Pesë gjëra që duhet të dini për të ardhmen e gazetarisë

25 Janar , 2019 • Gazetaria e Medias, Kryesoret, Shkrimet më të fundit • by

Gazetaria është bërë më e rëndësishme por më pak e fuqishme, sipas një raporti të Reuters Institute for the Study of Journalism. Raporti që ka për autorë Rasmus Kleis Nielsen dhe Meera Selva, identifikon pesë prirje të gazetarisë në të ardhmen dhe shqyrton ndikimin e tyre të mundshëm në shoqëri.

Në raportin e tyre me titull “Më e rëndësishme por më pak e fuqishme? Pesë gjëra që cdokush duhet të dijë për të ardhmen e gazetarisë”, Nielsen dhe Selva nënvizojnë risqet e shfaqura prej pabarazisë në rritje të informacionit, prej përplasjes së modeleve ekonomike dhe prej rolit të platformave të mediave sociale. Ata gjithashtu nënvizojnë se media dixhitale krijon më shumë dieta të shumëllojshme lajmesh dhe argumentojnë se, pavarësisht nga sfidat, gazetaria më e mirë është më e mira e të gjitha kohëve.

Pesë prirjet globale bazohen në një studim të ndërmarrë nga Reuters Institute. Ato reflektojnë ndryshimet në mënyrën se si njerëzit aksesojnë lajmet, transformimet në gazetarinë profesioniste dhe në biznesin e lajmeve si dhe ndryshimin e mjedisit politik në disa pjesë të botës.

Pesë gjëra që çdokush duhet të dijë për të ardhmen e gazetarisë

Në mënyrë të përmbledhur, pesë janë faktet kryesore që duhen njohur aktualisht:

  1. Ne po kalojmë nga një botë ku organizatat e mediave ishin gatekeepers, në një botë ku media sërish po e krijon agjendën e lajmeve, por kompanitë-platforma po kontrollojnë aksesin tek audiencat
  2. Ky kalim tek mediat dixhitale në përgjithësi nuk gjeneron fllucka të filtruara (filter bubbles). Në vend të tyre janë shanset e automatizuara dhe ekspozimi rastësor ato që po drejtojnë njerëzit tek burime gjithnjë e më të shumëllojshme të informacionit.
  3. Gazetaria shpesh po e humbet betejnë për vëmendjen e njerëzve dhe në disa vende edhe betejën për besimin e publikut
  4. Modelet e biznesit që mbështesin lajmet janë sfiduar, duke dobësuar gazetarinë profesioniste dhe duke e lënë median në një gjende vulnerabël ndaj presioneve komerciale dhe politike
  5. Lajmet janë më të shumëllojshme se kurrë dhe gazetaria më e mirë është më e mirë se kurrë, duke denoncuar çdokënd, që nga politikanët më të fuqishëm tek kompanitë private më të mëdha.

Raporti argumenton se këto pesë prirje do të përvijohen në vitet në vijim në të gjithë globin, por natyrisht me variacione që lidhen me kontekstin kulturor, ekonomik, politik dhe social.

Duke komentuar këtë raport, i cili u prezantua për herë të parë në Forumin Botëror Ekonomik në Davos, Rasmus Kleis Nielsen tha: “Mediat dixhitale kanë sjellë mjaft sfida për gazetarinë dhe për shoqëritë tona, por gjithashtu edhe mjaft mundësi si për mediat e lajmit edhe për publikun. Sfida për gazetarët dhe për mediat e lajmit është që ato të përshtaten me mediat dixhitale të cilat janë përqafuar me padurim nga njerëzit në mbarë botën në dëm të shtypit dhe mediave të transmetuara dhe të ndërtojnë një profesion dhe një biznes të përshtatshëm për të ardhmen”.

Meera Selva shtoi se “roli i gazetarisë në shumë raste të ndryshme, përfshi edhe lëvizjen #MeToo, në luftën kundër korrupsionit në radhët e zyrtarëve publikë dhe në nxitjen e debatit publik rreth pushtetit të kompanive-platforma dhe praktikave të privacisë, nënvizojnë rëndësinë e raportimit investigativ.”

Raporti i plotë mund të gjendet në websajtin e Reuters Institute for the Study of Journalism.

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, , , ,

Send this to a friend