UGSH: Gazetarët si komunitet kundër informalitetit alarmant të medias

13 Nëntor , 2012 • Liria e medias, Menaxhimi i Redaksisë • by

Ndërkohë që nga gazetarët kërkohet që ata të informojnë me profesionalizëm dhe në mënyrë të paanshme, kushtet në të cilat ata punojnë lënë shumë për të dëshiruar.

Në një deklaratë të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) më datën 11 nëntor 2012 denoncohet praktika e mospagesës mujore të gazetarëve. Kryetari i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa e konsideron këtë gjendje “alarmante”. Sipas tij “nga 25 gazeta të përditshme, në 20 prej tyre ripërsëriten vonesat e pagave mujore dhe në shumicën e tyre ka vonesa pagash që tejkalojnë dy muaj. Ndërkohë që nga 18 televizione në 17 prej tyre vonesat e pagave për stafet dhe gazetarët në veçanti vonojnë përsëritshëm nga dy e tre muaj”.

Ndërkohë që gazetarët janë të disfavorizuar edhe përsa i përket kontratave të punës, të cilat nuk respektohen nga punëdhënësit. UGSH është shprehur edhe herë të tjera për këtë problematikë të nxehtë, por kësaj radhe duket se gjendja është nga më e rënduar se kurrë më parë. Dhe për herë të parë janë gazetarët vetë që kanë nisur të reagojnë. Siç thotë Çipa, “pranë zyrës së Unionit dhe në degët e qarqeve, gjatë tre muajve të fundit janë shtuar ankesat dhe denoncimet e gazetarëve për pronarë dhe administratorë, të cilët jo vetëm që nuk u kanë paguar pagesat e vonuara, por vijojnë t’i rëndojnë psikologjikisht në rrethanat e një mjedisi ku mungesat financiare nuk rëndojnë vetëm te pagat, por edhe te mungesa e kushteve të punës, infrastrukturës dhe mjeteve logjistike të nevojshme.”

UGSH deklaron se pjesë e këtij realiteti janë si mediat pro ashtu edhe ato kundër qeverisë, duke marrë të nënkuptuar se media dhe politika në Shqipëri vazhdojnë të jenë të lidhura fort me njëra-tjetrën.
Nga ana tjetër, realiteti rëndohet më tepër kur media tëfalimentuara tashmë, si gazeta dhe televizione, vazhdojnë të mashtrojnë gazetarët për pagat, shpesh i përzënë ata dhe i zëvendësojnë në mënyrën më të paskrupullt me studentë dhe praktikantë. Unioni shpreh shqetësimin se kjo situatë alarmante “po varfëron dhe ndëshkon cilësinë e mediave të vendit, diskriminon gazetarët me përvojë dhe me cilësi profesionale, deformon tmerrësisht skenën mediatike të vendit dhe e klasifikon Shqipërinë ndër vendet e Europës me nivelin më të lartë të informalitetit në media”.

Si rrugëzgjidhje Çipa sheh vetëm denoncimin e këtij fenomeni si komunitet. “Gazetarët duhet të denoncojnë me kurajë”, thotë ai, “të gjitha rastet e shkeljes së të drejtës së gazetarëve për të pasur pagesa korrekte mujore dhe një kontratë punësimi të vlefshme nga punëdhënësit e mediave në vend”. Po ashtu UGSH i bën apel edhe institucioneve ligjore si Ministria e Punës, Inspektoriati i Punës, Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave dhe OSBE-së qëtë reagojnë në kohë për ndryshimin e kësaj gjendjeje skandaloze,për të mos rënë në situatën e medias në fillim të viteve 1990.

 

Tags:, ,

Send this to a friend