Ciceronët e Facebook-ut

2 Shtator , 2013 • Mediat e Reja • by

Një pjesë e madhe e aktivitetit partiak e shtetëror, politik e kulturor, shkencor e publicistik, madje edhe fetar e pornografik… kanë zbritur këmbëkryq në rrjetet sociale e posaçërisht në Facebook. Një duzinë deputetësh të Kuvendit të Kosovës, më shumë se gjysma e qeverisë, 400 opozitarë me fis e me farë dhe një “kallabllak” imamësh e priftërinjsh janë shndërruar në tutorët e “fjalës në pazar” dhe aty i thonë të gjitha. Aty shahen e përlahen për “dinë e për iman”, për krishterimin dhe islamin, për dijen dhe politikën, për spiunët e UDB-së, për ushtarët e Krajlit, për atdheun e flamurin, për horrat që punojnë me pare e kundër kombit, për të tjerë që janë “intelektualë” e me fjalën shqipe vrasin, që kot të ishte shkruar se “nuk blihet në pazar”. Në pazarin e fjalëve, të ideve, të projekteve, të fotografisë, të dijes, të sharlatanizmit, të kulturës krejt kuturu dhe kështu me radhë deri në paskajshmëri, gjithçka shitet e blihet pa pare, në pazarin modern të Facebook-ut.

Mund ta imagjinoni kohën e Krishtit me Facebook-un 2000 vjet më parë. Aty do ta kishin gozhduar, ne Facebook do ta kishin vrarë. Ose të Mudamedit a.s e të tjerëve varg e vijë, deri te Skënderbeu e Nënë Tereza! Nuk ka shaka me pesë milionë shqiptarët e Facebook-ut dhe ciceronët e përzgjedhur të këtij populli që si merimangë rri gjithë kohën në “rrjetën” e vet sociale. Sa shumë prej tyre janë politikanë e shkrimtarë, publicistë e gazetarë, priftërinj e hoxhallarë, apo ministra e deputetë… Çfarë ndodh kur jeton, jo më në epokën e dyshimit, por në epokën e vlerave që ekzistojnë e veprojnë më shkurt se sa një flluskë? Çfarë ndodh kur kritikët “ciceronë” pleq e të rinj bëjnë gjasmë se pikasin çdo gjë, dhe me gjasë duke besuar fort se i kanë rënë në shenjë? Çfarë ndodh kur me gjasë të gjithë besojnë se janë të denjë për emrin dhe fjalëve të tyre duhet t’u besojmë? Çfarë ndodh kur kuvendi bëhet sipas stereotipeve që kanë pjellë rrjetet sociale, ku edhe kur gatuan një “M…të madh me qershi”, pret t’i marrësh “like” nja njëmijë! Nëse komunitetet fetare kanë kryeimam e kryepeshkop apo imzot, e qeveritë ministra e kryetarë, apo të tjerët prijës e bajraktar, pse nuk do të zgjidheshin edhe të parët e racës së Facebook-ut, p.sh “ciceronët”? Gjasmë që për shumë nga këta “ciceronë” janë kohë të lumtura. Fuqia që këta ‘autorë’ mund të marrin në rrjetet sociale, mund t’i bëjë që çdo ditë, porsi shenjtorë t’i përgjërohen Zotit të mos ua largojë miqtë, kategorizimi i të cilëve arrihet me vulën e shenjtë ‘pëlqej’. Dhe porsi shenjtorë do t’i luten sa herë dielli të dalë e nata të bie që Zot i madh të mos ua largojë privilegjet. Duhet të jetë kohë e lumtur për ta, pasi kanë arritur të gjejnë çelësin e artë të një pjese të madhe të lexuesve shqiptarë. Disa rreshta shqip, me një ose njëqind gabime gjuhësore, dhe ja tabloja perfekte e ligjërimit kosovar- shkurt, troç e shqip.

Duket të mos jetë e rëndësishme nëse janë përvojat apo papërvojat e një fillestari apo të një pleqnari, efekti i dëshirave të papërmbushura, drojave të rinisë apo një rikthim në ‘kohën e humbur’, shpërfaqin e zhveshin talentin e pedagogëve të formës së shkurtër prozaike që gjithë djersën e derdhin në një status me çfarëdo e për çfarëdo teme a ideje. Pavarësisht nëse kjo djersë e shtrydhje kundërmon e kutëbon keq. Esenciale mbetet që turma të mësyjë dhe mjeshtri të rifitojë fuqitë e derdhura. Kjo nuk është më e pazakonshme dhe e paparë, por sigurisht se është e dhunshme dhe jashtëzakonisht lodhëse për ta pranuar, në çfarëdo forme. Aq më shumë kur nuk nxjerr gjë, nuk prek asnjë cak e s’ke çfarë të zhbirosh në të.

Të jesh autori dhe personazhi vetë, kaq ‘pedagogë’ sa janë, me kaq shumë dije, mundet që dikur të bëhen hije e vetvetes. Rrjeta e merimangës sociale e shqiptarëve duket se ka bërë që të harrojmë shumë “fakte të vërteta të vogla…”, dhe ka nxjerr në pah diçka fantastike, rrëzimin përtokë të teorisë së tmerrit dhe vuajtjes para letrës së bardhë.
Botuar në gazetën Mapo, date 13 gusht,2013

Print Friendly, PDF & Email

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Send this to friend