Kurrë mos i bëj “follow” një presidenti në Twitter: Leksioni nga raportimi mbi politikën në SHBA

22 Korrik , 2017 • Kryesoret, Media dhe Politika, Shkrimet më të fundit • by

Kanalet amerikane të lajmeve po adoptojnë tiparet e reality TV show, me spekulime dhe emocione në vend të fakteve, sipas Robert Byrd, profesor i gazetarisë në Universitetin e Memphis. Në seminarin “Enemy of the People? Trump, Fake News and the Press” (Armiku i Popullit? Trumpi, lajmet e rreme dhe shtypi), që u mbajt muajin e kaluar në zyrat qëndrore të ZDF,  një radio televizion publik gjerman  me bazë në Mainz, Byrd paralajmëroi gazetarët gjermanë që të mos ndjekin shembullin e  mediave amerikane.
“Mos ndiqni gjurmët tona. Më besoni, s’keni pse të arrini gjer aty”.

Byrd tha se disa media amerikane duket se po  funksionojnë brenda një qarku të mbyllur, duke spekuluar pambarimisht me çështjet që lidhen me pushtetin dhe strategjitë politike.

Kanalet televizive amerikane vazhdojnë të fokusohen në programe të drejtuara nga ekspertë për të mbushur programacionin e tyre 24 orësh, tha Byrd. Expertët në shumicën e rasteve janë lobistë, të cilët mundohen të zgjerojnë axhendat e tyre ose thjesht të spekullojnë.

Ai veçoi Fox News në kritikën e tij, duke cituar reagimin e kanalit ndaj vendimit të Trump për hedhjen e të ashtuquajturës “Mother of all Bombs” në një tunel të Isisit në Afganistan në Prill. Në vend të vlerësimeve nga ana e gazetarëve për këto evente, kishte komente nga analistë televizioni si p.sh. komenti “….një nga gjërat e mia të preferuara është të shikoj bombat duke rënë drejt njerëzve të këqinj…”, tha Byrd.

Ai pranoi se emocionet, gallatat dhe thashethemet janë popullore ndër shikuesit. Shifrat e shikuesve të Fox News janë rritur me 28% gjatë vitit të kaluar, duke arritur në 2.4 milionë në orët e mbrëmjes kurse shifrat për  MSNBC  janë rritur me 87% duke shkuar në rreth 1.6 milionë shikues. Byrd mendon se kjo ka ndodhur për shkak se Trump e kupton ciklin e lajmeve, si një ish-yll i reality TV.

Në programin e tij, The Apprentice, Trump “mësoi si të kultivojë një audiencë, duke krijuar një personalitet me të cilin ata të dashuroheshin”, tha Byrd. “Ai themeloi një markë: shikuesit e panë si një biznesmen të suksesshëm i cili gjithashtu i argëtonte me shprehjen e tij “Je i pushuar!” Kjo krijoi një motiv në karrierën e tij politike: ndërkohë që Trump i etiketonte lajmet kritike  për të si “lajme të rreme”, kjo akuzë për “lajme të rreme!” zëvendësoi shprehjen e tij “Je i pushuar!”.

Byrd tha se Donald Trump ka përfituar nga rënia e besimit në mediat amerikane gjatë viteve të fundit (që arriti në 33%, sipas Raportit të Lajmeve Dixhitale 2016) duke minuar kështu publikisht shtypin.

Trump ka akuzuar se “mediat e lajmeve fallso” janë “armiku i popullit amerikan”, por Byrd tha se mediat mund të kenë vetveten si armikun e tyre. Trump iu dikton atyre se çfarë duhet të thonë; ai kontrollon axhendën e medias. “Kur ka gjëra që duket se janë kundër tij, ai do bëjë një tweet qesharak në mënyrë që media të debatojë rreth saj”. Kjo bën që njerëzit të ndjekin median e tij sociale, në vend të asaj që po ndodh në të vërtetë.

Byrd nxiti gazetarët që t’i bënin “unfollow” Trumpit në Twitter, ose ta bllokonin, si mënyra e vetme për t’u siguruar se nuk shpërqëndrohen nga problemet kryesore. Ai lavdëroi Washington Post dhe New York Times sepse bënë punën më të mirë që prej kohës së Watergate, por thotë se pjesa tjetër e medias duhet të ndjekë shembullin e tyre dhe të përqendrohet në fakte. “Kur hyj në një rrjet lajmesh, unë dua të shikoj lajme”, tha ai.

Imazhi: Flickr CC, Thomas Cizauskas

Flickr CC, Torbakhopper

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, , , , ,

Send this to a friend