Mbi manipulimin e imazhit televiziv

5 Tetor , 2017 • Etika dhe Cilësia, Kryesoret, Shkrimet më të fundit • by

Një fotografi flet sa njëmijë fjalë. Kjo është e vërtetë sidomos sot në epokën e internetit dhe të multimedias. Studimet më të fundit mbështesin idenë se komunikimi vizual mund të jetë më i fuqishën se sa komunikimi verbal, duke iu referuar shembujve që tregojnë se njerëzit e mësojnë dhe e përftojnë informacionin që iu prezantohet përmes imazheve shumë më mirë se sa informacionin që iu paraqitet atyre vetëm verbalisht.

Paul Martin Lester thotë: “Ka tregues të fuqishëm që dëshmojnë se statusi i imazhit (angl. image) është duke u përmirësuar. Ne jetojmë në një blic imazhesh të mediatizuara. Ato mbushin gazetat, revistat, librat, bill-bord-et, ekranet e televizorëve dhe të kompjuterave si asnjëherë më parë në historinë e komunikimit masiv. Diçka është duke ndodhur. Ne po bëhemi një shoqëri vizualisht e ndërmjetësuar. Për shumë vetë, kuptimi për botën realizohet jo përmes leximit të fjalëve por përmes leximit të imazheve” ( Lester, 2006).

Duke u bazuar tek imazhi i përcjellë përmes videove dhe fotografive, televizioni ka një dimension të shtuar të pushtetit krahas atij të “pushtetit të katërt: ky është dimensioni që lidhet me pushtetin e imazhit. Procesi i dixhitalizimit të videos dhe të fotografisë e ka lehtësuar dhe përforcuar “ushtrimin” e këtij pushteti. Ndërkohë interneti ka krijuar një hapësirë të re në këtë drejtim. Shumë studime flasin për një preferencë në rritje ndaj përmbajtjes vizuale por edhe për një shkallë të lartë viraliteti të kësaj përmbajtjeje.

Duke patur këto përparësi, përmbajtja vizuale, krahas benefiteve po bëhet gjithnjë e më e ekspozuar edhe ndaj risqeve, një prej të cilave, ndoshta më seriozi është rreziku që vjen nga fake news. Një pjesë e madhe e fake news janë rezultate të manipulimeve të natyrave të ndryshme që bëhen me imazhin e videove apo të fotografive. Ky studim synon të evidentojë disa nga format më tipike të manipulimit të imazhit në  kohët e sotme në mediat shqiptare dhe më gjerë.

Të shohësh do të thotë të besosh

Në një kuadër të përgjithshëm, ajo që ne shohim varet shumë nga ajo që ne besojmë.  Ndërkohë ajo që ne besojmë shpesh konsiderohet apo korrespondon me atë që ne e quajmë si të vërtetë. Në një ekstrem ka edhe autorë që mendojnë se një pamje e realitetit objektiv është absolutisht e vërtetë deri në momentin që ajo penetron në sytë tanë. Pas këtij momenti, e vërteta relativizohet shumë. Për Galer, fotografët apo kameramanët paraqesin shpesh “atë që është në sytë e mendjes” (Galer, 2008, f. 211).

Autori i librit Seeing is believing (Të shohësh do të thotë të besosh), Arthur Berger, ngulmon se një foto është gjithnjë një interpretim i realitetit, jo realiteti vetë. Duke iu referuar asaj që ne shohim në media, Berger thotë:

Ajo që ne shikojmë mund të na japë një pjesë të së vërtetës, por mund të mos zbulojë të gjithë të vërtetën, veçanërisht për shkak se shumë prej asaj që ne shohim ndërmjetësohet dhe përcaktohet nga dikush tjetër….Për këtë arsye shumë prej asaj që shohim – në media  përshembull, – ne nuk e besojmë. (Berger, 2012. f. 21).

Për të bërë vlerësimin e një fotografie apo të një videoje, redaksive mund t’iu vijnë në ndihmë disa përcaktime të autorit të librit On the Nature of Photography (Mbi natyrën e fotografisë), Rudolf Arnheim. Duke u bazuar tek Arnheim, për vlerësimin e cilësive të një fotografie apo videoje duhet bëjmë tre pyetje:

1.A është autentike?

