Ngjyrat e shtypit dhe propaganda e frikës

30 Tetor , 2014 • Gazetaria e Medias, Liria e medias • by

Në kultura të ndryshme ngjyrat shprehin simbolika të ndryshme. Studimet bashkëkohore të psikologëve të artit tregojnë se, ashtu si në ritualet e lashta, ngjyrat dhe kuptimi i tyre janë përdorur e përdoren si simbole për të shprehur gjendjet psikologjike, reagime emocionale, estetike etj. Në kulturën e Evropës perëndimore është e njohur lidhja e ngjyrës së gjelbër me nocionin e shpresën, e të verdhës me urrejtjen apo zilinë, e të bardhës me pastërtinë, e të zezës me vajtimin apo vdekjen dhe e të kuqes me revolucionin. Megjithatë përdorimi konvencional i ngjyrave pëson ndryshime sipas traditave të caktuara kulturore, të cilat,nga ana e tyre, pësojnë ndryshime nga brezi në brez.

Sipas Jungut, njeriu është i lindur me strukturën e kuptimit të ngjyrave, që ai i quan arketipa. Ata aplikohen në perceptime të ndryshme dhe mbase përfaqësojnë thelbin e shumë lidhjeve të ngjyrave me fenomene dhe eksperienca të njeriut, që nga lashtësia. Karakteristikë e manifestimit të arketipave është se, ndonëse mund të marrin forma të ndryshme dhe mund të duken si të ngarkuara me një domethënie të çuditshme, ata të gjithë kanë një thelb të përbashkët.

Në se do pranonim hipotezën e kuptimit arketipal të ngjyrave, atëherë do mund të thoshim se përcaktimi i ngjyrës së kuqe lidhet me zotat dhe zemërimin e tyre, me zjarrin dhe gjakun, me ritet e pjellorisë, me sigurinë dhe shtëpinë; bluja lidhet me qiellin dhe detin apo oqeanin, jeshilja me rilindjen e pranverës; e zeza lidhet me të keqen, me frikën e vdekjes, apo me pasigurinë e errësirës së natës, me shpellat dhe bishat, etj.

Si një popull evropian, për aq sa dimë për përkatësinë tonë deri më sot, ne shqiptarët ngjyrën e zezë e kemi simbolin e së keqes, të vajtimit, të zisë. Në kulturën shqiptare, ashtu si në kulturën perëndimore, e zeza në përgjithësi është simbol i kërcënimit dhe i së keqes, shkakton një reagim më të madh negativ se të gjitha ngjyrat e tjera, si në të gjitha kulturat në përgjithësi. Po në kohët tona është edhe tregues i pushtetit, duke nisur nga kostumet që veshin, deri te makinat zyrtare që kanë pushtetarët. Në fabulat, në legjendat, në krijimtarinë popullore ajo shënjon tradhtarët apo shtriganët. E zeza shoqërizohet me vdekjen dhe zinë, si dhe me fatkeqësinë edhe në gjuhën e folur. Shprehjet: tregu i zi, i ziu ti, vdekja e zezë, listat e zeza, etj., emërtojnë të keqen. Në art batakçinjtë, horrat, zuzarët, apo vampiri Drakula, paraqiten të veshur me të zeza. Në fushën e modës e zeza është ngjyrë mjaft e përdorur, sepse veshjet e zeza i bëjnë trupat tanë të duken më të hollë. Disa njohës të modës thonë se ngjyra e zezë e veshjeve nënkupton edhe nënshtrimin: priftërinjtë vishen me të zeza për të treguar nënshtrimin e tyre ndaj Zotit; një grua, që vishet me të zeza tregon nënshtrim ndaj burrave. Po e zeza shihet edhe si shprehje e elegancës, si në veshje, edhe në dizajn; psh, një kartëvizitë e zezë kërkon të transmetojë një ndjenjë elegance dhe stërhollimi; në të njëjtën kohë është misterioze dhe frikësuese për të tjerët.

