Zgjedhjet në Meksikë dhe lufta kundër dezinformimit

29 Shtator , 2018 • Etika dhe Cilësia, Media dhe Politika • by

Kohët e fundit Meksika ka përjetuar emocionet e zgjedhjeve më të mëdha të zhvilluara ndonjëherë në historinë e saj, ku konkurohej për më shumë se 2400 poste politike, përfshi këtu edhe postin e Presidentit. Dukej sikur për momentin sytë e të gjithë botës ishin drejtuar tek ky vend.

Gjithkush besonte se pritej të ndodhnin dy gjëra me rëndësi historike: Së pari, pritej që për herë të parë një kandidat i majtë, Andres Manuel Lopez Obrador, të fitonte presidencën. Zhvillimi tjetër i pritshëm ishte “pushtimi rus” – një fushatë e sofistikuar dhe me përhapje të gjerë në mediat sociale me qëllim manipulimin e publikut dhe diskretitimin e Lopez Obrador. Shumë vetë i frikësoheshin një vale dezinformimi dhe keqinformimi, e drejtuar në mediat sociale dhe në ciklin e lajmeve, me ndihmën e legjioneve të aplikacioneve robotike dhe të përdoruesve mashtrues.

Kësisoj Meksika nisi të merrte masat.  Ekspertët dhe gazetarët u përgatitën për gjetjen dhe luftën kundër aplikacioneve robotike, duke pritur plot ankth momentin kur lajmet e rreme të shfaqeshin në rrjete. Por ajo që ndodhi i surprizoi të gjithë: Lajmet e rreme që qarkullonin rreth tre kandidatëve për president: – Lopez Obrador, Jose Antonio Meade (liberal-centrist), dhe Ricardo Anaya (i djathtë), nuk e kishin origjinën nga Rusia. Shumica e tyre ishin “Made in Mexico”.

Lajme të rreme gjithandej

Pavarësisht nga origjina, ishte e qartë që diçka duhej bërë. Lajmet e rreme – shumica e të cilave qenë krijuar në Meksikë – u shfaqën si para edhe pas zgjedhjeve. Një nga lajmet e rreme më të përhapura kishte të bënte me lidhjen e gruas së Lopez Obrado, Beatriz Gutierrez Müller, me nazistët gjermanë. Në lajmin e rremë  thuhej se ajo ishte mbesa e kriminelit nazist Heinrich Müller, pjestar i divizionit SS, gjë që nuk ishte e vërtetë. Në fakt, gjyshi i Gutierrez Müller, Adolfo Marcelo Müller Oliphant, kishte lindur në Meksikë.

Vetëm stërgjyshi i saj, Walter Müller, kishte lindur në Gjermani, por ai kishte ardhur në Aztec mes viteve 1882-1884, shumë kohë përpara se lindte nazizmi në Gjermani.

Edhe pse Facebook, Twitter dhe Google treguan shumë kujdes për përmbajtjet e botuara në platformat e tyre – me sa duket edhe për shkak të hetimit ndaj tyre pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 në SHBA – sërish dezinformimi do të arrinte të përhapej edhe në rrjetet e tyre. Ndërkohë probleme edhe më të mëdha do të shfaqeshin në WhatsApp dhe Telegram të cilat nuk qenë subjekt kontrolli – pjesërisht edhe prej faktit që bisedat këtu ishin të enkriptuara dhe nuk mund të aksesoheshin edhe nga vetë platformat. Si rrjedhojë, ato patën një rol të madh në shpërndarjen e lajmeve të rreme dhe të fotografive, videove apo memeve të sajuara gjatë zgjedhjeve meksikane.

Por prapseprapë e keqja më e madhe do të vinte nga YouTube. Në këtë platformë do të përhapej shumë shpejt një video propogandistike që krijoi një polemikë të madhe: një video që pretendohej të ishte krijuar nga Russia Today (RT),  në të cilën gazetarët e RT, Aleksey Kazakov dhe Ekaterina Gregorevna flisnin në rusisht për mbështetjen që Vladimir Putin dhe qeveria e tij po i jepnin kandidatit të majtë Lopez Obrador.

Përmes titrave në spanjisht, në video thuhej se, për shkak të opozicionit që i bënte politikave neo-liberale, Putini e ftoi Obrador në sferat e tij të pushtetit duke e quajtur atë si “i preferuari i ardhshëm i regjimit”. Natyrisht gjithçka ishte e sajuar. Raportimi real në të ciln ishte bazuar videoja e rreme ishte një lajm i Rossiya 24 për sportistin e bodybuilding Kiril Tereshin. Pamjet origjinale ishin zëvendësuar – dikush kishte zëvendësuar imazhin e Tereshin me atë të Lopez Obrador.

Hydra e re

Si e përballoi dhe si e luftoi media meksikane përhapjen e informacionit të rremë?

Në përpjekje për të ndaluar sulmin e pritshëm të aplikacioneve robotike dhe të aktorëve dashakeq që synonin helmimin e rrjedhës së informacionit, u ndërmor qysh para zgjedhjeve inisiativa gjithëpërfshirëse Verificado 2018 . Në të u përfshinë 80 media kombëtare dhe ndërkombëtare. Synimi ishte që të realizohej diçka e ngjashme me projekte të tjera, sic ishte Crosscheck që u aktivizua gjatë zgjedhjeve në Francë. Në harkun kohor të katër muajve Verificado  kontrolloi rreth 400 shkrime dhe rreth 50 video, por gjithsesi ende nuk është bërë i ditur sasia e lajmeve të rreme të verifikuara.

Numri i madh e platformave të ndryshme të mediave sociale e komplikoi situatën për kontrollorët e fakteve. Në një kuptim, platformat mund të krahasoheshin me monstrën mitologjike me shumë kokë, Hydra. Sapo ne – si gazetarë apo akademikë – fillojmë të deshifrojmë njerën platformë, platforma të reja lindin – diçka që e bën shumë të vështirë luftën dhe sfidën kundër dezinformimit dhe keqinformimit.

Gjithsesi, edhe pse parashikohej që Meksika të kishte versionin  e fushatave të dezinformimit njëlloj si në zgjedhjet në SHBA, historia nuk u përsërit njëlloj. Lopez Obrador fitoi zgjedhjet me një diferencë prej 31 %. Fushata e dezinformimit nuk arriti të japë frutet e veta.

Media meksikane e vetme nuk do të kishte qenë në gjendje të frenonte valën e dezinformimeve. Disa media angazhuan njerëz që të gërmonin për përhapjen e gënjeshtrave apo për lajmet e rreme. Nuk ishin të shumtë reporterët dhe kontrollorët e fakteve që u angazhuan kundër rrymave të përmbajtjeve negative dhe ç’orientuese. Verificado erdhi si një shenjë shprese, si përpjekja e parë bashkëpunuese në Meksikë për të luftuar dezinformimin dhe keqinformimin. Më në fund mediat legjitime nisën të punojnë bashkë për kontrollin e fakteve dhe për artikuj të përbashkët – diçka që nuk kishte ndodhur ndonjëherë.

Edhe pse është e vështirë të analizohet  impakti  i Verificado, një gjë është tashmë e qartë: Dezinformimi mund të frenohet vetëm nëse bëhen bashkë dhe punojnë krah për krah shumë institucione.

 

Raporti i plotë “#Mexico2018 | Fake News and Socia Media: The New Heads of the Hydra”, u publikua nga Reuters Institute for the Study of Journalism dhe mund të gjendet këtu

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, ,

Send this to a friend