Në një intervistë botuar në revistën Central European Journal of Communication, studiuesi dhe eksperti për median i Këshillit të Europës, Karol Jakubowicz, flet për pasojat që mediat e reja dhe teknologjia do të kenë në Europën Lindore.
Për të shpjeguar kontributin demokratik të teknologjive të reja, Jakubowicz i ndan vendet e Europës Qendrore dhe Lindore në dy grupe. Në njërin grup ai rendit vendet më demokratike, ku mediat e reja, njësoj si në Europën Perëndimore, kanë shërbyer jo vetëm për zgjerimin e sferës publike, por edhe ecurinë e proceseve politike. Gazetaria qytetare, blogosfera, rrjetet sociale, thotë Jakubowicz, janë përdorur si forume për shkëmbimin e ideve politike dhe për mobilizimin e aktorëve politikë, disidentë apo opozitarë.
Veçanërisht në raste konfliktesh, teknologjitë e reja – me në krye internetin dhe telefoninë celulare, – kanë treguar se luajnë një rol të rëndësishëm.
Si shembull për këtë, Jakubowicz merr protestën e vitit 2009 në Moldavi, ku mbi dhjetë mijë protestues dolën në rrugë për të kërkuar nga qeveria përsëritjen e zgjedhjeve, rezultati i të cilave mendohej se ishte manipuluar. Organizimi i protestuesve ishte bërë me anë të rrjeteve sociale, Facebook dhe Twitter.
Një shembull tjetër që tregon impaktin e mediave të reja mbi politikën, sipas Jakubowicz, është edhe rasti i protestave të dhunshme në Hungari në vitin 2006, të cilat pasuan pasi kryeministri socialist Gyurcsany pranoi që ai dhe qeveria e tij e kishin gënjyer opinionin publik në lidhje me ekonominë dhe financat me qëllim që të rifitonin zgjedhjet.
Si burim kryesor për shkëmbimin e informacioneve mes demonstruesve, edhe në këtë rast, kishte shërbyer interneti. Edhe pse protesat e vitit 2006 në Hungari nuk sollën ndonjë ndryshim politik, ato treguan se interneti u mundëson grupimeve të ndryshme politike shkëmbimin e informacioneve, komunikimin e synimeve të tyre politike, fitimin e simpatisë prej zgjedhësve të lëkundur dhe fundja, dokumentimin e një versioni të zhvillimeve historike sipas versionit të tyre.
Në vendet me demokraci më pak të zhvilluar, thotë Jakubowicz, mediat e reja vërtet mund të jenë i vetmi burim relativisht i lirë dhe më pak i kontrolluar për të shprehur ide opozitare dhe kritike ndaj regjimit, por nga ana tjetër kjo liri është e reduktuar, sepse qeveritë e këtyre vendeve e kanë kuptuar potencialin e vërtetë të teknologjive të reja dhe marrin masat për ta kufizuar atë.
Organizata “Reporterët pa kufij” rendit për shembull Bjellorusinë dhe Rusinë te vendet “armike të internetit”. Sipas kësaj organizate, gjer më 2011, interneti ishte e vetmja hapësirë në Bjellorusi ku mbizotëronte liria, por që kur qeveria filloi të kontrollonte dhe ndërhynte në çdo aktivitet online, atëherë edhe kjo liri përfundoi.
Në Rusi, sipas organizatës “Reporterët pa kufij”, politikanët dhe aleatët e tyre i kanë zëvendësuar taktikat e vjetra të represionit – nga dhuna fizike gjer te vrasja, me forma të reja më subtile të censurës, si për shembull vështirësi në regjistrimin e websiteve, kufizime të përmbajtjes për produktet online, bllokim të faqeve online të mediave të pavarura, apo shtim të neneve penalizuese për shpifje dhe aktivitete të tjera në internet.
Në këto vende, thotë Jakubowicz, mediat e reja dhe teknologjitë janë kthyer në “fusha të reja beteje” për të njëjtën luftë të vjetër për liri dhe demokraci nga njëra anë, si dhe për mbajtjen e regjimit autoritar nga ana tjetër.
Intervistën e plotë (në anglisht) të studiuesit Karol Jakubowicz për revistën Central European Journal of Communication, Nr.1 (2012) mund ta gjeni në:
http://ptks.pl/cejc/wp-content/uploads/2012/07/CEJC_Vol5_No1_Jakubowicz.pdf