2.A është korrekte?

3.A është e vërtetë

Autenticiteti, i garantuar përmes tipareve apo përdorimeve të caktuara të fotos, kërkon që skena të mos jetë e manipuluar. Përshembull, nëse kemi një hajdut të maskuar që duke dalë nga banka  që ka vjedhur pozon përpara fotografëve, atëhere gjasat janë që të kemi të bëjmë me një skenë të manipuluar.

Korrektësia është diçka tjetër: ajo kërkon sigurinë që fotografia korrespondon me atë që kamera fotografoi: ngjyrat nuk janë të tjetërsuara, lentet nuk dëmtojnë proporcionet, etj.

Kurse e vërteta, sipas Arnheim, nuk ka të bëjë me fotografinë si paraqitje e asaj që ishte prezente përpara kameras, por i referohet skenës së marrë si një paraqitje rreth fakteve që fotografia supozohet të përçojë. Ne pyesim në këtë rast nëse pamja është karakteristike lidhur me atë që synon të tregojë. (Arnheim, 1974, f. 157)

Në argumentimin e Arnheim, një fotografi apo video mund të jetë autentike, por jo e vërtetë, ose jo e vërtetë por autentike. Kur në pjesën teatrale të Jean Genet “Ballkoni”, një fotograf i mbretëreshës dërgon një nga revolucionarët e arrestuar që t’i marrë atij një paketë cigare dhe nga ana tjetër pagoi një polic që ta qëllojë atë, fotografia e rebelit të vrarë në momentin që “përpiqej të arratisej” nuk mund të jetë autentike, me gjasa mund të jetë korrekte dhe në një këndvështrim edhe e vërtetë – thotë Arnheim.

Shkalla e vërtetësisë së imazheve që na vijnë përmes mediave ndikohet në një masë të madhe nga dy faktorë: politika editoriale e një medieje dhe bindjet personale të reporterëve, fotografëve apo kameranëve të medias. Sa më shumë të jenë të ndikuar këta të fundit nga politikat editoriale që synojnë të deformojnë, fshehin apo të manipulojnë të vërtetën apo nga bindjet politike personale, aq më e madhe është mundësia që të prodhohen përmbajtje mediatike të manipuluara.

Cilat janë disa nga format e manipulimit të fotografive apo të videove që janë ndeshur më shumë në mediat shqiptare? Më poshtë po përmendim dhe analizojmë pesë prej këtyre formave.

Manipulimi përmes lojës me këndin apo perspektivën e fotografimit apo filmimit

Perspektiva vizuale është një mënyrë përmes së cilës ne përftojmë sensin e thellësisë dhe të distancës. Njëherësh perspektiva vizuale ka një rol edhe në shkallën e detajimit të një imazhi. Objekti i fotografisë apo videos zvogëlohet sa më larg të jetë ai nga pika e shikimit. Kjo njihet si perspektivë zvogëluese. Ndërkohë një pikë shikimi e afërt ekzagjeron distancat dhe përmasat.(Galer, 2008, f.83)

Një nga llojet e manipulimit që ndeshet jo rrallë në mediat shqiptare është ai lloj manipulimi që vjen si rezultat i lojës me këndin apo lartësinë e fotografimit apo të filmimit.

Peter Ward vëren se lartësia dhe këndi i kameras kontrollojnë mënyrën se si audienca identifikon subjektin. Një lartësi e ulët mund të fashisë detajet e objekteve në sipërfaqe dhe të eleminojë treguesit e hapësirës mes objekteve në terren. Një kamera në lartësi të madhe ka efektin e kundërt (Ward, 2000, f.122).

Në mediat shqiptare ka ndodhur jo rrallë që për të njëjtën ngjarje dhe në të njëjtin moment të vijnë dy pamje të ndryshme. Kështu përshembull, në rastin e fotografive apo videove të bëra gjatë një proteste të opozitës në maj 2017, vihet re se tek mediat pranë opozitës mbizotërojnë imazhet e protestës që janë realizuar nga një kënd i ulët, pak më lart se kokat e njerëzve, duke u munduar që të krijohet përshtypja se i gjithë bulevardi qendror i kryeqytetit është plot e përplot. Kurse mediat pranë pozitës, me ndihmën edhe të droneve, sjellin imazhe nga një lartësi shumë e madhe dhe gati në kënd të drejtë me terrenin për të kumtuar mesazhin në interes të pozitës se bulevardi nuk ishte plot e përplot, përkundrazi. Më poshtë janë dy pamje tipike që sjellin dy mesazhe të kundërta lidhur me shkallën e pjesëmarrjes në protestë.

