Një studim i fundit, që u fokusua tek raportet e të rinjve me median, nxori në pah dhe efektin e rrjeteve sociale, si dhe shkallën e besueshmërisë së informatave që qarkullojnë përmes internetit.
Në mënyrë të sinkronizuar 10 organizata joqeveritare në 10 vende të rajonit Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Bosnje Hercegovinë, Kroaci, Greqi, Bullgari, Turqi, Slloveni dhe Shqipëri zhvilluan një studim, që kishte në fokus raportet e të rinjve me median. Nisur nga rritja e aksesit në internet dhe përhapja në shkallë të gjerë e mediave të reja synimi ishte për të hulumtuar aspekte të tilla si kanë përjetuar të rinjtë kalimin nga media konvencionale tek risitë, që ofron teknologjia dhe interneti (rrjetet sociale, blogjet, podcasting, etj); si komportohen ata, kur përballen me informacione kontradiktore; sa dhe si e shohin median me sy kritik; cilat janë burimet më të besueshme informative për ta etj.
Partneri shqiptar që hulumtoi pjesën e Shqipërisë ishte, EUNACAL, një institut i pavarur për studimin e politikave publike, me aktivitet prej vitit 2010 që promovon pjesëmarjen e qytetarëve dhe diskurin demokratik, duke trajtuar bërjen e politikave publike në tre nivele të qeverisjes (european, nacional & local – nga dhe ka marrë emrin EUNACAL). Drejtori i institutit Alban Nelaj duke iu referuar gjetjeve kryesore të studimit që u bënë publike ditët e fundit, thkeson për DW faktin se të rinjtë shqiptarë shfaqen të dyzuar në lidhje me veprimet që ndërmarrin në rastet që konstatojnë se burime të ndryshme informacioni mediatik japin informacione kontradiktore mbi të njëjtën çështje.
Vlerësime të ndryshme ndaj rolit të medias
“Për 79% të të rinjve shqiptarë gjëja e parë, që do të bënin, do të ishte krahasimi me burime të tjera informacioni. Ndërkohë 62% e të rinjve shprehen se gjithashtu në raste të tilla do të merrnin parasysh vetëm burimet e informacionit, në të cilat ata kanë besim. Vetëm 47% e të rinjve shqiptarë shprehen se në raste të tilla do të diskutonin edhe me persona të tjerë për të marrë mendimet e tyre mbi çështjen, që pasqyrohet në mënyrë kontradiktore nga burime të ndryshme informacioni mediatik.”
Sipas Nelajt të rinjtë shqiptarë shfaqen tejet kritikë ndaj përmbajtjes mediatike. Kështu 59% e tyre mendojnë se media ka mangësi argumentimi, 53% shprehen se lajmet janë në trajtë propagande, 41% janë të mendimit se media përdor gjuhë, që krijon ndasi dhe 21% mendojnë se media përdor epitete çnjerëzore. 57% e të rinjve shqiptarë shprehen se mediat nuk paraqesin lajme në mënyrë të paanëshme, 32% mendojnë se mediat nuk ndërmarrin gazetari investigative, 29% janë të mendimit se mediat nuk paraqesin fakte të vërteta dhe 27% besojnë se media nuk paraqet mendime analitike mbi çështjet, që pasqyron.
Një aspekt tjetër interesant në këtë studim ishte besueshmëria e të rinjve në burimet e informacionit. Megjithëse televizioni mbetet në vend të parë me 43%, bie në sy rritja e interesit për të pasur si burim informacioni parësor internetin, që ka kapur kuotën e 32%. Në anën tjetër burimet e informacionit mediatik më pak të besuara janë organet e shtypit me vetëm 23% të të rinjve dhe mediat sociale me 14%.
Interneti si armë e re për të administruar shoqërinë mes të rinjve
Dr. Roland Lami, shef i departamentit të Shkencave Sociale të Aplikuara në Universitetin Europian të Tiranës, duke folur për efektet e përdorimit të rrjeteve sociale nga të rinjtë nënvizon faktin se asnjëherë më parë nuk ka pasur mundësi që të shpërndahen idetë me kaq shumë njerëz në botë. Sot të ekzistosh, do të thotë që të kesh një identitet në rrjetet sociale, shprehet dr. Lami për DW.
“Njerëzit duan te shfaqin veten në çdo moment të aktivitetit të ditës. Prezenca e theksuar në botën virtuale, i shtyn njerezit gjithnjë e më shumë t’i kushtojnë vëmendje krijimit të imazhit, që ata duan të përçojnë tek të tjerët. Kulti i vetes është kthyer në mani në rrjetet sociale. Krijimi dhe konsumimi i dukshëm i detajeve dhe pamjeve intime të jetës personale dhe të asaj të të tjerëve është kthyer në veprimtari kryesore në botën e rrjeteve sociale online, sidomos nga të rinjtë. Dukshëm miqtë bëjnë komente, që sido që të dalësh, te thonë se je bërë yll, dhe se shkëlqen si nje princeshë, pavarësisht se pamja, mund të lejë shumë për të dëshiruar. Rrjetet sociale po minimizojnë gjithnjë e më shumë komunikimin fizik mes të rinjve. Kur pijnë kafe, drekojnë së bashku, shpenzojnë më shumë duke ndërvepruar me teknologjinë sesa me njëri tjetrin. Bëjnë foto me njeri tjetrin, fotografojnë pjatat qe porosisin, pastaj i rrinë ‘celularit mbi kokë’ për të parë sa ‘like’ do të marrin, ndërkohë që shohin edhe se çfarë kanë postuar të tjerët, të cilëve mund ti bëjnë ndonjë koment, dhe kështu përfundojnë te gjithë në tavolinë duke mos komunikuar me njeri tjetrin, por me makinerinë”.
Sipas dr. Roland Lamit në ditët e sotme ka ndryshuar edhe koncepti i miqësisë, sepse falë teknologjisë mund të mësojmë gjithçka për miqtë, pa qenë nevoja të takohemi me ta, përdoruesit e rrjeteve sociale, ndajnë online aktivitetin e tyre, ndajnë me këdo informacionin se me çfare po merren. “Interneti është shndërruar në armën e re në arsenalin e të rinjve për të administruar shoqërinë e tyre”.
Niveli i përgjegjësisë për lajmet që qarkullojnë në rrjetet sociale
Ekspertët mendojnë se në ditët e sotme gazetari profesionist në kushtet e përdorimit masiv të rrjeteve sociale e ndan “pushtetin” mbi lajmin me qytetarët e thjeshtë. Këta të fundit falë mediave sociale mund të vëzhgojnë, realizojnë, përzgjedhin, filtrojnë, shpërndajnë dhe interpretojnë lajmin njëlloj siç vepron një gazetar terreni.
Dr. Roland Lami në Universitetin Europian të Tiranës, kur përmend fluksin e madh të informacionit që shpërndahet përmes rrjeteve sociale, ngre pyetjen e autenticitetit dhe identifikimin e përgjegjësisë, në rast të një manipulimi të mundshëm të lajmit, apo respektimi i disa parimeve etike që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.
“Më përpara, kjo gjë ishte e zgjidhur nëpërmjet kodit të etikës që detyronte çdo gazetar t’i përmbahej disa kritereve objektive në transmetimin e një lajmi. Ndërsa sot, kjo situatë e re, ka ngritur disa pikëpyetje, përsa i përket aspektit etik, autenticitetit të lajmit dhe ajo që është më e rëndësishme, niveli i përgjegjësisë për transmetimin e lajmit”.