Në ditët e fundit të vitit 2012 ministri i punëve të jashtme të Shqipërisë ftoi një ekip gazetarësh që punojnë në mediat e Shqipërisë dhe ato ndërkombëtare për një takim informal. Shefi i diplomacisë mbajti vetëm një fjalë mirëserardhjeje për të ftuarit në dy a tre minuta dhe më pas u vu në dispozicion të pyetjeve, komenteve dhe vlerësimeve të medias. Si në fund viti, diskutimi i të pranishmëve u soll më shumë rreth bilanceve dhe prognozave, rreth procesit të integrimit europian të Shqipërisë, marrëdhëniet me fqinjët, sidomos me Greqinë dhe Maqedoninë – ku ishin regjistruar dhe raste tensionesh – ecurinë e skandalit të shpalljes nongrata të një kolegu gazetar nga autoritetet greke, për strukturimin e ministrisë së punëve të jashtme dhe konkretisht shërbimin diplomatik, për përmbylljen e mandatit të dytë të qeverisjes së djathtë dhe objektivat në politikën e jashtme etj. Një diskutim i hapur dhe pa tabu mes ministrit dhe gazetarëve.
Në tekstet e marrëdhënieve me publikun shpesh takimet informale me median karakterizohen si veprimtari që duan dyfish më shumë energji nga organizatorët, krahasuar me takimet formale, që kërkojnë kujdes preparator në çdo detaj të formës dhe kontentit, por që në fund të fundit edhe pse off the record ato ushqejnë gazetarët me ide, zgjidhje, perceptime, që mbi të gjitha sqarojnë ose pastrojnë informata, të cilat qarkullojnë në opinion në formë gjysëm ose tërisht të vërtetash. Megjithëse gazetarët në raste të tilla janë pa “veglat e punës” dhe bazuar në kodet deontologjike ju duhet të mos citojnë apo të referojnë asgjë nga diskutimi në tryezë, pa diskutim, mendja e tyre regjistron info, tema dhe detaje që mbeten, renditen, argumente e kundërargumente që vlejnë në punën e tyre të përditshme.
Pas atij takimi, nisur nga përvoja shumëvjeçare e komunikimit me drejtuesit dhe stafin e diplomacisë shqiptare, për një gjë kam mbetur ende me vlerësim të dyzuar: nëse ministri e zhvilloi bashkëbisedimin nga eksperienca e pakët në fushën e diplomacisë, apo nga përvoja e gjatë e tij jashtë këtij sektori, në administratën publike dhe në mësimdhënie. Pavarësisht kësaj, unë dhe kolegët e pranishëm, ishim qartësisht të sinkronizuar në interesimin se aktivitete të tilla janë të dobishme dhe krijojnë ura të qëndrueshme komunikimi diplomaci – media. “Muret” e selisë së ministrisë së punëve të jashtme bëhen më “të qelqta”, transparente, ku gjuha dhe aksioni i institucionit shfaqen më kuptueshëm për gazetarët që përcjellin informacione dhe analiza për opinionin publik.
Kur flas për takime dhe kontakte informale me gazetarët nuk kam parasysh një rast tjetër të përjetuar po nga fusha e diplomacisë: I ngarkuari me punë i një vendi fqinjë shfrytëzoi periudhën e festive të fundvitit për të na drejtuar një ftesë për pritje në rezidencën e ambasadës në Tiranë. Secili nga kolegët e pranoi me shumë kënaqësi ftesën për faktin e thjeshtë se atë periudhë kishin kaluar momente me gjendje tensioni diplomatik dhe politik mes Shqipërisë dhe vendit të të ngarkuarit me punë. Për të bindur edhe më shumë të ftuarit se pritja kishte një karakter joformal, kryediplomati mbërriti në tryezë veshur me kostum sportiv dhe atlete, në simbolikën se gjithçka do të ndodhte do të kishte frymë sportiviteti. Sapo u përshëndetëm me nikoqirin dalluam adrenalinën e shtuar në mënyrën e komunikimit dhe gjestet shoqëruese. Ishte gjysmë i dehur, ndërkohë që pas rreth një ore sjelljeje informale, pa asnjë shpengim rreth pjatave dhe gotave plot, i ngarkuari me punë ra tërësisht nën pushtetin e pijes së fortë, që siç shpjegoi disa herë me pasion dhe ngulmim ishte prodhuar nga duarartë në një nga punishtet bio më të famshme të vendit të tij. Nuk kaloi shumë kohë dhe mësuam atë që në fakt prisnim: ideatori dhe protagonisti i atij takimi informal u kthye “pa shumë diplomaci” në vendin e tij.
Prej shtatorit të vitit 1997 kur nisa të punoj si korrespondent për një media ndërkombëtare, kam qenë dhe ende mbetem shumë i interesuar për aktivitetin diplomatik, më specifikisht për marrëdhëniet dy ose më shumë palëshe në hapësirën e rajonit tonë, apo për hapat, sfidat e problematikën që lidhet drejtpërdrejt me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kam pasur dhe kam kontakte intensive me ministrinë e punëve të jashtme, (sikundër dhe institucione e agjenci të tjera që kontribuojnë në këtë fushë) me titullarët, personelin dhe veçanërisht me stafin e marrëdhënieve me median. Nuk mund ta them se gjithmonë komunikimi dhe raportet kanë qenë i hapur dhe i dobishëm, si dhe për kolegë të tjerë, më vijnë në mend dhe raste kur kemi “hequr picir” për të marrë një përgjigje nga zyra e shtypit, për të mësuar nëse dikush në ministri do të jetë apo i gatshëm për të artikuluar një qëndrim a një deklaratë, apo të japë një intervistë për një rrethanë ose çështje me peshë dhe që ka vëmendje për opinionin vendas ose atë të huaj. Përcaktues në natyrën e marrëdhënieve është në radhë të parë numri një i institucionit, nëse ministri është tip i hapur, i mbyllur, rrëshqitës, i ngurtë, komunikativ, i indrokrinuar politikisht, i kujdesshëm, nopran, profesionist dhe me reputacion publik – mund të përmend dhe etiketime të tjera për ministrat e jashtëm të Shqipërisë të pas ’90-s – por në thelb pranohet sinkronia mes natyrës së shefit dhe perfomancës së tërë institucionit. Pa mohuar dhe ndikimin që kanë dhe këshilltarët e ngushtë apo kontigjenti që angazhohet në zyrën e shtypit.
Të marrim si shembull, njërin nga produktet kryesore në fluksin informativ që arrin periodikisht jo vetëm te redaksitë e mediave, por dhe te publiku i gjerë i interesuar – përmbajtja e faqes online. Pa u ndalur në rëndësinë që ka në kohët e sotme performanca multimediale përmes internetit në veprimtarinë e institucioneve dhe agjencive të çdo lloji, në rastin e website-t të ministrisë së punëve të jashtme ka vend për të ngritur problemin nëse duhet që kjo hapësirë e dobishme virtual për public relation të vijojë të jetë vetëm e fokusuar në aktivitetin e qëndrimet e titullarit, (takime, deklarata, pjesmarrje në formate të ndryshme samitesh, intervista, kronika të mbuluara nga media etj) apo duhet respektuar dhe sensi proporcional në pasqyrimin edhe të aktiviteteve të tjera të institucionit në nivele të tjera. Praktika e institucioneve homologe në vendet e BE-së tregon se ka më shumë laryshi e decentralizim, në funksion jo të garës së qëndrimeve dhe kontraversilitetit, por të krijimit të një mozaiku që bëhet atraktiv për cilindo që kërkon të marrë vesh nëpërmjet vizitës në faqen online.