Një lojë dhe një debat që lidhej me këndin e fotografimit apo të filmimit u bë në media edhe gjatë raportimit të tyre për një ceremoni fetare në Sheshin Skëndërbej, kur një pjesë e mediave raportonin se monumenti i heroit kombëtar, Skënderbeut ishte mbuluar, duke sjellë edhe foto apo plane videoje që e ilustronin këtë, kurse një pjesë tjetër sillnin pamje nga një kënd tjetër që të tregonin se monumenti i Skënderbeut nuk ishte mbuluar gjatë kësaj ceremonie.

Është e qartë se ky lloj manipulimi është i shmangshëm, nëse mediat do të kishin një vullnet për një gjë të tillë dhe nuk do të kontrolloheshin nga politika editoriale të caktuara dhe të njëanshme. Sjellja e planeve nga të gjitha këndet do të ishte zgjidhja më e drejtë dhe më e paanshme.

Manipulimi që lidhet me dukurinë e “parapërgatitjes së skenës”

Siç theksohej edhe nga Arnheim, manipulimi i skenës që do të fotografohet apo do të filmohet dëmton rëndë autenticitetin e një fotografie apo videoje. Duhet thënë se media tregohet më e rezervuar kur bëhet fjalë për parapërgatitje të skenës. Një dukuri e tillë shihet të kryhet nga media në raste kur fotografët apo reporterët sjellin fotografi të personazheve të politikës apo të artit të cilët kanë pozuar përpara fotografëve si të ishin në një studio të fotografive familjare dhe në disa raste iu është hequr edhe ndonjë rrudhë apo nishan me Photoshop.

Por siç thotë Galer, që në momentin kur një personazh vendos një kontakt me sy me fotografin, eventi është i ndryshuar ose i manipuluar (Galer, 2008, f.211).

Gjithsesi, pavarësisht se vetë mediat nuk janë të prirura për të parapërgatitur skenat e ngjarjeve, sërish në edicionet e lajmeve të televizioneve ndeshet me shumicë një dukuri e tillë, e cila është verifikuar në materialet që vijnë të gatshme nga zyrat e marrëdhënieve publike të partive politike apo të institucioneve shtetërore, sidomos tek përmbajtja e të ashtuquajturave “kaseta të gatshme”. Të gjitha lajmet apo raportimet që vijnë nga këto zyra kanë me shumicë personazhe apo objekte të rreshtuar apo të pozicionuar sipas skenografisë dhe një paraqitje të planeve të ngjarjes nën një logjikë regjizoriale që favorizon prodhuesit e këtyre përmbajtjeve. Një praktikë e tillë po e rrënon gjithnjë e më shumë pavarësinë dhe integritetin e mediave në Shqipëri.

Manipulimi që lidhet me zhvendosjen e imazheve nga një kontekst në tjetrin

Sipas Galer, fotografitë apo videot e interpretojnë realitetin dhe mund ta shkatërrojnë atë kur konteksti (koha dhe vendi) i imazhit është prekur (Galer, 2008, f.213). Vënia apo përdorimi i imazheve nga një kontekst në tjetrin ndikohet shumë nga kuptimi që dikush ka për imazhin. Stuart Hall  dallon tre lloj kuptimesh mbi imazhin:1.Kuptimin literal;   2.Kuptimin konotativ; dhe 3.Kuptimin e preferuar.

Në rastet e një kuptimi të preferuar, individët parapëlqejnë t’i japin imazheve atë kuptim që iu intereson atyre dhe i vendosin në atë kontekst që ata duan. Është diçka e ngjashme me wrestling, kur tifozët e këtij sporti e dinë që ajo që ndodh është diçka e rreme, por megjithatë atyre iu pëlqen një gjë e tillë.

Në një nga rastet e vënies së imazheve nga një kontekst në tjetrin, në disa media të vendit u botuan pamjet e disa vagonëve të trenit të lyer me ngjyrë vjollcë, duke u shoqëruar me komentin se diçka e tillë ishte bërë nga partia në pushtet, meqë edhe ngjyra e flamurit të saj është e tillë. Por më vonë e verifikua se ato vagonë ishin lyer me atë ngjyrë në kuadër të videoklipit të një kënge të një këngëtareje të njohur, pa patur asnjë lloj pikënisjeje politike.

Në një rast tjetër, mediat kanë botuar një lajm që bënte fjalë për 1400 vagonë me mbetje të rrezikshme që ishin sjellë në Shqipëri nga Italia. Lajmi shoqërohej me foto të kontenierëve në një port, të cilët s’kishin asnjë lloj lidhjeje me transportin e supozuar të mbetjeve. Lajmi u verifikua nga disa media dhe rezultoi të ishte i rremë.

Manipulimi që lidhet me zhvendosjen e imazheve nga një kohë në tjetrën

Përveç vënies së imazheve nga një kontekst në një tjetër, në media është e pranishme edhe dukuria e zhvendosjes së tyre nga një kohë në një tjetër, në varësi të qëllimeve të caktuara.

Një rast i bujshëm brenda kësaj tipologjie na vjen nga mediat e huaja. Në 23 shtator të këtij viti, televizioni Iranian transmetoi një lajm që njoftonte se Irani atë ditë kishte lëshuar me sukses një raketë balistike. Ndaj këtij lajmi reagoi menjëherë në Twitter edhe presidenti i SHBA Donald Trump, duke e akuzuar Iranin se po bashkëpunonte me Korenë e Veriut dhe po thyente marrëveshjet e arritura.

Por pak kohë pas reagimit të presidentit Trump, mediat njoftuan se videot e përcjella nga televizioni Iranian i përkisnin një kohe tjetër dhe ishin pamje të një lëshimi rakete të kryer 7 muaj më përpara.

Edhe në mediat shqiptare ka patur raste të kësaj tipologjie. Kështu, bazuar në një portal online, disa media raportonin se një i eksponent i botës së krimit i kërkuar nga policia, gjendej i pashqetësuar në qytetin e tij, duke e ilustruar këtë me pamje nga një dasëm në të cilën ishte i pranishëm edhe personi  në fjalë. Por familjarët e tij dhe njerëz të tjerë që kishin qenë në atë event provuan se ajo foto i përkiste një periudhe tjetër kohore, dhe ishte bërë tre vjet përpara lajmit të bujshëm.

Manipulimi përmes ndërhyrjeve në imazh me aplikacione kompjuterike

Me teknologjinë aktuale të transmetimit dhe të editimit, është gjithnjë e më e mundshme që të bëhen editime në mënyrë selektive me pak gjasa për t’u diktuar, që mund të tjetërsojnë atë që duket të ketë ndodhur apo që mund të ndryshojnë sensin e asaj që dikush ka thënë (Harcup, 2009, f. 251). Në mediat shqiptare janë verifikuar raste të manipulimit përmes ndërhyrjeve në imazh me aplikacione kompjuterike që kanë synuar të tjetërsojnë pamjet nga ngjarje të caktuara. Një nga këto raste u raportua nga mediat të cilat i referoheshin një postimi të kryeministrit në Facebook që paraqiste faqen e parë të gazetës së partisë së opozitës me një fotografi të manipuluar nga protesta e kësaj force politike.

Si reagim ndaj pretendimeve të opozitës për pjesëmarrje shumë të madhe në protest, kryeministri sillte edhe një video, planet dhe këndi i filmimit i së cilës ishin të atilla që të favorizonin idenë se pjesëmarrja ishte e ulët, duke iu përgjigjur në një farë mënyre manipulimit me manipulim.

Kohët e fundit në mediat botërore janë përcjellë me shqetësim edhe disa eksperimente që provonin mundësinë e manipulimeve të videove në përmasa të tilla që tjetërsonin pamjen apo ligjerimin e personazheve duke vendosur fjalë të tjera në video të tjera, me një përputhje gati ideale të lëvizjeve të buzëve, apo duke shformuar gjatë transmetimeve live fytyrat e atyre që ishin duke folur.

Kanali televiziv CNN raportoi para pak kohësh se kërkuesit në Universitetin e Washingtonit kanë demonstruar teknika të reja për bashkimin e klipeve të audios në klipe të videos që duken shumë reale, duke përputhur lëvizjet e buzëve nga video të ndryshme, dhe duke iu bashkangjitur atyre fjalë të tjera.  Në një rast tjetër të raportuar gjithashtu nga mediat botërore, njoftohet për një eksperiment që bën të mundur ndërhyrjen edhe gjatë transmetimeve live, duke stimuluar ndryshime apo shtrembërime të pamjes së fytyrës së folësit në ekran.  Zhvillime “të frikshme”? Natyrisht teknologjitë dixhitale mundësojnë terren edhe për manipulime të tilla, por e ardhmja do të provojë nëse ato do të arrijnë të depërtojnë në media dhe nëse do të arrijnë të kenë efekt në informimin e publikut. Po qe se diçka e tillë do të ndodhte, atëherë horizonti i mediave do të bëhej edhe më i zymtë, duke rrënuar të gjitha shpresat për rimëkëmbjen e besimit të publikut dhe për rikthimin tek standartet dhe tek roli dhe përgjegjësia publike.

Si t’i shpëtojmë manipulimit?

Aktorët e fushës së mediave dhe të komunikimit i kanë përcjellë me shqetësim zhvillimet e kohëve të fundit dhe njëherësh janë vënë re edhe inisiativa për të ofruar rekomandime se si mund të dilet nga kjo situatë. Në një inisiativë të tillë Federata Ndërkombëtare e Shoqatave dhe Institucioneve të Librit sjell rekomandimet e mëposhtme për pjestarët e audiencës por edhe për redaktorët dhe gazetarët se si ata të identifikojnë dhe si të shpëtojnë nga fake news dhe nga manipulimi. Ja lista e këtyre rekomandimeve:

  1. Shih për burimet e përdorura
  2. Shko përtej titullit

3.Kontrollo për autorin

4.Kërko për burime alternative

5.Kontrollo datën

6.Verifiko: Mos është një shaka?

7.Verifiko: Mos je nën ndikimin e bindjeve të tua?

8.Pyet ekspertët

Përveç rekomandimeve, organizatat apo studjuesit e medias këmbëngulin edhe për një ndërgjegjësim të të gjithë aktorëve të fushës lidhur me nevojën për një rikthim tek gazetaria e bazuar tek faktet në vend të asaj të bazuar tek opinionet si dhe për një edukim mediatik edhe të të gjithë popullsisë, në mënyrë që qytetarët të jenë në gjendje të mbrohen nga manipulimet dhe të marrin vendime të informuara në raport me mesazhet e ofruara nga mediat.

 

Bibliografia

Arnheim, Rudolf, On the Nature of Photography, Në: Critical Inquiry, Vol. 1, Nr. 1. Sep., f. 149-161, 1974.

Berger, Arthur Asa, Seeing is Believing: An Introduction to Visual Communications. 4th Ed. New York: McGraw-Hill, 2012

Galer, Mark, Digital photography, 4-th edition, Elsevier, 2008

Hall,  Stuart,  Representations: Cultural Representations and Signifying Practices,  Botuar nga Sage Publications në bashkëpunim me Open University, London, 1997

How to spot fake news, (The International Federation of Library Associations and Institutions -IFLA), Link: https://www.ifla.org/publications/node/11174

Harcup, Tony, Fair enough? Ethics and regulation in broadcast journalism, Në: Broadcast Journalism, A critical introduction, Edited by Jane Chapman and Marie Kinsey, Routledge, 2009

Kracauer, Siegfried, Theory of film: the redemption of physical reality, Oxford University Press, 1960

Lester, Paul Martin, Syntactic Theory of Visual Communication, 2006, Link:

https://blog.kareldonk.com/wp-content/uploads/2015/03/SyntacticTheoryofVisualCommunication.pdf

Ward, Peter, Digital video camerawork, Focal Press, Oxford, 2000

Burime online:

http://www.graphics.stanford.edu/~niessner/thies2016face.html

http://edition.cnn.com/videos/tech/2017/07/14/orig-obama-lip-sync.cnn

https://www.ifla.org/publications/node/11174

Tags:, , , , ,

Send this to a friend