Çfarë do të thotë gazetari e mirë?

28 Shtator , 2017 • Gazetaria e Medias • by

Amanda Bennett, drejtorja e Zërit të Amerikës kreu një tur vizitash në rajonin e Ballkanit. Në Shqipëri, fituesja e çmimit Pulitzer u ndal për një intervistë me gazetaren Ilva Tare ku tregoi vështirësitë e raportimit të një lajmi, çfarë e bën një media dhe një gazetar të suksesshëm si dhe fuqinë që ka Zëri i Amerikës në Shqipëri dhe Kosovë.

Intervista e plotë:

IT: Amanda Bennett, drejtoreshë e VoA, faleminderit për këtë intervistë. Është një kënaqësi e vërtetë.
AB: Shumë faleminderit juve. Është kënaqësi që më pyesni.

IT: Kam intervistuar shumë njerëz gjatë karrierës time por kurrë një fituese të çmimit Pulitzer dhe kjo e bën intervistën më të përgjegjshme dhe më të vështirë për mua.
AB: Faleminderit, do të përpiqemi ta bëjmë më të lehtë për njëra-tjetrën.

IT: Si është të shpërblehesh me një çmim kaq prestigjioz në gazetari?
AB: Është e mrekullueshme dhe ndihem e përulur natyrisht sepse gjithnjë përpiqesh të bësh më të mirën dhe është fantastike që kolegët të vlerësojnë se ke bërë një gazetari të mirë.

IT: Pas këtij çmimi, çfarë bëni? Vijoni ende apo… ndiheni e plotësuar?
AB: Sigurisht. Oh jo, duhet të përpiqesh akoma më shumë. Është përgjegjësi e madhe.

IT: Interesante. VoA transmeton në 60 vende, në 47 gjuhë të ndryshme, 236 milionë persona çdo javë, në radio, televizion, celularë dhe internet. Dhe jeni një institucion i pavarur i financuar nga qeveria. Si ia dilni të jeni të pavarur kur financoheni nga qeveria?
AB: Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme sepse është një nga bazat se çfarë është VoA. Edhe pse financohemi nga qeveria, me ligj ne jemi të pavarur. Ka një ligj mes nesh dhe qeverisë dhe ne nuk kemi vetëm këtë ligj, por jemi gjithashtu të pavarur kulturalisht. Njerëzit në Zërin e Amerikës, gazetarët, ata ndihen të pavarur. Ata duan të tregojnë faktet ashtu siç janë, qofshin të mira apo të këqija. Dhe qeveria gjithashtu e kupton rëndësinë e të paturit një media të lirë, sepse kjo është pjesë e një demokracie të drejtë.

IT: Ka funksionuar deri më tani?
AB: Ka funksionuar shumë mirë deri më tani. Përpara se t’i bashkohesha Zërit të Amerikës, pasi kam patur një karrierë të gjatë si gazetare, unë doja të sigurohesha se nuk do të ishte vetëm teorike, por do të ishte edhe praktike. Pashë që njerëzit e morën shumë seriozisht, se njerëzit janë shumë krenarë për këtë.

IT: A ju duhet ende të luftoni me perceptimin se jeni zëri i Departamentit të Shtetit, i propagandës? Si i përgjigjeni atyre kritikave apo besimeve?
AB: Mendoj se është e vështirë të luftosh perceptimet e gabuara të dikujt. Mendoj se e vetmja gjë që ne mund të bëjmë, është të bëjmë punën më të mirë për të qenë ata që jemi. Nëse i thua njerëzve “E ke gabim!”, kjo nuk të ndihmon. Ajo që të ndihmon është se nëse shihni gazetarinë tonë, mund ta shihni, mund të thoni se është objektive. Nuk tregojmë një krah apo tjetrin. Ne themi gjërat e mira për Shtetet e Bashkuara, ne themi gjërat e këqija. Themi gjërat e mira të administratës, themi gjërat e këqija. Kur administrata tregon të vërtetën dhe bën gjëra të mira, ne e themi këtë. Kur administrate thotë gjëra të pasakta, ne e themi gjithashtu.

