Rritja e Snapchat si një platformë gazetarie

20 Qershor , 2016 • Kryesoret, Mediat e Reja, Shkrimet më të fundit • by

Nga Philip Di Salvo.

Në debatin për gazetarinë, Snapchat është “personazhi” kryesor i padiskutueshëm i vitit 2016. Kjo platformë është në qendër të vëmendjes së gazetarëve, botuesve dhe të industrisë dhe, pasi njohu shpërthimin e vet si platforma e parë për grupmoshat e reja në 2011, tashmë po fiton një rol të rëndësishëm edhe si një kanal shpërndarjeje i gazetarisë. Snapchat iu mundëson përdoruesve të dërgojnë përmbajtje të shkurtra dhe të menjëhershme, kryesisht video ose klipe (që zhduken brenda 24 orëve) nëpër chat-et private të përdoruesve të zgjedhur ose tek i gjithë grupi i miqve të dikujt.

Ishte pikërisht ky përdorim i ri si kanal shpërndarjeje që zgjoi interesin e kompanive të medias, të cilat panë një mundësi të re për të arritur me lehtësi 100 milion përdorues aktivë të përditshëm, të cilët shohin më shumë se 10 miliard video nga celularët e tyre. Disa media të lajmit në SHBA kanë filluar të eksperimentojnë me Snapchat: NPR, Fusion, The Verge, së bashku me media të tjera tradicionale si New York Times dhe Wall Street Journal, tashmë e përdorin Snapchat-in rregullisht. Në Itali adoptuesja e parë e aplikacionit ishte Corriere della Sera, e cila publikoi raportimin e vet për ndeshjen finale të Champions League përmes këtij aplikacioni. Shpërndarja e lajmeve përmes Snapchat deri tani përfshin transmetimin live të videove, mikro-intervista si dhe komente për lajme ditore në format vizual. Rezultatet në lidhje me përfshirjen në përgjithësi janë shumë të mira dhe mund t’i ndihmojnë kompanitë e lajmeve që të rrisin ndërgjegjësimin mes brezave të millieniumit, vëmendja e të cilëve është e vështirë për t’u kapur. Gjithsesi problemi përsëri është se si mund të krijohen të ardhura nga kjo  lloj përmbajtje, edhe pse rritja e Snapchat  duket të jetë më e madhe se rritja e Facebook, Twitter si dhe e gjigandëve të tjerë high-tech.

Snapchat është platformë me rritje të shpejtë dhe një mjedis ekskluziv mobil ndërkohë që celulari është një obsesion tjetër i botuesve sot. Nga ky pikëvështrim, Snapchat është një parajsë për ato marka që kërkojnë hapësira të sukseshme për reklamat e tyre. Për to, Snapchat ofron të paktën 3 gjëra: një bazë për tek përdoruesit e rinj, mundësi për t’i arritur ata përmes një kanali të preferuar dhe shansin për të punuar me formate të reja mobile-friendly. Sekreti më i fundit i suksesit të Snapchat mund të jetë funksioni i tij Discover, ku disa partnerë të përzgjedhur të medias ndërkombëtare, si CNN, Vie, BuzzFeed dhe National Geographic, mund të publikojnë përmbajtje direkt në Snapchat, duke përfituar nga shumë funksione përshtatjeje dhe opsione dizajni.

Përtej këtyre mundësive të rritjes dhe të krijimit të të ardhurave, Discover duket se është në një pozicion më të mirë sesa konkurentët e tij edhe për një arsye tjetër: ai po bazohet fort tek potencialet e formatit, tek videoja vertikale, që është pa dyshim më efikase në celularë dhe po krijon një standard të ri lajmesh të bazuar në të. Të tjerët duhet të përshtaten në mënyrë të pashmangshme me të. Një pjesë e mirë e gazetarisë së vitit që vjen do të jetë patjetër e ndikuar nga Snapchat dhe kjo duket të jetë e konfirmuar nga një lajm i fundit: vetë Snapchat po punëson gazetarë që punojnë nga shtëpia. Plani? Të mbulojnë zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA me video, emoje dhe “snaps”.
Marrë nga EJO në italisht

Foto kredit:  gda / Flickr CC

Tags:, , ,

Send this to a friend