Rast studimor: Ç’thonë lexuesit për komentet online?

9 Shkurt , 2016 • Menaxhimi i Redaksisë, Shkrimet më të fundit • by

1908392678_292c8c770d_o-362x320Nga Marisa Torres da Silva.

Lexuesit kanë një perceptim shumë negativ për komentet në lajmet online dhe një model moderimi bashkëpunues mund të forcojë marrëdhëniet mes vetë përdoruesve. Këto ishin konkluzionet kryesore të dala nga një studim që fokusohej në komentet online të botuara në një websajt portugez lajmesh.

Komentet online janë padyshim zhanri më i përdorur nga audienca pjesëmarrëse në websajtet kryesore të lajmeve, duke iu dhënë kështu lexuesve një medium për të shprehur opinionet e tyre lidhur me çështjet që shqetësojnë publikun.

Por pavarësisht nga popullariteti dhe mundësitë për përfshirje të qytetarëve, komentet online paraqesin sfida komplekse për mediat, siç dëshmohet edhe nga shumë kërkime empirike akademike. Gjithsesi, shqetësimet për cilësinë e diskursit (nga banaliteti tek gjuha e urrejtjes) apo për anonimitetin e përdoruesve online, shpesh lidhen me mungesën e burimeve ekonomike apo njerëzore që do të bënin të mundur që redaksitë të menaxhonin pjesëmarrjen e audiencës në një mënyrë më intensive dhe më efektive.

Mungesa e strategjive unanime dhe të qëndrueshme për punën me komentet është ndoshta thembra e Akilit në këtë çështje. Ndërkohë mediat kanë eksperimentuar përmes provave apo gabimeve opsione të ndryshme moderimi, përfshi edhe marrjen e vendimeve radikale, si mbylljen e komenteve online apo zhvendosjen e tyre në Facebook.

Nëse redaksitë vendosin që t’i mbajnë komentet, qasjet menaxhuese mund të ishin: ajo vigjilente (gazetarët moderojnë paraprakisht ose shqyrtojnë çdo koment përpara botimit), e çlirët (kur gazetarët ndërhyjnë vetën në rastet e ankesave) ose qasja më e decentralizuar dhe mikse që nënkupton një moderim bashkëpunues i cili përfshin edhe përdoruesit në proces.

Një nga gazetat më të njohura portugeze, Publico, vendosi të aplikojë moderimin bashkëpunues në Nëntor 2012. Bazuar në sasinë e pikëve që marrin ose humbasin, përdoruesit mund të kenë statuset “fillestar”, “influent”, “me eksperiencë” dhe në fund “moderator”, duke bërë moderimin bashkë me menaxherin e komunitetit në gazetë. Para këtij sistemi që po përdoret tani, për një vit e gjysmë, Público kishte një ekip redaktorësh-gazetarësh me detyrën e vlerësimit të komenteve para publikimit, por deri në Mars 2011, komentet e lexuesve publikoheshin automatikisht. Ndryshimet në strategjitë e moderimit nuk janë praktikë vetëm e kësaj kësaj gazete, pasi shumë redaksi në te gjithë botën po përpiqen të harmonizojnë tensionin mes lirisë së shprehjes dhe mbrojtes nga komentet abuzive.

Rasti studimor i ndërmarrë pati si qëllim që të shohë edhe “anën tjetër” të komenteve online, përmes shqyrtimit të një zinxhiri komentesh të një forumi që ishin postuar në një shkrim të Publico të datës 16 Nëntor 2013 [1], duke krijuar një mundësi unike për të shqyrtuar edhe pikëpamjet e lexuesve lidhur me këto komente. Artikulli fokusohej specifikisht në çështjen e komenteve online, konkretisht në praktikat e moderimit, duke ofruar si burime edhe artikuj akademikë, artikuj të medias apo analiza të ndryshme. Artikulli u botua si pjesë e një serie artikujsh për të ardhmen e gazetarisë, të cilat përshpejtuan edhe një vendim të Publico për të aplikuar një pagesë pas leximit të një numri të caktuar artikujsh në websajt.

Analiza e përmbajtjes dhe ajo tematike e zinxhirit të komenteve për këtë artikull (gjithsej 90 postime) nxori në pah se shumica e përdoruesve vinin në dukje “anën e errët” të komenteve online. Edhe pse njihnin disa mundësi dhe përparësi në këtë hapësirë (përkatësisht zgjerimi i pluralizmit të opinioneve dhe të debatit publik si dhe vlera e shtuar për gazetarinë), shumica e lexuesve  vërenin edhe problemet që komentuesit vetë krijojnë në forumin e diskutimit – sidomos përsa i përket fyerjeve dhe dëshirës për të qenë në qendër të vëmendjes, agresivitetit, dhunimit të normave të publikimit apo cilësinë e ulët të postimeve në përgjithësi.

“Moderatorët” (lexuesit që kanë mbledhur më shumë pikë dhe fitojnë statusin që të menaxhojnë komentet e përdoruesve të tjerë) shiheshin edhe si një problem prej lexuesve, për shkak të sjelljeve arrogante apo intepretimit të keq të rregullave të publikimit. Disa pjesëmarrës e vlerësonin menaxhimin e moderatorëve si censurë (duke e shoqëruar këtë term edhe me fjalët diktaturë apo lapsi blu).

Krahas prezencës së “luftës ideologjike” mes përdoruesve që moderojnë apo nuk moderojnë komentet, analiza formale e diskursit nxirrte në pah edhe faktin që “moderatorët” ishin autorë të më shumë se gjysmës së komenteve, duke treguar një prirje monopolizimi të vëmendjes brenda diskursit online nga individë apo grupe të veçanta, siç demostrohet edhe nga studime të tjera të përqendruara në analizën e diskursit të forumeve politike online.

Ky rast studimor ofron argumente të rëndësishme për të kuptuar se si funksionon modeli bashkëpunues i moderimit të komenteve online ( i cili lejon një përfshirje më të madhe të lexuesit në proces por në të njëjtën kohë mund të forcojë edhe marrëdhëniet dhe rolet mes pjesëmarrësve), por gjithashtu kontribuon në një kuptim më të thelluar të perceptimeve të komunitetit të një websajti për një forum komentesh si dhe të sugjerimeve të tyre për përmirësimin e kësaj hapësire. Ishte gjithashtu interesante të vërehej se një pjesë e përdoruesve propozonin një rol më aktiv dhe më të angazhuar të vetë redaksisë në menaxhimin e komenteve online.

 

[1] URL: https://www.publico.pt/portugal/noticia/se-me-permite-o-senhor-e-uma-besta-ou-nao-e1612714 [in Portuguese; vizituar 26/01/2016]

Artikulli original:

Silva, M. T. (2015). “What do readers have to say about online news comments? Readers’ accounts and expectations of public debate and online moderation: a case study”. Participations. Journal of Audience and Reception Studies 12 (2): 32-44.

URL: http://www.participations.org/Volume%2012/Issue%202/3.pdf

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend