Transformimet e vazhdueshme në median shqiptare janë shoqëruar me trashëgimin e një sërë problematikash të lidhura me mungesën e statusit të gazetarit, mungesën e kuadrit ligjor të detajuar për median e shkruar, mungesën e mekanizmave vetërregullues të medias, etj. Mungesa e institucioneve vetërregulluese të medias ka shtruar dhe një diskutim të gjere mbi etikën e medias, konkretisht për rishikimin dhe hartimin e standardeve të reja etike dhe respektimin e tyre.Nisur nga fakti se evoluimi i Teknologjisë, sidomos i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), ka ndryshuar rrënjësisht mënyrat e përcjelljes së informacionit, përmbajtjes së tij, aksesit të audiencës mbi të, kanë lindur dhe janë shfaqur dilemat e reja etike, krahas atyre të vjetra, në këtë zhvillim teknologjik dhe mediatik. Por duke qenë se edhe mediat tradicionale kanë “bashkëjetuar” me realitetin e ri teknologjik, edhe ata janë pjesë e këtij diskutimi mbi etikën, por këta të fundit nuk “vuajnë” nga kuadri formal rregullator (juridik), siç ndodh me mediat online.
A janë standardet etike të medias të harmonizuara me zhvillimet e saj ndër vite? Si është ballafaqimi i këtyre standardeve me realitetin e krijuar mediatik, sidomos me realitetin e ri të mediave online. Cilat janë dilemat etike të gazetarisë së uebit? Si ndikon Teknologjia në shfaqjen e problemeve etike përballë bumit të informacionit në ueb? Si duhet të futen në rrugëtimin etik dhe ligjor mediat online në Shqipëri? Cilët janë faktorët që ndikojnë në respektimin e etikës si në mediat tradicionale dhe ato online? A është vetëm Teknologjia një ndër faktorët kryesorë në shfaqjen e dilemave etike, sidomos në median online? Këto janë disa nga pyetjet që sot shtrohen vazhdimisht në një realitet mediatik kaq të larmishëm, siç është mozaiku shqiptar i mediave.
Etika e medias, evoluimi dhe standardet në Shqipëri
Etika e medias nuk është një koncept që i përket vetëm botës moderne. Nevoja e gazetarëve për një kod etik ka qenë një nga shqetësimet më të hershme të gazetarisë në botë dhe gjithashtu edhe të gazetarisë shqiptare. Kjo nevojë është bërë më e domosdoshme gjatë viteve të tranzicionit shqiptar, ku në sferën mediatike ndodhën ndryshime rrënjësore në formën dhe përmbajtjen e medias. Dhe natyrisht një kod i tillë përcakton jo vetëm detyrat e gazetarit gjatë ushtrimit të profesionit të tij, por edhe të drejtat që i takojnë atij. Ndërkohë iniciativat e parë për hartimin e një kodi të mirëfilltë etik në fushën e gazetarisë në botë i përkasin fillimit të shekullit të kaluar. Gjithashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kodi i shoqatës së botuesve amerikanë, (American Society of Newspaper Editors), është i hershëm. Në vitin 1954, në Bordo Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve hartoi dhe shpërndau një Kod Etik profesional prej tetë pikash. Edhe në vendin tonë nismat për hartimin e standardeve etike nuk kanë munguar që në vitet e para të krijimit të shtetit shqiptar. Në Shqipëri për herë të parë një sistem parimesh i konceptuar si kod i mirëfilltë etike është botuar në revistën Ylli i Mëngjesit në vitin 1917. Ky kod etike i titulluar “Fuqia dhe detyrat e shtypit”, që mban autorësinë e kryeredaktorit të revistës Kristo Dako përmban 23 nene ku përcaktohen natyra e shtypit, të drejtat dhe detyrimet e gazetarit në ushtrimin e profesionit të tij”(Marku, Mark, Gazeta si e zezë në të bardhë – mbi etikën e shtypit, Medi@link, Nr 2, Dimër 2012-2013 (http://www.institutemedia.org/inbox-m-marku.html).
Zhvillimi i hovshëm i medias shqiptare gjatë tranzicionit, solli edhe trashëgimin e një sërë problematikash etike, që janë aktuale edhe sot, që shpesh janë bërë objekt debatesh, nga shumë aktorë në opinionin publik, si mes gazetarëve, botuesve, shoqërisë civile, etj. Në Shqipëri formalisht nuk kanë munguar kodet etike, qofte ato të natyrës së përgjithshme, por edhe sipas përkatësisë redaksionale (rasti i Gazetës Shekulli). Kodi i parë Etik në Shqipërinë Postkomuniste i përket vitit 1996, për tu rishikuar përsëri në vitin 2006. Gjithashtu përfaqësuesit e medias, shoqërisë civile janë bërë pjesë edhe e hartimit të Kodeve Etike sipas fushave specifike të raportimit në media si: Kodi i Gazetarisë Investigative; Kodi i Sjelljes për Median Shqiptare në Periudhë Fushate Zgjedhore; Kodi i Etikës mbi Median dhe Trafikimin e Qenieve Njerëzore; Standardet Etike për Aftësinë e Kufizuar; Rregullat Profesionale Bazë për një Pasqyrim Etik të Fëmijëve në Media, Udhëzime për Etikën Editoriale etj. Kodi Etik që është një përmbledhje normash dhe rregullash etike ka përmbledhur disa nga çështjet më të rëndësishme etike që hasen gjatë ushtrimit të profesionit të gazetarit, sidomos në mediat tradicionale, por që ka mbetur i pa ndryshuar që para tetë vitesh. Por teksa këto norma etike të shkruara nuk kanë munguar gjatë viteve të tranzicionit, situata në praktikë e zbatimit të tyre ka sjellë debate të vazhdueshme për mënyrën se si media shqiptare (tv, radio, shtypi, media online) është e orientuar për respektimin e këtyre standardeve etike.
Faktorët që ndikojnë në respektimin e etikës në media
Natyrisht që zhvillimi i medias, transformimet teknologjike, etj, edhe pse kanë krijuar një opinion publik më të spikatur në pluralizmin e informacionit dhe në shumëllojshmërinë e burimeve të informacionit, nga ana tjetër ky transformim ka krijuar gamën e gjerë të dilemave etike. Dhe ndodhemi përballë një realiteti mediatik ku rritja sasiore e medias, nuk ka qenë në përpjesëtim të drejtë edhe me zbatimin e standardeve etike dhe me rritjen cilësore të medias. Pra zhvillime të reja në media, por dilema të vjetra etike. Sot në lëmin mediatik shqiptar problemet më të theksuara të karakterit etik i hasim në rastin e raportimit të dhunës dhe ngjarjeve të kronikës së zezë, respektimit të të dhënave personale të individit, të drejtës së autorit, gjuhës së urrejtjes, diskriminimit, saktësisë së informacionit dhe kulturës së dialogut dhe të shprehurit në publik. Dhe në këtë mënyrë kufiri i saktë midis asaj çfarë është etike dhe jo etike është zbehur për shkak se trajtimi dhe raportimi i secilës problematikë, çështje, etj përbën në vetvete një dileme etike.
