Liria e medias ndërmjet iluzionit dhe realitetit

16 Prill , 2016 • Kryesoret, Liria e medias, Shkrimet më të fundit • by

Nga Sami Curri.

“Informacioni është pushtet. Pak njerëz mund të përballojnë jetesën, t’iu kërkojnë llogari qeverive të tyre, dhe të edukojnë fëmijët pa një rrjedhë të shëndetshme e të lirë informacioni. Qytetarët kanë nevojë për lajme të sakta, në kohë, si dhe të pavarura të cilave mund t’iu besojnë. E njëjta gjë mund të thuhet për bizneset dhe tregjet. Po kështu edhe qeveritë. Liria e medias i mban shoqëritë dhe ekonomitë të gjalla, energjike dhe të shëndetshme. Kur ndërpritet rrjedha e lirë e lajmeve dhe informacionit, individët vuajnë. Shoqëritë vuajnë. Ekonomitë vuajnë”.

Këto do të ishin fjalët e ish-Ambasadorit Amerikan, Aleksandër A. Arvizu, në fjalën e tij mbajtur me rastin e ditës botërore për lirinë e shtypi, kur ishte me detyrë në Shqipëri. 20 vjet pas pluralizmit politik dhe vendosjes së demokracisë, situata në Shqipëri për lirinë e medias dhe lirinë e fjalës është shqetësuese. Ajo tregon hapa pas duke mos luajtur kështu rolin e vet në plotësimin e një kushti themelor për integrimin europian të Shqipërisë, si është liria e shprehjes.

Shqipëria ka bërë përparim sa i takon lirisë së medias, por mbetet në kategorinë e vendeve me liri te pjesshme. Ky ka qenë konkluzioni i indeksit për lirinë e shtypit në botë, te publikuar se fundmi nga organizata “Freedom House”. Ne këtë dokument vendi ynë renditet në pozicionin e 96 nga 197 vende (Raport i vitit 2015).

Por duke folur në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, drejtorja e projektit për lirinë e shtypit në këtë organizatë, Karin Karlekar tha se në Shqipëri ka ende ndërhyrje te politikës në median e lirë. “Rezultati i Shqipërisë e vendos vendin pa mëdyshje mes vendeve me liri të pjesshme prandaj mendoj se do të duhej të bëheshin ndryshime madhore për të kaluar në kategorinë e vendeve me media të lirë. Do të duheshim më shumë reforma ligjore, më shumë liri informimi një ambient më i hapur rregullator, si edhe më pak ndërhyrje politike në përmbajtjen e medias dhe në ambientin ekonomik. Pra ka probleme në të gjitha aspektet, që po e frenojnë Shqipërinë. Ne shpresojmë që Shqipëria të vazhdojë në trajektoren pozitive që vihet re këtë vit.”

Për Mark Markun, pedagog në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit, në Universitetin e Tiranës, në një intervistë për ishull.com, ka disa arsye që ndikojnë në kushtëzimin e lirisë së gazetarit: “Ndikimi politik që për mua është shumë i rëndësishëm, format e organizimit ekonomik, që do të thotë format e pronësisë, dhe statusi ligjor dhe social i gazetarit. Sa më shumë të jetë i mbrojtur gazetari, aq më i lirë është. Strukturat e organizimit, kode etike, sa më i saktë të jetë legjislacioni aq më i sigurtë është edhe gazetari. Mediat kanë interes kudo, por problem është se sa interferojnë interest në statusin profesional të gazetarit, këtu tek ne ndikon shumë më tepër se sa ndikon në vendet e tjera”.

Megi Fagu, studente në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit, në Universitetin e Tiranës, për Ishull.com shprehet: “Liria e medias mendoj se nuk ka një përkufizim, pasi është shumë subjektive dhe gjithësecili e ka personale se si mund ta përkufizojë lirinë e medias. Ne që jemi bërë pjesë e kësaj fushe, dhe duke parë se çfarë ndodh tani me mediat, së paku televizioni që ka një ndikim shumë të madh tek publiku, realisht mendoj se nuk ka liri të medias. Tani që flas, nuk më vjen ndërmend për një gazetar që të them se ky është i lirë dhe flet pa censurë. E vetmja mundësi, ku mund të them se ka liri të medias është kur një student merr një projekt dhe ngrin një media on-line, ku flas pacensurë dhe pa autocensurë”

Një studim i BIRN Albania që përfshiu 121 gazetarë, drejtues mediash dhe ekspertë arrin në përfundimin se interesat ekonomike të pronarëve, lidhjet e tyre me politikën dhe pamjaftueshmëria financiare janë faktorët kyçë në prodhimin e censurës; një fenomen mjaft i përhapur në Shqipëri.

Studimi i BIRN Albania arrin në përfundimin se kushtet e punës dhe pasiguria e gazetarëve krijon terren për censurë dhe vetëcensurë mes gazetarëve.

Burimi: ishull.com

Tags:, , ,

Send this to a friend