Kosova nuk është vend i tillë kur të gjitha mediumet e shkruara, përpara secilit vend në botë, të bankrotojnë dhe të duken të parëndësishme. Ka një shpresë! që tregu i konkurrencës të jetë i barabartë. Ndryshe, të gjithë do të jenë viktima. Dhe, lajmi për vdekjen e shkronjave në letër, Kosovën do ta kapë të parën
Përfundova së lexuari një hulumtim të opinionit publik. Përveç shumë detajeve interesante për partitë politike dhe për institucionet; përveç interesimit të qytetarëve për korrupsionin, ambientin, veriun dhe dialogun; përveç për politikën e jashtme dhe gjykatat, tema e mediumeve të shkruara është pjesa më e dhimbshme për secilin që lexon gazetat ditore.
Është për të ardhur keq se sa pak lexues ka në Kosovë. Më erdhi mirë dhe keq njëkohësisht, që portalet më shumë sesa gazetat janë medium ku lexuesi kosovar e gjen veten.
Në një hapësirë prej 11mijë km katrorë, Kosova ka të regjistruara 125 mediume. Hiq më pak se 98 prej tyre mbajnë të drejtën për transmetim. 21 janë televizione, kurse të tjerat janë radio stacione.
Pyetja logjike është: A i duhen Kosovës të gjitha këto mediume dhe si mund të fitohet në këtë treg kaq të vogël.
Në Kosovë për momentin botohen shtatë gazeta ditore (ndoshta e kam harruar ndonjë) dhe tirazhi i tyre i përgjithshëm është në rënie. Rritja e lexueshmërisë nëpër portale është lajm i mirë, por e keqja është se portalet ashtu si janë të formuara nuk dallojnë me ndonjë përmbajtje që të frymëzon dhe të lë shenjë. Portalet që nuk i përkasin gazetave (mediumit), kryesisht janë me shumë pak staf dhe janë kopjues të zellshëm dhe mbushen me lajme të “vjedhura”.
Zhvillimi i hovshëm i mediumeve elektronike dhe rëndësia dhe shpejtësia më e madhe e tyre në informimin e opinionit, ka ndikuar në zvogëlimin e interesimit për gazetat. A është faji te lexuesi apo ka diçka tjetër që nuk shkon?
Ka dy aspekte që e bëjnë dhimbjen e madhe: E para ka të bëjë me kulturën e leximit dhe e dyta me përmbajtjen. Ka shumë nga ata që lexojnë gazetat dhe arsyen e rënies së tirazhit përkushtohen ta sqarojnë me mungesë të kulturës së leximit.
Nëse në mëngjes, shprehen ata, shumicën e herëve, gazetat përmbajnë vetëm informatat që i keni dëgjuar në lajmet e mbrëmjes në televizion, dhe shumica e tyre është edhe ashtu e natyrës protokollare, interesi për t’i blerë gazetat objektivisht bie, sidomos tek ato kategori të lexuesve që janë të detyruar që të kursejnë buxhetin gjithnjë e më të rrezikuar familjar.
Ulja e pagave dhe e statusit të gazetarëve tashmë ka ndikuar që disa nga më të mirët prej tyre të largohen nga gazetat ditore, duke kaluar me punë në agjencitë e huaja informative, në mediet me perspektivë elektronike, ose edhe në punët tjera që i konsiderojnë më fitimprurëse dhe më të ndershme për ta. Kjo tashmë ka dëmtuar seriozisht profilin dhe profesionalizmin e gazetave që botohen në Kosovë.
Po këtu nuk është fundi i rrëfimit. Tirazhet më të ulëta të gazetave kanë pasojë tjetër: Ulin interesin e firmave për të botuar porosi komerciale dhe fitimet e gazetave zvogëlohen.
Për t’u mbajtur në treg dhe për ta përballuar konkurrencën, gazetat detyrohen që të kërkojnë fonde nga sponsorët e ndryshëm. Një pjesë e sponsorëve kushtëzon politikën redaktuese të gazetave, në dëm të profesionalizmit të tyre. Po kështu, botuesit e gazetave detyrohen që t’i zvogëlojnë shpenzimet e nxjerrjes së gazetës dhe kjo zakonisht bëhet në dëm të stafit të gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm.
A është kjo ekonomi tregu kur tash je i lirë të botosh dhe të nxjerrësh gazetë dhe të hapesh televizion mbi kriteret e kësaj logjike.
Në bazë të asaj që ka ndodhur në Evrope, e sidomos në Evropën Juglindore, dhe vendet tjera postkomuniste, tregues i vetëm për të qëndruar mediet në treg nuk është vetëm profesionalizmi si domosdoshmëri, por edhe aftësitë menaxhuese të pronareve dhe gatishmëria për shoqëri aksionare. Të gjithë ata që kanë blerë mediumet në Evropën Juglindore në katër vjetët e fundit, Kosovën dhe Shqipërinë nuk i kanë konsideruar si vende ku magnatët e medieve mund të hyjnë me projektet e tyre për t’i blerë aksionet. Derisa Shqipëria dhe Kosova kanë problem me rrjetin e shitjes, Kosova ka problem tjetër shumë të shprehur – tirazhin shumë të dobët të gazetave dhe lexueshmërinë e tyre.
Në Kosovë nuk ka mediume me aksionare. Është traditë primitive e të menaxhuarit të mediumeve. Të gjitha gazetat ditore në Kosovë (shtatë gazeta ditore) kane një tirazh prej 21 mijë copë të shitura në ditë, që është tirazh qesharak dhe treg që duhet harruar. Natyrisht, ky treg medial para së gjithash duhet të jetë edhe biznes. Dhe secili që investon e sheh leverdinë e vet. Por, Kosova nuk është vend i tillë kur të gjitha mediumet e shkruara, përpara secilit vend në botë, të bankrotojnë dhe të duken të parëndësishme. Ka një shpresë! që tregu i konkurrencës të jetë i barabartë. Ndryshe, të gjithë do të jenë viktima. Dhe, lajmi për vdekjen e shkronjave në letër, Kosovën do ta kapë të parën.
Botuar në gazetën Tema, datë 20 mars 2013