Një mesazh në “Facebook” për Berishën dhe Ramën

15 Dhjetor , 2012 • Mediat e Reja • by

Duke qenë se rrjetet sociale janë një mënyrë masive komunikimi, krerët e partive kryesore po i shfrytëzojnë ato. Por pyetja që bëhet është: Për çfarë do të komunikojnë ata?

Sali Berisha dhe Edi Rama janë vënë në garë për të thithur pranë formacioneve të tyre politike sa më shumë elektorat, miq të rinj, ose ‘friends’-a. Dhe vëmendja është përqendruar tek të rinjtë. Bëhet fjalë për brezin që ka lindur pas 1990-ës, ata që sot mbushin shkollat. Ata, të cilëve nëse u thua se, në moshën tuaj ne nuk kishim televizor në shtëpi, nuk kishim xhinse, as atlete… ata të thotë: Që nuk kishit e mora vesh, por pse nuk i blinit, këtë nuk e kuptoj. Janë këta, të cilëve nuk ua ndjen fare tu flasësh për luftë kundër komunizmit, për burgje, për bllokmenë e Mur Berlini, sepse as e kanë jetuar dhe as kanë lexuar për të mësuar se ç’kanë qenë. Ata jetojnë në një tjetër botë, pa asnjë lidhje me atë që kaluan brezat para ’90-ës.
Rama, si politikan më ‘trendy’, edhe në moshë edhe në sjellje, ishte i pari që filloi të përdorë rrjetet sociale për ti bërë “friends” të rinjtë. Kur e kuptoi që kjo mënyrë komunikimi me këtë brez është më e mirë se mitingjet ku nxënësit dërgohen si kope nga mësuesit për të dëgjuar Berishën, edhe ky hyri në komunitetin e përdoruesve të rrjeteve sociale. Dhe tashmë të dy kanë dy beteja elektorale përpara: E para, ajo me të rriturit, të cilët ndahen në militantë të verbër që nuk duan t’ia dinë për programe, dhe votues të lëkundur që presin të shikojnë programet para se të vendosin. Dhe e dyta, beteja me rininë, të cilën po e bëjnë me “like”. Berisha ka vendosur të luajë akoma me kartën e lavdisë së shkuar, duke postuar fotografitë e shesheve të para 20 viteve, ku shqiptarët derdheshin me qindra mijëra rrugëve për të mbështetur partinë e tij. Ndërsa Rama, si gjithmonë në pararojë në ide të tilla, shpalli edhe një konkurs: Kush poston në faqen e tij fotografinë që do të marrë më shumë “like”, do të fitojë një Ipad. Këtë konkurs, kreu i opozitës mund ta organizonte në një mijë mënyra, nëse do të donte t’i shërbente aktivizimit të rinisë, por meqë qëllimi i vetëm është të mbledhë vota ndër këtë soj, ka zgjedhur pikërisht metodën e duhur.
Duke qenë se rrjetet sociale janë një mënyrë masive komunikimi, krerët e partive kryesore po i shfrytëzojnë ato. Por pyetja që bëhet është: Për çfarë do të komunikojnë ata? Ose me saktë, çfarë presin politikanët tu thonë të rinjtë “facebook”-ista? Pjesa më e madhe e tyre internetin e përdorin për llogje. Po po, posaçërisht për llogje, për të parë video në internet, foto të çuditshme dhe femra lakuriq. Nëse do të shikoni se cilat janë lajmet me të klikuara në faqet ‘online’ të mediave, edhe ato më seriozet, janë pikërisht ato që flasin për ‘gossip’-e dhe historitë e femrave të famshme të botës së modës dhe kinemasë. Nëse doni të dini se cila është faqja ‘online’ që ka më shumë “like”, është “Jeta osh qef”. Nuk lexohet në internet, për shembull, lajmet për buxhetin, monopolizimi i tregut të miellit apo rritja e çmimit të naftës. Shumica e të rinjve që e përdorin “facebook”-un u bëjnë “like” Berishës dhe Ramës, sepse është kënaqësia e tyre t’i kenë ‘friends”-a dy politikanët më të mëdhenj të vendit, jo sepse ndajnë ndonjë ideal politik me ta. Kështu që, nuk duhet t’i gënjejë aspak mendja se numri i “like”-ve është numër votash.
Po, ky lloj komunikimi masiv mund dhe duhet përdorur nga dy liderët e politikës e të gjithë të tjerët, por jo duke u mbushur mendjen të rinjve, njëri me Shqipërinë e ndritur dhe tjetri me magjinë çudibërëse të ndryshimit të madh, por duke folur pikërisht për ata, për problemet e rinisë e më gjerë. Politikanët duhet t’i pyesin “friends”-at e tyre se çfarë nuk shkon me mjedisin ku ata jetojnë, me lagjen dhe qytetin ku ata rriten e jetojnë. Nuk ka mënyrë më të mirë për të mësuar se çfarë ndodh anekend vendit, zyrave të institucioneve, sesa duke biseduar me dhjetëra mijëra njerëz nga çdo skutë e vendit.
Politikanët duhet të flasin me të rinjtë për problemet e këtij brezi, për problemin e drogës në shkolla, që po zgjerohet në mënyrë të frikshme, HIV-it që po shtohet dramatikisht, krizën sociale, marrëdhëniet në shkolla, cilësinë e mësimdhënies, problemet me tekstet, problemet në familje etj etj. Duhet të flitet për dhunën, për shtimin e ushtrisë së hajdutëve pikërisht me ata që i përkasin moshës e përdoruesve masive të “facebook”-ut. Një pjesë e mirë e rinisë ku sot Berisha dhe Rama kërkojnë vota është e keqshkolluar, e keqedukuar, pasi i përket atij brezi që më së shumti është rritur me prindër emigrantë, që shkonin jashtë të punonin e ktheheshin tu sillnin para për buke e për shtëpinë e re të ëndrrës së tyre dhe shumica prej tyre nuk e dinin as në cilën shkollë e në cilën klasë është djali apo vajza. Në rankimin e fundit për çështjet e inteligjencës, ndër 67 vende, adoleshentët shqiptarë dolën në vend të 62-të, përsa i përket formimit të përgjithshëm. Shumë prej këtyre 20-vjeçarëve nuk kanë as shkollë, as profesion dhe për të siguruar lekët e cigareve dhe internetit vjedhin deri edhe veglat e punës së prindërve për t’i shitur për skrap. Nga ky brez vijnë hajdutët që u ngulin thikën grave për një varëse e u shqyejnë veshët për një vëth. Ky brez është një minë me sahat për shoqërinë, një minë që ka plasur, por që vetëm politika nuk do ta shikojë. Pikërisht për këto duhen ftuar të rinjtë të flasin e diskutojnë, e jo të ftohen të postojnë fotografitë në adresën e Ramës për të fituar një Ipad, apo për të parë fotografitë e Berishës në kohën e lavdisë së tij.
“Facebook”-u është një mënyrë masive komunikimi edhe me të rritur. Por edhe ata nuk duhen ftuar të bëjnë “like”, për të treguar që janë admirues të Berishës apo Ramës. Me ta duhet diskutuar se cilat janë plagët që ka sot shoqëria dhe vendi, çfarë mendojnë ata se duhet bërë, çfarë presin ata nga qeveria aktuale, apo nga qeveria e opozitës kur të vijë në pushtet. Qytetarët ftohen në tubime vetëm për të dëgjuar fjalimet e politikanëve dhe për të tundur flamujt.
Sot ne kemi një shoqëri në krizë jo aq ekonomike sa sociale, thellësisht sociale, pasojë e të cilës është një kriminalitet i lartë dhe një shkallë skandaloze dhune në familje. Sot në kemi një shtet me institucione të korruptuara dhe inkriminuara deri në palcë. Një drejtësi të korruptuar si në asnjë vend tjetër të Europës dhe struktura policie që në disa raste ngjajnë më shumë me organizata kriminale se sa institucione shteti. Pikërisht njerëzit duhen ftuar, që përmes kësaj mënyre komunikimi, të denoncojnë padrejtësitë që u bëhen dhe jo tu bëjnë “like” fotografive të Berishës dhe të postojnë foto për të fituar Ipad-in e Ramës.

Botuar në Gazeta Shqiptare, date 14.12.2012

Send this to a friend