Nuk është vetëm raporti i fundit i organizatës “Freedom House” që ka nxjerrë keq Kosovën në raport me Lirin e Shprehjes. Një hulumtim të tillë e kanë bërë edhe tri organizata në Kosovë. Hulumtimi “Treguesit e Mediave 2015” që e ka zhvilluar Kosovo 2.0, organizata Çohu dhe Këshilli i Mediave të Shkruara është hulumtimi i parë që është bërë në vend.
Që të tre janë duke përdorur 27 treguesit e Këshillit të Evropës për të përcaktuar dhe analizuar perceptimin e gazetarëve në Kosovë për lirinë e medias.
Hulumtimi ka nxjerrë si përfundim se liria e shprehjes dhe informacionit njihet nga shumica e gazetarëve të intervistuar, edhe pse njohuritë më të detajuara i kanë të kufizuara.
Ata nuk janë në dijeni të pikëpamjes ligjore dhe zbatueshmërisë së lirisë së medias, të garantuar me Kushtetutën e Kosovës. Shpesh, liria e të shprehurit dhe informacionit keqinterpretohet dhe bie pre e ndikimit politik.
Gazetarët s’janë krejt në dijeni të censurës shtetërore mbi mediat, pasi 49 për qind e tyre janë përgjigjur se nuk kanë informacion për këtë temë.
Gjithmonë sipas të dhënave të dala nga hulumtimi, besimi i përgjithshëm është se shteti nuk përqendrohet kryesisht në censurimin e medias, ndonëse gazetarët shfaqin shqetësim.
Sipas tyre, liria e shprehjes është “e rrezikuar” deri në një nivel shqetësues.
“22 për qind mendojnë se është ndërhyrje nga individët e përfshirë në politik dhe ky numër është shumë më i madh në krahasim me përgjigjet tjera. Me individë të cilët janë të përfshirë në politik nënkuptohet me anëtarë të partive politike apo militant të partive politike. Me 14 për qind pason ndërhyrja nga pronarët e medieve, ndërsa, ndërhyrja nga qeveria konsiderohet me 13 për qind tek gazetarët. Me 12 për qind është mungesë e vetëqëndrueshmërisë financiare, pra vetëcensurë nga ana e mediumeve dhe në fund ndërhyrja ndërkombëtare është 2 për qind që gazetarët mendojnë që pengojnë lirinë e shprehjes”, tha Beca Luci.
Hulumtimi nxjerrë në shesh se burimet e informacionit mbrohen gjerësisht, ndërsa masat ligjore për mbrojtjen e gazetarëve nuk zbatohen në nivele të dëshirueshme.
Po ashtu sipas hulumtimit, gazetarët herë pas here kërcënohen gjatë aktiviteteve të tyre profesionale me dhunë fizike, porse pohojnë se mbrojtja policore është dukshëm e efektshme për trajtimin e çështjeve të tilla.
E kur është fjala te njëanshmëria e mediave, afro gjysma e të anketuarve të këtij hulumtimi besojnë se ka media të paanshme në Kosovë, ndërsa 38%besojnë se nuk ka media të paanshme.
Hulumtimi ka nxjerrë si përfundim se profesioni i gazetarëve është e vështirë të ushtrohet në Kosovë, duke pasur parasysh problemet me kontrata pune, ndikimin e drejtpërdrejtë editorial nga pronarët dhe individët e përfshirë politikisht, kufizimet në lirinë e shprehjes dhe nivelet shqetësuese të censurës shtetërore.
Por synim tjetër për realizuesit e këtij hulumtimi ka qenë që t’i kenë informatat nga dora e parë.
Lorik Bajrami nga organizata “Çohu”, tha se deri më tani në Kosovë nuk ka pasur ndonjë hulumtim në vend.
“Synimin e parë që e kemi pas me këtë anketë është gjenerimi i të dhënave burimore dhe dorës së parë të përcpecionit të gazetarëve për këto çështje të cilat unë i përmenda. Kemi konsideruar se të gjitha të dhënat po vijnë sa i përket lirisë së medieve në aspektin e përgjithshëm po vijnë prej indikatorëve apo raporteve të jashtme, përderisa nuk ka asnjë burim vendor i cili prej dorës së parë e tregon përcepcionin e gazetarëve për sa i përket këtyre çështjeve”, tha Bajrami.
Për qëllim të studimit janë realizuar 175 intervista me gazetar të mediumeve të ndryshme (përfshi gazetat, televizionet, radiot dhe portalet) në gjithë Kosovën. Prej 175 të anketuarve, 55% ishin meshkuj dhe 45 për qind femra./KP/
Shkrimi është marrë nga Telegrafi.com dhe botohet këtu nga moderatori i EJO
Foto Credit: Gazeta JnK
Tags:gazetaria në Kosovë, Kosova, Kosovo