Qeverisja, kriza dhe analistët

28 Tetor , 2015 • Kryesoret, Marrëdhëniet Publike, Shkrimet më të fundit • by

Nga Fitim Zekthi.

Ndeshjet e ekipit kombëtar të futbollit po jetohen me intensitet të lartë, siç jetohen zakonisht dramat dhe ekstazat. Ato e bëjnë të padukshëm gjithë realitetin, i cili ngushtohet në vetëm çfarë ofron ndeshja. Në vitin 2000, Diego Maradona po luftonte me vdekjen në një spital të Buenos Airesit, për shkak të përdorimit të kokainës. Gjithë bota po përcillte me dhimbje minutat e kësaj lufte të Maradonës dhe mjekëve. Spitali ishte rrethuar me mijëra fansa dhe gazetarë. Në këtë kohë, një grua argjentinase botoi në gazetën New Jork Times një letër drejtuar atij, që gjithë Argjentina e kishte legjendë të gjallë. Ajo i shkruante Maradonës se e urrente për drogën, për atë që ishte, një njeri i pacipë, i shthurur etj., por në fund i uronte shërim dhe i shprehte dhimbjen e saj. Ajo i kujton Maradonës se në vitin 1986, kur Argjentina ishte në një krizë të thellë ekonomike pas luftës me Britaninë për ishujt Falkland, kur ajo në familje nuk kishte bukë për fëmijët, ai kishte qenë heroi i saj. Kishte qenë heroi, jo për ndeshjet që po zhvillonte në Meksikë për Kupën e Botës, porse fëmijët mezi prisnin mbrëmjen për të parë futboll, për të parë Maradonën. “Fëmijët e mi, gjatë atij muaji nuk më kërkuan asnjëherë bukë. Hëngrën vetëm kur u dhashë, aq pak sa mundesha, një herë në ditë, miell, të gatuar me barishte që i mblidhja në kopsht. Kjo është arsyeja pse të dua, teksa të urrej”, – i shkruan ajo. E gjithë Argjentina nuk donte bukë, nuk donte asgjë, donte vetëm futboll dhe Maradonën verën e 1986-s. Është e qartë se kjo nuk u dha bukë argjentinasve, nuk e ndryshoi ekonominë, ligjin, jetën.

Si për të kujtuar këtë pamundësi, sot në Shqipëri shumë zona janë përmbytur nga pak reshje të vjeshtës, shumë familje janë në ujë dhe pa energji. Javët e fundit vendi bubulloi nga akuza për vjedhjen e miliona eurove me marrëveshjen e qeverisë me CEZ-in, për pazare në çështjen e DIA-s, për komplot, destabilitet, për përdorim të makinës së ministrit të Brendshëm për trafik droge. Më pas, gjithçka u mbyll. Dy gjëra të lemerishme tregoi gjithë kjo zabullimë. E para është se Shqipëria ka një klasë analistësh shtypi, e cila ontologjikisht ka vdekur si e tillë. Për ditë dhe net me radhë analistët folën për Metën si politikan serioz, që ka peshë të madhe, dhe për Ramën, si politikan që nuk e duron dot atë dhe që kërkon ta mposhtë. Analistët folën për Ramën, si njeri të rrallë që ka marrë përsipër ndryshimin e Shqipërisë, por që pengohet nga Meta, i cili blen pushtet, njerëz dhe vota. Gjithkush foli për mundësitë e ndarjes, për mundësinë apo pamundësinë e daljes së LSI-së nga qeveria, për mundësinë apo pamundësinë e Ramës për të fituar i vetëm në zgjedhje. Secili analist bëri llogari se ç’do ndodhë me Ramën, Metën Bashën.

Nga një pikëpamje epistemologjike, njerëzit mendojnë lart-poshtë, domethënë ata nisen nga parime të përgjithshme dhe ecin poshtë te presupozime, ide, zinxhirë logjikë dhe më pas filozofi, ideologji apo thjesht përkatësi. Analistët e shtypit dëshmuan se e nisin dhe e mbyllin të menduarin vetëm nga pika e fundit, ideologjia ose më keq, përkatësia. Parimet e përgjithshme mbi çfarë është politika, njeriu, shteti, pluralizmi, liria, e drejta nuk ishin në diskutim. Presupozimet mbi ndarjen e pushtetit, kufizimin e tij, totalitarizmin etj ishin të paqena. Idetë, e kotë të flasim. Logjika? Si mund të ketë të tilla, kur një politikan krahasohet me Hitlerin dhe tjetri me Roosveltin. Analistët dëshmuan se i ngjajnë asaj që Fred Hutchinson, një filozof amerikan e quan ”shikim nga ingranazhi”. Ai thotë se një mikrogjallesë që gjendet në ingranazhin e orës sheh saktë vetëm ingranazhin, por kurrë nuk mund të shohë të gjithë orën. Douglass North, fitues i çmimit “Nobel”, John Wallis, profesor i Universitetit të Maryland-it dhe Barry Weingast i Universitetit të Stanfordit, mendojnë se shqetësimi më i madh i shtetit dhe i shoqërisë, që prej fillimit, ka qenë çështja e administrimit të dhunës dhe e organizmit shoqëror. Pas shoqërisë primitive kanë qenë dy llojet e qasjeve të shtetit ndaj dhunës dhe organizmit shoqëror.