M’u kujtuan të gjitha këto një mëngjes të para disa kohëve, kur, duke ndjekur një nga rubrikat e shfletimit të shtypit të ditës, vura re se dy nga gazetat e përditshme kishin ndryshime themelore në paraqitjen grafike, ndryshime të cilat në fillim nuk i shpjegoja dot cilat ishin. Kur e kuptova ndryshimin që kishte ndodhur, kuptova edhe pse m’u kujtua puna ime e dikurshme si grafiste në revistën ‘Shqiptarja e Re’.Ndryshimet ishin të lidhura me paraqitjen e tyre grafike, gjë që më shtyu të lidh ndjesinë që më ngjalli paraqitja e tyre me punën time të kahershme si grafiste e shtypit: gazetat e dy partive më të mëdha shqiptare, si dhe nja dy gazeta të tjera që preken nga ndryshimi i kaheve të pushtetit, përdorin gjerësisht sfondet e zeza në faqen e tyre të parë, kur partitë, që ato mbështesin, janë në opozitë. Jo vetëm sfondet: edhe fotot e pushtetarëve opozitarë zgjidhen ndër më të shëmtuarat, mundësisht me ngërdheshje.

Mjafton të shohim dy gazetat e dy forcave kryesore të politikës shqiptare, për të kuptuar çfarë dua të them: ndërkohë që ‘Zëri’ në botimet e tanishme është pastruar nga sfondet e zeza e të rënda, me të cilat i mbushte faqet e para të numrave të botuara deri para fushatës zgjedhore, është gazeta ‘RD’ tani që çdo ditë mbush faqen e saj të parë me ngjyrën e zezë.

Nëse do shfletojmë shtypin shqiptar të periudhës së diktaturës, do dallojmë menjëherë cilët shkrime trajtojnë temat, që lidhen me jetën e punëtorëve e të fshatarëve në vendet e Evropës Perëndimore – kapitaliste, në Evropën Lindore – revizioniste, apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të gjithë shtete që përfaqësonin ‘armikun e Shqipërisë’. Blloqet me ngjyrë të zezë mbi të cilat është vendosur teksti bien menjëherë në sy e nuk të lënë të gabosh.

Kjo lloj paraqitje grafike përdorej gjerësisht në totalitarizëm. Këtë e di nga eksperienca ime, pasi sapo mbarova akademinë e arteve, u emërova grafiste në revistën ‘Shqiptarja e re’, e cila botohej nga organizata e Bashkimit të Grave të Shqipërisë;atëherë secili, që mbaronte një shkollë, emërohej në një vend pune. Kur u diplomova unë, ishin vitet e një farë liberalizmi dhe unë pata mundësi të shihja revista të huaja në bibliotekën e institucionit, nga të cilat përpiqesha të mësoja mënyrën e kompozimit të materialit fotografik dhe teksteve në faqet e një reviste.

Po ashtu kopjoja prej tyre edhe stilet e shkronjave për titujt e artikujve dhe shkrimeve letrare. Sepse në atë kohë titujt bëheshin me dorë të lirë, duke qenë se nuk kishte shkronja të gatshme dhe ato qëpërdornin shtypshkronjat ishin mjaft të vjetruara e nuk më pëlqenin t’i përdorja. Natyrisht kjo liria ime një ditë mori fund, se zv.kryeredaktorja më vuri në dukje që unë duhet të përdorja ‘shkronja shqiptare’, në vend të ‘shkronjave borgjeze’, që isha duke përdorur deri atëherë. Po nuk ishte vetëm kjo kërkesë nga ana e drejtueseve të revistës. Ajo që më kërkohej tjetër ishte që tekstet, të cilat trajtonin histori nga bota kapitaliste, duhej të vendoseshin mbi një sfond të zi.

Për të kuptuar pse-në e këtij fenomen, që vihet re përsëri në shtypin tonë, ku kundërshtari politik cilësohet si ‘armiku’, i hodha një sy gazetave të mëdha të botës. Gazetat e mëdha evropiane apo amerikane veriore, që dallohen edhe për një paraqitje grafike të cilësisë së lartë, kanë mjaft dritë në faqen e tyre të parë.‘The New York Times’, ‘Washington Post’, ‘La Republica’, ‘European Daily’, ‘Daily Express’, ‘El Pais’, ‘Corriere della Sera’, ‘Tageblatt’, ‘The times’ etj., të joshin me një ndjenjë personaliteti me anë të paraqitjes së tyre elegante. Edhe ‘The Independent’ e Bostonit, e vetmja gazetë, ku pashë se përdoren sfondet e zeza – kur përmendin, p.sh.: Gadafin, presidentin sirian, nazistin që i ka shpëtuar drejtësisë për 47 vjet, Tripolin nën hijen e vdekjes, etj. – pamjet, ndonëse të rënda grafikisht, janë estetikisht të bukura, janë të trajtuara si vepra arti.

Pse ngjyrat kanë një ndikim të tillë në jetën tonë, çfarë pasojash lënë ato në trupin e mendjen e qytetarit?

