Pasojat e krizës së mediave gjeneraliste

30 Nëntor , 2011 • Menaxhimi i Redaksisë • by

Mediat gjeneraliste kanë sjellë një homogjenizim të informacionit. Të njëjtat përmbajtje klonohen dhe botohen gjithandej. Një mundësi për të dalë nga kriza mund të ishin mediat e specializuara, pasi nga njëra anë do të shpëtohej cilësia e informacionit, nga ana tjetër vetë mediat do të fitonin në pavarësi dhe financa.   

Dikush mund të pyeste: E çfarë na duhet kjo gjë? Agjencitë mediatike janë përgjithësisht private, prandaj i dalin vetë për zot sipërmarrjes së tyre. Por, në fakt, kushdo që do të mendonte në këtë mënyrë do ta kishte parë çështjen shumë sipërfaqshëm. Vështirësitë ekonomike që prekin agjencitë e komunikimit masiv në fakt kanë pasoja mbi të gjithë shoqërinë dhe opinionin publik të saj. Si të jetë cilësia e informacionit publik ashtu është edhe shkalla e informimit të qytetarëve për politikën, çështjet me interes publik, realitetin ndërkombëtar, gjendjen ekonomike të vendit etj. Mbi të gjitha, tani në prag të fushatës së zgjedhjeve të 8 Majit të ardhshëm, cilësia e mediave ndikon fuqishëm si mbi vetë fushatën elektorale, mbi objektivitetin e mediave, ashtu edhe mbi klimën e përgjithshme të opinionit publik të vendit.

Në një analizë klasike mbi prirjet e evoluimit të mediave, kryesisht të shtypit të shkruar, por që mund të shtrihet edhe mbi mediat audiovizive, Robert Era Park, një sociolog i famshëm amerikan i gjysmës së parë të shekullit të kaluar, hidhte hipotezën se historia e mediave masive nuk i ngjan një lëvizjeje kaotike. Ajo ka fazat e veta përkatëse të evoluimit dhe përgjithësisht i respekton ato, pavarësisht konteksteve të ndryshme historike.

Fillimisht lindën gazetat që u quajtën një gazetë – një njeri. Përgjatë periudhës së Rilindjes Europiane ato ishin ca fletë të shkruara me shkrim dore dhe që botoheshin nga individë të veçantë të apasionuar pas informacionit. Vetë ata mblidhnin të rejat e ditës nëpër qytet, vetë ata i hidhnin në letër, dhe po vetë ishin që i shpërndanin nëpër dyert e fisnikëve apo të pasurve që kishin nevojë dhe dëshirë të njihnin informacionet mbi atë që ndodhte në qytet. Më pas, lind shtypi politik, ku gazetari edhe i shkruan fjalimet deputetit apo parlamentarit, por edhe relaton për publikun të rejat politike. Shtypi varet nga persona politikë të fuqishëm dhe gjithçka e informon në shërbim të interesave të tyre. Më pas, ky lloj shtypi i politizuar dhe politik ndien se audienca e tij është shumë e ngushtë. Lindin mediat e shkruara të pavarura.

Këto tri etapa, që vendeve të ndryshme perëndimore u është dashur një kohë e gjatë për t’i kaluar, ndofta shekuj, brenda këtyre njëzet viteve mediave tona iu desh t’i kapërcenin me vrull djaloshar dhe me kapërcime të shpejta. Shtypi dhe mediat e varura nga partitë politike në mënyrë pronësore apo institucionale e mbyllën kapitullin e tyre qysh pas mesit të viteve ’90 të shekullit të kaluar.

Por, Robert Ezra Park flet edhe për një fazë të katërt, që mesa duket mediat tona nuk po e kapërcejnë ende dot. Ai fliste që edhe brenda kuadrit të mediave të pavarura vihet re një frenim me kalimin e kohës. Numri i titujve rritet drejt një pafundësie, kurse audienca nuk rritet me këto ritme. Duke qenë se mediat e shkruara janë gjeneraliste, ato transmetojnë të njëjtin informacion të përgjithshëm. Në mos të njëjtin, pak a shumë të njëjtin. Interesi për mediat bie.

Në këtë mënyrë, për t’i shpëtuar krizës, ato nisën ta ndajnë tregun, duke krijuar mediat e profiluara, me tematikë të specializuar dhe që i drejtohen publikeve të veçantë, me interesa dhe vëmendje sociale të specializuar. Duke ndarë tregun sipas profileve, mediat i shpëtuan disi saturimit të tregut të informacionit.

