Nuk e di kush e ka thënë: “Dy ngjarje ka pasur njerëzimi, librin që i dha dituri dhe televizionin, që ua mori dhe ato pak njohuri që kishin”. Ky konstatim ngjan si një shaka e hidhur për ata persona që kanë braktisur librin dhe joshen nga kultura televizive. Ashtu si libri dhe programet televizive, sidomos programet shkencore, japin dije dhe njohuri, gjer në cakun që e pranon një emision televiziv. Njohuritë librore kurrë nuk mund t’i marrësh nga informacionet e programeve televizive. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për mediat e gazetave.
Pikë së pari, në gazetari ka rëndësi figura e gazetarit, kultura dhe njohuritë e tij. Në një farë mënyre mediat sot janë shndërruar në shkolla publike. Intensiteti i punës ka bërë që njeriu të ketë pak kohë për t’u marrë me libra, ndërkohë që qëndrimi para televizorit është një mënyrë komode. Rëndësi në këto raste marrin njohuritë dhe përgatitja e gazetarit, sidomos njohuritë e atyre gazetarëve që merren me probleme shkencore, me analiza problematike dhe investigative. Tek ne ka një universitet që përgatit gazetarë me njohuri fillestare, ndërkohë që dijet dhe njohuritë e shumanshme që ata duhet të kenë duhet t’i marrin në mënyrë vetjake.
Nga sa lexojmë shtypin e ditës dhe nga sa shikojmë programe televizive, vihet re një hendek midis kërkesave të gazetarit fillestar nga njohuritë e një gazetari profesionist.
Veç njohurive, ka disa gjëra elementare, të cilat gazetarët duhet t’i kenë në vëmendje: paraqitja, veshja, kultura letrare dhe gjuhësore, qëndrimi, mënyra e të dëgjuarit, etiketa e mirësjelljes, të cilat e ulin nivelin e tyre në sytë e dëgjuesve si mësues të shkollës publike
Problemet janë të shumta, por kryesore janë dy, kultura dhe qëllimi. Kultura ka të bëjë me dijet që duhet të kenë. Qëllimi ka të bëjë me faktin se kujt i drejtohen.
Shkrimtari kur shkruan kanë parasysh një lexues të vetin. Kjo gjë duhet të ndodhi dhe me gazetarin. Lexuesi yt mund të jetë një intelektual , një fshatar i thjeshtë ose një tregtar i rëndomtë. Cili është lexuesi yt dhe shikuesi yt? Kujt i drejtohesh? Kjo përcakton dhe stilin e komunikimit.
Në qoftë se ti përdor erudicion në një bisedë televizive ose në shkrimet e tua, kjo do të thotë që t’i i drejtohesh një kategorie intelektualësh. Njeriut të thjeshtë i duhet folur me një gjuhë më të thjeshtë dhe më të kuptueshme.
Nëse, një lexues apo dëgjues është i apasionuar pas ngjarjeve të ditës, pas ngjarjeve të veçanta, me vrasje, përdhunime, vdekje, aksidente rrugore, etj., detyra e gazetarit është ta ushqejë publikun me ushqimin e tij të preferuar.
”Kush nga ju do të dojë të bëjë këtë zanat të kujtohet të zgjedhë pronarin e tij, lexuesin, të vihet në shërbim të tij dhe të flasë gjuhën e tij”, – thotë publicist i shquar italian Indro Montaneli, pasi gazetaria është një profesion që kërkon shumë modesti.
Gazetari, edhe në qoftë shumë i ditur duhet të jetë modest dhe duhet t’i mbajë për vete “sjelljet e tij prej të dituri”
Nuk ka asgjë më të keqe se sjelljet prej të mençuri ,-theksonte, Indro Montaneli, në këshillat që ai u jepte gazetarëve të rinj.
Zhan Pol Satri thoshte: “Ka dy lloj tipash, të cilët nuk i përballoj dot: të diturit, të cilët kujtojnë se i dinë të gjitha dhe të paditurit që nuk dinë asgjë. ”Gazetari kur shkruan duhet të ketë parasysh që gjendet midis këtyre ekstremeve”.
Në mediat tona televizive, por edhe në gazetat e ditës punojnë shumë redaktorë të shquar, të cilët me punën e tyre kanë krijuar një profil gazetari të padiskutueshëm për nga vlerat dhe problematika që trajtojnë. Le të kujtojmë Blendi Fevziun, me emisionin e tij “Opinion”, i cili këto ditë mbushi njëzet vjet të ekzistencës së tij. Po kështu, le të kujtojmë emisionet e Artur Çanit, Rezart Xhaxhiut, Rudina Xhungës, Sokol Ballës, etj. Në mediat tona televizive ka shumë analistë të përgatitur, të pavarur dhe seriozë si A Fuga, F.Lubonja, A.Zheji, P. Xhufi, M.Zeqo, P.Zogaj, A. Hoxha, etj. Emrat e tyre janë të shumtë dhe të denjë për t’i quajtur profesorë të këtyre shkollave publike mediatike.
Televizionet tona mund të shndërrohen në shkolla të vërteta për një kulturë serioze, por kjo, ende nuk ka ndodhur.
