Maoizimi i informacionit

10 Gusht , 2016 • Kryesoret, Profesionalizmi në media, Shkrimet më të fundit • by

Nga Ardian Vehbiu.

Ka qenë një kohë, në Shqipëri por edhe gjetiu – dhe ca prej nesh e mbajnë mend mirë – kur televizioni shtetëror kish një kanal vetëm; dhe të vetmet opsione ishin “çoje te Tirana”, ”çoje te italiani” dhe “çoje te sllavi” (kjo ishte edhe koha kur duhej të ngriheshe në këmbë dhe t’i afroheshe televizorit për ta ndërruar kanalin; në kuptimin që ata prej nesh që mërziteshin lehtë, mund të bënin edhe pak gjimnastikë). Ka qenë një kohë, pra, kur burimet e informacionit ishin të pakta, edhe pse jo gjithnjë të sakta.

Më vonë, si shumë prej nesh e mbajnë mend, lulëzuan njëqind lulet e Maos edhe pse larg Maos dhe eteri u mbush me opsione dhe u duk sikur informacioni televiziv “u pluralizua”, duke i ofruar nga pak gjithsekujt, ose duke e realizuar lirinë e informacionit në formën e lirisë së tregut.

Gjatë atyre viteve të relativizimit moral ekstrem, kur dikush guxonte të ngrihej dhe të kritikonte, duke vënë në dukje se ky apo ai kanal po e tepronin me soft porn, me bëma celebritetesh, me hipizëm a me transmetime shumë-orëshe drejtpërdrejt nga Vatikani, gjithnjë do të dilte dikush tjetër dhe do t’i shpjegonte se ky i pakënaqur thjesht mund të ndërronte kanalin, madje pa i lodhur as gjunjët, sepse bashkë me tregun e lirë ia mbërriti edhe telekomanda, ose teknologjia simbol e “lirisë” për të zgjedhur.

Kësisoj, çdo konsumator i informacionit mund ta zgjidhte lirisht parajsën ose ferrin se ku do të informohej a do të zbavitej.

Por sot po duket sikur edhe këtë fazë të “biodiversitetit” informacional dhe mass-mediatik e kemi kapërcyer me sukses dhe për shkak të kapjes së mediave nga politika, ose kapjes së politikës nga mediat; por edhe ngaqë Interneti dhe uebi ua kanë shterrur mediave tradicionale financat, kanalet mund të kenë mbetur vërtet të shumta, por informacioni që ato ofrojnë është konsoliduar dhe njëjtësuar, ose  homologuar.

Shpesh i shkreti konsumator e ka të vështirë ta kuptojë se ka ndërruar vërtet kanal, ose ka kaluar vërtet nga një faqe ueb në tjetrën; sepse e përshëndesin nga ekrani të njëjtat fytyra politikanësh, të njëjtat syze analistësh, të njëjtat bøthë, të njëjtat (pseudo-)lajme dhe të njëjtët emra. Edhe kur mediat sigurojnë pamjet ose  footage  “ekskluzive” për një aksident ose krim – zakonisht nga kamerat e përgjimit – këto pamje ose filmime, që përcjellin makabren teksa kultivojnë voyeurism-in bedel, kalojnë kaq lirisht nga një TV në tjetrin dhe nga një faqe ueb në tjetrën, sa vetë fjala “ekskluzive” merr kuptimin  merre dhe shpërndaje .

Përballë këtij bombardimi informacional me të njëjtën lloj bombe, edhe argumenti i vjetër libertarian, se “mjafton të ndërrosh kanal” nuk funksionon më; sepse ti mund ta ndërrosh kanalin, por kanali nuk të ndërron ty. Njëqind lulet mbase janë duke lulëzuar vërtet, por po bëhet fjalë, çdo ditë e më tepër, për të njëjtin lloj luleje (së cilës ne i kemi pasë thënë “lule gomari” në fëmijëri).

I vetmi opsion që i ka mbetur tanimë konsumatorit është ta fikë ekranin – të televizionit ose të uebit; ose ta anulojë veten si konsumator informacioni; çfarë nuk do të ishte fundi i botës, por edhe do të tingëllonte kundërproduktive si këshillë, kur vjen nga vetë producentët e mediave, në përgjigje të kritikave që u vijnë për amoralitet.

Burimi: https://peizazhe.com/2016/07/29/maoizimi-i-informacionit/

 

Print Friendly, PDF & Email

Tags:,

Send this to a friend