Revolucioni i tabletit

2 Qershor , 2012 • Mediat e Reja • by

A do të sjellin kompjuterat tablet zgjidhjen e shumëpritur për krizën financiare të gazetave?

Me statistikat e reja që tregojnë se përdorimi i kompjuterave tablet promovon konsumimin e lajmeve, stabilizimi i të ardhurave përmes ofrimit me pagesë të lajmit duket të jetë një ndërmarrje e vështirë për botuesit e gazetave.

Duke qënë pjesë e një studimi të ri të organizuar nga The Pew Center’s Project for Excellence in Journalism në bashkëpunim me The Economist Group, studjuesit Amy Mitchell, Leah Christian, dhe Tom Rosenstiel morën në analizë përdoruesit e pajisjeve dhe aplikacioneve të reja, në një përpjekje për të kërkuar zgjidhje për rënien e kohëve të fundit të industrisë së lajmit.

Studimi i titulluar “Revolucioni i tabletit dhe domethënia e tij për të ardhmen e lajmit” (“The tablet revolution and what it means for the future of news,”) paraqet interes për menaxherët e medias, sidomos pas suksesit të kohëve të fundit të iPad-it dhe ndikimit të tij në rritjen e konsumit të lajmeve. Kompjuterat tablet janë pritur me entuziazëm nga përdoruesit, duke siguruar një penetrim prej 11 % të popullsisë në tregun e SHBA gjatë vitit 2011. Sipas studimit, leximi i lajmeve tek përdoruesit e iPad zë vendin e dytë pas eksplorimit në përgjithësi të internetit.

Përdoruesit e tabletëve janë, më së shumti, të moshës 30 deri 40 vjeç, kanë të ardhura të larta, kanë punë me kohë të plotë dhe raportohet se konsumojnë më shumë lajme pas blerjes së një pajisjeje të tipit tablet. Përpos këtyre, përdoruesit e tabletëve preferojnë më shumë  të lexojnë apo dëgjojnë lajme se sa t’i shohim ato në video dhe janë njëlloj të interesuar si për lajmet me pak fjalë edhe për artikujt e gjatë.

Pavarësisht se përdoruesit e tabletëve paraqesin  interes në përgjithësi për menaxherët e medias së shkruar, pjesa më e rëndësishme për ta janë konsumatorët që paguajnë për të lexuar lajmet. Nga numri i përgjithshëm prej 11 % e popullsisë i përdoruesve të tabletëve, 53 % e tyre konsumojnë çdo ditë lajme, 14 % paguajnë drejtpërdrejt për të patur lajmet në tabletin e tyre dhe 23 përqind paguajnë në mënyrë të tërthortë përmes abonimit në gazetat e printuara. Megjithatë, edhe pse ka njëlloj rritjeje të dëshirës për të paguar, përsëri përdoruesit e tabletëve parapëlqejnë që të shkarkojnë dhe të lexojnë atë lëndë që ofrohet falas.

Konsumatorët që shpenzojnë për të blerë aplikime dhe pajisje të reja janë të ngjashëm me përdoruesit tipikë të tabletëve. Të konsideruar si konsumatorë potencialë të lajmit, ata janë më së shumti liberalë politikisht, kanë të ardhura dhe edukim mbi mesataren dhe janë të etur për të mësuar dhe për të eksploruar pajisjet e reja të medias. Ajo që i bën unikë dhe tërheqës për menaxherët e medias këta konsumatorë, është dëshira e tyre për të paguar për aplikimet kompjuterike dhe për abonimet.

Në studim analizohet edhe hyrja në treg gjatë kohëve të fundit e tabletëve më të lirë dhe rënia e çmimit për iPad 2. Me evoluimin e teknologjisë, konsumatorët do të nxiten edhe më shumë për të hyrë në tregun e tabletëve dhe menaxherët e medias do të nxiten më shumë për të investuar për aplikimet kompjuterike të lajmit. Duke patur në konsideratë këtë hipotezë, koha mbetet një faktor i rëndësishëm dhe gazetat online duhet të bëjnë durim derisa të arrihet që shumica e përdoruesve të paguajnë për lajmet që lexojnë.

Shpërndarja e lajmit falas ka patur një ndikim shkatërrues në treg, por tashmë ka ardhur koha për industrinë e lajmit që të ri-ndërgjegjësojë lexuesit e vet lidhur me vlerën e gazetarisë cilësore. Duke krijuar stimuj për konsumatorët që të paguajnë për atë që kurrë nuk ka qënë falas, përmes cilësisë dhe strategjisë korporative të komunikimit duhet shkuar gjithnjë e më shumë tek konsumatori që paguan.

Marrë me shkurtime nga faqja e EJO në anglisht. Linku i origjinalit:

http://en.ejo.ch/4785/new_media/the-tablet-revolution

 

Send this to a friend