Në shumicën e rasteve ka ndodhur e kundërta. Ka gazetarë të mediave televizive, por edhe të shtypit që janë shndërruar në megafon partish. Ka dhe të tjerë që paguhen nga partitë e tyre për të qenë zëdhënës të tyre në emisionet televizive. Janë disa syresh, të cilët nuk dua t’ju përmend emrin, por, sa hapin gojën i kupton ku duan të dalin, Cilin do të mbrojnë dhe çfarë do të thonë.
“Italia, përveç se ka përzierë përherë seriozen me kotësinë, ka trajtuar përherë kotësinë si të vetmen gjë serioze”, thotë I.Montaneli. Ky fenomen vihet re dhe më dukshëm te gazetarët tanë. Ne nuk bëjmë gjë tjetër vetëm e çojmë në ekstrem këtë fenomen mediatik. Ka shumë emisione me probleme të rëndomta, të cilat nuk i interesojnë fare publikut, sidomos shikuesit të thjeshtë i cili, pas pune pret të mësojë diçka nga emisionet televizive. Ka kohë që në televizionet tona nuk shohim më emisione shkencore, nuk shohim më ekranizime tregimesh dhe ekranizime dramash bashkëkohore, me tema të vendit tonë. Janë reduktuar në maksimum emisionet letrare, ato të bujqësisë, të blegtorisë dhe shumë emisione të tjera, siç është rasti të kujtoj me nostalgji, dikur shkruheshin reportazhe pambarim, për jetën në fshatra e krahina të largëta malore, jepeshin emisione për jetën e tyre. Për më tepër është harruar fare portreti i njeriut të punës. Në televizionet tona shfaqen shpesh biznesmenë të suksesshëm, të cilët i paguajnë mirë televizionet dhe gazetarët, për reklamimin e biznesit të tyre.
Televizioni sot është shndërruar në nxitje të interesit më të shëmtuar të gazetarëve të këqij, duke kërkuar me çdo çmim bujën, reklamimit, disa persona që vuajnë nga sindromi i madhështisë. Kam parasysh emisionin “Arratia e peshkut të kuq”, ku përzgjidhen individë duke u reklamuar si personalitete, por që në shumicën e rasteve janë artistë të rëndomtë, të cilët gjatë intervistave marrin pozat e figurave të shquara të kombit.
Lidhur me disa nga këto emisione do t’u këshilloja gazetarëve që të jenë më të kujdesshëm në zgjedhjen e personave, ndërkohë që duhet marrë dhe mendimi i shikuesve se si mund të bëhen më të shikueshme për një publik më të gjerë.
Unë e kuptoj që televizionet kanë në plan të parë marketingun, por, nuk duhet harruar që ekranet e tyre janë dritaret e kulturës së kultura e një kombi. Ato duhet të jenë koshientë për këtë detyrë të vështirë, si edukatorë të këtyre shkollave të edukimit publik.
Zyrat e marketingut kanë punën e tyre, kultura shkenca, arti, profesionalizmi, dijet, janë pjesë e kulturës dhe e qëllimit kryesor për të cilin dhe i është dhënë licenca një televizioni publik. Nuk duhet harruar në asnjë çast se, gjëja më thelbësore e një gazete është audienca dhe jo marketingu. Audienca mbart në vetvete dhe reklamim. Një televizion apo një gazetë duhet të jetojë me të ardhurat e reklamave, por duhet të jetë dhe një biznes fitimprurës në mënyrë që të mos jetë e varur nga reklamat, bizneset dhe biznesmenët.
Gazetat e varura nga bizneset nuk besoj se do ta kenë jetën të gjatë. Ato bëhen shërbëtorë të bizneseve dhe të interesave të tyre fitimprurëse, kur ato janë të lidhura me politikën.
Një televizion ose një gazetë bëhet e keqe sepse është në varësi të reklamës dhe në kërkim të reklamës, duke kënaqur kështu përherë shijet më të këqija të publikut. Dhe lajmi në këto media dhe gazeta jepet i deformuar. Kështu që, ajo që do t’i këshilloja gazetarët fillestarë, të cilët kërkojnë të bëjnë karrierë në gazetari, është kërkesa për të mos u joshur nga pagesat që të çojnë në deformim të personalitetit, në robërim të mendimit dhe fyerje të ndërgjegjes profesionale.
Gazetarët fillestarë janë përherë të paguar pak. Nuk di të ketë ndonjë gazetar të pasur, përveç atyre që ia kanë vënë si qëllim për t’u pasuruar përmes një rruge korrupsioni.
Gazetaria e vërtetë nuk të pasuron, por të tregon rrugën si ta kryesh misionin tënd qytetar për t’u bërë një figurë e nderuar në shoqëri,
Qëllimi kryesor i një gazetarie është të çojë kulturën në mes të publikut. Kjo gjë, si në fushat e tjera të politikës, artit dhe shkencës, kërkon gazetarë misionarë. Është pikërisht ky mision qytetar që i mungon gazetarisë sonë. Ky është starti nga i cili duhet të niset një gazetar fillestar për të arritur emrin e nderuar të gazetarit dhe majën e merituar të suksesit.
http://www.gsh.al/2017/09/13/mediat-si-shkolla-publike/