Më gjej një foto të bukur

14 Prill , 2013 • Etika dhe Cilësia • by

““Shekulli Online”, gazeta elektronike më e dashur e shqiptarëve në mbarë botën” – kështu hapej Shekulli para një jave, duke lajmëruar se faqja ka 95,000 vizitorë unikë çdo ditë, të cilët shfletojnë aty rreth 350,000 faqe. Shifra mbresëlënëse, për një media shqip, që të mbushin me ngazëllim.

Sikurse dihet, faqet online të gazetave janë multimediale – një pranëvënie tekstesh, fotosh, videosh dhe materialesh të tjera; të cilat synojnë njëkohësisht të tërheqin, të informojnë dhe të zbavitin lexuesin (vizitorin).

Për fat të keq, multimedialiteti i mediave elektronike shqip ka mbetur në nivel amatorial, madje foshnjor; duke u katandisur në një karikaturë të funksionalitetit të vet.

Për këtë mjafton të shohësh fotot që ofrohen aty përditë.

Fotoja në shtyp synon, sikurse dihet, jo vetëm të ilustrojë tekstin, por edhe t’i shtojë vërtetësi, në bazë të efektit fotografik që, së paku tradicionalisht, e përjashton dyshimin. Për këtë arsye, fotografia merr pjesë në gazetari, si medium dinjitoz dhe i pavarur, duke informuar njëlloj si teksti, ndonjëherë më mirë se teksti.

Për të gjithë ata konsumatorë të medias, të cilët nuk kanë qenë të pranishëm në ngjarjet e përcjella, fotoja është the next best thing, ose prova se “edhe ata mund të kishin qenë aty.”

Mirëpo asgjë e tillë nuk shohim të ndodhë me fotot e përdorura në mediat tona elektronike.

Po mjaftohem, në këto shënime të shpejta, me kronikën e zezë, e cila përcjell lajme për grabitje, vrasje, aksidente dhe arrestime gjithfarësh – të cilat dihet se një kategori lexuesish i konsumon me ëndje të madhe.

Për nga natyra e tyre, ngjarje të tilla nuk mund të lajmërohen paraprakisht (sikurse lajmërohet, bie fjala, një takim i kryeministrit me vreshtarët), prandaj fotografitë që do të shoqërojnë një vrasje, një vjedhje, një përdhunim ose një përplasje makinash në autostradë nuk mund të japin pamje të vrasjes, vjedhjes ose përplasjes vetë (me përjashtim të rastit kur këto pamje merren nga kamerat e sigurisë, p.sh. në banka).

Që këtej, autorët e lajmit duhet të vendosin se si ta përcjellin një lajm të tillë, me çfarë fotoje ose materiali tjetër vizual.

Për shembull, kur ndodh një përmbytje në Shkodër, mund të jepet një foto e Shkodrës së përmbytur; por jo një foto e një përmbytjeje të ngjashme në Sri Lanka ose Kili.

Kur ndodh një vrasje, mund të jepet një foto e viktimës; ose e konferencës për shtyp në selinë e policisë së krimeve.

Kur ndodh një përplasje e rëndë makinash, do të mjaftonte një foto e vendit të ngjarjes, me gjithë makinat e shkatërruara.

E kështu me radhë.

Të gjitha këto do të kërkonin një përpjekje ekstra, për të siguruar fotot përkatëse; përpjekje të cilat kërkojnë nga njëra anë kompetencë profesionale dhe nga ana tjetër shpenzime.

Duke gjykuar nga mënyra si e zgjidhin dilemën e fotove gazetat tona online, duket sikur mungojnë edhe fondet, edhe profesionalizmi, sa i përket fotove dhe në përgjithësi materialit vizual në faqe.

Si rregull, në mediat elektronike shqip fotot nuk përdoren për të informuar, por vetëm si klasifikatorë të lajmeve ose të teksteve në faqe; një funksion i ngjashëm me atë të çelësit të solit në një partiturë.

Lajmet për vrasje shoqërohen me foton e një thike, shpesh të përgjakur; lajmet për grabitje, me foton e një personi me maskë; lajmet për dhunë në familje, me foton e një femre gjysmë të zhveshur, mundësisht të rrëzuar përdhe; aksidentet automobilistike, me foton e një ambulance; dhe arrestimet, me foton e duarve të lidhura me pranga.

Ja një shembull tipik, i një fotoje të tillë, të nxjerrë mu në krye të gazetës elektronike më të dashur për shqiptarët në mbarë botën:

thika-krimi

Ky përdorim i mjetit fotografik është infantil, i denjë kushedi për një projekt nxënësi të tetëvjeçares ose një gazetë muri në një klub bojskautësh; por nga një media elektronike, që vizitohet tashmë prej mijëra e mijëra lexuesish, pritet shumë më tepër.

Çfarë e konfirmon përshtypjen time, është se të njëjtat foto të thikave, burrave me maskë, ambulancave dhe duarve të lidhura me pranga përcillen nga një lajm në tjetrin, nga një faqe në tjetrën dhe nga një gazetë në tjetrën; ngaqë kopjohen dorë më dorë, por edhe ngaqë vijnë nga një burim i vetëm i të ashtuquajturave stock photos, të gjetshme lehtësisht online.

Doemos, të gjesh foto të përshtatshme për çdo ngjarje nuk është kollaj; por jetojmë në një kohë kur të gjithë e kanë nga një celular me të cilin mund të shkrepin foto të çastit; dhe mediat elektronike mund të përfitojnë nga kjo kudogjendje kamerash digjitale, madje edhe pa ndonjë shpenzim marramendës.

Përndryshe, fotot stock, aq më tepër të përsëritura, e humbin funksionin e tyre si foto, madje edhe vetë natyrën e tyre si mesazhe vizuale, për t’u shndërruara në simbole ideografike, të ngjashme me hieroglifet kineze ose vizatimet në rebuse: në vend të pamjes së duarve në pranga, fare mirë mund të ishte shkruar fjala arrestim, kushedi me një font tjetër, më të spikatur, për të tërhequr vëmendjen.

Mirëpo një simbol ideografik nuk konsumohet njëlloj si fotoja; sepse këtë të fundit, ngaqë është unike me përkufizim (duke e përcjellë të përveçmen të pandërmjetësuar, d.m.th. jo tërthorazi si teksti gjuhësor) “e lexojmë” në detajet, ndërsa ideogramën në tërësinë e vet; dhe një foto stock, e zhveshur nga thelbi i saj vizual dhe e katandisur në një mveshje grafike të fjalës, është keqpërdorim ose abuzim me hapësirën e faqes – dhe me mirëbesimin e lexuesit; që kërkon të lexojë, bie fjala, për aksidentin e mbytjes së një peshkarexhe, dhe i del përpara fotoja e Titanikut, për më tepër e marrë nga filmi i Cameron-it…*

Shënim: nuk po ekzagjeroj; kohë më parë, kam ndeshur në një lajm për diçka që kish ndodhur në New York, të shoqëruar me një foto që, në fakt, ishte e kazinos New York në Las Vegas.

Botuar në blogun e analistit Ardian Vehbiu. Postuar nga Xha Xhai. Linku i shkrimit në origjinal: http://xhaxhai.wordpress.com/2013/04/13/me-gjej-nje-foto-te-bukur/

 

Send this to a friend