Interaktiviteti i munguar i gazetarisë shqiptare

4 Shkurt , 2012 • Gazetaria e Medias • by

Gjithnjë e më shumë studiues, akademikë, por edhe aktorë të medias, po vijnë në një përfundim të përbashkët: rrugëzgjidhja e shtypit të shkruar është lexuesi.

Kriza që ka zaptuar prej vitesh shtypin e shkruar kudo në botë, përveç të tjerave, ka bërë edhe një të mirë, duke shtyrë shumë njerëz të vrasin mendjen si do dilet prej saj. Gjithnjë e më shumë studiues, akademikë, por edhe aktorë të medias, po vijnë në një përfundim të përbashkët: rrugëzgjidhja e shtypit të shkruar është lexuesi. Po, po lexuesi, ai i gjalli, ai i vërteti, që nuk do më të paguajë për të blerë gazetën se informacionet i gjen falas në internet ose në televizor për ata që janë pak mbrapa me teknologjinë si puna jonë. Lexuesi, ai që për 200 vjet e kanë marrë për të mirëqenë, që e kanë mikluar, joshur, por edhe shtyrë, përbuzur, flakur tej për t’i lënë vend “lexuesve” më me peshë-lexo vendimmarrësve, bizneseve, pushtetarëve, po më të paktë në numër. Dhe ja, ai tani po i kthen reston. Kjo është hakmarrja e lexuesit. Mediat janë më të dobëta sot pse nuk kanë lexues, ndjekës. Çdo lexues që largohet është një pikë më pak në fuqinë e gazetës.

Me tituj si “Vdekja e shtypit të letrës: asnjë parajsë nuk duket në horizont”, ose “Më pak lexues, më shumë të pasionuar pas gazetarisë së të nesërmes” studiuesit po vënë në dukje faktin se gazetaria si profesion dhe si biznes janë mbrapa me përshtatjen ndaj rrethanave të reja që ka sjellë teknologjia e internetit. Mund të duket paradoks, por që nga lindja e vet, shtypi që bën të mundur shprehjen e mendimeve dhe opinioneve të ndryshme, shtypi që krijon pluralitet, ka pasur një produkt monopol: tregun e informacioneve. Tani që këto kushte nuk janë më, shtypi vazhdon të sillet po njësoj: vazhdon të kërkojë reklama ndërkohë që nuk ka lexues. Sipas studiuesit Piero Macri, kjo është teknikë vetëshkatërruese. “Gazetaria e së ardhmes do të jetë multimediale dhe shumë ndërvepruese, por kjo kërkon një ndryshim në mendësi që gazetarët përpiqen t’i rezistojnë, duke e vendosur veten në një rrezik të madh vetëshkatërrimi”, thotë ai.

Parë në këtë aspekt, gjithë kjo krizë i ka bërë një të mirë shtypit dhe medias në përgjithësi, duke i ritreguar, duke e kthyer me forcë drejt një faktori që e kishte harruar, duke e kthyer te zanafilla, origjina: te lexuesi. Në kushtet kur informacioni largohet nga të qënët monopol i mediave, duhen gjetur mënyra të tjera për ta bërë të suksesshme median si biznes. Që të shitet gazeta, jo vetëm duhet të kesh informacione që s’i gjen në vend tjetër – kjo duket pak e pamundur sot – po duhet të gjesh lexuesin që është i interesuar t’i blejë këto informacione. Në kushtet kur lexuesi nuk është më i detyruar ta blejë gazetën për të mësuar të rejat, duhen gjetur mënyra të tjera për ta mbajtur me vete atë. Dhe mënyra e vetme është ajo e të shpërblyerit. D.m.th ti bën një gazetë që i shërben lexuesit, me informacione që i duhen atij. Ti krijon lexuesin tënd, jo atë masën e madhe anonime heterogjene që gjendet diku atje tej mureve të redaksisë dhe që ti shpreson që me gazetën tënde çengel të kapësh sa më shumë, por atë lexues që ti e njeh, që të njeh, që të do dhe është i gatshëm të paguajë për ty. Kjo kërkon ridimensionim total të punës së gazetarit, duke iu afruar shumë asaj që Bill Kovac e quante “gazetaria publike”. Duhet të kërkosh ato informacione që i shërbejnë lexuesit tënd, që ai i kërkon dhe e di që mund të të besojë. Kjo e fundit është shumë e rëndësishme dhe njerëzit e dinë. Sot çdokush mund të bëhet bartës i informacionit, po gazetarët ende kanë monopolin e besueshmërisë përmes teknikave të profesionit që është kontrolli i fakteve, verifikimi. Është një status që e kanë fituar me shumë mund gazetarët, është një trashëgimi 200-vjeçare, e cila përbën zemrën e profesionit. Nuk bën të lihet në rrugë nga një çunak 10-vjeçar me emrin internet.

