Gazetarët themelojnë Aleancën për Media Etike

12 Shkurt , 2020 • Etika dhe Cilësia, Kryesoret, Shkrimet më të fundit • by

Gazetarët sot në Shqipëri kanë ndërmarrë një nismë të rëndësishme me nënshkrimin e një marrëveshjeje për të krijuar të parën platformë vetë-rregulluese të medias.

Kjo marrëveshje vjen si rezultat i një pune të gjatë mes gazetarëve, Këshillit të Medias Shqiptare dhe me kontributin e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, UNESCO-s dhe Ambasadës së Hollandës. Në total 19 portale mediash e nënshkruan sot Memorandumin e Mirëkuptimit, duke krijuar kështu Aleancën për Median Etike.

Memorandumi ka për qëllim të promovojë dhe sigurojë standardet e etikës në gazetari, si dhe vjen si përgjigje ndaj “paketës anti-shpifje” e propozuar dhe miratuar nga qeveria.

Aleanca do të krijojë një grup portalesh dhe gazetarë që respektojnë Kodin e Etikës së Gazetarëve dhe nenin 80 të Ligjit 35/2016. Aleanca gjithashtu do të krijojë një bord të pavarur i cili do të marrë vendime për ankesat e qytetarëve dhe do të koordinojë aktivitetet për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve, mediave dhe fjalës së lirë.

Secila media anëtare e Aleancës do të shfaqë logon e saj në faqet e internetit dhe nëse një qytetar ka një ankesë për ndonjë shkrim, thjehst me një klikim mbi logo, do të mund të shkojnë drejtpërdrejt në një platformë ankesash. Ankesat më pas do të shqyrtohen nga bordi, i cili dhe do të marrë vendim. Anëtarëve të Aleancës u kërkohet të pranojnë vendimet e bordit, dhe nëse qytetari nuk është ende i kënaqur me rezultatin ose portali nuk pranon të bashkëpunojë, atëherë ata mund të ankohen në gjykatë.

Një pjesë tjetër kryesore e aktiviteteve të Aleancës do të jetë dhe dhënia fund e praktikës së kopjimit të artikujve dhe shkeljes së të drejtës së autorit. Anëtarët bien dakord të respektojnë të drejtat e autorit të të tjerëve dhe të heqin përmbajtjen e cila është marrë pa leje. Mosrespektimi mund të rezultojë në veprim juridik nga Këshilli i Medias Shqiptare.

Aleanca është e hapur për të gjitha mediat në Shqipëri që njohin dhe respektojnë rregullat e Aleancës, ligjin dhe Kodin e Etikës. Anëtarët e Aleancës do të ketë dhe përfitime, mes të cilave dhe fondet për forcimin dhe zhvillimin e zyrave të lajmeve dhe aftësive të gazetarëve.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca mbajti një fjalim të gjatë gjatë së cilës përsëriti qëndrimin e BE-së – se vetë-rregullimi është mënyra e preferuar për rregullimin e medias dhe se qeveria shqiptare duhet të përafrohet me udhëzimet e BE-së dhe KiE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Ai gjithashtu ngriti një sërë shqetësimesh në lidhje me lirinë e mediave në vend, përfshirë presionin politik dhe ekonomik, mungesën e transparencës, kushtet e këqija të punës për gazetarët dhe çështjet e mungesës së pluralizmit.

Ai shtoi se BE-ja mbështet plotësisht Aleancën dhe se përfshirja e kaq shumë portaleve jep një sinjal të fortë se ka gazetarë që kujdesen për profesionalizmin, median e lirë dhe lirinë e fjalës.

Soreca siguroi të pranishmit se zyra e tij do të ishte “shumë e zëshme në javët në vijim” pas mendimit të Komisionit të Venecias për paketën anti-shpifje, dhe hapat e mëtejshëm të qeverisë.

Adeline Hulin nga Divizioni i Lirisë së Shprehjes së UNESCO-s deklaroi se nisma nuk ka të bëjë me promovimin e gazetarisë etike, por thjesht gazetarinë sepse pa etikë nuk mund të jesh gazetar.

“Media që nuk është etike nuk është gazetari, por është thjesht reklamim ose PR”, tha ajo.

“Çdokush mund të pretendojë të jetë një gazetar, kjo ka të bëjë me ndarjen e asaj që është gazetari dhe çfarë jo”, shtoi ajo.

Ambasadorja e Hollandës në Shqipëri Guusje Korthals Altes përsëriti mbështetjen e vendit të saj për përmirësimin e lirisë së mediave dhe etikës në Shqipëri dhe i dha mbështetje të plotë Aleancës.

Mes nënshkruesve dhe themeluesve të Aleancës janë Exit.al, të dyja redaksitë, si në shqip, ashtu dhe në anglisht, Ora News dhe ORA TV ,Lapsi.al, Citizens Channel, Dita.al, Dosja, al, Faktoje.com, Liberale.al, Politiko. al, etj. ndër të tjera.

 

————————–

Burimi: https://exit.al/2020/02/gazetaret-themelojne-aleancen-per-media-etike/

Tags:, ,

Send this to a friend