IT: Pra kjo ju bën të besueshëm?
AB: Mendoj se është e drejtë. Në fund, mund të argumentosh me njerëzit për një përshtypje të keqe, por askush nuk do të të besojë pa e parë se çfarë ti bën. Pra është puna jonë ajo që na bën të besueshëm.

IT: Pashë prezantimin tuaj për fuqinë e së vërtetës në botën e keqinformimit dhe çfarë ju thatë është shumë e gjetur se ju keni fuqizuar vlerat tradicionale dhe konfirmimin e fakteve. Por kjo është më lehtë të thuhet se të bëhet. A është e vështirë për ju?
AB: Është e vështirë, por në kuptimin se kërkon punë të madhe. Jo e vështirë në sensin që pyesim veten nëse duhet ta bëjmë apo jo. Raportimi me fakte është punë më e vështirë se raportimi pa fakte. Është më e lehtë të shpikësh diçka, është më e lehtë të thuash atë që njerëzit duan të dëgjojnë. Kjo është shumë e thjeshtë, mjafton të shpikësh. Raportimi me fakte është i vështirë, por është ajo që ne duhet të bëjmë. Dhe mendoj se ne po përpiqemi ta luftojmë keqinformimin, jo duke e luftuar, por duke qenë një burim i besueshëm informacioni.

IT: Dhe kjo vërtet është vështirë të arrish ta bësh.
AB: Është punë shumë e vështirë.

IT: Atëherë si ia del VoA?
AB: Ne shohim vazhdimisht punën tonë, vazhdimisht kërkojmë të shohim nëse e kemi këtë krah, nëse e kemi atë krah, ose faktet që kemi të sakta. Është punë e vështirë, por kjo është puna e gazetarëve. Kam mëse 30 vite që jam gazetare dhe jam stërvitur në këtë mënyrë të punuari. Dhe kjo është ajo që e quajnë përforcim i gazetarisë së vjetër. Kur unë fillova, nëse ti bëje një gabim në faktet e tua ose ishte jo i drejtë me dikë, ky ishte një gabim i tmerrshëm. Ti duhet të ndiheshe i turpëruar. Mendoj se kështu duhet të ndihemi edhe sot.

IT: Ju keni eksperiencë të gjerë në gazetarinë investigative. Dhe nuk e di nëse e dini, por kjo është një fushë jo shumë e zhvilluar në Shqipëri. Na mungojnë histori të vërteta investigative dhe gazetari. Çfarë do të rekomandonit ju, nga t’ia nisim për të patur një gazetari të tillë të rëndësishme, atë investigative?
AB: Unë gjithnjë them se duhet të fillosh ku të mundesh. Dhe sa herë që kam filluar një skuadër të re gazetarësh, kur nuk e kam ditur se çfarë ne mund të arrijmë, jemi përpjekur të gjejmë diçka që mund ta bëjmë. Shpesh gazetarët mendojnë “Oh nuk mund ta bëjmë këtë. Është shumë e vështirë. Nuk mund ta marrim këtë informacion!” Por ka gjithnjë diçka që mund ta bësh. Prandaj fillo me atë çfarë mund të bësh. Kam kaluar disa kohë këtu me disa gazetarë të rinj investigativë që po punojnë me projektet e tyre dhe ata janë shumë frymëzues. Po mësojnë si të nxisin për të arritur atë që duan, për të marrë intervistat që duan, për të folur me zyrtarët që ata duan. Mendoj se është shumë e mundur, edhe pse shumë e vështirë.

IT: Në thelb, më shumë inkurajim për të provuar atë disiplinë të vështirë. Por Shqipëria është një mjedis i veçantë dhe lidhjet mes politikanëve dhe pronarëve të medias dhe standardi i raportimit është i mangët. Kjo ka qenë një nga problemet kryesore për gazetarinë investigative.
AB: Është një mjedis shumë i vështirë gazetaresk dhe po e shohim kudo në botë që mjedisi i gazetarisë po bëhet më i vështirë. Ajo që i kam thënë njerëzve është që fillimisht unë i admiroj shumë njerëzit që punojnë në ambjente të vështira të gazetarisë. Jam shumë krenare për ta, është një punë që duhet bërë dhe jam krenare për mundin e hedhur. Gjithashtu them se nuk e merr lirinë që nuk e kërkon. Kështu që nëse punon në një ambjent të vështirë gazetaresk, duhet të gjesh vetë hapësirën duke u përpjekur të bësh atë që mundesh dhe jo duke menduar atë që nuk mund të bësh.

IT: Kam dëgjuar në një nga fjalimet tuaja ku keni përmendur përpjekjen për të bërë gazetari të mirë. Ekziston një gjë e tillë?
AB: Gazetari e mirë?

IT: Po.
AB: Patjetër që mendoj se ekziston gazetaria e mirë. Njerëzit që kërkojnë histori që njerëz të tjerë nuk i gjejnë, ne gjithnjë e mendojmë gazetarinë e mirë si diçka që tregon historinë e njerëzve që nuk mund ta tregojnë vetë historinë, që i bëjnë me përgjegjësi figurat publike për veprimet e tyre, që ndihmojnë shtypin për ndryshim, që duket sikur ne duam të sjellim ndryshim në botë dhe se një nga mënyrat për ta bërë këtë është përmes transparencës. Sa më shumë të shohësh, aq më shumë di, aq më e mendjehapur është shoqëria, aq më e lehtë është të bësh ndryshime.

IT: Cili ishte qëllimi i udhëtimit tuaj në 5 vendet e Ballkanit?
AB: Zëri i Amerikës transmetohet në këtë rajon prej 75 vitesh. Është një zonë shumë e rëndësishme për ne, jemi shumë të interesuar dhe kemi audienca shumë të mëdha këtu, deri në 60% të të rriturve këtu.

IT: E pashë audiencën dhe u shokova.
AB: Po.

IT: 12% Serbia, 13.5% Bosnje Hercegovina, 26.5% Mali i Zi, 60.5% Shqipëria dhe 64% Kosova. Si e shpjegoni këtë audiencë kaq të madhe mes shqiptarëve?
AB: Mendoj se shqiptarët janë shumë të interesuar për lajmet e drejta dhe objektive. Janë shumë të interesuar në situatat politike rreth tyre, duan të dëgjojnë historinë e vërtetë dhe mendoj se na besojnë. Këtu ne i kthehemi çështjes së lajmeve të drejta, objektive dhe të bazuara në fakte. Kur i ke këto, ke besim dhe njerëzit duan të kenë mundësinë të besojnë.

IT: Ndonjëherë perceptimi, sidomos në vitet e fundit me reformën e drejtësisë në Shqipëri, ka qenë se ajo që VoA ka thënë, ka qenë gjithashtu zëri i qeverisë amerikane. Ka ndonjë të vërtetë këtu?
AB: Jemi zëri i vlerave amerikane, vlerave amerikane demokratike sepse kjo është shoqëria ku ne jetojmë. Dhe liria e shtypit është një nga vlerat më themelore amerikane. Është në kushtetutën tonë, është në historinë tonë. Po, jemi zëri i vlerave tona demokratike por siç e thashë, ne financohemi nga qeveria amerikane por nuk drejtohemi nga qeveria amerikane. Gazetaria jonë është e pavarur dhe ne sigurohemi që raportojmë lajme të sakta të çfarëdo lloji, të mira apo të këqija.

IT: Pas vizitës tuaj në rajonin e Ballkanit, do të thotë kjo se do të ketë një vëmendjetë veçantë në mbulimin e ngjarjeve këtu?
AB: Padyshim që shpresoj t’i rikthememi shërbimeve tona sepse ne kemi bërë shumë vizita këtu dhe do të donim të zgjeronim bashkëpunimin me portale të ndryshme mediatike që mund të përdorin materialet tona që më shumë njerëz ta shohin se çfarë ne po bëjmë. Prandaj po, duam ta marrim informacionin që kemi mësuar këtu dhe ta përdorim për të zgjeruar punën tonë këtu.

IT: Është vëmendja e VoA-s për Ballkanin disi i lidhur me interesin e shprehur nga Rusia për rajonin? Ose nga kinezët?
AB: Kujtoni që kemi qenë këtu për 75 vite, prandaj kemi më shumë kohë këtu sesa kanë jetuar shumë kinezë dhe rusë. Gjithnjë kemi qenë këtu. Ne mendojmë se ka një nevojë në botë për informacion të bazuar në fakte si alternativë të informacionit jo të bazuar në fakte. Kudo ku ka informacione jo të bazuara në fakte, mendoj se është e nevojshme që ne të jemi aty, që njerëzit të kenë një zë ndryshe dhe të dëgjojnë diçka ndryshe. Diçka që ata mund ta shohin dhe ta besojnë sepse është neutrale.

IT: Një pyetje e fundit. Jeni gjithashtu bashkëthemeluese e projektit të grave të Bloomberg News. Edhe gjatë kësaj vizite në Tiranë ju i dhatë rëndësi të veçantë grave me influencë. E bëni këtë sepse jeni vetë grua dhe i dini vështirësitë e të qenit gazetare grua, apo mendoni se gratë duhen mbështetur për shkak të dobësive të shoqërive të ndryshme?AB: Bloomberg është një shërbim i lajmeve ekonomike. Ne ishim shumë të vetëdijshëm për faktin se zhvillimi i grave nuk është vetëm një çështje e të drejtave të njeriut, që gratë kanë nevojë për mbështetje në vetë karrierat e tyre, por është gjithashtu një çështje ekonomike. Dhe nëse vendet duan të rriten dhe të zhvillohen ekonomikisht, atëherë iu nevojiten dijet, forca dhe kreativiteti i forcës punëtore të grave. Dhe sa më shumë ne ta mbështesim këtë, aq më shumë do të përmirësohen shoqërië. Prandaj kjo ishte shumë e rëndësishme: të zbulonim si i trajtojmë çështjet e grave në një mënyrë që jo vetëm gratë e shohin jetën e tyre, por që e gjithë shoqëria e njeh dhe që është e rëndësishme për gjithë shoqërinë.

IT: Çfarë do t’ju kërkonit këtyre grave me influencë në shoqëritë e tyre? Cila është puna e tyre, përpjekja që duhet të bëjnë sipas këndvështrimit tuaj?
AB: Puna e tyre është e njëjta si e çdo njeriu tjetër. Të përdorin aftësitë dhe talentin e tyre sa më mirë të munden dhe të përpiqen t’i bëjnë më të mira shoqëritë e tyre. Qoftë duke ndihmuar gratë e tjera për t’u zhvilluar, është një mënyrë ndihme, qoftë duke ndihmuar zhvillimin e qyteteve të tyre, kjo është një mënyrë tjetër, duke ndihmuar zhvillimin e qeverive të tyre, është një tjetër mënyrë. Ka shumë mënyra të ndryshme dhe mendoj se duke hapur rrugë, mund të jepet më shumë energji.

IT: Pas vizitave në Ballkan, çfarë mendoni për rajonin? Jeni më të shqetësuar apo më të informuar për atë që po ndodh?
AB: Ndihem shumë më e informuar. Kam udhëtuar me gazetarët dhe redaktorët tanë të VoA-s dhe ata janë njerëz që vijnë nga ky rajon, që janë thellësisht të lidhur me rajonin. Shumë prej tyre kanë lindur këtu, janë rritur këtu prandaj ndihem e informuar. Është një rajon shumë i ndërlikuar dhe interesant. Dhe si pjesa tjetër e botës, jam e shqetësuar për ambjentin mediatik, por shoh shumë shenja, sidomos të rinj dhe përpjekjet e tyre për të përmirësuar situatën dhe kjo më mbush me shpresë.

IT: A do të ndryshojë diçka lidhur me politikat e VoA-s për Ballkanin pas vizitës tuaj?
AB: Kemi takuar shumë bashkëpunëtorë tanët, stacione me të cilat ne ndajmë përmbajtjen tonë dhe kemi folur për shumë ide të mira për të zgjeruar bashkëpunimin dhe shpresoj se do të mund t’i vendosim këto ide në praktikë shumë shpejt.

IT: Shumë faleminderit për këtë intervistë Amanda.
AB: Faleminderit.

 

Tags:, , ,

Send this to a friend