Ka një rregull të pashkruar në komunikim: mediat e reja nuk i zëvendësojnë të vjetrat, ato bashkëjetojnë dhe përshtaten. Dikur, kur nuk ekzistonte interneti, gazetarët e botuesit e mençur shpikën rubrika si “letra nga lexuesi” ose “letër kryeredaktorit”, si një mënyrë për të krijuar një lidhje me ata që i lexojnë, për të matur shijet e tyre, luhatjet e humorit të tyre. Vërtet kjo nuk ishte aq masive siç mund të jetë sot, por ishte një tregues që komunikimi nuk mund të jetë kurrë i njëanshëm. Nuk është komunikim kur flet vetëm njëra palë. Kush do rrinte të dëgjonte një profesor, me gjithë respektin e madh, 200 vjet pa e ndërprerë asnjëherë dhe pa pasur mundësinë të thotë diçka vetë? Kështu ka ndodhur me shtypin dhe mediat para internetit. Ato flisnin, nxinin tonelata me letër, tinguj e imazhe vendoseshin çdo ditë në shtëpitë e njerëzve dhe askush s’kishte mundësi t’i thoshte dy fjalë mbrapsht. Tani që teknologjia e ka thyer barrierën e komunikimit midis shtypit dhe lexuesit, në vend që shtypi ta përdorë në të mirë të vet, e refuzon atë, mbyll veshët ose bën sikur nuk e vë re që ka ndodhur.

Natyrisht, kjo sjellje ka shpjegimet e veta. Pasi ka folur 200 vjet, shtypit tani i duhet të dëgjojë. Dhe jo vetëm të dëgjojë, por edhe të përgjigjet. Mund të jetë e parehatshme për shumëkënd brenda profesionit të gazetarit të bëhet i dukshëm për njerëzit, i identifikueshëm, madje, prite Zot, i gjykueshëm. Duket sikur papritur gazetaria ka dalë lakuriq para lexuesve Në Perëndim, ndërmarrjet mediatike po u kërkojnë gazetarëve të hapin blogje personale, llogari në “Twitter” dhe kudo që të mund t’u përgjigjen lexuesve të tyre. Në fakt, është pak e frikshme kjo, kur mendon rehatinë e kohës kur ti shkruaje vetëm me emër dhe askush s’të njihte për fytyrë. Tani je shumëfish më i ekspozuar, madje punëdhënësit e tu ta kërkojnë një gjë të tillë me ngulm. Besoj se gazetarët profesionistë s’duhet ta kenë fare problem. Bazohen në fakte, burime të verifikueshme, kanë etikë. I rrinë përballë lexuesit dhe nuk kanë frikë nga ai. Asgjë e keqe nuk i vjen gazetarisë nga të qenët i hapur, transparent, madje është pak e vonuar në këtë drejtim. Kur u kërkon llogari të tjerëve për transparencën, duhet të jesh dhe vetë i tillë për të qenë legjitim në kërkesën tënde, apo jo?

