Duke pasur parasysh rolin e shumëfishtë të Gjyqësorit, një magjistrat është subjekt i kufizimit të të drejtave të tij në proporcion me rëndësinë e ushtrimit të funksionit dhe detyrës që ai ushtron. Kështu, disa të drejta themelore të cilat zakonisht nuk janë subjekt i kufizimit për qytetarët e tjerë, të tilla si liria e shprehjes ose liria e mbledhjes, janë të kufizuara për gjyqtarët e prokurorët. Nga ana tjetër, është i pamohueshëm roli që një media luan në informimin e drejtë të publikut. Kjo për arsye reale, sepse të drejtat dhe detyrimet, pavarësisht nëse është qytetar apo magjistrat, ndërveprojnë me detyrat që përfshihen në funksionin apo pozicionin e tij/saj. Detyrat mund të rrjedhin në përputhje me të drejtën penale të përgjithshme apo me konfidencialitetin për shkak të profesionit (p.sh. sekreti), por edhe nga rregullat disiplinore apo kërkesa thjesht etike. (Rasti i veshjes së një gjyqtareje).
Komunikimi i Gjyqësorit me median duhet në radhë të parë të shihet nga këndvështrimi i kërkesave etike dhe ligjore për gjyqtarët dhe prokurorët. Komunikimi masiv (me median nëpërmjet Gjyqësorit) konsiston në nevojën që gjyqtari mund/ duhet të dijë (investigojë, ose të gjykojë) të gjitha faktet e parashtruara para tij, i lirë nga çdo “influencë e jashtme dhe e panevojshme”. Si në çdo rast tjetër, në respektimin e dy të drejtave të individit kërkohet balancimi dhe proporcionaliteti në kuadrin e nevojës në një shoqëri demokratike. Në mënyrë natyrale gjenerohet konflikti (mospërputhja në dukje) midis nevojës për të mbrojtur veprimtarinë gjyqësore nga një “influencë të jashtme e të panevojshme dhe mbrojtjen e të drejtës së informimit”. E drejta e informimit dhe e drejta për një gjykim të pavarur janë të dyja të drejta të mbrojtura dhe të parashikuara në aktet ndërkombëtare dhe ato shqiptare, duke renditur të parën Kushtetutën e Shqipërisë. Garantimi i autoritetit dhe paanësisë së Gjyqësorit përfshin çështjet në të cilat aktiviteti i masmedias ka një impakt apo ndikim relevant.
Nga ana tjetër: “Procedimet dhe çështjet gjyqësore që kanë lidhje me administrimin e drejtësisë kanë interes publik. (Rregulli i përcaktuar nga neni 19 i Rekomandimit Nr. 12 të 2010-s). Qytetarët kanë nevojë të informohen në mënyrë periodike në lidhje me çfarë po ndodh në një gjykatë dhe si po jepet drejtësia në një vend të caktuar. Duke vazhduar shqyrtimin tonë, duhet përmendur se roli i medias nuk është vetëm informimi, por dhe zhvillimi dhe ndikimi në formimin e një opinioni publik në lidhje me një çështje të caktuar… Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut shprehet se termi “autoritet dhe paanësi e Gjyqësorit”, një vlerë që duhet të pajtohet me të drejtën për informim, duhet të interpretohet nën dritën e Konventës. “Për këtë qëllim, rëndësi i duhet dhënë pozicionit qendror që mban në këtë kontekst neni 6, i cili reflekton parimin themelor të shtetit të së drejtës”. “Termi “gjyqësor” (“pushtet gjyqësor”) nënkupton makinerinë e drejtësisë ose krahun gjyqësor të qeverisjes, ashtu si gjyqtarët në kapacitetin e tyre zyrtar. Nga ana tjetër, pavarësia e Gjyqësorit dhe funksionaliteti i tij mbështetet dhe ushtrohet mbi bazën e asaj që quhet autoriteti gjyqësor. Autoriteti gjyqësor ndikon drejtpërdrejt në besimin e publikut te drejtësia, zbatimin e vendimeve dhe dhënien e vendimeve të drejta e të paanshme. GJEDNJ ka përcaktuar se fraza “autoriteti i Gjyqësorit” përfshin në mënyrë të veçantë nocionin se gjykatat janë pranuar nga publiku i gjerë si të tilla, pra forumi i tyre për sigurimin e të drejtave dhe detyrimeve ligjore, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve relative mes tyre, prandaj, publiku i gjerë ka respekt dhe besim në kapacitetin e gjykatave për të përmbushur këtë funksion”. Sipas Gjykatës, pasojat e një sulmi (ose sulmi në dukje) mbi paanësinë mund të sjellin gjithashtu dhe një dëmtim të autoritetit të gjykatës. Duhen shmangur opinionet veçanërisht të trupës së Gjyqësorit për çështje (p.sh. penale, evazioni fiskal, por dhe të tjera), të cilat janë në gjykim dhe pa përfunduar dhënia e një vendimi përfundimtar. Gjykata e Strasburgut, në vendimet e saj është shprehur se Konventa parashikon nga njëra anë në nenin 6 – të drejtat e personit për një proces të rregullt gjyqësor, të paanshëm dhe të pavarur; nga ana tjetër parashikon nenin 10 – të drejtën e medias për t’u shprehur lirisht dhe për të kërkuar informacion nga çdo gjykatë. Megjithatë, GJEDNJ është shprehur se nëse aktiviteti i medias nuk pengon masat mbrojtëse procedurale të garantuara nga neni 6 i Konventës (p.sh. e drejta e mbrojtjes dhe mjeteve të barabarta për individin); dhënia e informacionit e garantuar nga neni 10, mund të jetë megjithatë në konflikt me prezumimin e pafajësisë garantuar nga neni 6, nëse një përhapje e tillë krijon besimin në opinionin publik për një vendim me dënim.
