Konsumi i lajmeve dhe besimi tek mediat në Ukrainë

7 Dhjetor , 2018 • Etika dhe Cilësia, Kryesoret, Marrëdhëniet Publike • by

Që prej vitit 2013 Ukraina është përballur me revolucionin EuroMaidan, me aneksimin e Krimesë si dhe me një konflikt të armatosur të tejzgjatur që solli mijëra ushtarë të vrarë dhe më shumë se 1 milion njerëz që kanë braktisur shtëpitë e tyre. Këto zhvillime natyrisht kanë ndikuar edhe në sferën e medias. Një studim i ri tregon se si kanë ndryshuar konsumi i lajmeve dhe qasja ndaj mediave në Ukrainë gjatë viteve të fundit.

Televizioni ukrainas mbetet burimi më i përdorur dhe më i besuar i lajmeve

Sondazhi kombëtar për konsumin e mediave  i realizuar nga InMind dhe Internews, kryhet çdo vit që nga viti 2015 dhe bën të mundur kqyrjen e situatës kohë mbas kohe. Këtë vit përfaqësues të InMind anketuan rreth 4000 vetë në periudhën Maj-Qershor 2018.

Studimi tregon se besimi i njerëzve tek televizioni ukrainas është rritur për herë të parë që nga viti 2015. Në përgjithësi besimi është rritur si për mediat kombëtare edhe për ato lokale. “Ukrainasit janë bërë më aktivë si konsumatorë të lajmeve dhe kanë prirjen të krahasojnë më shumë burime për të verifikuar informacionin që ata marrin”, thotë në komentin e vet  drejtori  i Internews Ukraine, Wayne Sharpe .

Megjithatë një vështrim më nga afër i numrave aktualë tregon se mediat e printuara dhe radioja besohen nga më pak se 40 % e të intervistuarve dhe në total audienca e tyre mbetet e vogël.

Që nga viti 2015, audienca e radios ra me 9 përqind (nga 35 % në 2015 ra në 26 % në 2018). Ndërkohë televizioni vazhdon të ruajë pozicionin e liderit si për besimin e konsumatorëve edhe për audiencën. Sipas sondazhit, 77 % e të pyeturve e kanë përdorur TV për të parë lajme gjatë muajit paraardhës. Përsa i takon nivelit të besimit, televizioni kombëtar besohet nga 61 % e popullsisë kurse ai lokal nga 56 % e popullsisë. Sipas sondazhit TV besohet më shumë sidomos nga audiencat në moshë të vjetër.

Audienca e internetit vijon të rritet

Studimi tregon gjithashtu se gjatë 2018 është rritur edhe numri i njerëzve që përdorin internetin për t’u njohur me lajmet. Si websajtet e organizatave të lajmeve (60 % në 2018 krahasuar me 54 % një vit më parë) edhe mediat sociale (53 % në 2018, krahasuar me 45 % në 2017) shënuan rritje të përdoruesve. Websajtet e lajmeve janë më popullore në mesin e grupmoshave nga 18 deri në 45, kurse mediat sociale më shumë tek grupmoshat nën 35 vjeç.

Nga mediat sociale, Facebook është platforma më popullore. Përdoruesit e tij u rritën me 11 % krahasuar me një vit më parë (42 % nga 31 %), gjë që shpjegohet edhe më bllokimin nga ana e qeverisë të rrjeteve sociale ruse në vitin 2017. Pjesa e atyre që përdorin Twitter mbetet e vogël (2 % këtë vit nga 1 % në 2015).

Po me mediat ruse ç’po ndodh?

Agresioni dhe fushatat dezinformuese të vazhdueshme që erdhën nga Rusia kanë ndikuar edhe tek sjellja konsumatore e ukrainasve ndaj medias ruse.

Sipas një sondazhi të kryer nga TNS dhe nga Agjensia për Inisiativa Ligjore  në vitin 2011, rreth 37% e ukrainansve besonin atëherë tek mediat ruse, krahasuar me 46 % që besonin tek mediat ukrainase dhe 36 % tek mediat perëndimore.

Situata ka ndryshuar shumë sidomos pas aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe nisjes së konfliktit të armatosur në rajonin e Donbass në vitin 2014. Sipas sondazhit të konsumit të medias, niveli i besimit tek televizioni, gazetat dhe radioja ruse mbetet i ulët dhe arrin nga 3-4 % në vitin 2018. Vetëm mediat ruse online arrijnë të kenë 10 % besueshmëri në radhët e audiencës ukrainase, thotë studimi.

Audienca e mediave ruse ka rënë gradualisht gjatë 4 viteve të fundit. Nëse gjatë vitit 2015 televizioni rus shihej nga 12 % e ukrainasve dhe websajtet ruse vizitoheshin nga 25 % e tyre, në 2018 këto shifra janë përgjysmuar. Situata është e ngjashme edhe në rastin e gazetave apo të radiove ruse. Ato gjithashtu kanë njohur një tatëpjetë të konsiderueshme.

 

Prezantimin e plotë të sondazhit Media Consumption Survey 2018  mund ta gjeni këtu.

Tags:, ,

Send this to a friend