Redaksitë me dyer të hapura

7 Prill , 2012 • Menaxhimi i Redaksisë • by

Nga ankthi për të mbajtur audiencën aktuale dhe duke u përpjekur të tërheqë një audiencë të re, media po zbulon disa strategji të ndryshme për t’u afruar me përdoruesit e saj. Një prej këtyre është hapja e medias dhe e redaksisë ndaj vizitorëve, takimeve me lexuesit, duke operuar së bashku në një mjedis të hapur.

Parimi i redaksive me dyer të hapura tregon sa i rëndësishëm është opinioni i gjithsecilit, dhe se media nuk është më abstrakte dhe e distancuar siç ka qenë.

Po përse po ia hap media dyert audiencës, duke kërkuar forma të reja komunikimi? Si ndihen përfaqësuesit e medias në këtë situatë dhe, cilat janë përfitimet e konsumatorëve?

Rënia e barrierave. Urime!

“Rënia e barrierave mes redaksisë dhe lexuesit ka një rëndësi të jashtëzakonshme sot: çdo media e vlerëson shumë audiencën e qëndrueshme, e cila nga ana e saj ka një lidhje të fortë me median që ndjek apo konsumon. Ky interaktivitet mund të ketë forma të ndryshme: rritja e transparencës, kur përfaqësuesit e audiencës mund të bëhen fizikisht pjesë e redaksisë, e rutinës së përditshme mediatike për të lehtësuar ndërtimin e disa marrëdhënieve më personale,”  mendon ekspertja e medias Anda Rozukalne. Ajo është e bindur që ky trend pozitiv e bën konsumatorin ta ndiejë veten si të barabartë. Për më tepër që popullaritetit të redaksive me dyer të hapura i vijnë në ndihmë zhvillimet teknologjike – komunikimi është më i shpejtë, më miqësor dhe më i thjeshtë.

“Sigurisht, këtu ndikojnë edhe aspektet e marketingut: një marrëdhënie miqësore mund të shitet më mirë. Përveç afrimitetit dhe lidhjes emocionale, tkurrja e kufijve mes gazetarëve dhe audiencës krijon më shumë mundësi për vëzhgim dhe kontroll, sepse nuk ka më sekrete që mund të mbahen fshehur nga gazetarët dhe redaksia. Transparenca është pra, një term i ri që i shtohet objektivitetit: sepse kur e dimë si funksionon diçka dhe cilat metoda përdoren, ka mundësi të vlerësojmë më mirë rëndësinë e procesit në vetvete,” thekson Rozukalne.

Media, nga ana e saj, përpiqet të organizojë ngjarje – koncerte, takime, darka – si një mënyrë për të ofruar diçka më shumë se sa një produkt të përditshëm. Një rast i tillë i suksesshëm është bashkëpunimi i ngushtë me audiencën i revistës javore për femra Ieva. Kampet verore të revistës Ieva, ku mundësohet një interaktivitet më i ngushtë u mediumit me audiencën, u kanë treguar qartësisht drejtuesve të revistës, se kush është lexuesi/ja i/e tyre, më saktë, se kush është gruaja letoneze dhe çfarë ndodh në jetën e saj. Dhe nëse një gazetar mëson rregullisht si funksionon jeta e saj, çfarë mendon ajo, atëherë ai mund të shkruajë për të, dhe ajo lexon pikërisht atë që pret të lexojë. Kjo është ndër arsyet kryesore se përse “Ieva” është sot e para në tregun e revistave letoneze,” qartëson ekspertja e medias.

Ideja e redaksive me dyer të hapura është prej vitesh rutinë e jetës së përditshme të shtypit rajonal: “Në një fshat apo qytet të vogël, njerëzit takohen përditë, e njohin njëri-tjetrin, kështu që problemi i afrimitetit qëndron përgjithësisht te mediat kombëtare apo ndërkombëtare. Siç tregojnë edhe një sërë studimesh ndërkombëtare, fatkeqësisht redaksitë në përgjithësi kanë shumë pak njohje të audiencave të tyre; ato më shumë jetojnë me supozime se çfarë pret shoqëria prej tyre, si dhe rreken të përmbushin kërkesat e reklamuesve të tyre, por kjo nuk ka kurrfarë lidhje me realitetin.” Nga ana tjetër, marrëdhënia e ngushtë me audiencën e rrit përgjegjësinë e medias: nëse e dimë si mendon një person, si dhe çfarë ndjen, atëherë edhe ne do t’i kushtonim më shumë rëndësi cilësisë së informacionit dhe përmbajtjes, kur ulemi dhe shkruajmë.

Radio 3D

Për momentin Radio 101 është më përpara radiostacioneve të tjera në Letoni, për sa i përket lidhjes së drejtpërdrejt me dëgjuesit e tij. Një studio prej qelqi është e vendosur në mes të një hapësire publike, ku kalimtarët mund të shohin duke ecur se çfarë ndodh në studio, ata mund ta shohin veten direkt në internet, ndërsa radio kryen transmetimet e saj në rrugë.

“Që në fillim, kur na lindi ideja për të bërë një radio, ishte e qartë se duhet të vendosej në mes të qytetit,” tregon drejtuesi i emisionit të mëngjesit në Radio 101, Zane Peneze.

“Prototipi i Radio 101 mund të gjendet në Neë York. Dhe ata nuk e shohin veten si pionierë në Letoni: ka pasur përpjekje të tjera për të bërë studio të hapura. Rietumu radio ishte e para. Diçka e ngjashme filloi në klubin legjendar Casablanca, dhe, përfundimisht, nuk duhet harruar TV3 Hakizaka, i cili ka transmetime live nga studio e vendosur në klubin Kalku varti katër herë në ditë, përveç aktiviteteve të tjera që ndodhin në Kalku Street, ku kalimtarët janë pjesë e transmetimit. Megjithatë nuk ka ndonjë radio tjetër që punon si Radio 101.

“Gjëja më e veçantë janë improvizimet. Mund të ftosh live në studio trajnerin e skuadrës kombëtare të hokejit për shembull, kur e sheh që ai po kalon aty. Apo personazhe të tjera.”

 

Marrë me shkurtime nga faqja e EJO në gjuhën letonisht. Linku i shkrimit origjinal eshte: http://lv.ejo-online.eu/1221/zinu-menedzments/pieejamiba-atbildiba-caurskatamiba-draudzigums

Send this to a friend