Duke u nisur edhe nga një vakum ligjor për median e shkruar, pra pasjen e një ligi të detajuar për shtypin, ka raste jo të pakta të shkeljes së të drejtave themelore të njeriut dhe të jetës private. Raportime të ndryshme për arrestime, burgosje, aksidente me vdekje, konflikte familjare, konflikte të natyrave të ndryshme etj, zënë një vend kryesor si në median e shkruar dhe atë televizive. Këto lloj raportimesh kanë sjellë edhe shkeljen e rëndë të etikës sidomos në rastin e mos njohjes së prezumimit të pafajësisë dhe mos respektimin e saj nga mediat dhe gazetarët, mos kujdesin me publikimin e fotove për ngjarjet e rënda aksidentale, ekspozimin e tepërt të fëmijëve në media, cenimin e privatësisë në rastin e konflikteve familjare, cenimin e rëndë të privatësisë në rastin e dhunimeve seksuale ndaj fëmijëve apo edhe moshave të rritura, etj. Këto raportime më së shumti janë transmetuar për të krijuar një audiencë, por pa respektuar normat etike. Dhe konkurrenca mes medieve të ndryshme është një ndër faktor e rëndësishëm që ndikon në zbatimin e kodit të etikës, pasi mediat udhëhiqen nga parimi i publikimit të lajmit të fundit sa më shpejt, por pa marrë parasysh respektimin e etikës gjatë raportimeve. Por janë dhe një sërë faktorësh të tjerë që ndikojnë në shfaqjen e problematikave etike gjatë përcjelljes së informacionit si në mediat tradicionale, por edhe në ato online, siç mund të përmendim: mos njohja e standardeve etike nga gazetarët; evoluimi i teknologjisë; mungesa e mekanizmave vetërregullues në media (disa shtete aplikojnë modelin e Urdhrit të Gazetarit apo Këshillat e Medias); profesionalizmi i gazetarëve; kriteret për ushtrimin e profesionit të gazetarëve (nuk ekzistojnë kërkesa të veçanta për ushtrimin e profesionit të gazetarit). Edhe sipas UNESCO-s (United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization) në të gjitha vendet e rajonit, si Kroaci, Maqedoni, Shqipëri, Kosovë, etj, janë hartuar dhe miratuar kode etike, por në përgjithësi ato ngelen vetëm në letër. Edhe pse në Shqipëri nuk ka munguar Kodi Etik i Medias, kanë munguar plotësisht mekanizmat dhe institucionet vetërregulluese siç janë në disa shtete Urdhri i Gazetarëve, Këshillat e Shtypit. Ombudsmenët e Shtypit, etj. Ndërkohë situate paraqitet ndryshe në spektrin e mediave elektronike, ku nuk mungojnë institucionet rregullatore, pasi pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive është ngritur edhe Këshilli i Etikës.
Media të reja, dilema të vjetra etike
Zhvillimi i Teknologjisë solli për pasojë dhe transformimin e mbarë medias botërore. Edhe në vendin tonë ky transformim do të ishte i shpejtë. Përhapja e internetit në Shqipëri krijoi edhe hapësirën komunikimit online dhe përhapjen masive të medieve të reja, realitet mediatik ky që erdhi gradualisht duke pësuar ndryshime rrënjësore, duku u modeluar edhe sipas ndryshimeve teknologjike. Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (Information and Communication Technology– ICT) ka sjellë disa ndryshime në mënyrën e të bërit gazetari, ndryshime këto që kanë sjellë një lloj tjetër të të publikuarit të lajmit, që quhet “Gazetaria Online”. Kështu ky zhvillim teknologjik u përqafua edhe nga mediat tradicionale në Shqipëri, si ato televizive edhe ato të shkruara, pasi krijuan uebfaqet e tyre për përcjellin e informacionit të tyre edhe online. Në Shqipëri, uebsitet e para të lajmeve ishin ato të gazetave dhe të kompanive më të njohura, por gradualisht u shfaqën edhe uebfaqet e mirëfillta të lajmeve. Balkanweb dhe Top Channel mbeten dy uebsitet më të klikuara të lajmeve në Shqipëri. Ndërkohë tani në mozaikun e mediave online bëjnë pjesë një numër i madh portalesh dhe agjencish lajmesh si në Shqipëri ashtu edhe në trojet shqiptare dhe në Kosovë si: www.noa.al; www.gazetastart.com; www.albeu.com; www.lajmifundit.al; http://www.telegrafi.com;www.kosovalive.com dhe www.pcworld.al. Përveç portaleve dhe agjencive të lajmeve, hapësira e komunikimit në internet është e mbushur edhe nga forumet, blogjet dhe platforma të tjera online. Transformimi i medias ka sjellë dhe nevojën e pasjes së standardeve të reja etike, të cilat duhet të jenë të harmonizuara me këto zhvillime.
Ky zhvillim u pa si një përpjekje për të pasur akses në informacion çdo individ, kudo dhe kurdo, për shkak të disa pengesave që mund të kenë mediat tradicionale. Por përhapja dhe zhvillimi i mediumeve në internet përveç rritjes së aksesit të qytetarëve për informacion, ngriti dhe një shqetësim, atë të respektimit të normave etike në përmbajtjen e këtyre mediumeve. Kodi i Etikës i botuar në vitin 2006 nuk ka marrë parasysh standardet etike për median online, ku problemet e kësaj natyre janë edhe më komplekse se në median tradicionale. Kështu sot shfaqen një mori problemesh etike në mediat dhe forumet online në Shqipëri, që shpesh janë bërë edhe objekte diskutimi, si p.sh: anonimati i përdoruesve dhe artikullshkruesve që përdoret për qëllime negative, gjuha e ashpër apo fyese, shkelja e rëndë e standardit të gjuhës shqipe, plagjiatura, përhapja e informacioneve sensitive të ndaluara, përdorimi pa kriter i imazheve, si dhe një sërë problemesh të tjera. Kjo situatë bëhet akoma më komplekse edhe për shkak se nuk ekzistojnë standardet ligjore për filtrimin e përmbajtjeve online apo kode etike të veçanta për veprimtarinë e medieve online dhe publikimin e informacioneve në internet. Për shembull disa media të njohura perëndimore i kushtojnë vëmendje shmangies së plagjiaturës. Kodet etike të medias në SHBA kane përcaktuar detaje të veçanta se si të shmanget plagjiatura: si linkun ku është marrë lajmi, emrin e autorit te shkrimit apo edhe citimin në disa raste, praktike kjo që përdoret rrallë në median online në Shqipëri.
Gjithashtu situata për gjendjen e zbatimit të normave etike në mediat online bëhet akoma më debatueshme, më e pa kontrolluar, teksa nuk ka asnjë institucion të autorizuar posaçërisht për bllokimin apo filtrimin e përmbajtjeve me shkelje etike apo ligjore në mediat e reja, të çfarë lloj kategorie qofshin ato, portale lajmesh, media sociale, apo blogje të ndryshme. Ndërkohë edhe institucionet ndërkombëtare që kujdesen për këto lloj çështjesh, rregullimin apo vetërregullimin në internet e shohin të vështirë, sepse bota online është globale, ngaqë edhe faqet e internetit mund të jenë të vendosura në vende larg prej audiencës që kanë si synim për të arritur, dhe kështu lindin vështirësi dhe probleme me kontrollin e tyre sa i përket ruajtjes së etikës online. Ndërkohë që nga njëra anë përhapja e internetit, krijimi i mediave online kanë ofruar më shumë shanse për lirinë e shprehjes, gazetarinë qytetare dhe demokracinë në përgjithësi, por nga ana tjetër, kjo liri ka çuar edhe në shqetësime të reja etike, përveç shqetësimeve të vjetra, ku më të theksuarat kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes, pasaktësinë e informacioneve, gjuhën e pa përshtatshme në përmbajtjen online, etj. Por duhet theksuar se nuk është vetëm evoluimi teknologjik një ndër faktorët kryesorë për shfaqjen e këtyre problematikave etike, sidomos në mediat online, por edhe faktorë të tjerë që përmendëm më lart. Duke qenë se përmbajtja online krijohet nga kategori të ndryshëm individësh, jo domosdoshmërisht gazetarë, sjell për pasojë edhe shfaqjen e dilemave dhe problematikave etike, ku siç e përmendëm më lart, janë më evidente në mediat online.