Televizionet kryesore të vendit shfaqën sot në edicionet e tyre të lajmeve, dy daljet nga Tirana të kryeministrit dhe shefit të opozitës, duke i bërë atyre qokën e radhës. Ajo që të binte në sy qe e trishtueshme. Edhe kur kamerat lejohen të ndjekin aktivitetet e tyre, me sa duket në mendjet e reporterëve dhe editorëve të tyre tashmë është ngulitur psikoza e “kasetave të gatshme”.
Në kronikat e Ramës nga Ura Vajgurore, shfaqej gjithmonë një grua që i thoshte kryeministrit se tashmë po lulëzonte ndihma e qeverisë ndërkohë që dikur i sillnin vetëm nga një banane. Pastaj flisnin të njëjtët njerëz që e falenderonin kryeministrin se po i kthente dinjitetin, duke i zëvendësuar menjëherë lavatriçen dhe frigoriferin.
Ndërsa tek ato të Lulzim Bashës, nga fshati Shtyllas i Fierit, vendin e star-it e zinte një fukara që thoshte se fshati i tyre ka qenë dikur kamp përqëndrimi, e si të tillë qeverisja e sotme e majtë e kishte lënë në harresë. “Askush nuk na ka ndihmuar, s’kemi ushqim dhe bagtitë po na ngordhin”, qenë frazat standart që shfaqeshin në ekrane.
Përpos faktit se të gjitha këto mise en scene përbëjnë një mashtrim, sepse përmes tyre publikut i flasin njerëz të zgjedhur nga partitë dhe jo qytetarë të thjeshtë, ky pasqyrim i realitetit e bën qytetarin që gjendet përpara ekranit, të ngrejë një pyetje të thjeshtë: ore po kush po thotë të vërteten? Si po përballohen përmbytjet? A kanë të drejtë qevritarët që thonë se ata po tregohen ekzemplarë në ndihmën që po u japin fatëkeqëve? Apo mos vallë ka të drejtë opozita e cila pretendon se zona të tëra janë lënë në mëshirën e fatit dhe se Rama dhamë shumë para për përmbytjet në Serbi dhe Bosnjë, sesa për ato në Jug të vendit?
Por fatkeqësisht duke parë lajmet e TV-ve kryesore të Tiranës, për këto dilema nuk merr përgjigje. Ti shikon në të gjitha ekranet fillimisht paradën e kryeministrit, më pas atë kryeopozitarit dhe nuk kupton asgjë: a është gjendja mirë apo keq, a po asistohen të përmbyturit apo ata janë harruar?
Asnjë reporter i shoqëruar nga kamera e tij nuk shkon të testojë nëse është reale shfaqja që jep Rama me ata pak njerëz. Të futet në atë fshat të mbledhë opinione e të nxjerrë një të vërtetë të tijën, që mund të jetë e ngjashme apo totalisht e kundërt me atë të kryeministrit.
Po ashtu nuk e ndjekin këtë praktikë, as për të vërtetuar nëse Basha thotë të vërtetën, apo ai thjeshtë bën vetëm propagandë antiqeveritare.
Të gjithë mjaftohen me qokën që u është lajmëruar një ditë më parë nga zyrat e shtypit dhe kjo procedurë vazhdon edhe tek krerët e redaksive që i binden asaj.
Ky është në fakt një problem i madh për komunitetin e gazetarëve të cilët si pasojë e paaftësisë profesionale dhe trysnisë politike të pronarëve të tyre, po e dorëzojnë përditë e nga pak armën që kanë në dorë, atë të pushtetit të katërt.
Por, përpara tyre, ai është mbi të gjitha një problem i publikut, i cili po lodhet me parada të tilla qokatare. Me të drejtë shumë njerëz mund të pyesin sot: përse të ulemi e të shohim edicionet e lajmeve kur prej tyre nuk kuptojmë gjë prej gjëje? Dhe sa më e madhe të bëhet kjo masë që i ngre vetes këtë dilemë, aq më të shumtë do të jenë ata që shpejt do të pyesin: a i’a vlen më të shohësh lajmet në TV?
Botuar tek lapsi.al
Tags:lajme TV