Që në lashtësi njihej ndikimi i ngjyrave mbi mendjen e njeriut. Filozofi grek Aristoteli njihet si ati i teorisë së ngjyrave, ndërsa Hipokrati i përdorte ngjyrat në mjekësi. Ndikimi i rrezatimit elektromagnetik të dritës mbi gjendjen shpirtërore dhe sjelljen e njeriut është një ndikim universal, psikofizik. Në shekullin e njëzetë ngjyrat janë mjaft të rëndësishme në çdo fushë të krijimtarisë njerëzore. Teoricieni i ngjyrave, zvicerani Johannes Itten krijoi një mënyrë të re të vështrimit të ngjyrave dhe tregoi mjaft interes për lidhjen e tyre me emocionet. Ndërsa në vitet ‘70 ishte Angela Wright që studio harmoninë e ngjyrave, teorinë e ngjyrave të Itten dhe të Aristotelit dhe teoritë e Jung. Psikologët bashkëkohorë pranojnë se ngjyrat kanë një ndikim emocional mbi njerëzit, duke nisur që në fëmijërinë e hershme. Në psikologji përmenden përshtypja negative, që të ngjall ngjyra e zezë: para saj provon ndjenjën e shtypjes, ftohtësi, kërcënim apo qenien e të papërballueshmes. Ngjyra e zezë, duke qenë në thelb mungesë e dritës, pasi nuk i lejon valët e dritës të reflektohen, duke qenë se thith energjinë që vjen drejt nesh,përcjell ndjesinë e kërcënimit. Artistët e sotëm të fushës së dizajnit dhe arkitekturës së interierit i përdorin këto dije në punën e tyre. Ngjyrat mund të ndikojnë mbi veprimet fizike të njeriut. Kështu: ngjyra e kuqe shpejton rrahjet e zëmrës; e verdha mund të nxisë metabolizmin; ngjyrat e dhomave të të ftuarve nëpër ‘talk show’ i lyejnë me ngjyra jeshile, që të ftuarit të qetësohen; uniformat e policisë janë në ngjyrë blu, sepse ngjyra blu, ngjyra e qiellit dhe e detit, ka ndikim qetësues mbi mendjen e njeriut, pasi ul ritmin e të rrahurave të zemrës,ngadalëson metabolizmin dhe prodhon efekte qetësuese, se lidhet ngushtë me qetësinë dhe gjakftohtësinë.

Pse përdoren sfondet e zeza në faqet e para të gazetave tona?

Shtypi është një mjet i fuqishëm propagande në një shoqëri në përgjithësi, në një shoqëri si e jona ende e trembur prej pushtetit, në veçanti. Aq më tepër kur pronarët e masmediave janë të lidhur me politikën, pasi për ta është burim pasurimi. Shtypi ka shumë ndikim mbi mënyrën e të menduarit të qytetarëve, të cilët nuk kanë shumë burime informacioni të vërtetë. Kështu ai krijon opinionet dhe ndihmon forcat politike në fushatat e tyre për pushtet. E, me sa duket, politikës sonë i shërben shumë ngjyra e zezë në faqet e para të gazetave, për të përforcuar rolin e propagandës partiake. Përsëritja me ngulm e të njëjtës ide është një mjet i fuqishëm i propagandës. Ngjyra e zezë, e cila e godet çdo ditë syrin e lexuesit dhe i ngjall frikën ndaj të panjohurës, është e volitshme dhe ndihmon partitë politike të fshehin anët e dobëta, mungesën e besimit në vetvete. Duket sikur forcat politike, kur nuk kanë pushtetin, nuk gjejnë dot argumentet e duhur për të nxjerrë në dritë gabimet dhe anët e padobishme të kundërshtarit, ndaj kërkojnë ndihmën e të zezës. Mungesa e kulturës bashkëkohore të komunikimit, varfëria e mendimeve dhe trashëgimia ende e gjallë e së kaluarës ndikon ende fort dhe i shtyn të përdorin të zezën, si sfond të lajmit. Sepse me sa duket është më e lehtë të tronditësh votuesit me ngjyrën e zezë, se sa të gjesh ide largpamëse të shëndosha për të bindur qytetarët të pranojnë udhëheqjen e forcës tënde politike. Dhe të mendosh se fjala ‘propagandë’ u përdor në fillim prej fesë, rrjedh nga latinishtja dhe do të thotë ‘shpërndarje e së vërtetës!’

 Botuar në gazetën, Standart, 23 tetor 2014

 

Tags:,

Send this to a friend