Politika “troket” te mediat qytetare

16 Mars , 2013 • Mediat e Reja • by

Ka autorë që kohën historike nuk pranojnë ta masin me instrumente gjeografike, pra me vite kalenderike. Ata, ndër të tjera, e masin kohën historike duke e kufizuar me ngjarje të rëndësisë së veçantë, që shpesh nuk vlerësohen sa duhet nga bashkëkohësit, por që nisin një etapë të re. Ka përshembull që e nisin fillimin e shekullit që jetojmë, në planin global, me sulmin terrorist ndaj Kullave Binjake, ka të tjerë që përzgjedhin të tjera ngjarje.

Mua më duket se nga ngjarjet që e shenjojnë këtë dekadë të dytë të shekullit të ri, në historinë e mediave dhe politikës shqiptare, është edhe njëra prej tyre, që erdhi gati si heshturazi, si pa u kuptuar, e interpretuar shpesh në mënyrë të padrejtë, e të pakuptuar si duhet: Politikanët shqiptarë ndërtuan mediat e tyre sociale, qytetare, u detyruan të vijnë në forumet qytetare online, duke krijuar edhe faqet facebook dhe twitter-at e tyre.

Ky është një fakt madhor i ditës, ndonëse ndokush, më duket skeptik, nis të pyesë: “E përse duhet t’i japim rëndësi kaq shumë kësaj ngjarjeje?”, që, pastaj e thjeshtëzojnë në një përgatitje rutinore për fushatën elektorale të radhës.

E para, kemi të bëjmë me një marrëdhënie të re midis mediave dhe politikës shqiptare. Përgjatë tranzicionit demokratizues në vendin tonë njihen së paku pesë tipologji të ndërvartësive mes mediave dhe politikës. Ato zanafillojnë me atë të tipit monolitik që u rrëzua në fillim të viteve ’90, ku të gjithat mediat kontrolloheshin nga një parti – shtet unike. Pas kësaj, demokratizimi që erdhi në formën e pluralizmit politik, sidomos deri aty nga viti 1997, por ta zemë edhe deri në vitin 2000, për gati një dekade, u mbizotërua nga shtypi i partive politike, nga mediat politike, ku një pjesë e konsiderueshme, ishin në pronësi dhe vartësi të partive politike. Jemi në periudhën e mediave politike pluraliste. Ndërkaq, duke nisur nga përvoja e gazetës “Koha Jonë” dhe më pas “Shekulli”, nga televizionet private që nisin të shfaqen, u zgjeruan dhe forcuan gazetat, radiot dhe televizionet e pavarura, por që në linjat editoriale tê tyre kanë anëshmëri të qarta politike, kanë një agjendë të politizuar dhe qendrime të hapura militante. Ne jetojmë aktualisht përgjatë viteve 2000 dhe në vazhdim periudhën e mediave të pavarura të politizuara. Kjo shoqërohet me një metodologji të katërt, ajo e mediave të quajtura “publike”, të cilat së paku informacionin e kanë të vendosur në shërbim jo të publikut të gjerë, por të partive që sigurojnë kontekstualisht shumicat parlamentare, pra që qeverisin…

Dhe më së fundi, kemi arritur në fazën kur politika, si “mama dhia” po troket në forumet qytetare, duke folur me zë të ulur : “Hape, hape, jam unë!”

Kjo është një fazë e re që po nis, pas Edi Rama, nisi të komunikojë në twitter, Sali Berisha e ndoqi në facebook, dhe më pas ka dhënë orientime serioze që ministrant e tij si edhe administratorë të lartë të hyjnë në mediat sociale, në forumet, blogjet, qytetare, dhe të ndërtojnë të tyret.

Pyetja e dytë që mund të ngrihet- me këtë rast është: Çfarë e karakterizon thelbësisht këtë ndërthurje të mediave sociale, të gazetarisë qytetare, me komunikimin politik?

