, mungonte pikërisht ai, fakti, fakti i provuar.

Për një çast e gjithë kjo duket si “punë sporti”. Mirëpo, a e kuptoni se sa i rëndësishëm është bërë sot sporti? A e kujtoni për shembull, se si episodi i ndeshjes Serbi–Shqipëri mbërriti deri në një ngjarje aspak të vogël diplomatike deri të marrëdhënieve ndërshtetërore? Dhe e patë se si ndodhi që për pamundësi të saktësisë së informacionit prej dhomave apo gardërobës së ekipeve, të gjyqtarëve dhe të përfaqësuesve të UEFA-s, ne vetëm mbas nja një jave morëm vesh se çka dhe si i ishte kërkuar Shqipërisë të ridilte në fushë për vazhdimin e ndeshjes. Po ashtu, e shihni se si po kalojmë në ditë disi enigmatike mû për mungesa të saktësisë të informacionit, hollësitë e vërteta të çështjes “doping” të peshëngritjes shqiptare. Po ashtu, kërkojmë të vëmë vula të shitjes së tri ndeshjeve të fundit të kampionatit kombëtar pa pasur ende asnjë fakt të vërtetimit a pohimit të paracaktimit të rezultatit, përveç pamjeve televizive që assesi nuk mjaftojnë, kur dihet se sa “subjektive” është vetë mjeshtëria dinake e hapjes së portave.

Duket që ndërkohë që zhvillimi “sasior” i gazetarisë sportive shqiptare vjen e rritet në përmasa europiane, lufta, përpjekjet për të përsosur përditë gazetarinë e saktësisë së vërtetë, ende mbetet punë e pakryer profesionalizmi po të vërtetë. Madje është punë teorike dhe praktike e vetë gazetarisë shqiptare në —-tanësi, asaj sportive po e po, por edhe e asaj josportive. Nuk mund të përjashtoj këtu gazetat e përditshme josportive të Shqipërisë, të cilat, të më falin, kanë nivelin më “indiferent” të pasqyrimit të sportit kombëtar në faqet e tyre. Si në asnjë vend tjetër të Europës.

Shqipëria është ndërkaq një nga vendet më të rralla në botë ku botohen katër gazeta sportive të përditshme (pa futur këtu gazeta të lotarisë sportive), të cilat me në krye “Panorama Sport”, që për meritat e saj ka marrë kreun, japin një kontribut të dukshëm për përhapjen dhe zhvillimin e sportit kombëtar. Nga ana tjetër, vërejmë se Italia, e cila i ka dhënë Europës të përditshmen e parë sportive (1896) ka tri të përditshme sportive, një më pak se Shqipëria. Serbia dy. Franca vetëm një. Anglia e SHBA asnjë! Në këtë thuajse rekord botëror të llojit, merret me mend se sa ndikon kjo gazetari sidomos te rinia shqiptare. Nga vëzhgimi që kam bërë, gazetat sportive në Shqipëri- çka nuk ndodh assesi për shembull në Francë, Itali apo dhe Serbi – i lexojnë kryesisht vetëm disa shtresa të të rinjve dhe ata që merren dhe që e kanë jetën të lidhur me sportin: sportistë, drejtues të sporteve e klubeve, trajnerë, sponsorizues të skuadrave. Intelektualët dhe moshat e mesme e të vjetra thuajse nuk i lexojnë gazetat sportive. Dhe ky fakt (vërtetësinë le ta provojnë me hetimet e tyre vetë redaksitë) nuk na nderon. Kjo ndarje nuk ka qenë dikur kësisoj as në Shqipëri. Me këtë nuk dua të ngjall krenari nacionalkomuniste kur kujtoj 75.000 kopjet e një numri të “Sportit popullor” të viteve ‘80 në një Shqipëri asokohe të izoluar, sepse njerëzit nuk kishin alternativat e sotme kaq të pasura televizive dhe të shtypit e internetit vendës e të huaj. Po kjo nuk do të thotë se sot na u dashka të heshtim përballë kësaj njëanshmërie intelektuale dhe sociale në audiencën e gazetarisë sonë sportive.

Pavarësisht nga kjo, them se shtypi sportiv i përhapur kësisoj te rinia shqiptare, ndikon jo pak te mjedisi i gjerë i kësaj të fundit. Ai ndikon në kulturformimin e kësaj rinie, në gjuhëedukimin e saj, madje edhe në saktëinformimin e saj. Më vjen keq vërtet, por pasaktësitë në gazetarinë a median sportive në tanësi po rrezikojnë të bëhen bashkudhëtare në ecurinë dhe zhvillimin e saj modern.

