“Epidemia” e padive ndaj gazetarëve

29 Nëntor , 2011 • Profesionalizmi në media • by

Të ushtruarit e profesionit jo rrallëherë e përplas gazetarin me presione dhe tensione, që në varësi të subjektit të cënuar dhe pozitës së tij, mbërrijnë deri në dyert e gjykatës. Paditjes së gazetarëve për shpifje, cenim nderi dhe dinjiteti nuk i kanë shpëtuar as gazetarët e Durrësit.

Kërkesat për dëmshpërblim kanë vijuar nga 100 mijë deri në 3 milionë lekë të reja, po deri më sot gjoba më e madhe e vendosur nga gjykata ndaj një gazetari nuk i ka kaluar 2 milionë lekët, por edhe këto të padepozituara për llogari të paditësit, pasi çështja ka ndjekur shkallë të tjera të gjyqësorit. Ndër vite shumë prej padive janë pushuar, ndërkohë që të tjera kanë vijuar me përballjen në sallën e gjyqit, ku gjyqtarët të vënë mes dy zjarresh, për shkak të “brishtësisë”, kanë tentuar gjithnjë pajtimin dhe kur ai nuk është arritur, gjykimet kanë vijuar kryesisht me vendime që kanë rrëzuar pretendimet e ngritura ndaj gazetarëve. Të tjera çështje janë në proces. Të gjitha i bashkon akuza e klasifikuar si shpifje ndaj individit dhe shpifje për shkak të detyrës, të parashikuara përkatësisht nga nenet 120 dhe 240 të Kodit Penal. Madje, nuk mungon në Durrës as rasti kur një gazetar paditet nga një tjetër shoqëri mediatike.

Aktualisht, botuesi i gazetës lokale “Bulevard” dhe gazetar i gazetës “Tema”, Artur Llana, ka një çështje penale të hapur me një nga figurat e Partisë Demokratike, kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” për Bashkinë e Durrësit, z. Ferdinand Xhaferri.

Një tjetër çështje që po gjykohet në Gjykatën e Shkallës së Parë është ajo ndaj gazetarit të një të përditshmeje (“Shekulli”), Mark Brunga, i cili është paditur nga sekretari i Gjyshatës Bektashiane për Qarkun e Beratit, Zalo Qato, ndonëse gazetari thjesht publikoi një letër të hapur drejtuar kryeministrit dhe kreut të SHISH-it për këtë figurë. Të tjerë gazetarë janë paditur, por çështja e tyre është pushuar, pasi elementet e duhur për mbajtjen në këmbë dhe ndjekjen e mëtejshme të një padie nuk ekzistonin.

Gazetari Artur Llana është ai që mban rekord në Durrës për përballjet në sallën e gjyqit për shkak të ushtrimit të profesionit. Janë plot 167 seanca gjyqësore të zhvilluara ndaj tij dhe asnjë vendim i formës së prerë dhënë nga drejtësia kundër tij.Përveç padisë së ish-ministrit të Turizmit dhe Kulturës, Ferdinand Xhaferri ai ka kaluar edhe 9 padi të tjera, shumicën e të cilave nga ish-drejtoresha e Sigurimeve Shëndetësore në Durrës, mjekja Liri Dibra dhe familjarë të saj, si dhe një tjetër të nisur nga shoqëria mediatike “Ora News”, emisioni “Alarm”, që ka trajtuar konfliktin mes Llanës dhe Dibrës. Gazetari Llana tregon për “Shqip” se, Gjykata e Durrësit vendosi ta dënojë me 200 000 lekë, por të dyja palët e kanë apeluar këtë vendim si të padrejtë dhe “lufta” do të vijojë në Gjykatën e Apelit. Shumë prej çështjeve të tjera janë mbyllur në favor të gazetarit, i cili nuk ndjehet aspak i trembur apo i lodhur nga përballjet në sallat e gjyqit. “Kjo është çështje mentaliteti, pasi shumë prej atyre që ngrenë padi nuk e njohin institucionin e përgënjeshtrimit. Rrëmbehen dhe kërkojnë të përfitojnë nga dëshmitë, faktet apo dhe opinionet gazetareske duke shfrytëzuar kryesisht emrin dhe pushtetin që gëzojnë falë forcës politike së cilës i përkasin. Të gjithë paditësit nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën për të përgënjeshtruar një material, edhe pse u është dhënë mundësia dhe hapësira, po duke qenë persona të veshur politikisht synojnë të ushtrojnë njëfarë presioni ndaj një organi mediatik opozitar. Qëndrimet e gjykatës kanë dëshmuar se mungojnë provat që mbështesin pretendimet e tyre”. Në bazë të kodit penal të Republikës së Shqipërisë, shpifja përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit dhe kur kjo kundërvajtje përsëritet dhe kryhet botërisht, atëherë dënimi me burgim dyfishohet duke shkuar deri në dy vjet.

Botuar më 10 Nëntor 2011 në gazetën “Shqip”

 

 

Send this to a friend