Rendi shoqëror me akses të kufizuar e zgjidh çështjen e dhunës duke krijuar renta. Ky shtet iu shpërndan privilegje njerëzve të fuqishëm ose grupeve të fuqishme. Këta njerëz ose këto grupe marrin monopole në tregti, në biznes, në sistemin bankar etj. Logjika qendrore e këtij shteti, thonë North dhe Wallis, është se duke qenë që lufta ul fitimet nga rentat dhe privilegjet, atëherë iu shpërndahen privilegje njerëzve apo grupeve me pushtet, që kanë akses tek dhuna. Kjo gjë iu jep atyre arsye të mos luftojnë, por të bashkëpunojnë. Kjo krijon një balancë mes pushtetit dhe privilegjit. Në momentin që kjo balancë prishet, domethënë dikush ka më shumë pushtet se sa privilegje ose anasjelltas, atëherë nis lufta, deri në rivendosjen e balancës. Quhet rendi social me akses të kufizuar për shkak të hierarkisë që ndërtohet dhe për shkak të pamundësisë për të hyrë në biznes, në administratë, në gjyqësor e kudo, pa qenë pjesë e këtyre grupeve, njerëzve apo organizimeve që kanë pushtet.

Tipari kryesor i këtij shteti është marrëdhënia plotësisht personale e cila garanton shkëmbimet , ndërveprimet dhe iu jep zgjidhje çështjeve. Këto shtete nuk kanë asnjë mundësi t’iu japin të mira grupeve të gjera shoqërore apo edhe njerëzve të tjerë përtej marrëdhënies personale. Shtete të tilla sot kemi në Afrikën Subsahariane, në Amerikën Latine, në Azi. Rama ka negociuar me CEZ pa transparencë, dikush nga grupi i avokatëve nxjerr një informacion kundër Metës, Meta ka qene në Pragë ku dyshohet se ka lobuar, një deputet i LSI ka marrë para nga DIA, Braho kërcënon se ka video në çantë, Prifti kërcënon po ashtu, dikush thotë se Meta ka marrë ryshfet nga Ismailaj, një jurist ka kërcënuar një dëshmitar që mbrohet nga forcat speciale. Gjithashtu, ministri i Brendshëm ka shitur makinën, por nuk e ka noterizuar shitjen. Të afër, të tij që akuzohen se kanë trafikuar drogë më makinën mohojnë trafikun. Më pas Rama flet nga Nju Jorku që gjithçka është një zhurmë kot. Meta takon demonstrativisht Idrizin. Rama takon Metën në zyrë për 90 minuta. Rama që mban fjalim edhe për emërimin e prefektes së Vlorës apo ndeshjet e kombëtares, nuk flet. Meta takon prapë demonstrativisht Idrizin. Në takim edhe deputeti Rakipi. Rama takon prapë Metën. Gjithçka mbyllet.

Të gjithë janë sjellje si njerëz dhe grupe pushteti me akses tek dhuna, njerëz që gëzojnë privilegje, që marrin renta, por që nuk janë krerë institucionesh dhe nuk drejtohen nga ligji. Mbizotëron gjithkund një marrëdhënie personale me institucionet dhe me njëri-tjetrin. Gjithë lufta ishte për të rivendosur një ekuilibër që ndoshta ishte prishur. Ekuilibri u vendos vetëm duke bërë rishpërndarje të rentave në përputhje me fuqinë dhe aksesin që kanë te dhuna Rama dhe Meta. Dihej nga të gjithë që qeveria (jo vetëm kjo e sotmja) shpërndan privilegje tek njerëz apo grupe me pushtet, që kanë akses tek dhuna. Dihej që ka monopole në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë që zotërohen nga njerëz apo grupe të fuqishme. Dihej që është e pamundur të kesh akses në biznes në qoftë se nuk zotëron fuqi, nuk mund të futesh në punë në administratë në qoftë se nuk merr pëlqimin nga një njeri apo një organizim i fuqishëm. Dihej edhe marrëdhënia personale e shtetarëve dhe njerëzve të fuqishëm, por një shkallë kaq e lartë e gjithë këtij degradimi u zbulua dhe mbulua këto ditë. Pikërisht kjo nuk u pa nga analistët.

“Mapo”

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend