Historia në media në njëqind vjetor

20 Shtator , 2012 • Media dhe Politika • by

Po vihet re se debatet, tensionet, dasitë e jetës së sotme politike dhe kulturore po projektohen edhe në vlerësimin e historisë në media dhe të personaliteteve të shkuara të saj.

Përgjatë këtyre muajve, në atmosferën e përkujtimit të 100 – vjetorit të Pavarësisë, dashje pa dashje, vëmendja e shumë shkruesve në media është tërhequr drejt personaliteteve të historisë së Shqipërisë, sidomos të atyre të gjysmës së parë të shekullit të kaluar. Një pjesë e këtyre personaliteteve janë kontradiktore, një pjesë të pavlerësuara në kohën e tyre, por të falënderuara më pas, një pjesë të ndëshkuara nga historiografia e kohës totalitare dhe të rinxjerra në dritë më pas, disa kontradiktore dhe me dritë hijet e tyre, një pjesë të çuditshme, sikurse edhe jo pak, me qëndrime që karakterizojnë në mënyrë jo koherente pjesë të veçanta të jetës së tyre. Sikur është njeriu në përgjithësi!

Në media shohim kujtime familjarësh, miqsh, përkujtime shoqatash, por edhe qëndrime zyrtare dhe gjysmë zyrtare, debate historianësh, ndërfutje politikanësh në fusha që nuk kanë të bëjnë edhe aq me politikën e kështu me radhë.

Të gjitha bëhen në këtë 100 – vjetor të Pavarësisë dhe është e natyrshme të ndodhë, sepse nuk ka histori pa personalitete individuale njerëzish të shquar, që të kenë vepruar në një ose në një tjetër mënyrë praktike, duke ndërmarrë akte të shquara që kanë vulosur fatet e vendit. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Duket se çdo gjë është normale. Mirëpo në këtë përkujtim po vihet re se debatet, tensionet, dasitë e jetës së sotme politike dhe kulturore po projektohen edhe në vlerësimin e historisë në media dhe të personaliteteve të shkuara të saj. Sapo një individ apo një përfaqësues i një force politike vlerëson me superlativa një njeri të shquar të historisë së Shqipërisë, kundërshtarët e tij të sotëm, kryesisht politikë, hidhen në sulm kundër tij dhe vlerësojnë të kundërtit e vet të asaj kohe. Edhe pala e parë kundërpërgjigjet, duke bërë të anasjellën.

Rezultati duket. Të gjitha personalitet historike të vendit marrin hije, mbi ta hidhet baltë ose nga njeri krah politiko-kulturor, ose nga tjetri i mjediseve të sotme shqiptare. Por, të gjithë figurat tona të së kaluarës, marrin baltë atje ku prehen. Dhe brezi i ri në vend që në këtë 100 – vjetor të marrë mesazhin, që historinë e këtyre 100 vjetëve, sido që të ketë qenë, me rastin e festës është mirë ta nderojmë si histori e popullit, duke i lënë debatet një herë tjetër, duke prekur sa më pak ndjeshmërinë e grupeve të ndryshme kulturore, përjeton sulme, sharje, ndaj atyre që gjithsesi duhet t’i ketë shembull, ose së paku figura respekti.

Vend e pa vend ringjallen debatet nëse më mirë ishte Migjeni apo Fishta, shkrimtarët dhe artistët e prejardhur nga kultura dhe tradita katolike apo ata me prejardhje myslimane, kishte të drejtë Zogu ndaj Fan Nolit, apo Fan Noli ndaj Zogut, ishte Konica që ia bënte mirë Monarkut, apo ishte Monarku që kishte të drejtë, ishte Lumo Skëndoja, që kishte të drejtë mbi Lame Kodrën, apo kishte pasur të drejtë ky i fundit mbi të parin, dhe kështu pa fund. Dikush mund të thotë : Por, çfarë të keqe ka? Vend demokratik jemi, fundja njerëzit mund të debatojnë lirisht. Sigurisht. Lirisht. Askush nuk mund të ndalohet të shprehet në media për atë që mendon. Plot stacione televizive ka ku mund të ngrihen e ulen vlera historike, plot faqe gazetash mezi presin që të mbushen me rrëfime nga më të vërtetat, deri më të habitshmet dhe të shpikura për të tërhequr lexues.

Puna është te etika në këtë 100 – vjetor. Nuk mundet që me rastin e tij dhe për ta nderuar atë, debati në media të shndërrohet në të kundërtën e vet dhe të japë sirezultat që opinioni publik të shohë, sesi përdhoset historia nga palë kundërshtare. Ka debate të holla që janë objekt pune i historianëve, në rrethe të ngushta, sikurse ndodh në të gjithë botën. Nuk ka përse me çdo rast, çdo deklaratë të mediatizohet, apo që vetëm media gjeneraliste të bëhet bartësi i deklaratave ku anatemohen figura historike të njërit apo tjetrit krah. Jo me çdo rast vlerësimi i një figure ka vend të shoqërohet në çdo herë me anatemime të kundërshtarëve të tij të asaj kohe.

Lipset pak etikë.

Po e vërteta? Sigurisht, ka vend të dalë, por ai që nuk abuzon dhe nuk do të abuzojë me të drejtën dhe privilegjin që ka për të grumbulluar rreth gojës së tij mikrofonë statcionesh televizive, duhet të mbajë parasysh edhe kontekstin se ku dhe kur i thotë ato fjalë. Më kujtohet një histori e këndshme dhe kuptimplote e folklorit të mençur popullor, që këtë etikë të fjalës e ka përpunuar në mënyrë të konsiderueshme. Ishte dikush që kishte vendosur të thoshte vetëm fjalë të mira, t’iu drejtonte të tjerëve vetëm fjalë të mira. Dhe iu thoshte “O Zot u shtofshin e u shumofshin, o Zot paçi më shumë vitin e ardhshëm!“ E ndante fjalën nga konteksti i saj. Nuk ka gjë më perverse. Kur një ditë u ndodh para një korteu të përzishëm dhe sikurse e kishte zakon tha vetëm përsërifjalë të ëmbla e të mira : “O Zot u shumofshin dhe u shtofshin vitin tjetër! “ Sigurisht që disa nga pjesëmarrësit e korteut u prekën dhe ia treguan qejfin.

Mirëpo, nuk është vetëm ana etike që luan rol dhe duhet mbajtur mirë parasysh kur përmenden apo përgojohen personalitete historike. Duhet edhe një metodologji e përpunimit të informacionit historik, sepse përndryshe në vend ta përkujtojmë historinë, rrezikon që ta nxijmë atë, pikërisht duke e përkujtuar. Iu ngjamë atyre krushqve apo dasmorëve që nisen për në dasmë, pinë e denden në raki, këndojnë e hedhin valle dhe pastaj pas një fjale të hidhët, fjala qet fjalën, dhe përfundojnë duke nxjerrë koburet nga brezi.

Cila është ana metodologjike?

Kur ka pasur këto muaj të fundit referime mbi personalitetet historike deri në kohën fillimit të Luftës së Dytë botërore, shpesh rimerren shkëmbimet sharëse dhe atakuese që personalitetet historike të asaj kohe kanë pas bërë me njeri tjetrin. Dhe “historianët” e sotëm i marrin këto vlerësime sikur vërtet iu korrespondojnë të vërtetave të kohës. Harrohet se kundërshtari karikaturalizohet sa kohë që është përballë në luftën politike. Sharjet në zjarr e sipër janë konsideruar pas njëqind vjetësh sisafi të vërteta, të dokumentuara nga dokumente arkivore, të gjetura në fletë të verdha gazetash të dikurshme. “Ja dokumenti historik !” – thonë. Dhe harrohet se ai dokument historik dëshmon për përdorimin e disa epiteteve, të disa konsideratave, nga njëra palë kundër tjetrës, por nuk vërteton aspak vërtetësinë e tyre aq më pak objektivitetin, që kanë pasur. Përndryshe, elitat e dikurshme do të dalin ca turkoshakë, ca kolaboracionistë, ca merhumë, ca gjakpirës,ca agjentë të fuqive të huaja, aq sa edhe Ismail Qemalin, në media po e trajtojnë si agjent grek e kështu me radhë.

