A ndikojnë komentet online në besueshmërinë e lajmeve?

5 Maj , 2018 • Gazetaria e Medias, Kryesoret, Shkrimet më të fundit • by

Nga “Letër për botuesin” tek komentet në websajtet e lajmeve apo në faqet e mediave sociale, reagimi i audiencës për lajmet dhe opinionet në gazeta dhe revista mund të marrë forma nga më të ndryshmet. Por a ndikon ai në mënyrën se si e shohin lexuesit një ngjarje? A mundet që komentet negative të lexuesve të minojnë besueshmërinë e një artikulli?

Siç paraqitet edhe në një studim të hershëm të kryer nga  Lander në vitin 1972, reagimi i audiencës mund të përmbushë funksionin e një “valvole sigurie sociale”. Komentet iu mundësojnë lexuesve që të shfryjnë irritimin e tyre përmes vetëshprehjes, duke shërbyer kështu edhe si një formë katarsisi. Megjithatë komentet kanë hapur rrugën edhe për shprehjen e mungesës së qytetarisë dhe të negativitetit, përfshi këtu edhe armiqësinë ndaj mediave, ndaj përmbajtjeve të tyre dhe ndaj gazetarëve. Për shumë vetë kjo shtron pyetjen: A është menaxhimi i komenteve të lajmeve online një sfidë urgjente për gazetarinë?

Komentet online dhe besueshmëria e lajmeve

Frank Waddell, një asistent profesor në  College of Journalism and Communication të universitetit të Floridës, e adreson këtë çështje në studimin e tij të fundit: “What does the crowd think? How online comments and popularity metrics affect news credibility and issue importance” (Çfarë mendojnë njerëzit? Si ndikojnë komentet online dhe matjet e popullaritetit në besueshmërinë e lajmeve dhe në rëndësinë e një çështjeje). Në studimin e tij ai përpiqet të kuptojë se si komentet negative të lexuesve ndikojnë tek marrja e lajmeve nga lexuesit e tjerë.

Për këtë qëllim, Waddell ndërmori një eksperiment online me 289 pjesëmarrës të cilëve iu kërkua që të hynin në një Twitter feed me një numër artikujsh që lidheshin me varësinë nga heroina, një temë kjo – sipas Waddell – akoma e papolarizuar politikisht (ose të paktën jo kaq sa të tjerat). Më pas pjesëmarrësit drejtoheshin në një faqe të dytë, ku ata kishin mundësi të shihnin komentet e lexuesve rreth një lajmi si dhe numrin e “re-tweets” dhe ‘likes’. Në një fazë të fundit ata drejtoheshin në një faqe që përmbante një shkrim për kapjen e tetë dozave heroine në rrethinat e Washingtonit në Pelsinvani.

Përmes këtij inskenimi, Waddell u përpoq të kuptonte se si faktorë të tillë si frekuenca e kësaj teme në lajme si dhe komentet negative apo pozitive të lexuesve si dhe numri i “re-tweets” dhe ‘likes’ për një shkrim ndikonin në besueshmërinë e përftuar dhe në rëndësinë e lajmit.

Studimi i Waddell zbulonte se komentet negative e ulnin besimin e lexuesve tek një shkrim. Kjo është një dukuri që ai e quan “mbështetje e fanfarave”: njerëzit priren që të besojnë më pak tek një histori ndaj së cilës njerëz të tjerë janë shprehur të pakënaqur. Gjithsesi, Waddell zbuloi se ndërkohë që komentet e lexuesve dukej se e kishin një ndikim, numri i “re-tweets” dhe “likes” për një shkrim nuk kishte ndonjë ndikim tek marrja e një përmbajtjeje nga lexuesit e tjerë.

Nga ana tjetër, gjetjet e tij zbulonin që komentet negative ulnin percpetimet e mbështetjes së njerëve  duke zbutur në një nivel të parë efektin e agenda-setting të medias. Si rrjedhim kjo fuqizon atë audiencë e cila me komentet negative mund të ndikojë gjithashtu edhe në uljen e rëndësisë për një çështje të caktuar.

Pasojat për organizatat e lajmeve

Libri i Bill Reader “Reagimi i audiencës në mediat e lajmit”  provon se reagimi i audiencës është një nga traditat e hershme dhe që kanë zgjatur më shumë në mesin e  të gjitha praktikave moderne të gazetarisë. Studimi i Waddell  shkon edhe më tej në gjetjet e tij dhe thekson se organizatat e lajmeve duhet ta marrin seriozisht efektin e komenteve të lexuesve.

Shqetësimet rreth efekteve të mundshme të komenteve të lexuesve janë të justifikuara dhe të bazuara. Komentet negative dhe të paqytetëruara mund të kërcënojnë cilësinë e përftuar gazetareske të një lajmi. Si rrjedhim është e nevojshme që të gjenden zgjidhjet më të mira të mundshme për menaxhimin e komenteve tek lajmet online si dhe të merren në konsideratë nga mediat mënyrat për moderimin, de-anonimizimin apo heqjen e komenteve në mënyrë që të ulet efekti i komenteve negative.

Reuters na sjell një shembull për këtë. Në nëntor 2014, kjo agjensi lajmesh hoqi seksionin e komenteve tek lajmet  për të motivuar audiencën që të vijonin diskutimin në platformat e mediave sociale. Për Reuters kjo ishte zgjidhja më e mirë, pasi këto hapësira ofrojnë “një bisedë të gjallë dhe më e rëndësishmja janë të rregulluara në mënyrë të tillë që pjesëmarrësit të mbajnë larg ata që do të abuzonin me privilegjin për të komentuar.”

Kjo nuk do të thotë se të gjitha mediat duhet të ndjekin rrugën e Reuters. Por sërisht ato duhet të kenë parasysh efektin negativ të komenteve Përndryshe ato do të gërryejnë themelet e besueshmërisë së tyre, gjë që nuk është shumë konforte në një kohë kur besimi tek gazetaria ka rënë jo pak.

Tags:, ,

Send this to a friend