Me orë në dorë, një televizion për plot 50 minuta pandalur, të mbushura me intervista interesante për tri ndeshje të Kupës së Shqipërisë, nuk përmendte asnjë rezultat të tri ndeshjeve të sapopërfunduara. Çka do të thoshte se një teleshikues, i cili për një arsye apo një tjetër, nuk kishte mundur t’i shihte ndeshjet, i cili nuk kishte internet në shtëpi e as në celularin e tij, edhe pse ndoqi 50 minuta rubrikë kësisoj të vërtetë, nuk mësoi tri të vërtetat më të para: ai nuk mësoi rezultatet e tri ndeshjeve të një të katërtave të Kupës së Shqipërisë. Për fat të keq, edhe mbyllja e këtij transmetimi nuk u shoqërua me këto fjalë informuese të detyrueshme në profesionin tonë: “Kështu pra, të dashur teleshikues, Kukësi fitoi 2-0 në Shkodër, Partizani 2-0 në Laç dhe Sportklub Tirana e Besa barazuan 2-2”. Dhe mandej “mirupafshim”! Pa shkuar tek ajo tjetra që do të ishte “abc” e gazetarisë: që nuk merrnim mundimin që këto tri, vetëm këto tri rezultate “të mjera” të ishin shënuar dhe të mbaheshin “të skalitura” gjatë gjithë kohës, të paktën në nja 10 centimetra katrorë në ekranin e vogël.

Për fat, ne jetojmë deri në eufori, thuajse deri në një protagonizëm vetëkënaqësie, kryesisht me komentin, me analizën, me intervistën, me gjykimin gjoja “teknik”, pa pasur aftësinë të ndajmë faktin nga komenti, duke lënë në plan të dytë kryesorin: informacionin. Kur dihet se përkufizimi i parë i profesionit tonë thotë: “Gazetaria në radhë të parë është informacion”. Pra, jo “parole, parole”, siç thotë një këngë e vjetër e përtej detit…

Nuk ka javë që skedat e kampionatit kombëtar të futbollit, të botuara në katër gazetat e përditshme sportive, të jenë identike (të njëjta). Nga njëra te tjetra do të gjesh gjithnjë vendosje të ndryshme taktike të skuadrave, të minutave, të shënuesve, jo rrallë edhe të autorëve të golave. Sepse, nuk ma merr mendja se kemi ndonjë gazetar shqiptar që kur mbaron ndeshja, shkon te gjyqtarët e saj për të njinjisuar shënuesit, minutat, e tjerë e tjerë…

Kjo për futbollin, sepse vërtetësia e informacionit të sporteve të tjera është thuajse rrënuese. Vëreni për një çast: sapo përfundoi kampionati dimëror i Shqipërisë në atletikën e lehtë. U botuan kampionët dhe asnjë nënkampion dhe rezultatet e tyre. Dhe e dini se nënkampion do të thotë “i dyti në Shqipëri”! Se për vendin e tretë ka vite që nuk guxojmë ta kërkojmë që të na e tregojë dikush. E jo më të mëtojmë për një transmetim atletik televiziv, sado të pjesshëm apo modest. Kujtoj se kjo është arritur të bëhet në fillim të viteve ’70! Ndërsa sot kamerat televizive nuk guxojnë të filmojnë një atlet shqiptar, duke prerë një shirit kampioni. Prej vitesh në shtypin shqiptar nuk botohen rregullisht përbërjet e skuadrave, që marrin pjesë në kampionatet kombëtare të basketbollit e të volejbollit. E jo më bie fjala, pikëshënuesit e një ndeshjeje basketbolli apo edhe gjyqtarët që gjykojnë ndeshjet. Ka mbi 10 vjet që në mbarim të kampionateve kombëtare të atletikës së lehtë dhe të notit nuk botohen assesi emrat e sportistëve që zënë vendin e dytë apo të tretë. Shqipëria po fikson, pra, rastin botëror që një atlet, notar, mundës i cili ka “fatin e keq” të shpallet nënkampion i vendit, kombit të tij, ta mbyllë karrierën e tij shumëvjeçare pa iu publikuar asnjëherë emri dhe rezultati i tij! Çuditem që nuk protestojnë. Do të mbeten të panjohur në historinë e sportit shqiptar, edhe pse kanë shteruar për këtë sport vitet e tyre më të bukura. Gazeta “Fashizmi” në vitet e pushtimit botonte edhe rezultatet  e kampionateve të atletikës së lehtë të gjimnazeve!

Ndërkaq shahu – sporti i parë që e ka çuar Shqipërinë disa herë me shumë dinjitet në olimpiadat botërore, nuk bën më pjesë në kolonat e gazetave apo ekranet e televizioneve. Pakkush i njeh në Shqipëri shahistët e saj. Ndoshta veprohet kështu, ngaqë ky është sporti i mendjes. E, për zhvillimin e mendjes me sa duket nuk kanë nevojë shqiptarët.

