Fushata e (munguar) medias

24 Qershor , 2015 • Media dhe Politika, Shkrimet më të fundit • by

Fushata për zgjedhjet e 21 Qershorit pati një risi që e kanë evidentuar edhe kolegë të tjerë. Gazetarët nuk mbuluan fushatën dhe aktivitetet e partive politike nëpër Shqipëri në kuptimin klasik të mbulimit nga pikëpamja mediatike. Fushata u ideua, montua dhe transmetua drejtpërsëdrejti nën kujdesin e posacëm stafet elektorale politike, pa asnjë përjashtim. Përvec disa përpjekjeve sporadike, që një penë e njohur mediatike I quajti lule të vetmuara që nuk sjellin pranverën, media ka qenë e munguara e madhe e kësaj fushate të formuluar në inkubatorët e selive partiake.

Përgjegjësia për këtë defekt të rendë të mosfunksionimit të të ashtëquajturit pushtet I katërt është, së pari, e vetë medias dhe trupës së gazetarëve dhe së dyti, sërish e medias dhe marrëdhënies së koklavitur të saj me politikën. Së treti, është përgjegjësi e cdo konformisti, përfshi edhe mua, që jemi dorëzuar përpara faktit se gjërat mund të ndryshojnë dhe se qoftë xheste të vogla individuale mund të thyejnë raportin e ndërvarësisë së politikës me aktorët mediatikë. Së katërti, është përgjegjësi e shoqërisë që e toleron një dhunim të përditshëm partiak të përgatitur në laboratorët e propagandës.

Dhe së pesti është pasojë e arrogancës së politikës që ka arritur në nivelet e vetëbindjes se mund të kontrollojë gjithcka, të ketë median e saj, selfiet e saj, rrjetet sociale në shërbim 24 orësh. T’i rreshtosh të gjitha këto arsye nuk është as ndonjë kënaqësi dhe as ndonjë arritje e madhe për të cilën duhet të ndjehesh kontribuese në zgjidhjen e konflikt-dashurisë midis politikës dhe medias. Përkundrazi!

Një pjesë e konsiderueshme e gazetarëve me eksperiencë në këtë vend nuk e fshehin ndjenjën e zhgënjimit për mosreagimin ndaj dorëzimit pa kushte të rracës që në teori duhet të shërbente si kontrolluese e interesave të publikut duke garantuar transparence dhe llogaridhënie të (pu)shtetit ndaj qytetarëve. Ky mekanizëm i prishur prej vitesh tanimë ka arritur fazën e ndryshkjes dhe atrofizimit dhe ndoshta këto janë ditët kur mund të kemi shpresë se pas vdekjes do të vijë ringjallja.

Kthimi në gjendje normale të ndarjes së pushteteve do të të kërkojë kohë, por mbi të gjitha vullnet, profesionalizëm dhe investime të kontrolluara që e shohin median në vetvete si biznes. Jo se media shqiptare nuk është fitimprurëse në ditët e sotme, por burimet e vetëmbajtjtes së saj nuk vijnë nga biznesi I medias, por nga biznesi me median. Kësisoj, dëmtimet e shkaktuara gjatë përdorimit për të bërë biznes e kanë rreshtuar ashtu si pjesëmarrësit e mitingjeve të kësaj fushate elektorale të ulur në kuadrate të rregullt në pritje për të duartrokitur liderin e radhës, me të favorizuarit e radhës, që nuk lënë radhë pa ia përplasur medias në fytyrë pafuqinë e saj.

Print Friendly, PDF & Email

Tags:,

Send this to a friend