Duke thënë këtë, as pohoj dhe as mohoj gjë, por kundërshtoj që epitetet e përdorura në zjarrin e luftës politike të merren si safi të vërteta dhe që ne ta ndërtojmë historinë tonë mbi bazën e atyre. Do të ishte vetëvrasëse. Po kështu, “historianët” bëjnë edhe një projektim tjetër. Baltën e hedhur përgjatë pesëdhjetë viteve të një historiografie të përçudnuar totalitare, konceptet politike të kësaj periudhe, i projektojnë akoma mbi personalitete të së kaluarës historike, duke i konsideruar si “kostumi” që iu duhet veshur atyre përjetë.

Ndërkohë që shpesh përdoren gazetat e kohës së shkuar si dokumente historike. Nuk ka më banalitet sesa të konsiderohen gazetat e kohës si dokumente ekskluzive historike. Shkencat e komunikimit as nuk e qasin në derë këtë mendësi dhe këtë metodologji të përmbajtjes, sikurse e quajnë. Shikonisi iraportojnë faktet e sotme historike gazetarët e krahëve të kundërt! A thua nuk është e njëjta ngjarje, por sikur janë dy ngjarje të ndryshme. Për shembull regjistrimin e lirë të popullsisë, po të bazoheshin te disa deklarata politike anti- regjistrim do ta quanin si tradhti kombëtare, shitje e interesave shqiptare te të huajt, vepër e spiunazhit të vendeve fqinje e çfarë të mundnin!

Por, do të harronin se sot në Evropën lindore nuk ka vend që të mos ketë bërë regjistrimin e popullsisë “kokër për kokër” edhe mbi baza etnike. Harrojnë se sikur të bënte vaki që kjo e drejtë t’iu mohohej shqiptarëve ta zëmë në Serbi, apo në Mal të Zi, ne do të kishim ngritur zërin me të drejtë, në kupë të qiellit. Kundërshtari në shtyp paraqitet me një subjektivizëm therës dhe duke u nxirosur i tëri. Kjo është logjika e pamfletit. Dhe pastaj mekanizmat e ndërtimit të pamfletit i harrojmë, duke ishndërruar rezultatet e tij në të “vërteta” historike. Aq më shumë që mekanizmat e veprës artistike i trajtojmë si burime historike. Dikush kërkonte të dinte nga unë një ditë nëse një poezi parodike e

Nolit kishte apo jo vlerë, sepse atje, shqetësohej pyetësi im, tiranasit paraqiteshin si dembelë, matjanët si xhandarë, skraparllinjtë si kryelartë më duket, e kështu me radhë. “Moj vajzë, iu përgjigja, përse shqetësohesh, kjo është poezi, nuk është radiografi e popullsisë së krahinave, as sociologji e multikulturalizmit shqiptar, as gjë prej gjëje. Unë shoh që vjen rima, që poeti ka vlerësuar krahinat nga vijnë miqtë e tij, dhe ka stigmatizuar krahinat nga vinin armiqtë e tij. Kaq.

” Kështu subjektivizmi i luftës politike, mekanizmi i zhanrit mediatik, transformohet pas njëqind vjetësh në “dokument historik” me të cilin ne gjuajmë njeri tjetrin sot, ndezim zjarret e urrejtjes sot. Jam i bindur se sikur ata për të cilët po flasim të na shihnim nga bota e përtejme ku prehen do të na thonin : “Po, çfarë bëni o ju mbylltë dera, ju mbylltë? Po seriozisht i merrni grindjet tona të asaj kohe? Po, ne jemi prej kohe miq me njeri tjetrin tani, sepse këtu ku jemi na bashkon një gjë e madhe, ne bëmë aq sa mundëm dhe si mundëm për Shqipërinë! Të tjerat janë hollësi që i trajtojnë mësuesit e historisë në klasë me çunat e gocat që arsimohen. Nuk janë për media e debate politike.”

Mirëpo ka edhe më. Kultura jonë është, dihet, kultura e fjalës së mbajtur. Ne për besë për një fjalë therim djalë. Trima të çartur. Japim fjalën dhe kapemi pas fjalës. Përndryshe taksohemi si gënjeshtarë. Nuk e njohim kontratën e shkruar, por kontratën verbale morale. Për një fjalë rron burri. Por, duke u marrë me fjalën, duke qëmtuar fjalën si dokument historik, medien e shkruar si bartëse të fjalës, bëjmë edhe një gabim tjetër trashanik. Harrojmë që fjala është një ekran që mbulon të vërtetën. “E ka thënë”, themi, por harrojmë të pyesim veten, nëse ai që ka deklaruar diçka e ka pasur seriozisht apo jo, e ka thënë si bindje apo jo, e ka ruajtur atë mendim edhe më pas apo jo. Jo, ne i reduktojmë figurat historike te fjalët dhe deklaratat e tyre, këto të fundit në formën e mediatizuar të tyre, i ngurtësojmë fjalët, dhe që andej rindërtojmë figurën historike. Ne nuk nisemi nga jeta për të shkuar te fjala, por nisemi nga fjalët për të shkuar te e vërteta historike. E pamundur kjo rrugë, nëse nuk verifikohet me mjete të tjera. Kështu është kur shpesh e vetmja mënyrë për të gjetur dokumente historike janë mediet prej letre të së kaluarës, si edhe fjalime në raste institucionale, ku fjalimet pra janë shpesh simbolike dhe nuk shprehin të vërtetën.

Nisur nga fjalët ne nuk shohim se elitat shqiptare shpesh armiqësore në fjalë kanë pasur krushqira të forta me njëra- tjetrën, individë armiqësorë me njeri tjetrin në një periudhë kanë ndihmuar njeri tjetrin në ditë të këqija, apo i kanë harruar grindjet e tyre kur iu është dashur të formojnë fronte të përbashkëta, kundër armiqve të tyre. Rastet janë të pafundme. Ballistë të bashkuar me legalistë, social-demokratë të bashkuar me monarkistë, monarkistë të bashkuar me komunistë, zogistë të bashkuar me profashistë, Mbreti që ndihmon me të holla ish armiq të tij, latifondistë të bashkuar me majtistë, ateistë të bashkuar me klerikë, e lloj- lloj aleancash që askush nuk i sheh kur i këndon çarjes, përçarjes, ofendimeve reciproke në media a fjalime publike të personaliteteve të së kaluarës.

Kuptuar historinë keq, me metodë të keqe, bazuar në dokumente pamfletesh në mediet prej letre të dikurshme, konsideruar gazetat e vjetra si dokumente historike që bartin, pa pasur nevojë të interpretohen, të vërtetën historike, debatuar për historinë në media nën prizmin e ndarjeve të sotme, ne riprodhojmë sherrin. E kaluara transformohet në një mekanizëm të legjitimimit të politikave të sotme kundërshtare, por me një çmim : Nxirjen e historisë së shkuar pikërisht në këtë 100 – vjetor. Pa etikën e duhur, edhe kur fjala ka një kuptim, e thënë kur dhe ku nuk duhet thënë, transformohet në të kundërtën e saj.  “U shumofshin ! – tha ai. Asgjë të keqe. Veçse e tha para një korteu të përzishëm.

Botuar në gazetën “Standard”, datë 15 shtator 2012. Titulli i shkrimit në original “Si e nxijmë historinë në njëqind vjetor”

 

 

Send this to a friend