Cilido koleg që ka mbuluar ose vijon të mbulojë aktivitetin e ministrisë së punëve të jashtme ndeshet me njoftimin e minutës së fundit për veprimtari që kanë rëndësi të dorës së parë. Arrihet deri dhe në krijimin e një raporti të zhdrejtë mes rëndësisë së një takimi apo turi bisedimesh diplomatike në Shqipëri dhe momentit se kur njoftohet media, si dhe sasisë së infove paraprake që iu hidhen në inbox-e gazetarëve. Për ilustrim mund t’i referohemi vizitës së fundit të ministrit të jashtëm të Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri. Sigurisht që siç e do procedura në raste të tilla ajo është koordinuar ngushtë mes stafeve të Tiranës dhe Berlinit në ndërtimin e agjendës. Por nëse ministria e punëve të jashtme e Gjermanisë e shpërndau programin për median më herët se 48 orë para se delegacioni të mbërrinte në Shqipëri, institucioni homolog në Tiranë ndoqi linjën e publikimit vetëm pak orë para takimit zyrtar mes dy delegacioneve.
Takime, samite, forume, veprimtari të formateve të ndryshme me karakter diplomatik zhvillohen në Shqipëri. Por duket se operacionet për mbulimin mediatik të tyre janë thjeshtuar në vitet e fundit, aq sa gazetarët e kanë të pamundur të gjejnë referenca indetifikuese për protagonistët e ftuar. Është harruar përpilimi dhe shpërndarja e paketave informative, ose press kit-eve, që iu vihen në dispozicion përfaqësuesve të medias. Ka që e lidhin këtë mungesë me mungesën e fondeve dhe vetë venitjen e përhapjes së materialeve informuese në versionin print. Por qarkullimin e paketave informative paraprake me përmbajtje të diversifikuar i kanalizon në versionin virtual, që favorizon përhapjen e lëndës me tekste dhe audiovideo në kontekst të asaj që përgatit të ndodhë. Në adresat personale a redaksionale të gazetarëve, në hapësirën e pafundme të rrjeteve sociale, pa kosto dhe shpejtësi mund të shpërndahen përmbajtje cilësore lehtësisht të shfrytëzueshme nga të intersuarit.
Ministria e punëve të jashtme hyn tek ato institucione publike me natyrë menaxhimi të centralizuar, për vetë specifikat e misionit dhe të angazhimeve konkrete. Por drejtimi hierarkik nuk mund të kthehet në bunkerizim dhe misterifikim, që krijojnë pashmangshmërisht situata butaforike deri dhe cinike me diplomacinë shqiptare dhe imazhin e vendit në botë, dhe që bëhen burim për krijimin e raporteve të vështira me median.
Problemin nuk mund ta paraqesim vetëm shqiptar. Para pak kohe kam biseduar për raportet mes diplomacisë dhe medias me një zyrtar të lartë në ministrinë së punëve të jashtme të një shteti anëtar të Bashkimit Europian që ndodhej me punë në Tiranë. Si ish-kryediplomat i vendit të tij në Prishtinë më ka thënë një detaj që më ka befasuar. Gjithë mandatin e tij në Kosovë nuk kishte dhënë asnjë intervistë për median, pavarësisht se kishte ftesa të panumërta nga gazetarët. Shkak për këtë distancë kishte qenë kërkesa e parë që kishte marrë nga media kosovare. Sipas procedimit rutinor ai kishte njoftuar shefat në ministrinë e punëve të jashtme në vendin e tij për kërkesën për intervistë. Por përgjigjja i kishte ardhur pas më shumë se 30 ditësh, kur intervista kishte dalë nga konteksti. “Që atëherë nuk e njoftova më qendrën për kërkesat për intervistë, që të mos bëhesha qesharak me gazetarët. Ndaj dhe i refuzoja intervistat sapo mbërrinin”.
E vlerësoj si shumë pozitive iniciativën më të fundit për të rivitalizuar klubin e medias pranë ministrisë së punëve të jashtme, një iniciativë që vite më parë u përcoll me shumë optimizëm e premtime, por që gradualisht vrulli fillestar u fashit dhe rezistoi vetëm në variantin letër. Takimet dhe bisedat formale dhe jo formale me zyrtarë të niveleve të ndryshme, diplomatë dhe ish-diplomatë vendas dhe të huaj, ekspertë dhe studiues të fushës, si të ftuar në klubin e medias në veprimtari tematike aktuale do të ishin me impakt të drejtpërdrejtë, në zgjim të interesit, por dhe me ndikim në raportimin cilësor dhe të përgjegjshëm për publikun.