Do të analizojmë çështjen e mbrojtjes së Gjyqësorit në marrëdhëniet e tij nga sulme të jashtme. Shpesh ndodh që vetë media të jetë promotore e fushatave apo e financuar (investuar) nga politikanë apo persona privatë me interesa të tyre. Ka pasur raste që në media janë dhënë opinione të gjyqtarëve në detyrë, prokurorëve në detyrë, të cilët në tentativën për të analizuar drejt një ngjarje, kanë formësuar dhe opinionin publik. Është luks të marrësh opinion nga profesionistët, por në çdo rast ky luks nuk duhet të dëmtojë së pari vetë pushtetin gjyqësor dhe së dyti qytetarët pjesëmarrës në procese direkte apo procese të ngjashme me atë çfarë diskutohet. Duhet të garantohet ligjërisht një balancë ndërmjet së drejtës për informim, mbrojtjes së prezumimit të pafajësisë dhe garantimit të autoritetit dhe pavarësisë së Gjyqësorit, duke ditur se punonjësit publikë duhet të shmangen nga të quajtur një person fajtor përpara vendimit të detyrueshëm gjyqësor. Duke u bazuar më sipër, ka raste në praktikë, të cilat mund të vendosin vetë median në një pozicion të dyanshëm, pa komprometuar funksionimin e Gjyqësorit. Mundet që të kërkohet në kuadër të lirisë së shprehjes, shprehja e opinioneve (p.sh. të një personi publik) mbi mënyrën se si po ecën Gjyqësori sot, apo mbi çështje të organizimit të Gjyqësorit (p.sh. buxheti gjyqësor, p.sh. sallat e gjyqeve). Kjo pa dyshim që duhet të jetë në fokusin e medias, por media duhet të ushtrojë funksionin e saj në atë mënyrë që të tregojë te publiku paanshmërinë e saj në drejtim të funksionimit të Gjyqësorit dhe të tregojë se këto opinione janë thjesht dhe vetëm të personit që i shfaq këto opinione në publik, dhe se shpërndarja e këtyre opinioneve është vetëm për qëllim të informimit. Në të njëjtën mënyrë, media duhet të sigurojë për publikun, opinionistin, analistin dhe Gjyqësorin të njëjtat mjete, kohë në dispozicion, mënyrë dhe metoda për të dhënë mendimin e tyre lidhur me, fjala vjen, funksionimin e Gjykatës së Lartë.
Përveçse funksionimit të drejtësisë apo dhënies së saj, media mundet të tregojë me objektivitet në kuadër të ushtrimit të lirisë së shtypit, akuzat lidhur me një çështje penale që po shqyrtohet në gjykatë. Këto elemente mundet të hapen për publikun aq sa nuk prekin parimin e konfidencialitetit të hetimit. Gjithsesi, është e këshillueshme që media të përcjellë ato fakte apo elemente të akuzës që palët vetë në një proces gjyqësor i kanë ofruar në publik për të mbështetur këndvështrimet e tyre. Këtu luan një rol të rëndësishëm dhe marrëdhënia ndërpersonale e medias me personat që ushtrojnë funksione publike, sikurse gjyqtari, prokurori, ministri i Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë apo drejtuesit e gjykatave dhe prokurorive. Duhet të mbahet në konsideratë roli që luan media në forcimin e bindjes dhe besimit të publikut për dhënien e drejtësisë apo dhe “punën e mirë” të një personi që ushtron funksionet e dhënies së drejtësisë. Shpesh vërejmë se një gjyqtar, drejtues i një institucioni të Drejtësisë, në sajë të imazhit të mirë të ofruar nga media, arrin të bëjë përpara në karrierë (promovim brenda Gjyqësorit, politikë). Historia ka treguar (rasti i Italisë para disa vitesh si dhe vende të tjera), se dhënia e informacioneve/opinioneve nga gjyqtarët është përdorur si një trampolinë dhe si mjet që pikërisht këta gjyqtarë të hidhen në politikë të ndihmuar nga media. Së fundi, neni 18 i Rekomandimit parashikon: “Nëse komentojnë vendimet e gjyqtarëve, pushteti ekzekutiv dhe legjislativ duhet të shmangin kriticizmin e tyre që do të dëmtonte pavarësinë ose besimin e publikut në Gjyqësor. Ata duhet gjithashtu të shmangin veprime që ngrenë pikëpyetje me gatishmërinë e tyre për t’u pajtuar me vendimet e gjyqtarëve, përveçse kur deklarojnë qëllimin e tyre për të apeluar”.
Autorja është zëvendësministre e Drejtësisë dhe anëtare e rrjetit ndërkombëtar të avokatëve të medias
Botuar në gazetën Shqip, datë 13 korrik 2013