Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian u bënë thirrje platformave sociale, si Facebook, Twitter e Google, që “t’i rrisin përpjekjet” për të trajtuar keqinformacionet në lidhje me koronavirusin. Nënpresidentja e Komisionit Evropian, Vera Jourova, kërkoi nga gjigantët e internetit që të ofrojnë raporte mujore për mënyrën se si po i frenojnë lajmet e rreme dhe përpjekjet e grupeve të huaja për të dobësuar masat e shëndetit në Evropë.
“Dezinformimi nuk dëmton vetëm shëndetin e demokracive tona, por dëmton edhe shëndetin e qytetarëve tanë”, tha ajo në një konferencë për media në Bruksel. Komisioni këmbëngul se “aktorët e huaj dhe disa vende të treta, veçanërisht Rusia dhe Kina, janë angazhuar në operacione dhe fushata dezinformuese në BE”, tha Jourova, por pa dhënë më shumë detaje.
Bashkimi Evropian, disa herë, ka paralajmëruar për përpjekjet e aktorëve të huaj, sidomos Rusisë dhe Kinës, për të ndikuar qytetarët përmes fushatave të dezinformimit. Jourova i vlerësoi gjigantët digjitalë amerikanë që kanë rënë dakord për një kontroll shtesë, që synon të ndalojë përhapjen e dezinformatave të lidhura me koronavirusin, por tha se ky është vetëm hapi i parë dhe se “ka hapësirë për përmirësim”. “Ata duhet të ofrojnë më shumë prova se masat që kanë marrë janë duke funksionuar”, tha Jourova.
Burimi: https://www.rtsh.al/lajme/be-kerkon-me-shume-llogari-nga-gjigantet-e-internetit-per-lajmet-e-rreme/
Tags:BE, fake news, Mediat sociale, pandemia