Mediat tona nuk po e kapërcejnë dot aq shpejt sa duhet këtë fazë të tretë. Mjafton të dëgjosh pasqyrën e shtypit në televizion për çdo mëngjes dhe sheh se sidomos aspekti informativ është i njëjtë për pothuajse çdo gazetë, pastaj edhe për çdo emision televiziv lajmesh. Është fati i mediave të përgjithshme i tillë. Një mik më thoshte se në të vërtetë ka shumë tituj gazetash në kioskat e shitjes, por, sipas përshtypjes së tij, mjafton të blesh njërën prej tyre dhe e merr informacionin e përgjithshëm që ka secila prej tyre. Nuk është thjesht një mbresë subjektive kjo e mikut tim. Mund të ndërtohen diagrame me statistika që e vërtetojnë këtë homogjenizim të informacionit në mediat gjeneraliste. Një gazetë apo një emision televiziv lajmesh klonohet dhe riprodhohet njësoj gjithandej.

Çfarë pasojash sjell kjo gjendje në cilësinë e informacionit dhe në funksionimin e industrisë të mediave?

Titujt shtohen gjithnjë më shumë, kurse audienca ose mbetet po ajo ose zvogëlohet, sepse bëhet e pakënaqur nga cilësia e informacionit. Shitja e mallit informacion gjen një treg gjithmonë e më të vogël. Pra, të ardhurat për agjencitë e shtypit bien. Ka më pak mundësi për të paguar kërkimin e informacionit, pra gazetarët. Në këtë mënyrë, shpesh zbriten nga interneti lajme. Ka pak mbulim të territorit me lajme. Investigimi bëhet pothuajse i pamundur. Kurse mediat kërkojnë gjithmonë e më shumë të bëhen instrumente reklame ose kërkojnë të hyjnë në sqetullën e influencave politike apo të shtetit. Kuptohet pastaj se edhe informacioni nuk do të ishte cilësor për të kënaqur nevojën për informim të saktë të publikut, por thjesht për të përcjellë mesazhe në një masë të madhe të veshura me një dimension të fortë politik.

Nga kjo gjendje qytetarët ndiejnë se nuk kanë më atë interes të dikurshëm për median.

Media ikën nga ana e qytetarit dhe merr më shumë anën e politikës dhe të administratave. Gjuha politike bëhet mbizotëruese, sepse është kodi më i thjeshtë për t’u shprehur dhe që kuptohet nga të gjithë.

Duke mos pasur shumë mundësi për ta kënaqur kuriozitetin intelektual të qytetarit, media i kthehet zakonit të vet të paevitueshëm, kronikës së zezë. Lajmi i mirë është lajmi i keq. Vrasjet, vjedhjet, aksidentet, arrestimet, plagosjet, sharjet mes deputetëve, ligjërimet e hidhëta mes zëdhënësve, sherret parlamentare bëhen, në një farë mënyre, çarqet ku kapet lexuesi për t’i ngjallur paksa interes për të blerë gazetën apo për të dëgjuar dhe parë emisionin e lajmeve. Numri i gjerë i audiencës nuk duhet aq shumë për të shtuar të ardhurat në kasën e agjencisë mediatike, por për t’u treguar klientëve që dëshirojnë të botojnë a transmetojnë reklama se sa mund të bjerë në kontakt audienca me atë reklamë. Lexuesi është bërë thjesht tregues efikasiteti financiar për klientin që ka blerë hapësirë botuese apo kohë televizive për të transmetuar reklama.

Mbi nëntëdhjetë për qind e lajmeve të para janë kësisoj negative dhe secili prej tyre ripërsëritet me dhjetëra e dhjetëra herë në ditë nga dhjetëra gazeta e transmetime televizive çdo ditë. Pllakos depresioni dhe frustrimi, sepse nga mëngjesi në ditë lexuesi apo telespektatori bombardohet me lajme dramatike. Shpërthime bërthamore, bombardime, tërmete, vrasje, cuname, tanke nëpër sheshe të botës, hakmarrje, arrestime etj. Ndërgjegjja kolektive mësohet me standardet e agresivitetit dhe i duhet të përballet me frikën dhe pasigurinë kolektive që ky lloj informacioni gjeneralist prodhon. Vetë individi priret nga agresiviteti, pesimizmi dhe deprimohet.

Kuptohet pastaj se cilat marrëdhënie mes njerëzve ky lloj informacioni mbizotërues stimulon.

Ka ardhur koha e fazës së katërt, mediave të specializuara, që shohin drejt publikeve të specializuara. Kështu do të shpëtonte edhe cilësia e informacionit, edhe do të lehtësohej dhuna psikologjike e përditshme mbi publikun, por edhe vetë mediat do të fitonin në pavarësi dhe financa. Robert Ezra Park e ka parashikuar para 100 vjetësh.

Botuar në gazetën “Mapo”

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend