Lajmet e rreme dhe keqinformimi në Europën Lindore

22 Prill , 2018 • Etika dhe Cilësia, Kryesoret, Media dhe Politika, Shkrimet më të fundit • by

Vendet e Europës Lindore janë një hapësirë e mirë loje për shpërndarjen e informacioneve të rreme përmes teknologjive të reja të informacionit. Veçanërisht vendet baltike dhe Ukraina vijojnë të mbeten në shenjestrën e sulmeve të vazhdueshme nga Rusia.

Në Ukrainë sulme të tilla po ndiqen nga Stopfake, një projekt i themeluar në vitin 2014 nga ekspertë të rinj të medias vendase dhe nga studentë. Por operatorët e këtij websajti që merret me verifikimin e fakteve kanë ende shumë për të bërë. Vetëm gjatë dhjetorit 2017 atyre iu desh që të raportonin gati në çdo 2-3 ditë lajmet e rreme ruse – përfshi pretendimin e agjensisë së lajmeve Sputnik se Komisioni i BE ka akuzuar OKB për përhapjen e raportimeve false lidhur me dhunimin e të drejtave të njeriut në Krime.

Lajme të rreme ngado të hedhësh sytë

Njoftim i sajuar ishte edhe njoftimi sipas të cilit presidenti i Ukrainës Poroshenko donte të ndante Ukrainën nga krahina e Donbass me një mur – thotë Dariya Orlova, kërkuese në Mohyla School of Journalism në Kiev. Në lajme të tjera është bërë përpjekja për ta paraqitur situatën në vend si “të normalizuar”: Disa kanale ruse transmetuan një lajm që fliste për një vërshim të turistëve në Krime. Asgjë prej këtyre nuk ishte e vërtetë, gjithçka ishte tërësisht e sajuar.

Në vende të tjera të Europës Lindore lajmet e rreme të çastit përhapen si zjarret në pyjet e egra. Në njërin prej tyre, siç tregon Sandra Stefanikova (Charles University, Pragë), flitej për një re radioaktive që po vinte nga një impiant nuclear francez. Lajmi u përhap gjerësisht në mediat sociale. Në Republikën Çeke ka shumë websajte të panjohura që shpërndajnë lajme të tilla dhe operatorët e tyre në më të shumtën e rasteve mbeten në errësirë.

Sipas  Gabor Polyák (University of Pecs) dhe Michal Kus (University of Wroclaw), lajmet e rreme po bëhen edhe një mjet i politikës. Në vende politikisht të polarizuara si Hungaria dhe Polonia, opozita akuzon shpesh operatorin publik audio-viziv të kontrolluar nga qeveria për shpërndarjen e lajmeve të rreme. Ndarja politike në të dy këto vende është shumë e thellë dhe partitë kundërshtare akuzojnë rregullisht njera-tjetrën për shpërndarje të informacioneve të rreme.

Ndërkohë që shumë nga mediat kryesore të Europës Qendrore dhe Lindore po e konsiderojnë si një kërcënim keqinformimin dhe propogandën që vjen nga mediat ruse dhe  pro-ruse, Polyák thotë se në Hungari operatori publik po i kushton gjithnjë e më shumë vëmendje propogandës ruse, një fakt ky që konfirmohet edhe nga burime të tjera. Shumica e mediave tradicionale janë në kontrollin e kryeministrit Viktor Orbán.

Situata në Rumani

Edhe në Rumani, “lajmet e rreme nuk janë një fenomen i ri”, thotë Raluca Radu, drejtuese e departamentit të gazetarisë në Universitetin e Bukureshtit. Po shtohen politikanët që artikulojnë teori konspirative dhe gjithnjë e më shumë gazetarët po ekspozohen ndaj këtyre teorive. Përshembull, Livizu Dragnea, lider i Partisë Socialdemokrate, parti në pushtet, pretendon se filantropisti George Soros ka lidhje të ngushta me shërbimet e huaja inteligjente – një teori kjo që është dëgjuar edhe në vendet e tjera të Europës Qendrore.

Verifikuesit e fakteve në mediat rumune e kanë të pamundur të ndjekin falsifikimet e prodhuara nga politika, thotë Radu. Madje në disa raste, edhe media të rëndësishme sulmojnë njera-tjetrën përmes raportimeve të rreme. Si për të provuar talentin e bashkëkombasve të vet, Radu përmend rastin e Ovidiu Drobotă. Thuhet se është pikërisht ai që sajoi lajmin në të cilin thuhej se Papa Françesku mbështeti kadidaturën për president të Donald Trump – një lajm ky që u bë viral si rrallë tjetër.

Lufta ndaj “fake news” si një temë e debatit publik

Një shënjestër e preferuar për shumë lajme të rreme të Europës Qendrore dhe Lindore është Gjermania dhe kancelarja  Angela Merkel. Për shkak të dimensioneve, fuqisë ekonomike dhe historisë, Gjermania duket si objektiv i përshtatshëm për të nxitur frikë dhe urrejtje. Në Europën Lindore, për shembull, “mediat alternative” kapen fort pas argumentit se gjermanët po përpiqen të marrin nën kontroll të gjithë Europën, raporton Silvia Stöber që punon për Faktenfinder (fact finders) në emisionin e përditshëm të lajmeve Tagesschau të televizionit publik gjerman.

