A është meritë e kancelares Angela Merkel ndryshimi i politikës së energjisë apo kthesa u mundësua prej gazetarëve?
Kjo pyetje mund t’u marrë kohë historianëve, por zor se ata do të mund të gjejnë një përgjigje të qartë. Studjuesit e medias Hans Mathias Kepplinger dhe Richard Lemke (Universiteti i Mainzit) na sjellin përqasjet e para, pasi vëzhguan nga afër mbulimin e katastrofës së Fukushimës nga ana e mediave në Gjermani, Zvicër, Francë dhe Britaninë e Madhe, ku shpërbërja nukleare në Japoni nuk çoi në ndonjë pikë kthese për politikën e energjisë.
Studjuesit morën në analizë dy gazeta të mëdha të njohura dhe programet më të njohura televizive të lajmeve në secilin vend, dhe kjo bëri që ata të zbulojnë se mbulimi mediatik nga njëri vend në tjetrin ndryshonte jashtëzakonisht shumë. Gjatë katër javëve të para të aksidentit nuklear, gazetat e përditshme dhe programet e lajmeve në Gjermani publikuan 577 materiale që merreshin me Fukushimën, në Zvicër 521, në Francë 319 ndërsa në Britani vetëm 271. Kësisoj, gazetarët britanikë, krahasuar me kolegët e tyre gjermanë, i kushtuan më pak se gjysmën e kohës kësaj katastrofe.
Një ngjashmëri dramatike u zbulua edhe përsa i përket diferencave në vlerësimin dhe karakterizimin e ngjarjes. Mediat britanike dhe ato franceze e përqëndruan më shumë vemendjen e tyre tek vetë ngjarja në Japoni, ndërsa mediat gjermane dhe ato zvicerane u fokusuan më shumë në rëndësinë e aksidentit brenda vendit. Në nëntëdhjetë përqind të kontributeve të analizuara, diskutohej për heqjen dorë nga energjia bërthamore dhe për moratoriumin. “Fukushima u bë një shenjë paralajmëruese e cila kërkonte ndërmarrjen e një aksioni politik për këtë çështje”, thotë Kepplinger. Sipas studjuesve, gazetarët më së shumti kërkuan deklarimin e ekspertëve vetëm që të vërtetonin opinionin e tyre.
“Vendet që merren në analizë janë shumë larg nga Japonia dhe nuk janë të ekspozuara ndaj katastrofave të ngjashme natyrale si cunamet. Impiantet bërthamore në këto vende europiane kanë standarte të përafërta sigurie. Kështu që mbulimi i gjërë negativ në Gjermani dhe Zvicër nuk mund të shpjegohet me ‘natyrën e ngjarjes’”, thotë Kepplinger. Diferencat në përmasat dhe në tonin e mbulimit prej mediave mund të shpjegohen më shumë me “perceptimet predominuese afatgjata dhe opinionin e gazetarëve” në këto katër vende.
Shifrat e mëposhtme që përmenden nga Kepplinger të nxisin të mendosh lidhur me pasqyrimin e rastit Fukushima në media. Tërmeti nëndetar në Japoni shkaktoi dy katastrofa – një cunam të përmasave të mëdha që mori jetën e më shumë se 30 mijë njerëzve dhe aksidentin në Fukushima që shkaktoi vdekjen e 3 personave dhe mund të shkaktojë edhe vdekjen e 100 deri në 1000 personave të tjerë me kancer.
Birgit Stark, Melanie Magin dhe Stefan Geiss (të gjithë këta punojnë në Universitetin e Mainzit) u fokusuan në një tjetër kënvështrim. Këta studjues të medias analizuan mënyrën se si revistat Focus, Spiegel dhe Stern raportuan këtë ngjarje në rrjetet sociale, në formatin e tyre të printuar dhe në websajtin e tyre. Ata vunë re se gazetarët që njiheshin si përdorues të Twitter-it raportuan gjerësisht në këtë rrjet. Përsa i takon frekuencës së shkrimeve në Twitter ajo është pothuajse e njëjtë me Facebook. Por vetëm 3 përqind e gjermanëve e përdorin rrjetin Twitter, ndërkohë që Facebook përdoret nga më shumë se 42 përqind e gjermanëve. Rrjete të tjera si Stayfriends, Wer-kennt-wen apo Xing – që tërheqin rreth 18 përqind të gjermanëve – përmenden shumë rrallë në mediat e analizuara.
Kësisoj pra, në mediat klasike ka shumë pikëpyetje lidhur me mediat e reja. Mbulimi i rrjeteve sociale është i njëanshëm në mënyrë të qartë, nëse përmbajtja e mediave kryesore do të krahasohet me statistikat e përdoruesit “real”. Megjithatë, mënyra e raportimit nga ana e mediave “rrit vëmendjen e përdoruesve për çështje të tilla”, sipas Stark. Nëse rrjete të caktuara janë keqpërdorur ose ndryshime të veçanta sociale janë deklaruar si vetë-përmbushje e profecive nga gazetarët, kjo mund të ketë një ndikim të vërtetë në shoqëri.
Ky kontribut është rezultat i një seminari, të titulluar “Mbulimi mediatik i Gazetarisë dhe i Kërkimit në Media” të organizuar në Universitetin e Mainzit.