Gazetaria shqiptare pati fatin të çlirohet nga vargonjtë në të njëjtën kohë kur në botë filloi era e internetit dhe në pak kohë ne patëm mundësinë të aplikojmë disa nga teknologjitë më të përparuara. Është e vërtetë që për shtypin, lindja e internetit solli disa rreziqe, por në anën tjetër solli edhe një mundësi të artë: krijimin e urave me lexuesit. Për fat të keq, forumet online të gazetave tona deri tani shërbejnë si shfryrje frustrimesh të lexuesve të ngeshëm dhe deri tani debati rreth dobisë së tyre është ndalur te kontrolli etik i postimeve. Pak është kapur pjesa e ndërveprimit, d.m.th që gazetat t’i përdorin këto kanale komunikimi për të njohur lexuesit e vet, për t’i bërë për vete ata. Numërohen me gishtat e njërës dorë gazetarët a përfaqësuesit e gazetave online që të ofrojnë shpjegim, koment a reagim ndaj lexuesve, duke dhënë vetë shembullin e një komunikimi qytetar të kulturuar dhe me vlerë. Me sa duket zbaviten teksa lexojnë lloj-lloj përçartjesh e denigrimesh për kundërshtarët politikë dhe ua çojnë para syve dhe lexuesve të tjerë. Një mundësi e shpërdoruar.

Pyetja kryesore që duhet t’i bëjnë vetes sot gazetarët është: për kë shkruan? Nëse përgjigjja të çon te lexuesi, po jo ai anonim masiv, po lexuesi me identikit të qartë, atëherë je në rrugë të mbarë. Nëse përgjigjja është e ndryshme, duhet të rishohësh modelin e biznesit pasi herët e vonë do të të nxjerrë në rrugë të madhe. Siç shihet, kjo nuk është çështje idealesh më, pra që media t’i shërbejë lexuesit, por një çështje e pastër biznesi. Nëse do që të blihesh, duhet të ofrosh një mall që të vlejë. Kanë filluar ta bëjnë në Itali. Revista “Donna moderna” ka vendosur që prej tetorit të vitit të shkuar të mos ketë në kopertinë modele, po vetëm gra të vërteta. Kjo është një strategji marketingu që i thotë lexuesit/es: ej, unë po shkruaj për ty, eja të shohësh se çfarë shkruaj. Një tjetër revistë në Britaninë e Madhe “Women and home” organizon forume me lexueset e veta, pritje, madje dhe klube leximi. U ofron rubrika ku mund të shkruajnë historitë e tyre, të ndajnë me të tjerët përvoja jetësore.

Vendosja e lexuesit në qendër, përveç kthimit në identitet, përveçse do ta shpëtojë gazetarinë e shkruar nga kriza, do të bëjë edhe një të mirë tjetër: do ta largojë nga axhenda bajate tejet e politizuar. Do të flitet për ata që e blejnë gazetën, jo për ata që kanë kohë që e kanë “blerë” gazetën dhe që në raport numerik janë disafish më pak se atyre që i drejtohet gazeta.

Dikush mund të thotë: “Po pse duhet të shqetësohemi ne për krizën e shtypit të shkruar? Është një problem i tyre”. Jo, kriza e shtypit të shkruar dhe medias në përgjithësi është problem i gjithë shoqërisë, sepse një segment i komunikimit masiv këputet ose nuk riformatohet më. Media, veç të tjerash, ka edhe funksionin e lidhjes së një shoqërie, sigurimit të një platforme diskutimi ku rrihen çështjet më të rëndësishme. Madje, mund të thuhet se shoqëria njerëzore e shpiku komunikimin masiv si një nevojë të brendshme për të komunikuar mes vedit. Një shoqëri që nuk komunikon, që nuk qarkullon informacion, është e destinuar të shpërbëhet shumë shpejt. Gazetat, media, informacioni janë dhe ura komunikimi që ndihmojnë kohezionin social, por për ta realizuar këtë duhet t’i shtiem në punë të dy shqisat: të folurit dhe të dëgjuarit. Koha fillon tani.

Botuar në gazetën “Shqip”, datë 03.02.2012


Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend