Një studim i kryer nga studjuesit Mirdaim Axhami dhe Laureta Zela tregon se fushatat elektorale në Shqipëri janë “amerikanizuar”. Fushata elektorale të realizuara mbi bazën e sondazheve, mediatizimi i tyre, personalizimi i fushatave tek liderët kryesorë të partive dhe publiciteti negativ si një ndër elementët kryesorë të publicitetit të përdorur tek fushatat elektorale janë elementët kryesorë të “amerikanizimit” të fushatave elektorale në Shqipëri.
Studimi ka pasur si synim identifikimin e elementëve kryesorë të marketingut politik që ndikojnë sjelljen e elektoratit në Shqipëri. Ai është mbështetur në analizën e të dhënave të mbledhura nëpëmjet pyetësorëve, me një kampion rreth 650 individë të zgjedhur rastësisht (mosha 18 vjeç e lart) në 11 njësitë bashkiake të Tiranës, bashkinë Kamëz e Vorë, dhe komunat Bërxull, Farkë, Kashar, Ndroq, Pezë, Prezë, Vaqarr, Baldushk, Bërzhitë, Dajt, Paskuqan, Petrelë, Shëngjergj, Zall-Bastar, Zall-Herr, komuna Krrabë.
Autorët në këtë studim dalin në përfundimin se votuesit janë më shumë të ndikuar nga produkti politik, publiciteti politik, marrëdhëniet publike dhe marketingu i drejtpërdrejtë. Vëmendja e aktorëve politik ndaj këtij të fundit ka ardhur duke u rritur vitet e fundit edhe në Shqipëri. “Rëndësia e marketingut politik, thonë autorët, “bën që aktorët e politikës jo vetëm të veprojnë, por edhe të mendojnë në termat e marketingut.” Autorët vënë re se politika po shndërrohet në një industri gjithnjë e më të madhe, fushatat po bëhen gjithnjë e më të kushtueshme. Shumica e parave të fushatës po shpenzohet për publicitet televiziv, materiale promocionale, mitingje dhe shërbimet e konsultimit politik.
Axhami dhe Zela vërejnë se gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të datës 28 Qershor 2009, sipas raporteve të auditimit, shuma totale e shpenzuar nga partitë politike ka qenë 366,599,376 lekë. “Tre partitë kryesore Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim kanë zënë 77% të totalit të shpenzimeve, përkatësisht 43%, 28% dhe 6%. Shpenzimet për publicitet kanë zënë vendin kryesor në totalin e shpenzimeve të realizuara gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare Qershor 2009. Konkretisht, shpenzimet për publicitet të realizuara në mediat kryesore në vend për tre partitë kryesore PD, PS, LSI zënë përkatësisht 21%, 51% dhe 66% të totalit të shpenzimeve të realizuara gjatë muajit të fushatës nga secila parti”.
Studimi tregon gjithashtu se konsulenca e huaj e ofruar nga kompanitë e kontraktura përbën një tjetër zë të rëndësishëm të shpenzimeve që kanë realizuar tre partitë kryesore gjatë këtyre zgjedhjeve. Përkatësisht, shpenzimet për konsulencë për PD zënë 29% të totalit të shpenzimeve, Për PS, 8% dhe për LSI 26% të totalit të shpenzimeve. Transparenca e deklarimit të shpenzimeve reale nga partitë politike është një çështje shumë e debatueshme e cila vihet gjithashtu në pikëpyetje edhe nga rezultatet e mëposhtme të cilat kanë mospërputhje me deklarimet e partive. Shumica e kostove në rritje të fushatave vjen nga përdorimi më i madh dhe besimi ndaj medias tradicionale, dhe përdorimi i teknikave më të ndërlikuara të marketingut si sondazhet nëpërmjet telefonit.
Sipas autorëve, biznesi politik është rrënjësisht i ndryshëm nga industritë e tjera. Ata që marrin poste politike kanë aftësinë të caktojnë politika dhe të bëjnë ligje që mund të ndikojnë konsiderueshëm çdo fushë tjetër që studiohet nga studiuesit e marketingut tradicional. Nëse studiuesit e marketingut janë indiferentë ndaj politikës dhe marketingut politik, ata do të humbasin zhvillimin e një industrie të rëndësishme.
Në përfundim të studimit, Axhami dhe Zela nxjerrin në pah edhe disa elementë të rëndësishëm të marketingut politik që ndikojnë votuesit shumë besnikë si p.sh: imazhi i partisë, personaliteti i liderit të partisë dhe programi i partisë rreth problemeve ekonomike dhe sociale. Ndikimin më të ulët në këtë segment të elektoratit, sipas autorëve, e kanë telefonatat.
Kurse në segmentin e elektoratit të votuesve më pak besnikë, studimi tregon se ndikimin më të lartë e kanë ideologjia e partisë, programi i partisë rreth problemeve ekonomike dhe sociale si dhe personaliteti i liderit të partisë të cilët janë elementë të produktit apo ofertës politike. Ndikim më të ulët në këtë grup të votuesve kanë billbordet.
Tek elektorati i lëkundur ndikojnë personaliteti i liderit të partisë, programi rreth problemeve ekonomike dhe sociale si dhe billbordet. Ndërsa ndikimin më të ulët në këtë grup të elektoratit e kanë posterat apo fletëpalosjet. Kurse ideologjia e partisë, programi i partisë rreth problemeve ekonomike dhe sociale, personaliteti i liderit të partisë, imazhi i partisë, takimet personale, debatet televizive dhe lajmet në televizion kanë një rëndësi relative më të lartë për segmentin e elektoratit shumë besnik.