Eshtë vërtet e rrallë! Mund të kem botuar dhjetëra shkrime për “zbulimin” që Ymer Pampuri është kampion i Botës, por ende vazhdon të publikohet dezinformimi prej shumë “historianëve” të orëve të fundit të sporteve, se Ymer Pampuri është kampion olimpik, kur ai është renditur thjesht i 12-ti në Mynih 1972. Ju duket një pavërtetësi e vogël vërtet që të 12-in ta shpallësh të parin? Kur dihet se Pampuri është rekordmen olimpik dhe kampion i Botës në një stil të vetëm. Por ne vazhdojmë të dezinformojmë.

Më bënte gjithmonë përshtypje gazetari i shquar, sot edhe pedagog i gazetarisë sportive, drejtori i mirënjohur i “Guerin Sportivo” dhe “Correire dello Sport”, Italo Cucci, ku si analist në rubrikën sportive të RAI 2 përherë kishte përpara bllokun e shënimeve të tij dhe stilolapsin ndër duar. Ai është një gazetar i vjetër, e megjithatë gjithnjë u referohej shënimeve të tij. Pra, nuk qëndron në studio këmbë mbi këmbë, ose me duar të kryqëzuara, ose duke i lëvizur këto duar sikur të ishin ritmet “melodioze” të një arkivi folës “sui generis”.

Vetëm këto ditë në një shkrim “historie” sportive kishte mbi dhjetë pasaktësi, pra lajme e fakte të pavërteta. Përse ngjet kështu?

Them ngaqë kryeredaktorët u besojnë me tepri redaktorëve, ngaqë gazetarët e redaksisë u besojnë me tepri gazetarëve “të jashtëm”, ngaqë drejtuesit e redaksive në televizione u besojnë deri në teprim “analistëve” sportivë apo moviolistëve “autoritarë”.

Për fatin tonë, gazetarët në Shqipëri ende dalin e formohen disi edhe vetvetiu. Nuk ka specializim, degë sado të shkurtër për to në fakultetet e Gazetarisë, që u takon atyre dhe vetëm atyre ta bëjnë këtë.

E prej këtu kalojmë te pyetja përfundimtare: kush mund të jetë gazetar sportiv?

Po mundohem t’i përgjigjem kësaj pyetjeje me një fakt të vitit 1984. Në Shqipëri erdhi të luante Shpresa e Italisë në të famshmet dy ndeshje për një të katërtat e kampionatit europian të 21-vjeçarëve. Kombëtaren italiane e shoqëronin rreth 40 gazetarë me në krye Sandro Ciottin e Ezio Luzzi-n. Papritmas, ndërsa po rrinim me ta, një gazetar i vjetër i të mirënjohurës “Il Tempo” të Romës iu drejtua kolegut tonë, të paharrueshmit Napoleon Roshi, me kërkesën më të papranueshme për ne:“Zoti Roshi,-i tha,-ju lutem, a mund të më organizoni një takim për një intervistë me Enver Hoxhën?”.

Ne shtangëm. Shikuam njëri-tjetrin në sy dhe Napoleoni iu përgjigj me buzëqeshje: “Po ju jeni një gazetar sportiv, apo jo? Ndërsa edhe unë e mbështeta, gazetari i sprovuar italian u vrenjt për një çast dhe disi me rreptësi tha: “Padashur ju po më fyeni. Mbi të gjitha, unë jam një gazetar. Ky është profesioni im i paluejtshëm. E ç’rëndësi ka nëse jam edhe gazetar sportiv?”

Mandej vumë buzën në gaz të tre bashkë…

E pra? Mund të them pa lëkundje se gazetar sportiv mund të jetë vetëm ai që është gazetar. Që zotëron profesionin e gazetarit dhe mandej të përshkohet në specializimin më të ngushtë të gazetarit sportiv. Dihet, rregullat janë të njëjta. Gazetari është një dhe vetëm një. Specializimi i zhanrit është shtesa e kësaj “shkolle”. Prej të famshmes “Karta e Trevizos” në tanësinë e gazetarisë tek italianët ka lindur dekalogu i gazetarisë sportive, ndërsa më 21 janar 2008 ata kanë kaluar te Kodi i vetërregullimit të transmetimeve dhe të ngjarjeve sportive me sloganin “Roli social i sportit”, duke pasur për bazë nenin 2 të Ligjit të Urdhrit të Gazetarit, që thotë:

“Detyrë e patjetërsueshme është respekti ndaj të vërtetës thelbësore të fakteve të gjetura”. Duke e zbërthyer mandej këtë deri në përcaktimin rrjedhjes, që thotë:“Ky detyrim për gazetarinë sportive do të thotë respekt për sportistët, skuadrat, tifozët kundërshtarë, gjyqtarët, kolegët gazetarë, forcat e rendit, subjektet organizative të ngjarjeve sportive, etnive, besimeve fetare”.

Kësisoj, duket qartë se ne kemi ende për të mësuar…

 

Send this to a friend