Kjo pyetje shtrohet gjithandej sot në botën e qytetëruar, nga Amerika në Europë, nga Azia në Afrikë, e kudo në planet. Nuk ka përse të mos shtrohet edhe në Shqipëri. Kemi të bëjmë me një fillim të çmediatizimit të politikës, në kuptimin që komunikimi politik nis të ketë një shkëputje nga mediat masive, gazeta, radioja, televizioni konvencional, duke parë rënien e audiencës së tyre. Aq më shumë kushton shtrenjtë dhe po mbetet pa efikasitet ky komunikim.

I ka dalë boja!

Në rastin shqiptar, kjo ndihet edhe më fort, sepse shërbimi nga ana e mediave masive ndaj komunikimit politik është bërë veç të tjerash edhe shumë i kushtueshem dhe çekulibrues për politikën e tenderimit publik si edhe për një kosto morale të lartë që i faturon imazhit dhe reputacionit të politikanëve. Çmediatizimi i politikës, ndjek kështu një proces më të thellë, që është ai i çmediatizimit të marketingut publicitar të mallrave që gjithnjë e më shumë qarkullon në mediat sociale online sesa në mediat klasike. Ndërkaq kemi edhe një zgjerim të hapësirës publike sepse ajo tani falë teknologjive të reja mundëson daljen e individit – pjestar i audiencave klasike, si editues dhe transmetues i informacionit dhe i shprehjes publike. Komunikimi politik tani është bërë gjithnjë e më shumë simetrik, dhe sipas modelit “two ways of communication”. Koha kur politikani flet nga “maja e thanës” dhe qytetari i gjorë dëgjon si e “jëma e Zeqos”, ulur, poshtë nën hijen e pemës, por nuk flet dot, ka kaluar. Kjo do të ndryshojë gjithçka shumë shpejt edhe te ne. Por, të presim pak. Mbi të gjitha hapësira publike politike ndërtohet tanimë jo thjesht në forma vertikale, “topdown”, por edhe horizontalisht, sipas modelit “peer to peer”.

Pse themi se kjo risi shpesh nuk vlerësohet si dhe sa duhet?

Sepse mediat konvencionale humbasin monopolin e tyre të komunikimit politik. Interesa të fuqishme ekonomike dhe financiare janë në lojë. Gazetari rrogëtar ndjen rivalitetin që i bën gazetari qytetar. Analisti gjitholog ndjen rivalitetin e asaj që quhet “mënçuri e turmave”, (wisdom of the crowds), ku qytetari i thjeshtë apo ekspert, i njeh gjerat njëmijë here më mirë. Asnjë media nuk konkuron dot këtë reporter me miliona sy, veshë, kokë që është shumësia qytetare. Ka gazeta që stigmatizojnë këtë ardhje të përunjur të politikanëve në mediat qytetare si “mitingje virtuale”. Sa pak kanë kuptuar se çfarë po ndodh! Qytetarët në mitingje vetëm dëgjojnë dhe duartrokasin. Kurse në mediat online debate qytetar horizontal rivalizon të folurën e tribunes. Dinamikat elektorale do të dalin jashtë kontrollit të partive politike, nga tribunat, dhe do të përcaktohen gjithmonë e më shumë nga influencat online.

Departamenti i Gazetarisë dhe i Komunikimit (DGK) i Universitetit të Tiranës e përshëndet ardhjen e detyruar të politikanëve kryesorë shqiptarë në mediat qytetare. Ndonëse i njeh dhe i ka bërë të qarta rreziqet e një përdorimi të mediave online, interaktive, sipas modelit të vjetër servil, të mediave konvencionale, që u ngjanë, sipas meje, përsa i përket thjesht stilit në komunikimin politik, dhe thjesht në këtë aspekt, më shumë altoparlantëve të varur në shtylla elektriku neonesh anash tribunave elektorale, sesa një mjeti që realizon një kuvendim të qetë dhe të arsyeshëm. Ky departament, prej dy vitesh, së paku po rinovon të gjitha lëndët që kanë të bëjnë me mediat online, qytetare, duke qenë i sigurt se ato, krahas mediave të rinovuara konvencionale, do të kenë një të ardhme të madhe dhe do të shërbejnë për një demokratizim të vërtetë dhe më të shpejtë të shoqërisë shqiptare.

Marrë nga http://www.gazetareporteri.com

 

Send this to a friend