Shpesh teoricienët e konspiracisë janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Sipas Stöber ata bazohen në burimet alternative në gjuhën gjermane. Shpesh ata riprodhojnë në mënyrë të shtrembëruar mediat gjermane ose pretendojnë se sondazhet e dyshimta në internet përfaqësojnë opinionin publik. Përshembull një websajt çek citon një sondazh të kryer nga blogu zviceran Alles Schall und Rauch, sipas të cilit Angela Merkel është votuar si politikania më gënjeshtare e vitit 2015. Ky lajm më vonë u mor edhe nga kanali shtetëror Iranian Press TV.

Sandra Stefanikova mendon se hapat më të rëndësishëm që duhen ndërmarrë për të frenuar përmbytjen nga lajmet e rreme janë edukimi dhe evidentimi i lajmeve të tilla nga verifikues të pavarur të fakteve. Gjithsesi deri më tani vetëm disa platforma të pavarura dhe disa grupe në Facebook i janë dedikuar këtij qëllimi. Stefanikova thotë gjithashtu se dyshon në rezonancën e këtij problemi në mjediset jashtë qyteteve të mëdha dhe tek ajo pjesë e popullsisë që nuk është mjaftueshëm e arsimuar si dhe tek grupet politikisht të interesuara. Në Republikën Çeke thotë ajo, qarkulluan romuze se Facebook po ndërmerr një aksion ndaj lajmeve të rreme, por deri më sot asgjë nuk ka ndodhur. “As Facebook dhe as Twitter nuk kanë zyra në Çeki – përveç atyre që merren me marketing”, thotë Stefanikova.

Nuk ka aplikacione robote në Europën Lindore?

Sipas studjuesve, aplikacionet robote (shkurt “bots”) kanë kaluar pa u vënë re në këto vende. Këto aplikacione mund të shkruajnë, të bëjnë “like”, të bëjnë “share” mesazhet dhe në këtë mënyrë të shkatërrojnë masivisht opinionin publik në rrjetet sociale. Në rastin e Republikës Çeke, Stefanikova mendon se mungesa e tyre lidhet me gjuhën çeke, e cila është e vështirë për t’u automatizuar. Edhe në Poloni diskutimi fokusohet më shumë në faktorin “human”, veçanërisht tek sajimet, më shumë se sa tek aplikacionet robotike, thotë Michal Kus. E njëjta gjë ndodh edhe në Ukrainë, ku siç thekson Dariya Orlova është e vështirë që të provohet influenca e tyre.

Vëzhgues të medias në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore dyshojnë gjithashtu se përdoruesit e mediave në këto vende impresionohen dhe ndikohen më pak nga fushata e Kremlinit se sa ata të vendeve fqinje perëndimore. Reid Standish, që punon për revistën Foreign Policy dhe mbulon Rusinë, Ukrainën dhe Azinë Qendrore thotë se ai ka vënë re një rritje të dukshme të fake news dhe të propogandës në Finlandë, vendet baltike dhe në vendet e Europës Lindore pas aneksimit të Krimesë nga Rusia. Historia e gjatë e Finlandës si fqinj i Rusisë ia imponon këtij vendi që vazhdimisht të merret dhe të përballet me përpjekjet ruse për të ndikuar në opinionin publik. Por gjithsesi, ndërkohë që vendet e tjera vuajnë në këtë aspekt, Finlanda është e armatosur mirë për t’u përballur me këto sulme, falë sistemit të fortë të arsimit publik dhe falë qeverisë që reagon ndaj sulmeve të propogandës me mjeshtëri dhe në mënyrë profesionale.

Mbrojtja më e mirë nuk është korrektimi i keqinformimit, por “përballimi me një narrativë positive”, thotë Jed Willard i Harvard University. Ai ka këshilluar qeverinë finlandeze se si të luftojë lajmet e rreme dhe propogandën. BE ka krijuar së fundmi groupin e ekspertëve për të hartuar strategjitë për luftën kundër disinformimit. Në Ukrainë vërehet një “lodhje nga lajmet e rreme” thotë Orlova. Ekspertët e medias në Ukrainë mendojnë se Perëndimi është zgjuar më në fund për të dalluar se nga vjen rreziku më i madh.

Por krahas shqetësimit prezent në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, studjuesit tregojnë kujdes që të mos i atribuojnë lajmeve të rreme një rëndësi më të madhe sa sa iu takon. Ka të tjerë që mendojnë se vetë termi është  çorientues dhe nuk duhet të përdoret me shumë kuptime.   Reuters Institute në University of Oxford publikoi së fundmi një Fact Sheet për “Fake News” në Europë, që vë në dyshim edhe impaktin e tyre.

*********

Ky artikull është shkëputur nga libri i ri i autorit “Die informierte Gesellschaft und ihre Feinde. Warum die Digitalisierung unsere Demokratie gefährdet” (Shoqëria e informacionit dhe armiqtë e saj. Pse dixhitalizimi kërcënmon demokracinë tonë)

Pesë nga studjuesit e përmendur në këtë artikull janë anëtarë të European Journalism Observatory: Gabor Polyak (University of Pecs, Hungary), Dariya Orlova (Mohyla School of Journalism, Kiev), Raluca Radu (University of Bucharest), Liga Ozolina (Turiba University, Riga) and Sandra Stefanikova (Charles University Prague).

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, , , , ,

Send this to a friend