Fushatat zgjedhore “nga biseda gju më gju me popullin” që bëhej dikur, e transformuar në “town halls”, ose biseda të politikanëve me elektoratin në sheshe e shkolla, po zhvendosen në rrjetet sociale, për ti dhënë gjithnjë e më shumë rëndësi imazhit.
Në dekadën e fundit, rrjetet sociale janë bërë një nga metodat themelore për analizimin e fenomeneve të ndryshme sociale. Interaktiviteti apo ndërveprueshmëria me të tjerët në rrjete sociale, është pa dyshim ndër komponentet kryesore e cila reflekton dhe shpërfaq shumicën e atributeve që kanë personalitetet. Për më tepër, ky ndërkomunikim shpalos edhe atribute e cilësi të cilat personalitetet nuk i kanë, e në të vërtetë do të dëshironin ti kishin. Të qenit aktiv në rrjete sociale nënkupton energjinë dhe vullnetin në projektin politik apo në kauzën që partia apo kandidati përfaqësojnë. Në këtë frymë, përmbajtja e materialeve në rrjetet sociale është thelbësore. Nuk ka asnjë dyshim se një nga metodat e komunkimit me publikun (elektoratin) në këto profile është edhe ngjyra të cilën e përdorin partitë dhe kandidatët.
Partitë politike në Kosovë, për të ndërtuar identitetin e tyre vizual në bazë të ngjyrës, por edhe orentimit të tyre proameriakan, kanë zgjedhur ngjyrat e tyre në përpjekje për të imituar ngjyrat e partive kryesore amerikane, demokratike dhe liberale. Ngjyra në vetvete mund të ketë një ndikim të madh në identitetin e partisë politike, mund të përcaktojë atmosferën parazgjedhore dhe ta orientojnë mesazhin e drejtpërdrejtë te votuesit. Ajo ndihmon në elementet dalluese të faqes, përcakton disponimin dhe drejton syrin drejt një pike të veçantë në hapësirën e përceptuar nga vëzhguesi.Ngjyra mund të përforcojë ndonjë mesazh, por ajo gjithashtu vet mund të jetë bartëse e mesazheve. Ajo rrit ndikimin te vëzhguesit dhe zgjon emocione, sidomos te votuesit e rinjë. Ngjyra është ajo që ju vini re për herë të parë, para leximit të informatave dhe analizës së një teme apo profili të caktuar. Ngjyra mund të jetë sociale, kulturore por edhe e kategorisë ideologjike. Pa marrë parasysh nëse ngjyra përcakton ndjeshmëri shoqërore apo personale, njerëzit gjithmonë interpretojnë mesazhin vizual, sepse ata nuk mendojnë për ngjyrat, por ato i ndiejnë. Simbolika e ngjyrave duhet gjithmonë të shikohet në kontekst të ndryshëm qoftë historik, nacional, fetar, social etj. Nëse e shikojmë në kontestin e ideologjive politike atëherë shekullin e njëzetë e dominuan dy ngjyra, e kuqja dhe e zeza. Simbolika e ngjyrës së kuqe dhe të zezë edhe tani është e rrënjosur thellë në mendjet jo vetëm te banorët e rajonit tonë, por të gjithë Evropës dhe botës.
Në dy palë zgjedhje që po mbahen këtë vit, partitë politike në Kosovë në krijimin e identitetit të tyre vizuel zakonisht po përdorin ngjyra që reflektojnë ngjyrat e identitetit të tyre ideologjik, por ato po përpiqen të përfshijnë një lidhje vizuale me ideologjinë traditën dhe ndarjen e spektrit politik. Fushatat vizuele të këtij viti kanë elemente të teknikave të përdorura gjatë fushatës së fundit në Amerikë, por që janë kopje të shëmtuara të një origjinali magjepës.
Në prag të këtyre zgjedhjeve lokale rrjetet sociale janë vërshuar nga kandidatë të partive politike, shumica e të cilëve si statuja qëndrojnë në mure të rrjeteve, duke mos ndërvepruar aspak me votuesit e tyre potencial ose votuesit të cilët në zhargonin politik njihen si të pavendosur. Partitë të cilat deklarohen si të djathta apo të qendrës së djathtë (PDK, LDK, AAK) sikurse të gjitha lëvizjet në Evropë janë kthyer në hije blu e cila te disa nga partitë është me agresive. Jo rastësisht në profilet e kandidatëve të cilët kanë vërshuar qytetet, sheshet, hapësirat për vendosjen e reklamave por edhe rrjetet sociale janë të dominuara apo të pushtuara nga kjo ngjyrë. Këtu mund të futet edhe AKR-ja, një subjekt që është e deklaruar si liberale e djathtë.
Partitë e majta, ose të majta që anojnë nga qendra, pothuajse zakonisht përdorin ngjyrën e kuqe si bazë për krijimin e identiteti vizual. Po ta shihni profilin e kandidatëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”, qartësisht do të vëreni dominimin e ngjyrës së kuqe me një nuancë ngjyre të portokallit e cila mund ti jep butësinë imazhit. Nisma për Kosovën tanimë po shndërrohet në parti me orientim të majtë politik në profilet e së cilës po dominojnë ngjyrat identitare të së majtës.
Nga pikëpamja vizuale, fushatat e këtij viti janë vazhdimësi e imazhit të zgjedhjeve të mëparshme. Tani skenari i marketingut zgjedhor është i kuruar mirë dhe zbatohet me përpikëri nga stafet e kompanive të specializuara të cilat në të shumtën e rasteve te partitë e mëdha politike, janë ndërkombëtare.
Një gjë është e sigurtë se në kohën të cilën po e jetojmë fushatat zgjedhore “nga biseda gju më gju me popullin” që bëhej dikur, e transformuar në “town halls”, ose biseda të politikanëve me elektoratin në sheshe e shkolla, po zhvendosen në rrjetet sociale, për ti dhënë gjithnjë e më shumë rëndësi imazhit. Fushatat virtuale këtë vit në Kosovë, fatkeqësisht kanë pak elemenete origjinale. Ato janë ndërthurje apo kopje me tiparet amerikane të të bërit fushatë virtuale.
Në marketingun modern të fushatave zgjedhore tashmë po shtrohet pyetja se në proceset e ardhshme zgjedhore, a mund të jenë ngjyra dhe imazhi elemente që do të bëjnë diferencën?!